Mittwoch, 2. Dezember 2015

Arif Molliqi - Shakaxhinjtë kulturor


SHAKAXHINJTË KULTUROR

Ky shkrim nuk e ka për qëllim me u marr me përkufizimin e shakaxhinjve. Më herët janë marr më përkufizime të tilla, mirëpo ato nuk vlejnë më në kohën e tashme për shkak se të gjithë mendojmë (?!) se jeta dhe njeriu, në përgjithësi tek ne ka evoluar.


Erdhi koha e shakaxhinjve.

Harrojmë. Harrojmë se pa njohjen e vetvetes, nuk mund të vështrojmë saktë nga tjetri, nuk kemi premise të qarta për ta filluar debatin, ose të shtrojmë idetë themelore të emancipimit kulturor. Evoluimit. Pra, pa një transformim esencial në edukatën e të kuptuarit të debatit s´mund të luash rol vendimtar në kulturë dhe idetë kulturore, që pashmangshmërisht janë të ndërlidhura me të gjitha segmentet e shoqërisë, të cilat përcaktojnë edhe një identitet të veçantë kulturor dhe civilizues si të domosdoshëm për këto transformime.

Nuk mund të paramendohet as zhvillimi i krijuesit pa ndërtimin e individualitet kulturor. Pa evoluim në vetvete.

Pavarësia individuale e krijuesit, në rëndë të parë, është domosdoshmëri për fillimin e tij si krijues i mirëfilltë. E këtu hyn edhe kultura e debatit. Mirëpo për t´u ngritur në kulturën e debatit pengesat dhe sfidat janë më të mëdha dhe më komplekse se sa “kultura prej krijuesi”. Në debat sfidat janë rezultat i shumë faktorëve, përveç atyre kulturore, emancipuese, intelektuale, edukative dhe shpirtëror. Në debat rol shumë të madh luan egoja individuale. Mbase, në vorbullën e kësaj egoje shkaktohen konfuzionet e shumta, e nëse këto konfuzioneve ti nuk mund ta kontrollosh individualitetin tënd krijues, del prej vetvetes. Ose tregon se je pikërisht Ai por brenda teje dominojnë të tjerët. Ky konfuzion, të bën jo të pavarur dhe të bën shumë shakaxhi kulturor.

Çuditërisht tek ne ka shumë shakaxhi të tillë. Ata edhe mendojnë se janë të veçantë. Uniket. E nuhasin njëri-tjetrin shumë shpejt, mblidhen duke e krijuar një “Qark” të tyre. (Imitim i një “qarku” tjetër) Në fakt, ky imitim bën që ata të krijojnë “Qarkun e shakaxhinjve kulturor”.

Në kulturën e shkrimit dhe në tërësi në mendësinë shqiptare, shenjat e të paprekshmit, të vetëdijshmit, të shakaxhiu kulturor, e përcakton shenja e njeriut aspak civilizuese në debat. Këtu, ai që nuk e kupton debatin, në kontekstin e përgjithshëm individual del i zymtë, duke mos lenë hapësirë që të debatohet. Për çudi shenjat e tilla, jo civilizuese madje tek këta njerëz nuk shuhen kurrë. Një dëshmi për këtë paraqet fenomeni që gjatë debatit këta shakaxhi kanë: njohje gjuhësore të deformuara, shkallë të ultë të fjalorit përdorues e, deri të përdorimi i metodave linçuese më të vrazhda.

Këta shumë shpejt e gjejnë njeri-tjetrin (shqisat e të nuhaturit i kanë të zhvilluara), për të formuar “qarqe të shakaxhinjve kulturor”, sepse laramania e tyre, analfabetizmi dhe servilizmi brenda qarkut që formojnë është i madh. Thirren në disa “lidhje” dhe përpiqen me çdo mjet të asgjësojnë çdo të mirë krijuese që vjen jashtë “qarkut” të tyre.

Emitojnë, ose mundohen të emitojnë qarqe kulturore që fatkeqësisht tek ne shqiptarët nuk u shkatërruan kurrë.

Ky është absurd që këta shakaxhi i çon tinëzisht drejt poshtërsisë, braktisjes, mohimit të te qenit krijues mbase, mendojnë se po krijojnë mbi fondamentin e qytetërimit evropian. Harrojnë se “fondamenti evropian” kulturor e pranon debatin. Kurse servilizmi i tyre karshi njeri-tjetrit shfaqet kur trumbetojnë se janë krijues “autentik” të kohës se vet. Në esencë ata mbesin e njëjta shpërbërje morale, një zhvlerësim i personalitetit edhe brenda “Qarkut të shakaxhinjve kulturor”.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen