Mittwoch, 18. Dezember 2019

Murat Aliaj: SEKRETI SHTETËROR

Murat Aliaj

SEKRETI SHTETËROR

Nuk e di në ekzistojnë sot sekrete shtetërore, pasi në hanet pa porta s’mund të përbëjnë probleme sekretet, por fjalën e kam për ca kohë të shkuara kur nxjerrja e sekretit, kërkonte koka...Sa herë më kujtohet ajo ngjarje, më kapin ca të dridhura të pa kontrollueshme.

Puna u ndërpre në mesditë e papërfunduar. Shkak u bë një incident nga ata që të hapin automatikisht derën e qelisë. Dhe e gjitha ndodhi për shkak të një pakujdesie të vogël.

Përgjegjësi i atij grupi prej tre vetësh, Kol Taraku, ishte një djalosh që ushtronte zanatin e topografit, prej disa vitesh. Detyra e asaj dite ishte ndër më të thjeshtat. Do përcaktonte vendin ku do nguleshin barakat e punonjësve të kërkimit, të cilët do vinin pas disa ditësh për të kryer punime në atë zonë bregdetare.

Punën e asaj dite e nisi me këngë e me qejf. Dita ishte e bukur dhe ta bënte punën të këndshme.

Relievi ishte fushor dhe hartat që i pasqyronin ato, doemos që shënoheshin me të blertë. Tokat ishin të varfra ku kripa skiconte skelete abstraksioniste. Dielli sa kishte dalë duke kërcitur rrezet nëpër kristalet e bardhë kripor. Çdo gjë ishte miqësore. Qielli i pastër pa zbukurimet e frikshme të oxhakëve, që hartonin figura balozësh në hapësirë. Ca re të shpëlara notonin e zhdukeshin thellësive. Deti me buçimën e valëve, krijonte një muzikë rebele që i ftonte. Toka e mbuluar me një çarçaf të bardhë kripe, me ca mbishkrime gjurmësh dy thundrakësh.

Monotonia e bardhësisë thyhej tek tuk nga ca gëmusha bimësh kënetore, që triumfonin mbi kripën. Flladi i mëngjesit trazohej me një aromë të rëndë plehu që vinte nga larg. Pak kilometër më tutje ishin ndërtuar stallat e derrave të fshatit. Këta do ishin komshinjtë më të afërt të kërkuesve. Në përgjithësi derri është kafshë e urtë, që vetëm zemërimin e ka të tmerrshëm, por ata s’kishim arsye që t’i zemëronin, veç ndonjë rasti ekstrem, kur mund t’u shkrepej për të festuar ndonjë ditëlindje e do u nevojiteshin meze. Ndaj mendonin se njerëzit e kafshët do shkonin në harmoni, për kohën që do ishin bashkë.

Sa kishin centruar teodolitët dhe po bëheshin gati për të filluar nga puna, për të përcaktuar koordinatat e vendosjes së barakave. Se ç’do të thotë hartë topografike, e cila përmban të gjitha hollësitë e relievit dhe objektet e palëvizshme të një vendi, këtë e dinë mirë topografët, gjeologët e një sërë specialitetesh, që punën e përditshme e kanë me hartat. Ndaj, si leksion të parë dhe i fundit i profesionit të tyre, kanë kujdesin për ruajtjen e këtij sekreti që u është besuar. Shtrinë hartat pranë këmbëve të tyre dhe të përkulur mbi to, filluan punën. Pak më tej kullosnin një tufë derrash e gicash, që i ruante një djalosh, i cili u afrua pranë tyre dhe nisi bisedën.

      −Mirëse erdhët, po a s’më thoni ç’do bëhet këtu?

      −Pas ca ditësh do vijnë punonjësit e kërkimit të naftës.

      −Do kërkojnë naftë këtu?!- u çudit djaloshi.

      −Po.

      −Këtu vetëm kripë mund të zbulojnë. –Tha djaloshi gjithë mosbesim dhe pas pak shtoi: −Kanë ardhur edhe të tjerë e kanë ikur siç kanë ardhur. Këtu edhe gjembaçët e gomarit mezi e nxjerrin kryet mbi rërë.

Topografët vunë buzën në gaz dhe nuk i kushtuan vëmendje por nisën të përcaktonin me teodolit vendet e vendosjes së piketave. Djaloshi i derrave e kuptoi që s’ia kishte njeri ngenë dhe me hap të ngadaltë bëri për nga tufa e derrave që ishte shpërndarë nëpër fushë.

Pas tre katër orësh, kur punën e kishin vënë përpara, as vet nuk e kishin vënë re se si ishin bërë një me tufën e derrave, që qetësisht kullosnin atë pak blerim të shkelur nga këmbët e tyre.

Ndërsa vazhdonin të ngulnim piketat e fundit, njeri nga gicat u ngatërrua nëpër këmbët e tyre dhe rrëmbeu njërën hartë me dhembë. Ndofta iu duk kaçubë bleroshe dhe nuk u përmbajt, por kur pa reagimin e tromaksur të njerëzve, që u vërsulën drejt tij, ai mori vrapin dhe hartën, që mbante nëpër dhëmbë, e kollofiti duke mos lënë asnjë shenjë. Pa e kthyer kokën pas, nxitoi për t’u bashkuar me tufën, që kulloste e shpërndarë pak më tej.

Ai çast hutimi kaloi shpejt dhe topografëve iu desh të kthehen prapë me këmbë në tokë. Ajo ç’ka kishte ndodhur përpara syve të tyre, kërkonte kokë. Koli u shqetësua aq shumë sa, akoma s’po i besohej se gjithçka që kishte ndodhur përpara syve të tij, ishte e vërtetë. Çfarë shpjegimi do të jepte, kur të merrej në pyetje? Ashtu siç nuk u pranua vrasja e Jul Cezarit, pa u ekspozuar veshjet e tij të përgjakura, s’mund të pranohej as zhdukja e hartave, pa paraqitur një provë, një copë harte a diçka më bindëse.

Të bërë dyllë nga hutimi, nisën të diskutonin për zgjidhjen. Përgjegjësinë e firmës e kishte Koli dhe ajo nuk ishte aq e lehtë sa të kalohej me një autokritikë për pakujdesinë që kishin treguar gjatë punës. Ndoshta dëshmia e punonjësve që e panë skenën me sytë e tyre, mund të ndikonte në pranimin e së vërtetës se gjithçka ndodhi aksidentalisht.

      −Po tani?!- tha Koli, si t’u drejtohej qiejve të ftohtë.

      −Do ua shpjegojmë ndodhinë dhe besoj se do e kuptojnë. − tha njëri, nga punëtorët që s’kishte asnjë përgjegjësi mbi vete .

      −Në këto raste nuk hyn në punë besimi. Pa paraqitur një provë bindëse thuaj burgut: hapu! E mos na shiko si guhak, por shko kap derrin që hëngri hartën, there e nxirri nga barku hartën, që të sigurosh një provë materiale.

E bukur mendje! Të therje derrin e fermës, si të ishe cub i ardhur për të bastisur! S’dihej kush kushtonte më shumë therja e derrit, apo vet harta?

I hipën makinës dhe morën rrugën e kthimit. Koli bëri denoncimin tek eprorët, i cili krijoi alarm. Një grup specialistësh me Kolin në krye morën prapë rrugën për në bregdet, atje ku kishte humbur harta. Morën në pyetje bariun e derrave, i cili deklaroi se s’kishte parë gjë dhe u lut që derrat e tij të mos i ngatërronin me sekrete të tilla shtetërore.

Pas hetimeve të çastit, që u bënë në terren, nuk doli variant tjetër për zhdukjen e hartës. Kjo bëri që të pasonte urdhëri për therjen e derrit, që kishte ngrënë hartën. T’i nxirrej nga stomaku lënda e hartës, qoftë ajo edhe si brumë, boll që të shërbente si provë materiale. Ky urdhër nxori një problem tjetër; askush nuk ishte i sigurt se cili derr e kishte bërë zullumin, pasi ata ishin të gjithë njësoj. Pasoi urdhri tjetër: Të theret e gjithë tufa e derrave!

Kasapët e zonës, që u kishin zënë ndryshk hanxharët, filluan punën me qejf, pa e vënë re kujën e djaloshit që u shërbente derrave. Ai kishte lidhur jetën me ta dhe s’mund ta kuptonte dot këtë egërsi të njerëzve. Disa ditë më pas, u mor vesh që djaloshi kishte pësuar traumë të rëndë e nuk e mblodhi dot më veten.

Derrat u therën të gjithë dhe i vetmi organ që u hap prej tyre, ishte stomaku. Por asnjë shenjë nuk gjetën. Veterineri i fshatit shpjegoi se brenda ditës, derri mund të jashtëqisë disa herë dhe s’dihej se ku mund ta kishin lëshuar brumin e hartës. Ato ditë fshati pat festë, madje shumë nga fshatarët patën rastin të bënin edhe pastërma me mishin e derrave.

Atë natë Koli s’vuri gjumë në sy. E nesërmja për të, s’do niste me teodolit e me harta, por me breshëri pyetjesh e hetimesh. Pranë mëngjesit i rraskapitur nga lodhja, mbylli sytë, por menjëherë u hodh përpjetë nga sokëllima e derrave të shkuar në satër. Ata e kishin paguar shtrenjtë dëmin e shkaktuar ndaj sekretit shtetëror. Kishte ardhur radha e Kolit për të paguar pakujdesinë e tij...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen