Donnerstag, 10. Dezember 2015

Tragjedia, dashuria dhe triumfi.

Lexim letrar nga Arif Molliqi

  • Drita Fejza, “Triumf dashurie”, roman, botoi, SHB “Beqir Musliu”, Prishtinë, 2015.

Tema e dashurisë brenda dhe jashtë tragjedisë familjare dhe kolektive, përballja e femrës më frikën nga humbja e virgjërisë dhe triumfi ndaj të gjitha atyre që e rrethojnë e ka provokuar si shkrimtare Drita Fejzën qe brenda një pylli të pafund të ngjarjeve, dramave e tragjedive të ndryshme të shkruaj romanin “Triumf dashurie”. Mbi këto tri shtylla kryesore: dashurinë, tragjedinë dhe triumfin, është i ndërtuar gjithë rrëfimin romanes. 
Autorja është e frymëzuar nga ngjarje reale, pse jo, të ndodhura në Kosovën e pasluftës dhe në mentalitetin shqiptar. Kjo jetë e ka formësuar realitetin artistik duke aplikuar realisten dhe modernen në një integrim mjeshtëror ku ato shkrihen në njëra-tjetrën. Romani sjell trajtimin e temës për dy botë të ndryshme që gërshetohen edhe me tema të tjera e sidomos nga realiteti i sotëm. Ajo që pëlqehet është se autorja ka realizuar integrimin e temave në funksion të njëra-tjetrës ku përparësi i jepet dashurisë në kuptimin universal, ndërsa linjat e tjera janë vizatime episodike të shkrira në temën kryesore.
Subjekti i romanit “Triumf dashurie”, është realist dhe i kapshëm për çdo lexues. Një mërgimtar (kyrbetçar) kthehet në Atdhe në Kosovë bashkë me gruan e tij dhe vajzën Ana, shkrimtare, pasi ka përfundua lufta. Kthimi është i dhimbshëm pasi aty ka ndodhur një tragjedi familjare, babait të Anës ia kanë vrarë shtatë anëtarë të familjes, e pas kësaj ata vazhdojnë ta jetojnë jetën. 
Rrëfimtari që është vetë autorja, e fillon përshkrimin më kthimin në vendlindje dhe njohja e saj me realitetin ekzistues. Pastaj, gjatë kërkimeve të saja ajo njoftohet me Sajmin, punëtorë i një enti social, që më vonë kuptohet se ai ishte një fëmijë i lindur dhe i rritur brenda një kohe tragjike. Afria e Anës dhe Sajmirit e lind dashurinë mes tyre, një dashuri që i përball me plotë sakrifica dhe përplasje. Ana në vendlindjen e saj shoqërohet ose njoftohet edhe me të tjerë si me Kozetën, Baxhiun, Ylljetin, Lumjen, Qëndrimin, Emën, djemtë e axhës Nel: Beratin, Burimin. Pastaj me axhën Sokol që kthehet nga Australia me fëmijët Sarën dhe Benin. Në jetën e Anës janë edhe Vali, Astriti, Elka e tjerë.
Ky realitet artistik, kjo jetë e Anës krejt ndryshe nga ajo që e kishte kaluar në Berlin,  në roman ka një reflektim të realitetit jetësor, dhe është i pasur me tema me personazhe reale. Dhe si i tillë rrëfimi është formësuar si një poemë prozaike, e strukturuar pa ndonjë rregull të domosdoshme. Ngjarjet, situatat, rrethanat, konfliktet dhe dramat e personazheve në raport me veten dhe me njeri-tjetrin janë sa të veçanta aq dramatike dhe enigmatike. Autori ka depërtuar në botën psikologjike të personazheve duke u munduar të futet në shpirtin e tyre psikofizik. 
Personazhet si elemente që e vënë në lëvizje jetën e romanit, janë integruar dhe harmonizuar sipas vizionit të autores, peshës së ideve dhe logjikës artistike, çka na jep me kuptua se Drita është një prozatore që premton. Kjo padyshim kuptohet si të përshkrimi artistik i ngjarjeve që e përshkojnë romanin në bashkëveprim me mjete të tjera si: dialogu, monologu i brendshëm i aplikuar me sukses pothuajse në të gjitha ngjarjet, situatat enigmatike në rrethanat e caktuara e tjera. Te personazhet në përgjithësi, mbizotëron ana dramatike dhe ndjenja e tyre e fuqishme me plot emocione, por brenda kornizave të rrëfimi racional. Gjithsesi mendojmë se portretet psikofizike të personazheve, pa teprime anë të realizuara. 
Autorja ka arritur të zbulojë dhe japë artistikisht atë të veçantën e femrës, emocionin dhe kuptimin e virgjërisë. Del në mbrojtje të ashpër të femrës që pa fajin e saj është dhunuar dhe poshtëruar. Te kjo temë, duke filluar që nga dhunimi si shprehje e thelbit të karakterit interpretues, e gjer te mënyra si flasim dhe i perceptojmë femrat e tilla, autorja e akuzon shoqërinë tonë që nuk del në mbrojtje të këtyre viktimave.
Atmosfera intriguese dhe shtyse që më padurim ti zbulosh ngjarjet që i ndodhin Anës dhe Sajmirit, por edhe të tjerëve, është e pranishme në tërë romanin. Mirëpo pas çdo episodi në roman, në ndërgjegjen tonë trokasin pikëpyetjet: pse tek ne ndodhin gjëra të tilla? Lufta mes të resë me të vjetrën që vazhdon të zhvillohet, sikur na torturon. Janë marrëdhëniet e botëkuptimit trashëgimore në linjën e vajzës-djalë. Është dhimbja e nënës që braktis fëmijën, jo me fajin e saj, është frika që ti dhurosh “dashuri” të dashurit nga se e humb diçka të shenjtë, atë që quhet – virgjëri. 
Këto kontradikta të shoqërisë sonë, në roman janë përshkruar artistikisht mirë, dhe si të tilla edhe pse dramatike janë mjaft realiste. 
Dhe në fund mund të themi se  autorja në luftën ekzistenciale për të mbijetuar në situata dhe kushte të vështira, mes gërmadhave të një paslufte, mes plagëve ende të pa shëruara të luftës, mes tragjedive familjare qoftë të vrasjeve, dhunimeve të nënave, motrave dhe grave tona, gjen një mjet që ti kapërcej këto goditje të rënda. Mjeti i kuptimit të jetës për ti mundur të gjitha këto, duke bërë edhe të pamundshmen të mundshme në çdo situatë a rrethanë është dashuria. Ajo triumfon. Dashuria për të jetua dhe dashuria si mesazh që mos të braktisim as vendlindjen.
Si përfundim mund të themi se romani “Triumf dashurie” e Drita Fejzës, është një roman me vlera artistike, estetike. Është roman provokues në tema, në mendime dhe në zgjedhjet që i gjen për ta zbërthye të panjohurën.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen