Dienstag, 2. März 2021

Buqetë poetike nga Valbona Hadri

Valbona Hadri


KURBETI

Më prit o syri im prej dheu
Dua t’a ndjej frymën e atheut
Ringjalljen time përqafimin tënd.

Unë po ikë shtigjeve tè botës
Të marrë ca pika drite për ty
Më mungon frymëmarrja jote
Po të lë të mbushur lot në sy.

Nuk e shoh diellin i verbuar për Ty
Nuk e ndjej ngrohjen më ngrin shpirti pa Ty. 

Unë po ikë nënë por nuk të lë
Bashkë me shokë kurbetit të zi
Jo që duam por na shtrënguan
Të vemi atje ku nuk jemi. 

Unë po ikë vashë bukuri e dheut tim
Më prit, veç nënës dhe ty s'kam tjetër njeri.

Unë po ikë Kosovë pa të lën kurrë.
Në zemrën time ke lënë shenjë.
Më prit të frymojmë së bashku me dhimbjen time.
Unë betohem në gjakun e fisit tim
Prapë do t'i kthehem atdheut tim.




RIKTHIM KUJTIMESH 

Pikëza shiu freskojnë  paletën vjeshtore.
Ngjyrime gjethësh mbulojnë
rrugët e pakthim.
Vende - vende pa shkel këmbë njeriu.

Drithërimë shpirti në mua.
Mbjell nostaligjinë e stinës së njejtë.
Të njetën kohë të bukur e ramë përtokë.
Një kohë një orë e trisht ra mbi mua.
Me vete mori historinë e shkruar, 
para 21 vitesh këputi lotin tim. 

Kujtime bartin mesazhin e dashurisë 
për të vazhdur udhët së bashku.
Ngjizjen tënde të bekuar nga Zoti,
E pritje në formësimin e hënës që aq shumë e doje.

Unë eci ciklit të kujtesës së vrarë.
Për të të mos harruar kurrë.

Gjurmët e lëna ndërtuan themelet, 
mbi fortifikatën tënde.
Krijimtarisë sate të lënë faqehapur.
Shkruhen memoarët e një dashurie
Për të mos vdekur kurrë në sytë tanë.




ATDHE

Më përkundën në prehrin e dashurisë tënde .
Sofra jote u shtrua gjellë shpirti për mua .

U rrita me ndjejën e mallit në sy
për të parë dhe shijuar bukurinë 
e një Arbërie të vetme kurorë mali. 

Nuk e harroj dot vërshimin e lotëve 
që më çau zemrën në dy pjesë.
Kur shikimi im i pangour 
kapërdinte gjithë ato bukuri të një toke.

Mes fushave të krehura nga erërat e maleve, 
kodrave, lumenjve dhe një pasqyrë det i tërë .

Edhe sot e ndiej një djersë të ftohtë.
Ende në ballin tim
rri shtruar një dhimbje.

Unë vazhdoj përmallshëm 
pa e kuptuar ndarjen e një sofre të një buke?

04.09.2020




DIKUR

Mezi prisja të agoj ditë e re.
Me një të rrahur qerpiku 
të shihja te lumi 
duke buzëqeshur në sytë e mi. 

Në kaltërsi qielli ti mbaje veten.
Duke lundruar bashkë me retë e bardha.
E ndjejë thellësisht aromën 
tënde lule erëmirë më thoje .

E sot ?...
Ke mbetur ëndërr e vizatuar në pikturë 
gati të shlyer nga rrahjet e erërave.
Zbraztësia e zemrës sate 
thellësisht është gropuar në dhimbje malli.

Ditët ikën së bashku me dritat e lagjes.
Tek ne mbesin vetëm kujtimet e paluara 
nën kapakët e natës memece.

Kapitujt e historisë mbyllen 
pa e shijuar embëlsisht dashurinë 
në përmbushje shpirti. 

17.09.2020




GJUHË E NËNËS

Me gjuhë të Zotit më foli nëna.
Edhe unë mësova nga dorë e saj.
Njejtë më foli dhe fēmija jeta ime,
që më bëri të ndihem dhe unë e gjallë. 

Gjuhë të njejtë foli Skënderbeu 
Dha kushtrimin mbi Iliri.
Me pendè të artë shkroi Naimi 
Për të bukurën nënë Shqipèri.

Gjuha shqipe qoftë bekuar
e lartësuar tek një Zot, plot dashuri.
Trungu yt burim lashtësie, 
qoftë në mbrojtje të Perèndisë.

Shkronjat shqipe shkruar me gjak.
Të skalitura bërë shenjëtëri.
Nënës time i dhanë emrin Shqipèri.
Përjetësisht fortesë guri mbi Dardani. 

Me 03.09.2020




SEÇ QENKA VALLË... 

Thotë ndryshe dhe vepron ndryshe.
Ka fytyrë njeriu dhe veprim ariu. 

Thotè: Të kam Dritè, Diell dhe Hënè. 
Të kam pasqyrë deti gjithë kaltèrsi. 

Në sytë e tu mbushem ëmbëlsi gruaje. 
Të kam frymë jetë dhe të vetmën dashuri.

Pastaj papritmas, 
ngjan në ndryshim moti uragan i tërbuar, 
që shkul rrenjë lisi 
së bashku me krahët e fluturës në mua. 

Apo një trazim valësh deti që shkunden mbi mua, 
duke përlarë botën time të pafajshme,

 Duke i hedhur fjalët pa dhimbje 
për mundin e dy decenie dashurie.

Deri kur duhet të përballem 
me dashurinë e përhënur 
pèr të justifikuar frustimin e tij ?!

02.09.2020




KUJTOHUNI PAK

Nuk ishin të pakta dhimbjet që na u veshën shpirtit
Ç'njerëzimin barbarë që na bënë.

Kujtoni shekujt e thinjur ndër vite
Ose dy dekadat më parë e shumë të vrarë.
Sikur i harruat dhe mbyllët sytë. 

Nëse i keni harruar ju, 
ne bashkëjetojmë me sëmbimet që shpojnë. 

Pyetni nënat e lara me lot faqeve.
Ndieni sytë e tharë e zemrat e çara nga vajtimet. 

Kujdes, 
askush nuk do të mallkoj më shumë 
se vatra dhe buka jote. 

Mendoni për ata që do t'i lëmë pas.

Vëni dorën në zemër dhe  pyetni veten: 
ku do të mbetet fryma jonë e re?

Sepse jeta ua jep vetëm një mundësi.
Të vedosni sesi do të ndahet buka në sofrën tuaj. 

01. 08. 2020

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen