Dienstag, 1. April 2014

Grigror Jovani - Vargje te lagura


Me rastin e ditlindjës së poetit

Gëzuar Gole!
Stafi i Revistës elektronike "AlbPlanet" dhe i portalit "Ora shqiptare", ia uron ditlindjen poetit tone të nderuar Grigor Jovani!
Urojmë nga zemra që të jetoj edhe 100 vjet tjera dhe të na dhuroj shumë libra të rinj!  G ë z u a r !


ATDHE!

Në fund të fundit, çfarë i dhe,
Atdhe, o At, birit tënd bard?
Gjithë jetën kam mbiemrin tënd,
më pe gjithë jetën si bastard!
As dhe një fletë, nga gjithë ky det!
As dhe një laps, nga tërë këto pyje!
Megjithatë, në asnjë varg,
nuk t’u ankova. Dhe e dije......

Të kesh Atdhe nuk do të thotë,
t’ia duash pyjet pronë për vete.
Unë të kërkova dy-tre degë,
t’i kisha fyej nëpër dete.
Por kurrë s’do bëja llogari,
me ty, o At! Ngaqë jam bard...
Në fund të fundit, të ka gjak,
Atdheu im, ky bir bastard.




BIOGRAFI

Linda nga prindër pa Atdhe,
më thoshin Ky,
por s’qe i imi.
Kur njoha biologjikun At,
nga ajo ditë
s’m’u nda trishtimi.
Studiova shkollën e Askujt,
mora diplomën për Asgjë,...

në punë nuk bëra prokopi.
Shumë herë thashë “PO!”,
kur duhej “JO!”,
u katandisa në hipi.
Dhe sa për shkrimet…
ku di unë,
u rrashë në qafë apo më ranë?
Botova libra dhe vazhdoj…
Lexues s’pata kurrë
babanë.

DIELLI IM

Ngaqë e sulmuan me tërbim,
gjithfarë profanësh, dielli im
u struk ndër vete, u bë nga pak,
nga vijë e drejtë, rrumbullak.

Nuk u mjaftoi, tentojnë me zor,
nga rrumbullak, ta bëjnë katror.

TE JETOSH NJE VJERSHE

Nuk mjafton të bësh një vjershë
të bukur,
gjë kaq e vështirë
dhe kaq e madhe,
ndonëse vjershëtorët
s’janë dhe pak...

Më e mrekullueshme është ...

të rrosh një vjershë,
ashtu thjesht,
siç përjeton një puthje,
që gozhere bletësh
zgjon në gjak.

Ai mjalt pastaj... Që rrjedh ndër deje,
për të mbushur zemrën,
pak nga pak.
S’mund të jesh vetëm poet, atëhere,
je paksa si Shenjt,
Homeri plak.



POETET

Të pasur,
nuk mund të bëhen kurrë!

Është ligj.

Dhe vetëm që vazhdojnë,
ndërsa e dinë,
s’mund të konsiderohen
të ligj!



PERSERI PER NENEN

Sa herë dëgjonte çelësin tek porta,
si flakëz nga oxhaku hidhej.
“Je e marrë! - e qortonte babai. -
Ç’dreqin të gjen, nuk më thua?”

Ajo bënte sikur s’e dëgjonte.
Pas mesnate,
priste mua.



LULE TE EGRA

Të lutem: eja pranë këto ditë,
me vetminë
mos më lë vetëm.

Më ndihmo ta vras këtë shtrigë,
që gëzon:
si qyqet mbetëm!

Eja!
Ti ashtu, në mungesë,
rrit një kopësht me lule të egra.

U bë pyll.
Unë rojtar
eshtrash kthimesh të vjetra.



GRUA

Kam dëshmitar hënën,
që të mbron,
kam dëshmitar agimin,
që të zgjon,...

kam dëshmitar detin,
që të lan,
kam dëshmitar flladin,
që të than,
kam dëshmitar erën,
që të kreh,
kam dëshmitar dritën,
që të deh,
kam dëshmitar Zotin,
që të njeh
më mirë se unë:

Të dua shumë!




KESHTJELLA

Sytë e tu - dy portat e rënda
të asaj kështjelle,
që e sulmova këtu e vite,
ishin mbyllur me zhurmë ...

pas meje
dhe mbeta brenda, qyqari.
Këtu e vite,
nuk di kush është fitimtari.




AJO
QE ME NDJEK PAS


Më ndjek kudo. Si, dreqin, s’di...
Shfaqet e zhduket. E çuditshme!
Hap sytë në agim. E shoh në cep
të shtratit tim. Kaq e bezdisshme!
Kur bie të flej, dëgjoj në terr
si frymëmerr. Më kapin xhindet.
Edhe në gjumë, ëndrrat më ndjek,...

bëj që ta zboj, por nuk më bindet.
Ku eci unë, përkrah ajo.
E mira është, nuk më flet kurrë.
Dhe unë s’e ngas. Vetëm një herë
e bëra zemrën time gur.
I thashë, nëqoftëse atje ku shkon
takon mamanë dhe atin tim
t’u japë nga unë të fala shumë...

“Atje po shkojmë, tha, bëj durim!”

ETJA

Më zuri etja,
shpirti im,
më fal dy lotë,
buza po çahet.
Më shuaj etjen,
xhani im,
gjaku shteron
e thahet. ...


Shpirti s’ka veshë,
nuk më dëgjon,
e kur ka pasur,
vallë?
Vetëm një korb
rri më përgjon,
më kujton kërmë
dhe vjen vërdallë...



POTHUAJSE

Dashuria jote më ndryshoi:
U bëra i thellë si deti,
u bëra i gjerë si fusha,
u bëra i gjatë si mali.

Pse s’thua? Pothuajse
u bëre Zot,
Gole djali.


E PRES TE VIJE

“Cilën mbulesë do shtroje këtë herë?”
pyet zemra dhe më qesh,
në cep të shtratit ulet.
“Them që t’i shtroj çarçafin me pranverë,
t’i kundërmojnë lulet!”


VARGJE TE LAGURA

S'janë lotë për ty.

Iu prishën qiellit
bravat dhe mendeshat.
Ra shi gjithë natën
dhe m'u lagën vjershat.



NETET E MBETURA

- Po dashuria?
- Mos fol gjepura!
E ngatërruam
me rrobat e hedhura.
Tani thjesht më duro.
Më fto në shtrat,
ku e ku,
në netët e mbetura.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen