Donnerstag, 10. Dezember 2020

Katër poezi nga Neviana Shehi



PORTAT E ËNDRRAVE TË VJETRA

Në çastin kur gishtat e lodhjes
m’i mbyllin qepallat
duke më kthyer
në një udhëtare gjumi
unë hyj në rrugicat e heshtura të pyllit
të ëndrrave
të takohem me të shkuarën
me vitet e pafajësisë dhe naivitetit tim
me sekretet intime
që ne atëherë ia rrëfenim hënës
me imazhin tënd
që më ngrinte në qiell 
dhe më pëshpëriste 
kaq fjalë të panjohura stinësh
për puthjen e parë 
që ti ma dhe mbas një peme
në ditën e festës së tokës.

Fëshfërinin kaq ëmbël degët e pemës
dhe unë që drithërohesha 
më shume se ajo nga lumturia.

Tre ditë me radhë kam vëzhguar 
në pasqyrë buzët
me shpresë se bashkë me to 
mund të riktheja edhe njëherë
magjinë e atij çasti.

Tre dite duke i folur lumturisë 
që e mbaja ngërthyer në gjoks
me fjalë zogjsh.

Të kujtohet
sa shumë jemi argëtuar 
atëherë vetvetja ime
dhe sa herë kemi ndërtuar 
me fantazinë tonë një varkë 
prej resh si të Piter Panit
për të përshkuar qiejt tanë të ëndërrimit
ani se ato na mbyteshin
gjatë rrugës nga gjylet
e zemërimit të anijes së piratëve.

Ne përsëri buzëqeshnim
dhe ishim kaq të lumtur
dhe a e di psenë?

Ne ishim arratisur nga mosha 
duke refuzuar mendimet
mendimet janë thasë me rërë
në balonat e fluturimeve të çdo kujt
dhe ne ishim gatuar për të fluturuar
ky është dhe shkaku
që adresat tona janë si të zogjve
pa adresë.

Në çastin kur gishtat e gjumit 
m’i mbyllin sytë
unë nis të hap portat 
e ëndrrave të vjetra 
dhe udhëtoj me to
gjer kur bien borite e mëngjesit.

Pastaj bëhem përsëri kjo që jam
kjo që njihni ju
prej kaq shekujsh...




ZANA E DHJETORIT

Ujëvara me ujë të kristaltë
e kish çarë mes për mes shkëmbin
me furinë e saj të tejdukshme.

S'kisha menduar ndonjëherë 
që uji mund të kish fuqinë e sëpatës.

Kur shkova vetë në shkëmbin e shkronjave
natyrisht që u binda
se unë kam qenë
dhe jam një soditëse e heshtur e natyrës
kështu që di shumë për të
dhe për zanat e saja misterioze 
që lahen çdo natë nën ujëvarë.

Këtë muaj ishte radha e Heidit 
zanës së dhjetorit 
të ma uronte ditën e parë të dimrit.

Unë jam Heidi tha ajo
dhe ti natyrisht
duhet të jesh një vizitore e borës.

Unë nuk fola
vetëm se lëshova
një buzëqeshje të bardhë...




BOTA E LETRAVE

Në ditën e fundit të javës së madhe
udhëtova krejt rastësisht 
në botën e panjohur 
dhe misterioze të letrave.

Dhe po rastësisht u takova 
me ca njerëz të çuditshëm prej letre
nuk ishin të shkurtër
përkundrazi 
trupat e tyre ishin të formuar 
prej shkronjash 
me konfigurime të çuditshme.

Vetëm krahët dhe këmbët prej letre 
ishin krijuar prej fragmente përrallash
më shume spikasnin fragmente 
të “mbretit lakuriq” 
dhe të ushtarit prej plumbi.

Kokat i kishin si të njerëzve të zakonshëm
të njëjtët sy
veshë 
gojë 
dhe hundë.

Flisnin me një zë të tingullt
të njëjtë si tingujt 
e makinave të shkrimit
kur shkruajnë me ngut 
lajmet e gazetave të mbrëmjes 
“Corriere della sera” për shembull.

Të kristalta rrugët dhe sheshet
edhe pallatet
patjetër
unë zura të flisja 
me banorët e atij vendi
dhe fjalët në çast lëshonin 
një dritë fosforeshente
duke mbjellë në errësirë 
jo vetëm imazhin e tyre 
por dhe një realitet të ri.

Pastaj vështrimet e tyre zunë 
të lëkundeshin 
dhe pashë duke vizatuar papritur
kështjellën e San Angelos 
ndërtuar prej ajrit dhe gjenisë 
së artistëve të pavdekësisë së kësaj bote.

E ç’ishte Edeni përpara tyre 
një përralle e thjeshtë 
besoni letrës
tërë çastet që lëviza në këtë botë letre 
unë isha dhe s'isha vetvetja.

Më kishte depërtuar dhe mua në trup 
magjia fosforeshente e botës së letrave
dhe Bazilika e Shën Pjetrit ishte bërë aq e lehtë
dhe e tejdukshme
sa dhe unë po e mbaja lehtësisht në duar.

Është magjike kjo bota e letrave tona...




PLAKJA E NËNTORIT

Tërë natën frynë erërat e deteve
duke rrëzuar pa reshtur gjethe të verdha 
tërë natën rrugicat e kopshtit tim
u puthën me gjethet duke shkëmbyer 
fjalë dashurie
dhe lamtumirash.

Tërë natën unë pashë
se si zverdheshin dhe thinjeshin
pareshtur mendimet e mia
aq sa në mëngjes
nuk po arrija më të njihja veten.

Mëngjesi hyri me fytyrë të menduar
duke më kujtuar se në ballin tim
ishte shtuar dhe një rrudhë më tepër.

Eh thash me vete
duke mërmëritur
nëntori dhe unë u plakëm.

Edhe një vjeshtë më shumë...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen