Freitag, 6. Dezember 2019

Brahim Avdyli: AMAZONAT E KËNGËS

Brahim Ibish Avdyli

AMAZONAT E KËNGËS SONË

1.

Një enigmë e madhe
prapa kodrave qëndron

prore më shtyp
në zemrën e viteve,

më lë pa fjetur
e as të zgjaur
me mendimet e pa fjalë-

enigmë e pazgjidhur
mjegull e paqartë!

2.

Për gabimet e vogla
qaj në vetmi
të dy djemve të mëdhenj

e në vend të tyre
kërkoj falje,

qaj në përgjithësi
për gabimet njerëzore

edhe pse nuk kam faj,

fati bëhet i pafat
pafati sillet me furtunë
e futunat
i përfshijnë të pafajshmit,

në vend të ligut
shkon i miri,

mezi mbetet vend
për të Drejtën time!...

3.

Çudi,
a duhet që të jap
edhe jetën,

e t`ua mbush kështu
të gjithë fëmijve
duart e zbrazura
të fëmijërisë,

apo të bëhem
pus i thellë pa uj,
tokë e mbetur pa Zot!...

4.

Ndonjëherë dëgjoj
zëra të tjerë nga historia,

i ndjejë fëmijët
që flasin e buzëqeshin
shqip nga Dodona
apo qajnë ndonjëherë,

midis tyre
më duket Demetra
në ëndërr apo zhgjëndërr
me bukurinë e buzëqeshjeve,

grushtin e mbushur të kallinjëve
i mbanë në njërën dorë
e me tjetrën
draprin ma tregon,

rrezet e dritës
i lëshohen pas kokës-

ndriçon prej andej
aureola e mbretërisë!

5.

Pranë më qëndrojnë
amazonat e fuqishme të këngës
ndër vegime,

nuk e di a duhet të jenë
muza të vargjeve,

e ngrehin trupin e ngjeshur
sikur në antikë,

herë herë më ngjallen
në Kosovë
apo në ndonjë kohë tjetër,

mendohem gjatë me dhembjet
shqetësom e vuaj
për një enigmë-

amë janë
apo zonjë-
zonjë dhe mëmë,

më sillen
sikur u kam hak
amazonave të mia

e ndër ëndërra
nuk më lënë të qetë!

6.

Një monedhë
e mbaj nëpër duar,

kur e kthej në anën tjetër
është gruaja-
zotneshë,

Galata
ishte nëna e jonë
e vargjeve të pakëputura,

ilirisht i kemi gëdhendur
duke shtuar
shpresën e ditës sonë,

me emrin e saj
jemi përkundur ndër valë
deri në Azinë e Vogël,

o Babë, o Polifem
pse nuk na e ke thënë
se në damarët tanë
e kemi
prej atëhere
gjakun e këngëve!...

7.

Duke lundruar nëpër detra
i shikonim Yjet
për të na e dëshmuar
rrugën e kthimit

derisa i kërkonim
Lopët e Diellit
me vetëdijen e pështjelluar
të sirenave...

8.

Kështu
shpenzuam energjinë
duke i menduar Zotat
me një trup njeriu,

emrat janë
pjellë e vetëdijes sonë,

vetëm ata
siç do t`i quanim nëpër botë
na e përtërinin
fuqinë mbi valë,
ishim
e mbetëm Yllor!

9.

Të ishte njeri
do të kishte qeshur
me anomalitë tona
Energjia Kozmike,

Maria Magdalena
rri pranë Krishtit,

e në mes të tyre
qëndron hapësira “V”
si Viktoria,

nuk mund të jetë ndryshe
pos një Fitore

me vuajtjet e mëdha
për të fituar
origjinalitetin!...

10.

Ka ardhur koha
të gjendet e Vërteta,

në kokë e mbajnë fshehtësinë
të gjitha religjionet,

pas tyre qëndron
një femër-
herë Shiva e herë Amazonë,

tjera herë kthehet
përsëri në Dodonë

i shpërlanë
gurët e mykur të kalasë
bëhet pëllumb i bardhë
për të mbjellur paqen
mbi njerëz.

11.

Zoti i jonë qëndron
mbi Galaktika-
jemi fluska të dhembjes së tij,

rrënjë e madhe
e përkujtimeve tona!...

12.

Rri në këmbë
para befasisë
papritmas bëhem fëmijë

te kulla e plisit të hekurit
fërkemin e kalit
e kërkoj ndër ëndërrime,

dy motrat e mija
të zemëruara tej mase
i bërtisnin shekujt në mua,

këkoja diçka
nëpër themelet e kullës
së mbushur me therra
nga e keqja,

e fjalën e nderit
të familjes e mbronin
me thuprat e ngjeshura
në fëmijërinë time,

kishin frigë
nga orët e maleve-

Zanat e Kullës së Diellit!

13.

Befas
nga të qarat e fëmijërisë
të etur për rrënjë
të kësaj kulle
e të këngës sime

doli nga therrat
Ora e Shenjtë-

përtej realitetit të përceptimeve

e vraponte drejtë nesh
mbi barin e gjatë
duke e thirrur në emër
motrën e madhe

që godiste
dhembjet mbi mua

e qante vetë!

14.

“Askush nuk guxon
ta rrahë këtë djalë
ndonëse kërkon diçka
te Kulla e Plisit,

e poqese e thyeni
njëherë këtë Besë
për ditën e madhe
të Ilirisë

do të më keni mua
me goditjet magjike
mbi shpatullat e dhembjes

e kurrë nuk do të më shihni
nga vetja e juaj

pos vegimit të fjalës!”


15.

Nga flokët e arta
drita shndërrohej në Diell

e prej andej
i kujtoj pore
Orët e Maleve tona.

16.

Herë më lidhet
në mërgatë
me vajzën pllavushkë
që shkoi nga bota
pas dymbjetë viteve

duke u kacafytur
për mua
me prindët e vet,

e sa të tjera kalirojnë
mbi erërat e qiellit...

17.

Më pllakosë dhembja
e nuk e di
nëse janë të parat,

apo muzat e lirisë
e amazonat e këngës,

po kur të dal
në botën tjetër
do t`i thirri të gjitha amat,

këndej
duhetë të shikojnë
më mirë
pjellën e Dritës!



SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT

Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)...

Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010.

Prof. Mr. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike...

Veprat:

  • "Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
  • "Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
  • "Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
  • "Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
  • "Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
  • "Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
  • "Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
  • "Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
  • "Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
  • "Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
  • "Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;
  • "Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012;
  • "Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013;
  • "Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014;
  • "Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015;
  • “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017.
  • “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019.


Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019...

Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë...

Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë. Ndër to, mbetet të përmendet vepra politiko-organizative dhe publicistike, në dy vëllime, “Çështja shqiptare dhe zgjidhja e drejtë e saj”, e cila i është marrë nga duart e redaktorit, Akad. Prof. Dr. Bedri Dedja dhe i është dorëzuar në Beograd, Sllobodan Millosheviçit, sipas thënieve nga Shqipëria, atëherë, në telefon...

Kështu, mjaft vepra historike, analitike, publicistike apo letrare presin për mjete të botimit. Dhjetra artikuj, edhe për paleologjinë, i ka botuar në revistat e ndryshme elektonike dhe në faqen e tij provizore, http://www.brahimavdyli.ch .

Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht.


Mr. Brahim Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); i Akademisë Alternative Shkencore të Shqipërisë dhe i disa organizatave të tjera.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen