Sonntag, 15. Juli 2018

25 poezi nga Grigor Jovani

Grigor Jovani

KALI PEGAS

Shumë veta shalojnë për fluturim 
kalin Pegas.
Rrëzohen të gjithë me tërsëllim
por s’e vënë poshtë:
provojnë prapë.
Disa harxhojnë për këtë mësim
një jetë të plotë. 
Ta kishin thyer qafën në fillim,
do të shpëtonin 
nga mundimi i kotë.


ZBRITJA

Me kalimin e kohës humbas nga një gjë.
Fundi i horizontit shkurtohet ca metra,
skajet e rrugëve bëhen më të errta,
zbehet dhe nuk dallohet mirë pema e largët
dhe ajo e çara e hollë në skaj të dhomës,
si një shteg sekret nga mund të hynte dielli,
pa trokitur.

Shemben një nga një pas meje shkallët,
duke zbritur.



PASOJA

Pasi ike, 
humba ndjeshmërinë e gishtave.



ILUZIONE

Më the gënjeshtër,
se shkove mbrëmë në bregun matanë,
duke ecur mbi ujë,
për të hedhur rrjeta.
Dhe mua më ngjanin të gjitha të vërteta.
Dhe unë t’i besoja të tëra...
Në mëngjes, kur u zgjova,
pashë se nuk kishe det përtej dritares.
Një fushë e gjelbërt me grurë
dallgëzonte nga era.



ZARIGOGAT

Unë, Aladini, 
netëve, 
mbi qylym fluturues,
zbarkoj në breg të lumit,
ku kanë foletë zarigogat. 
Shtrihem mbi guralecët
e lëmuar nga uji
dhe mbështes faqen
mbi pëllëmbë.

Vetëm atëhere më zë gjumi,
kur zgjohet lumi
dhe zarigogat
e shëtisin tejtëhu me këmbë.

Dua të shëtis 
me njerën prej tyre,
por kam fikë se e trëmb.



STERMUNDIM

Gjëja më e zorshme që kam bërë:
të qëllova supin miqësisht me dorë,
në vend që të të bëja dashuri me orë.



PERKTHIMET

Disa vjershave të mia të këqija
u bënë jashtë ca përkthime të mira
dhe lexuesit e huaj, nga më snobët,
më kujtuan poet shumë të mirë,
që kisha rënë tek përkthes të dobët.



Skicografi: SHQIPTARET

Epos traditash dhe legjendash. Dekori:
Bjeshkët e Jutbinës. Qielli lart - çatia.
Poshtë: greminë. Si historia. Dikur 
do të vdesin si shqiponjat. Duke fluturuar. 
Këndojnë këngë majekrahu. Për Mujin dhe
Halilin. Jehonat shqetësonë Zotat. Atyre
kurrë nuk u kanë besuar. Besojnë, ama, 
tek rakia. Qëllojnë me pushkë dhe falen 
me fjalët: Shëndet dhe Gëzuar!



VAJE

Gjyshja ime gjithë ditën këndonte
nën buzë.
Qante të shoqin në Amerikë.



QORR NE SKETERRE

Sot ujërat nxorrën në breg
një peshk të verbër. 
Gulçonte dhe mundohej të ndiqte
si Odiseja,
erën.
E kishte dënuar sovrani i detit,
Poseidoni,
të endej në Had si mbreti i Itakës,
por mos ta shikonte Skëterrën.



OFERTA

Me 30 shishe të boshatisura, 
fiton 3 birra të mbushura.
Me 3 birrat plot,
dhuratë - 1 gotë.
Me 30 gota - Parajsë bota!
Vini re! Vini re! Oferta
vlen vetëm për sot.
Nesër, as me 1000 gota,
Parajsë nuk bleni dot.



DON KISHOTI

Dhe unë, Don Kishot idiot,
me shpatë e ushtë, 
mbi Rosinant,
të varfërit dua të mbroj,
nga çdo i pasur.

Por në këtë vend ku rroj,
kaq kohë
të varfër nuk kam hasur.



ME CEREMONI

Mbarova në plazh një libër të Elitit
dhe u ngrita në këmbë.

Të shuplakosja veten me pëllëmbë.



FURRA E BUKES

Peshohem çdo mëngjes.
Ime shoqe zgjat kokën me kërshëri
mbi supin tim të shikojë. 
Komentin e saj përvëlues pres...

Por mendoj dhe katër fukarenjtë,
që dikur,
kokëulur dhe pa asnjë kërshëri 
do të më çojnë.

“Nuk mbanim më mirë mbi supe
një furrë buke!”,
do të mendojnë.



POETI I MENÇUR

Dashuria është çmenduri.
Korri furtunat,
ai që erërat mbolli.

Unë s’kam kaq mend
për të tilla mençuri.
Ma mësoi Dritëro Agolli.



NJE NATE

Të hodha në krevat.
Ti prisje në heshtje,
me sytë në tavan,
të mbaroja.
Pastaj, 
më hape portën 
për të ikur. 
U ktheve të laje trupin
me ujë të përvëluar.
Mblodhe çarçafët
dhe, ndërkohë,
më kishe harruar.



DET I PARREZIKSHEM

Vijën e drejtë të detit në fund të horizontit
e kapërcejnë tek-tuk delfinët,
duke lënë në sfondin qiellor ca hije të zeza
dhe ca vrima të hapura në sipërfaqen e ujit,
pas zhytjes.

Në këtë det, 
mjeshtri im, Pikaso,
nuk ia kam frikën mbytjes.



UDHETIMET

Ç’fitova dhe ç’humba nga gjithë udhëtimet,
në të katër skajet e këtij deti,
nuk do ma thotë kush.

Një varkë me direkë këtu afër bregut,
gati që të niset,
mushkëritë mbush.

- Hej ju! Prisni pak! Sa të bëj një dush...



ZANAT I MIRE

Punë tjetër duhej të kisha bërë në jetën time.
Të siguroja bukën, por të vija ca mënjanë. 
Pastaj, për qejf, të bëhesha shkrimtar. 
Por kështu, i varfër dhe çdo ditë në punë?!
S’do mend, jam gazetar!

“Ka të mirën e tij zanati, - ironizojnë kolegët. - 
shet libra plot! Të reklamojnë gazetat.
Për ne askush s’e prishi terezinë...”.
E pra, gjithë jetës s’dhashë një intervistë,
të tjerëve u bëra një dyzinë.

Vijnë dhe kritikët, mbushur vrer dhe cmirë:
“Cili, Jovani? Doemos që shet!
S’e njihni mirë!”



GJERAT E DOMOSDOSHME

Dëgjova natën të më rriten thonjtë.
Në mëngjes desha t’i prisja me dhëmbë,
si gjithnjë.

U kujtova,
se nuk ma vunë protezën me vete.
Thanë se në varr nuk më duhej më.



ART SOCIALIST

Askush nuk vdes kot tek filmat socialistë
(vetëm nëse duhet të shpëtosh vinça të kalbura,
kohëve me “Hoirizonte të Hapura”).

Askush nuk vdes kot tek filmat socialistë
(vetëm nëse ngrin mbi pemë, si dardha,
apo si Deda mbi shtyllë, tek “Rrugë të Bardha”).

Askush nuk vdes kot tek filmat socialistë
(përjashto kaporalët italianë, që hera-herës
u përdridhet qafa si zog “Në fillim të Verës”).

Gjithshka shkon vaj tek filmat socialistë,
sipas skenarit. 
Çdo ndryshim mund të xhirohet në... Spaç
apo në Qafë të barit.



PASTRUESI I WC-ve

Lau dhjetra e qindra,
në jetën e tij,
qyqari.

Asnjera,
nuk kundërmonte kaq kaq,
sa varri.



LETER

E dashur Princeshë!
Më mirë të gdhihesh në botën tënde.
Tek kjo e imja,
nuk ka më trëndafila.

I kanë bërë plastike. 
Për tregti.
Ca debila.



VDEKJA E AKTORIT

Gati një vit që ka vdekur. Televizori,
tani luan serialin që nuk përfundoi,
kur la anijen dhe iu nda ekuipazhit. 
Bën dimër jashtë. Kushedi sa ftohtë
ka gjetur tek vendi. Por në film akoma
luan me rrobat e plazhit...

Poshtë portës, e pret një zarf i pahapur. 
Brenda një çek. Pagesa për rolin e fundit.
Pak vonë, por s’ka gjë. 
Hera e parë që banga i është debitore. 
Për herë të parë shikon në sy kapitalin
dhe s’i ka borxh asgjë.



PEGAS I PAMUNDUR

Pashë një Pegas që donte të fluturonte,
por nuk mundej - ia kishte prerë flatrat,
si një kosë e padukshme reja -
në një skaj të syrit tënd.

Fshihe, të lutem, atë mëz të pamundur!
Kur e shoh kaq të mjerrë,
nuk mund të rri në një vënd.

(Korrik, 2018, 
Istmo, Korinth - Lutraqi)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen