Mittwoch, 28. März 2018

Zekerija Idrizi dhe romani: ARRATISJA NGA “VDEKJA”


Nga: Mr. Fatmir HALIMI

           Çdo studiues kur bën analizë të veprës letrare gati çdo herë do të ndalet te titulli i veprës. Titulli i një romani apo edhe i çfarëdo vepre prozaike e poetike në shumicën e rasteve është çelës i interpretimit të saj, me ç'rast në masë të madhe e lehtëson punën e diskursit kritik, por në disa raste edhe e vështirëson. Në rastin tonë titulli "Arratisja nga "vdekja", e vështirëson interpretimin edhe pse që nga titulli mundohemi krijojmë një përfytyrim se çka mund të zhvillohet në ngjarjet në vazhdim. Pra, edhe vetë teksti që na e ofron autori në romanin "Arratisja nga "vdekja", është mjaft i vështirë dhe i ndërlikuar për t’u kuptuar si përmbajtje dhe për ta interpretuar me diskursin kritik. Kjo ndërlikueshmëri vërehet përgjatë gjithë veprës që nga fillimi e deri në fund, e jo siç ngjet në shumicën e rasteve te shkrimtarët e tjerë vetëm në faqet e para e mandej rrëfimi shkon rrjedhës së vet. Por këtë autori nuk e bënë rastësisht, e bën qëllimisht me një vetëdije të lartë artistike e letrare, siç bëjnë shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore. Pra, romanin "Arratisja nga "vdekja", duhet ta lexojmë me një frymëmarrje, me një hap, dhe vetëm atëherë do të shohim se teksti i tij na ofron një fushë të paanë të interpretimeve diskursive.
          Pra, qysh në fillim të këtij shkrimi diskursiv dua ta përgatis lexuesin se kemi të bëjmë me një roman më ndryshe se romanet e tjera, me një rrëfim krejt tjetërfare se rrëfimet që kemi lexuar deri më sot nga shkrimtarët tanë të letërsisë shqipe, apo ndoshta edhe të letërsisë së huaj. Pra, para vetës kemi një dorëshkrim, libër të shkruar nga një krijues tashmë i njohur në letrat tona, Zekerija Idrizi, teolog, publicist dhe shkrimtar. Prandaj, mund të them se romani "Arratisja nga "vdekja" i shkrimtarit Zekerija Idrizi është një krijim letrar i ndërtuar mbi rrëfimet e krijuara, të përjetuara të kryepersonazhit Ilirit në formën e një bashkëbisedimi, apo të një korrenspondence me të dashurën e tij, ku përmes këtij bashkëveprimi inercial ai arrinë që të krijoj botën e tij reale, por edhe imagjinare përbrenda vetes së tij, duke depërtuar thellë në psikologji deri në detajet më të imta psiko-filozofike të qenies së njeriut. Autori idrizi romanin e tij e ndërton duke përdorur edhe kategoritë stilistike, e sidomos intertekstualitetin dhe metatekstualitein.
           Me intertekstualitet kuptojmë efektet e një teksti në tekste të tjera. Pra, çdo libër flet për librat e tjerë, një libër lind (prodhohet) nga librat e tjerë, dhe çdo histori është histori e treguar njëherë, andaj vetë libri i krijuar apo vetë historia e riprodhuar nga autori është intertekst, të cilin fakt e gjejmë për gjatë gjithë librit të shkrimtarit Idrizi. Intertekstualiteti si kategori stilistike në tekstin prozaik nga shkrimtari, në shumicën e rasteve prodhohet në formën e citatit, lajmit, shënimit etj., që te romani i Zekerija Idrizit, "Arratisja nga "Vdekja", i kemi të mjaftueshme, të cilat dëshmojnë vetëdijen e tij artistike dhe qasjen postmoderniste në ndërtimin e tekstit.
 Kurse metatekstualiteti si dije për interpretimin e teksteve letrare në diskursin kritik është mjaft i shpeshtë, por është shumë i rrallë në diskursin prozaik si kategori stilistike. Në diskursin kritik metateksti kupton praninë e komentit që i lidhë dy tekste. Ngjashëm kuptohet edhe në diskursin letrar e sidomos në prozë. Kjo ngjet kur autori fut dy tekste të ndryshme që komunikojnë apo që bashkëveprojnë njëri në tjetrin dhe mbi këto dy tekste e krijon komentin. Në metatekst rrëfimi ndërtohet mbi një gjuhë të figurshme e metaforike, por jo metonimike. Të gjitha këto elemente për metatekstin do të arrihen me sukses dhe me nivel të lartë artistik te romani "Arratisja nga "vdekja" i Zekerija Idrizit. Ai këtë e arrin përmes personazhit Ilirit në formën e një meditimi apo të një monologu të brendshëm me veprat e lexuara të autorëve tanë të ndryshëm, të cilat i koorporon natyrshëm në rrëfimin e tij.
Shkrimtari Idrizi rrëfimin që na e prezenton në romani "Arratisja nga "vdekja", është rezultat i të gjitha përjetimeve nga jeta të kryepersonazhit për të cilat rrëfime na sqaron vetë autori se: “E dini çka? Sapo e nxorra nga kompjuteri të tërë rrëfimin letërkëmbyes në mes të Ilirit dhe Kristinës, i mora fletët, i vendosa në gjoks dhe falënderova Zotin për përfundimin e këtij tregimi apo romani, quajeni si të doni, të cilin e shkrova ditë e natë me një përkushtim të thellë shpirtëror. Kuptohet që unë u përqëndrova në sekuencat më të qenësishme të ditarit të tij të stërmbushur me çdo detaj të përjetimeve të tij. Do të jetë ky, me kismet, një nga rrëfimet më të “çuditëshme” e më tragjike, por shumë i lezetshëm në esencë. Sado i trishtë e drithërues që është, ai ka një epilog fatlum dhe shumë optimist…”
           Pra, nga rrëfimi do të kuptojmë se jeta e Ilirit ishte një kohë të gjatë e turbullt, terrenthepisur e përplot pezëm, ankth e trishtim. Absurditeti dhe fantazmat groteske zënë vend në inteligjencën e tij, që ia mjegullojnë të rezonuarit e shëndoshë, ndërkohë që histeria e degradon, deri në paradoksizëm.
Krejt në fund, madje, ato, sado të trishta e tragjike, janë edhe instruktive dhe edukative, njëherësh. Janë ca momente nga një periudhë goxha e gjatë, pothuaj dhjetëvjeçare e përjetimeve të tij mjaft të trishta e të dhimbshme, por që ai, më në fund, arrin triumfalisht t’i sfidojë, t’i kapërcejë e t’i mbizotërojë, falë inteligjencës dhe besimit të tij të sinqertë e të çeliktë në Perëndinë. Ai përballet disa herë tmerrësisht me tablotë më lemeritëse të "vdekjes", të "vetëzhbërjes", por që mrekullisht shpëton, mbijeton... Të tëra dromcat nga "vdekja" e tij "elegante" (e kobshme, fatale), ai i shënon në ditar të tij, të cilin e mban me xhelozi, si "hajmali" në arkivin e vet, për ta ruajtur si thesarin më të çmueshëm në jetë. 
           Romani, "Arratisja nga "Vdekja", si përmbajtje lexuesve do u kujtojë momente me të cilat janë përballur dhe përballen çdo ditë në jetë. Pra, do t’ua kujtojë ato situata e rrethana nga më dramatiket në jetë, sikundërse, me plot të drejtë, pohohet "të vetërrëfehesh do të thotë, në fakt, të kurohesh, të çlirohesh nga të gjitha vrragët, mynxyrat e krajatat tunduese e sfilitëse të jetës". Prandaj, mund të them se ky rrëfimin sikur e çliron njeriun nga tendosjet, ngarkesat e mëdha, nga të gjithë ankthet, sfidat dhe krajatat që na i cyt jeta. Por mund të kuptohet edhe si mësimnxënie e edukative, që vetëm besimi i çeliktë në Zotin, devocioni i thellë shpirtëror, dashuria kulmore hyjnore, kontemplacioni liturgjor me shumë shpirt dhe intelekti i urtë janë faktorët kryesorë të vetëshpëtimit, të mbijetesës vetjake dhe të mbijetesës, madje edhe të vetë botës, universit... Vetëm këto elemente flakin tej rastet e gjendjet e shumta depresive psiko-mendore dhe rastet e shumënumërta të vetëvrasjeve në shoqëri, nga njëra anë, dhe pezullojnë afatgjatësisht kataklizmën apokaliptike të tokës e të mbarë universit, nga ana tjetër... E, i tërë rrëfimi mëton të riakordojë dromcat e çakorduara të jetës tonë, t’i riparojë, t’i ndreqë e t’i rigjenerojë ato, duke i furnizuar me rrezet e Dritës dhe Energjisë Hyjnore...Thjesht, ta them metaforikisht, pas të gjitha tatëpjetave, thyerjeve, çekuilibrimeve, anktheve, agonive e kataklizmave të jetës që pëson, në tërë kompleksitetin e saj, kryepersonazhi arrin triumfalisht të ngjitet në varkën e Noes (Nuhit) për të shpëtuar, për të rilindur sërish e për t’u bërë më vital e më i fortë, se kurrë më parë në jetë. Në (përfundesë) epilog, ai, fatmirësisht, shijon ëmbëlsisht frytet e rigjenerimit, e të katarsisit të tij.
            Të tërë këtë rrëfim "monologues", Iliri e zhvillon deri në imtësi, herë-herë ballë për ballë e herë të tjera në mënyrë imagjinuese, me të dashurën e tij, Kristinën. Pikërisht, ajo qe këshilltarja më e madhe e tij që arriti ngadalë, por, me shumë takt e sens, ta motivojë atë thellë t’i rreket "zbulimit" të vetvetes për të qenë denjësisht e realisht pikërisht AI-VETVETJA në çdo mendim, meditim, pikëvështrim e veprim. Nuk kanë thënë më kot shpirtndriturit: profetët, parashikuesit, urtakët se "kush njeh veten, ai njeh Zotin". Ajo bëri që ai në introspeksion vetëkontrollues të depërtojë në të gjitha skutat e stadet e shpirtit të tij, duke mëtuar të pastrojë nga ai çdo vragë, njollë e mbeturinë. Zaten, synimi esencial i besimit dhe fesë është: “TË PASTROHET, TË RIGJENEROHET SHPIRTI”, se lufta më e shenjtë e njeriut është: “TË MPOSHTË UNIN DEMONIAK NË VETVETE”. Rrjedhimisht, ajo bëri që ai të arrijë në atë shkallë që të “prekë” e të “shijojë” praninë dhe bukurinë e Zotit. Si me shkop magjik, ajo ishte shkaktare që ai të “vrasë”, përfundimisht, të gjitha situatat e tij depresive e vetëvrasëse, të gjitha ankthet e makthet, të gjitha agonitë, andrallat e fantazmat djallëzore...Thënë më drejt, Kristina ishte MUZA e tij, e cila ia dhuroi me përzemërsi Fjalët Hyjnore, në çastet më delikate, më tragjike e më të dhimbshme të jetës...    Leximi i këtij romani kërkon vullnet të madh të lexuesit për t'i pranuar të tmerrshmen e të shëmtuarën dhe të mrekullueshmen e hyjnoren njëkohësisht. Pra, lexuesi do të përballet me tërë atë univers drithmash, gjëmash, ofshamash, britmash e qarjesh, por edhe me një univers emocionesh nga më të ëmblat, më të lumturat e më shpresëdhënëset, që do t’i hasë në fund të rrëfimit të kryepersonazhit. Me gjasë edhe vetë, autori i romanit "Arratisja nga "vdekja" ka kaluar nëpër tërë këtë univers të larmishëm e diversiv emocionesh. Në këtë botë relative nuk ka patur, nuk ka e as nuk do të mundë të ketë ndonjëherë jetë ideale, a të lumtur, absolutisht. Por ama idetë, synimet e veprimet për të sendëzuar një çikë idealitet në një kësisoj bote, çfarë është në të vërtetë, janë tipare të njerëzve fisnikë e të ndërgjegjshëm, janë virtyte të idealistëve...Me plot të drejtë thoshte Dostojevski:“Dhembja dhe vuajtja janë gjithmonë të pashmagshme te një inteligjencë dhe te një zemër e madhe. Mendoj se njerëzit e vërtetë, të mëdhenj, duhet të kenë trishtimin më të madh në botë”....
Aty, diku, nga fundi i korrespondencës, Iliri i drejtohet bashkëshortes apo të dashurës së tij:

“E dashur Kristinë!
Në jetë timen kalova nëpër rrathët më të ulët të ferrit dantesk. I gjendur pa grimë shprese për rrojtje, i katandisur në një rreth vicioz, nga ku vështirë se do mund të dal dot, në mënyrë misterioze, nga përtejbota, më erdhi drita, e cila  më shpëtoi nga vetëzhbërja dhe jo vetëm. Falë kësaj Drite hyjnore, unë u bëra akoma më i fuqishëm, duke u arratisur nga “vdekja”- nga asgjësimi në JETË, "u ringjalla si feniksi nga hiri"...
Ti, e dashur, e di se edhe në raste “hiri” e “agonish”, mbi “prush”, unë kam ditur të rimarr veten shpirtërisht dhe racionalisht falë Zotit, në radhë të parë, dhe falë sakrificave dhe ndihmës tënde të fuqishme, në radhë të dytë. E, në kohë rimarrjeje, vetëkëndelljeje, ti e di më së miri që unë kam qenë në shkallën sipërore të fuqisë, të energjisë, të frymëzimit, të leximit, të përsiatjeve e meditimeve të gjata dhe të punëve kulmore vetjake në “krijim”... Unë dhe ti, Kristinë, jemi produkt i dashurisë hyjnore, respektivisht, jemi emanacion i Dashurisë Supreme të Perëndisë, që është manifestuar mrekullisht edhe te fëmijët tanë ëngjëj... Shumë herë kam qenë i mbërthyer në atë vetminë time prometeike. I rrethuar gjithandej nga yjet, qielli, universi. Ato artistikisht më “zgjonin”, më “buzëqeshnin” dhe më dhuronin muzën më të ëmbël. Ato herë-herë, paradoksalisht, merrnin fytyra njerëzish, me të cilët bashkëbisedoja. Fatamorganë kjo shumë e ëmbël dhe frymëzuese njëherësh! Ato bënë që unë të rrugëtoj, si një lumë nëntokësor që ec drejt detit të errët, ku vetëm “vdekja” më zbuloi DRITËN…”

             Përfundimisht, ky rrëfim romanor rrezaton me një ton të fuqishëm mbi zinë e terrnajën, dritën e shkëlqimin. Ai, madje, në mënyrën më të qartë, rrëfen për rrugëtimin e vetmuar, por shumë të guximshëm, të kryepersonazhit hero, Ilirit, i cili udhëton i gjallë midis vdekjes. Ankthet, vuajtjet, melankolitë, dëshpërimet, depresionet, thjesht të gjitha zezonat, më në fund vdesin përpara gj allërisë dhe fisnikërisë së tij, i cili përkrahet fuqishëm nga bashkudhëtarja e tij e denjë, Kristina, dhe nga krijuesi i tij, nga Zoti.

Prishtinë, shkurt, 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen