Dienstag, 13. Mai 2014

Rrahim Sadiku - Ditët e prera


Ditar, në kohë paqeje, për luftën e për lirinë

1.10.2011
Pse shkruaj?
Një pyetje e kahershme pa asnjë përgjegje të përhershme.
Pse jetoj?
Asnjë fjalë e denj për të treguar se paku një atom kuptimi për pafundësinë e moskuptimit të asaj që është emëruar thjeshtë: të jetuar.
Pse vazhdoj të shkruaj e të përpiqem për famë, për të lënë gjurmë?
Pa përgjegje.
Ditëlindja e 57 nuk e jep edhe më të voglën shkëndijë kuptimi të veçantë për atë që shkoi, për këtë që është dhe për atë që do të vijë.

2.10.2011
E di se jam rob i rutinës.
Secila pore e trupit tim e urren rutinën.
Jetoj në të gjitha rrethanat që e ushqejnë rutinën.
Eci e eci rrugëve të mendimit, për të ikur nga të gjithë rrathët e shtrëngesës rutinore.
Nga lodhja më shpëton rutina duke më mundësuar të shtrihem e të persiatë derisa më zë gjumi.

3.10.2011
Në kuptimin e kohës nuk e mas dot pafundësinë e hapësirës.
Përballem e përballem me ngushtësinë e gjithë asaj që e quajmë afëtësi, dashuri, mirësi dhe ardhmëri.
Të menduarit e të dëshiruarit nuk është ajo që nënkupton jetë.
Njeri nuk nënkupton, më së shpeshti, as atë që duhej të ishte njerëzore.

4.10.2011Fati.
Pafati.
Kërkimi i fatit.
E pambërritshmja.
E gjetura...
Të gjitha nuk janë as sa një fiksim drite në një ditë të zakonshme.

5.10.2011
Të gjithë flasin për të gjitha.
Askush nuk e kupton se merren me asgjënë.
Të bëhet se krenohen që asgjëja është e tëra e tyre.
Mendojnë se janë të lumtur, se jetët e tyre janë plot.
U duket se të tjerët janë pa asgjë në vete.
Ata, që nuk janë këta kanë të ardhme shumë të vdekshme.
Këta, që nuk janë ata, janë të pavdekshëm.
Edhe ku e kuptojnë, nuk duan ta besojnë se të gjithë janë ata dhe këta.
Kam dëshirë të mos jem as ata e as këta.
E di që jam edhe si këta e edhe si ata.

6.10.2011
Vazhdoj të shkruaj duke më ardhur keq që:
po del se nuk ishim asnjëherë ashtu si dukeshim se ishim,
se nuk mbeti asgjë nga ajo që mund të ishim në kohët që ndryshuan
e që gjurmët që mund t’i linim në kohë i zvetnuam.
E di se unë, po as të tjerët, nuk e kanë kuptuar se:
e gjitha do të ishte dhe mund të ishte ashtu si duhej,
por – na doli përpara e na tundoi keq interesi!
Nuk e kaloj dot detin e dhembjes e lëngoj gjatë në gjirin e pikëllimit.

7.10.2011
Më thanë se jam gjetur mirë në këtë kohë.
Nuk u thashë se kuptimi i tyre për mirësinë e kohën ishte i pakuptimtë.
Kohën e tyre e njoha me brendi pakuptimësie të skajshme.
Po unë e kuptimi si qëndrojmë?
Eci edhe kur e di se e vërteta dhe shpresa nuk takohen kund.

8.10.2011
Më thanë se me ikjen e viteve vjen e ngulitet besimi e misticizmi.
Unë besoj e nuk jam mistik.
Unë jam mistik e nuk besoj.
Dua të shoh përtej, në sisteme të tjera yjësish në sisteme pafundësish.
Nuk shoh dot as përtej hundës, i them vetes, mu kur më lavdërojnë për dituri
e kur disa madje më quajnë edhe largpamës.
Si të përballem me miopinë e shpirtit tim?

9.10.2011
Njeriu dhe lulja.
Bukuri mbi dhe.
Vetëdije e vetëm shkëlqim.
Dy forma e dy lojëra të natyrës.
I shkreti njeri dashurohet në atë formë e nis edhe beson në atë lojë, sepse mendon se është krijuar për t’i sunduar e për t’i drejtuar të tjerët.
I mashtruar në besimin e tij të shpikur e në etjen për të mos vdekur, duke e pasur të qartë në ndërdije, se është shumë i vdekshëm.

10.10.2011
Besova se i shkova deri në fund pikëllimit e se do të lehtësohesha.
Pikëllimi vazhdonte e lëshonte rrënjë në mua edhe më tej, edhe më tej, edhe më tej...
Më thanë se te brendia ime duhej të kërkova magjinë për shërim. Kërkova e kërkova e kërkova...
Mësova se isha edhe më i pikëlluar.
Qava kur, më në fund, e kuptova se nuk ka shërim kur je i lënduar nga mbretërimi i asgjësë.

11.10.2011
Më tha se ne, më sa kishte kuptuar, fjalën trullan e përdorim për t’i fyer ata ata që nuk kanë sa duhet zhvillim mendor.
Te ne, tha, trullan është ai të cilit truri nuk i funksionon edhe aqë mirë dhe të atillët bëjnë jetën e tyre pa u tallur kush me ta e në emër të tyre.
Por ne, shtoi, nuk lejojmë që ata të futen atje ku janë më shumë të dëmshëm se të dobishëm.
Tek ju po shoh shumë e shumë trullanë që janë përbiruar në institucione e kanë marrë edhe tituj shkencorë. Kjo shikohet nga të gjithë e kudo si diçka normale.
M’u kujtuan shumë e shumë trullanë që kanë pozita e shesin mend dhe i dhashë të drejtë.
Në mua u shtua dhembja.

12.10.2011
Kalorësi i humnerës shkon me shpejtësi teposhtë
duke menduar se po ngjitet lavdishëm përpjetë e përpjetë.

13.10.2011
I them vetes:
sa herë vendos të mos shkosh askund
sikur je nisur për gjithkund!

14.10.2011
E fituam lirinë dhe menduam se erdhi koha e përfitimeve, sepse shtetin do na e ndërtonin të tjerët. Krejt ҫka lidhej me shtetin e kaluam andej, kurse mundësinë e përfitimeve e kthyem këndej dhe ngritjeve e bëmë pronë tonë. Vite e vite u preokupuam vetëm me to. Për të përfituar sa më shumë, ne u shitëm shumë lirë. Me kalimin e kohës vazhduam të shiteshim edhe më lirë, tejet lirë. Nuk treguam dot se dimë të jemi edhe shtetformues, por të gjithë e kuptuan se i donim të gatshme për vjelje të gjitha të mirat që vinin nga shteti. Donim edhe të ishim udhëheqës e të pushtetshëm në atë që e quanim kinse shtet. Sepse kishim bindjen se atë që atë që do të ishte shtet real, e kishin të tjerët, neve na mjaftonte kinseshteti, ku kishte shumë anarki e aspak ligje. Kjo na mundësonte të ishim vendimarrës sa për sy e faqe e punët t’i kryenin të tjerët, ndërkohë na bëhej e mundur të akumulonim shumë pasuri, të uleshim në kolltuqe gati mbretërore e të respektoheshim si liberatorë e vizionarë. Shteti mbetej andej, nuk ishte punë e jonë, na bëhej se ishim vetëm mysafirë në të dhe ashtu edhe silleshim. Uleshim këmbëkryq, duke ngrënë si të babëzitur në sofrën e shtuar, të cilën do ta linim aty, pasi t’i kishim përlarë të gjitha e të ngiteshim e të shkonim në shtëpitë tona, të rregulluara si pallate emirësh.
Po vazhdojmë të duam lirinë e ta rjepin shtetin, të cilin, tash po e shohim, na e kanë ngrehur ashtu si u është dashur atyre që e bënë e që nuk po na përshtatet aspak neve që përfituam nga ai. Më shumë nuk po u përshtetet atyre që për shtetin kishin ideale e nga i cili nuk përfituan kurrgjë.

15.10.2011
Lexova për mitin e Trojës dhe për pendesën mijëvjeçare të helenëve të lashtë.
Faji për plojën bëri plojë mbi ndërgjegjen njerëzore.
E di se edhe Iliria e pati të njëjtin fat me Trojën.
Asnjëherë dhe askund një fjalë pendese.
Katarsisi njerëzor ishte në të mbaruar atë kohë e po fillonte koha e kulturuar e mizorive pa fund.

16.10.2011
Shpesh na bëhet më e gjatë na bëhet rruga deri te vetja se sa kalimi i kontinenteve.
Me veten nuk shikohesh dot duke paguar para, kurse kontinentet mund t’i kalosh edhe symbulltas, pasi ke paguar biletën.
Udhëtimi të përballë me të tjerë, po vetja me kë?
Ne, me sa duket, sa herë duam të flasim me veten, me mend gjendemi gjithnjë diku larg.

17.10.2011
Lodhja intelektuale nuk kalon me pushim, nuk tejkalohet as me dëfrim, madje as me kërkim shpëtimi nuk këndellesh prej saj.
Ajo kalon kur edhe bota që të rrethon nis e jeton sipas parimeve intelektuale.

18.10.2011
Nuk solla kurrgjë në këtë botë,
U mundova të lë pas vetes diçka sado të vogël!
Dhe nuk do të marr kurrgjë prej saj.

19.10.2011
Perdja ra dhe e bëri të padukshme jetën time që para disa vitesh. Skena ku duhej të luaja rolin e të jetuarit u krodh në errësirë. Drama nisi edhe njëherë, si të panumërta herë, që nga fillimi. Dramë çfarë asnjë teatër nuk ka mundur ta përgatis, deri sot. Drama e vetmisë, me dhunë e me dhembje, me shumë vetmi, me shumë pashpresë. Dhe nuk ishte hera e parë që më duhej të luaja fill i vetëm. Publikun e kisha më afër e më larg se kurrë. Sa shumë veta aty e për mua sikur nuk është i pranishëm asnjë spektator, asnjë i gjallë, që të ketë, së paku një ndjenjë dhembjeje e mirëkuptimi për atë mbetjen time nën barrë të padurueshme. Askush brenda asaj tragjedie, për të lëshuar së paku një ofshamë. Për të treguar se merr pjesë në atë dhembje. Askush aty e fill i vetëm përballë dhembjes që kalon përmasat e njerëzores. Fill i vetëm, duke u përfytur me fatin e shndërruar në fatkeqësi, që nga lindja. Sa e rëndë të përballesh edhe me famën. Famën që brenda ka fatkeqësinë. Në vendin ku fama është motiv për zili. Aty ku dhuntia e falur nga Perendia të tjerëve u duket sikur vjedhje nga madhështia e paqenë e tyre. Gjithnjë fajtor për ata që më panë në skenë, në ekran, me brushë në duar, me figurat madhështore të bëra nga gjenialiteti i talentit tim.
Perdja ra! O Zot na beko, mua e ata. O Zot!

20.10.2011
Skena e madhe ra nën mbretërinë e territ. Dëgjojmë të flitet se drita e vërtetë në të nuk ra asnjëherë. E kuptojmë se drama vazhdon të luhet në atë që të gjithë e quajnë thjeshtë: jetë! Si aktorë, të etur për famë e për ndere themi: të jetuar! Kur bëhet vonë e kuptojmë se patëm jetë të vërtetë e se nuk e vlerësuam, se vetëm bëmë sikur jetojmë e nuk jetuam. Bërtasim: na kujtohet o jetë se na pate e nuk të patëm. Se na bekove me art, kur ne kah ti kishim drejtuar gjembat. Të gjitha na kujtohen tashti kur lodhja, plakja e koha kanë gërryer me armën e viteve gjithë atë që në ne pulsonte dituri, mirësi e shpresë.
Ne po dalim përtej perdeve e ti do të jeshë përsëri andej e këndej, në dramën e atyre që ishin, të atyre që janë e të atyre që do të vijnë. Skena e madhe asnjëherë nuk është pa jetë.

21.10.2011
Kudo përballem me mungesën e estetikës, madje edhe të përpjekjeve sado të vogëla, për pak rend e për një trohë bukuri. Nga shëmtia që më djeg e nga dhembja që më mbërthen, e pyes veten: a është me të vërtetë ky populli im, që vuante e kërkonte me ngulm shtetin e lirinë? A jemi ne me të vërtetë pasardhësit e njërit nga popujt më të lashtë të botës? A jemi ne ata që mburreshim për burrëri, për besnikëri, për mikëpritje...? A kemi moral, vendosmëri, trimëri? Pse digjemi nga pësimet e vrapojmë të pësojmë e gjë nuk mësojmë? Pse kotemi etjeve kurrë të shuara e nuk na bëhet vonë për njohje, shkencë,zhvillim?!
E di dhe e shoh se i takoj këtij populli që të gjitha këto i ka fjalë...

2.
Dhe nuk ndalem, por nisi e mashtroj veten edhe më. Vazhdoj të jetoj i lumtur në mesin e më të kënaqurve mbi këtë rruzull. U them të gjithëve se nga dita në ditë po e shtoj kënaqësinë e po mbushem me lumturi të reja. Shtoj se nga lumturia e madhe që ndjej kam frikë se mos më dalin krah e nisi të fluturojë. Se gati po mbetem pa frymë nga gëzimi e nga galdimi që më mbërthen herë pas here.
Dhe, merreni me mend se sa i lumtur do të isha sikur e gjithë kjo të ishte sado pak e vërtetë...
Ah, plandosem përdhe tërë apati. Të gjithë e dini se realiteti, nuk është me mua dhe se ai tregon diçka krejt tjetër.

22.10.2011
Na paskan pas marrë në qafë ato idealet e kota – më tha një i kotë. E shikova sikur nuk ishte mirë me tru dhe u largova.
Por, doli se kotësia e tij ishte e madhe e me vlerë dhe për këtë e shpërblyen dhe i dhanë mundësi të udhëheq në emër të idealeve. Ai që kurrë nuk kishte dashur të dinte se çka ishte ideali, filloi të kishte pushtet e të ardhura ideale.
U bë shumë i dukshëm dhe nisi të mësonte të tjerët se ҫka ishin njerëzorja e shenjtëria edhe pse përditë e zinin duke vjedhur. Ia shtonin pozitat, sa më shumë bënte krime.
Jo për ideal, po për atë se i shërbente edhe disa nga idealistët.
23.10.2011
Duke i parë e duke i dëgjuar disa, që ndjehen të mëdhenj për kombin e për shtetin, e kupton se ta janë me shumë peshë vetëm për veten e tyre. Ata ecin, bisedojnë, udhëheqin e ҫka tjetër nuk bëjnë pa e njohur atë me të cilën merren e pa bërë as edhe një përpjekje reale për të lexuar e për të fituar dituri, së paku ato më të domosdoshmet. Të atillët të mundësojnë të njohësh shkencëtarë pa asnjë arritje shkencore, shkrimtarë që nuk ne dinë as shkrim-leximin, ekonomistë që nuk e dinë as tabelën e shumëzimit, me historianë që nuk e kanë lexuar as edhe një libër. Përmes tyre e njeh më nga afër të vërtetën momentale për ne, sepse ata disa shfaqen dhe pranohen edhe në opinion e duartrokiten, citohen e madhërohen sa u mbushtet mendja se e gjitha që u nodh është e vërtetë dhe e merituar. Rrallë kush e analizon atë që kërkojnë e askush nuk merret me paditurinë që tregojnë. Këta disa flasin, jetojnë e përfitojnë në emër të diturisë e të shkencës, gëzojnë privilegjet e marrjes me shkencë e me përhapje diturisë, kurse kokën e kanë të zbrazët e me shkencën nuk janë takuar kurrë. Andaj e shikon gjithë këtë e mbetesh pa fjalë. Sikur nuk të besohet që kjo është bërë ndër ne diҫka e zakonshmendër ne. Bindesh se e vërteta është edhe më e hidhur kur përballesh fodullësh injorantë, me balona të fryrë për të marrë formë dinjitari, pushtetari, shkencëtari e ҫka jo, po që shfryhet e mbetet kurrgjp që në fjalët e para që flet. Ata shfryhen e fryhen pa u shqetësuar fare për këtë e të shtyjnë të pyesish veten: kush janë këta që po synojnë të na barazojnë me injorancën të gjithë neve? Cilat janë studimet, veprat, arritjet e tyre?! Kërkon, hulumton e nuk gjen kurrgjë, pos emrit e mbiemrit. Del se këta disa dështak, në të gjitha fushat me të cilat janë marrë e merren, do të na bëjnë të dështuar në të gjitha fushat e zhvillimi, po edhe në aspektin e funksinimit tonë si komb, si intelektualë, si evropianë. Ata, të veshur me rrobat më të modës e me kravatë shtrënguar sa gati e këpusin qafën, duan të n kthejnë te bajraktarizmi, krahinarizmi, familjarizmi e te të gjitha prapambeturira, të cilat u mundësojnë të jenë ata që duan dhe t’i tregojnë ashtu si janë. Këta, me bindjet e veta, nëse ato mund të quhen bindje, shohin vetëm përfitimet e veta, madhështore u duken vetëm vogëlsirat me të cilat mund të merren dhe të ardhurat që kanë nga e gjithë kjo. Për të ruajtur veten ata pranojnë që ne të dalim në sy të vetes e të botës si populli që ende ndahemi në fise, në krahina, në dyer të njohura e dyer të zakonshme...
Pyes veten edhe një herë e edhe shumë herë: a do të vijë dita që shkenca jonë të merret me ta e t’ua gjejë vendin që e meritojnë.

24.10.2011
Mos kërcëno e mos u anko, miku im. Merre e analizoje sinqerisht këshillën dhe dashamirësinë e atyre që ta duan të mirën e mos krijo prapaskena të paqena. Të ka mashtruar pushteti dhe e mashtron veten me pushtet. Duke qenë vetë gjysmë i arsimuar, sepse (pa fajin tënd) nuk ke mundur të keshë shkollim të rregullt e nuk ke pasur kohë t’u përkushtohesh leximit e përfitmit të diturive, kërkon të kompensosh kohën e ikur. E keqja jote është se këtë synon ta arrish me çdo kusht e pa i zgjedhur mjetet. Edhe më i paskrupullt tregohesh luftës për të arritur të gjitha ato që të janë të nevojshme e të domosdoshme për të qenë meritor në vendin që mendon se e ka merituar. Por. Mos mendo se të mungojnë vetëm aftësitë dhe pasuritë intelektuale për të realizuar pretendimet që ke. Realisht, më shumë se ato, të mungojnë pasuritë morale dhe njerëzore. Për këtë shkak, ndoshta edhe pa e kuptuar si duhet e pse, je lidhur shpirtërisht e verbërisht me injorantë, megjysmë të shkolluar e me pretendentë të diturisë. Gjysmëshkollimi e gjysmanalfabetizmi të janë bërë e vetmja vlerë shkollimi, udhëheqjeje e perspektive, tash që ke pushtet e mundësi vendosjeje. Prandaj kudo ke emëruar, ke zgjedhur e je rrethuar me gjysmanalfabetë, me të atillë që kujtojnë se mungesën e diturisë e mbulon titulli e diploma dhe me të atillë që mësimin, leximin dhe përkushtimin ndaj diturisë i quajnë humbje kohe. Andaj nuk është çudi që i gjithë vendi ynë, në rajon e në botë, me ty e me pushtetarë si ti, u bë simbol i mungesës së lirisë, i varfërisë dhe i papërspektivës.

25.10.2011
Na u ngritën si bij të lirisë,
e t’ju vërsulën demokracisë,
e gati e gërryen gjithë dheun,
e ta mbuluan me bërllog atdheun,
e të morën para,
e të ngritën për vete kala.
e të blenë vetura,
e të shpenzuan miliona për pëlhura,
e të mblodhën përreth bukuroshe,
e të hapën bordele qoshe më qoshe,
e t’u harruan mburrjeve,
e të gjëmuan shthurrjeve,
e t’u mbuluan tituj e diploma
e...
mos të shkojmë më andej...
ata jetojnë këtu
po nuk i ke më këndej...

26.10.2011
I flas mikut tim pa kërkuar përgjegje!
Në shenjë dhembjeje për për vrapin që bëri
për të më lënë pa punë e -
duke e falënderuar që më dha mundësi e frymëzim
tejet të madh për të punuar!
Ndoshta edhe për diçka tjetër,
e cila asnjëherë nuk ka pasur arsye
e të cilën asnjëherë nuk desha
e nuk dua ta kuptoj!

27.10.2011
Vrapimi drejt lirisë është veprim monumental, sepse na e jep bindshëm njeriun dhe njerëzoren, të natyrshëm dhe të madhërishmën, shënon vijën ndarëse në mes të së mirës dhe të keqes. Në këtë madhështi nuk duhet ta keshë asnjëherë njeriun e pozave, të përfitimeve, të etjeve për karrierë e për emër. I përkushtuari për liri është gjithnjë vetvetja dhe gjithnjë ushtar i bindur në shërbim të popullit të tij. Ai e di se kur futesh në maratonën liridashëse nuk guxon të mendosh se je hero dhe të ëndërrosh vendin meritor në histori, sepse historia dhe meritat i takojnë popullit e jo individit. Nëse madhështia dhe trimëria e individit kanë qenë shtytje për fitore, kujtesa e popullit nuk harron dhe për individin e shndërruar në hero gdhenden lapidarë të ndritshëm në gurë, bronz e përmes fjalës së shkruar. Në zemrat e në mendjet e bashkëkohanikëve, po edhe të gjeneratave që do të vijnë, ai do të mbetet përgjithmonë njeri i përkushtuar atdheut dhe ardhmërisë. Ai do të mësojë se mu etja për liri dhe gatishmëria për të bërë fli edhe veten për të, ka bërë që ai, deri në ditën e fundit të jetës, të ishte i ndjekur, i burgosur, i torturuar, i ndarë nga familja, i vuajtur sa nuk thuhet dot me fjalë, po kurrë i thyer apo i luhatur në bindjet e tij. Luftëtar pa pretendime, i madh pa kufi në frontin e atdhedashurisë e sakrificës. I përkushtuari lirisë, kur shikohet nga koha që ka ardhur pas tij, na del se ishte hero edhe kur jetonte, edhe kur derdhte gjakun dmarëve të atdheut. Flijimi për atdhe na lë edhe një porosi: sakrifica e vuajtja për atdhe rrallë japin fryte për së gjalli, po ato mbesin të gjalla e të paharrueshme në kujtesën e popullit dhe ai ato i shpërblen përjetësisht.

28.10.2011
Vitet e shpresës shkuan andej kah nuk eca
e gjitha ndodhi netëve pa fund
ditëve plot vetmi
zgjuar nga të fshehtat fjetur në cep të ëndrrës
besnike vetëm dhembja troket në secilën pore
me dimërjetë përqafon mashtrueshëm besimi
mbetur atje madhështore e dashuruara formë
shekullin e mundimit për ta zgjatur edhe më

29.10.2011
U ktheva tek guacka ime
në detin e mendjes
të nanurisem si në prehër nëne
muresh të etershme mbështjell
futur në ëndrra pagjumësie
herë-herë diçka çukit nën strehë
shoqëruar me rrokullimë qielli
verbëri mbjell dritë e fortë
s’di kujt t’i besoj më
me mua në mua mbetet diçka e mbështjell krejt gri

30.10.2011
Po habitem me një mori intelektualësh që jetojnë si të ishim mbi re, që nuk shikojnë kurrë risi në brendinë e tyre. Që ecjen e kohës e lidhin me kurrgjë. Mendojnë e mundohen vetëm për kotësi. Kur flet me ta dhe e sheh se nuk kanë as edhe një mendim të vetin, nuk kanë etje për dituri e për ta nuk ka kuptim fjala kulturë. Ata nganjëherë edhe flasin e shkruajnë, po as edhe një fjali e tyre nuk shpreh mendim të qartë, të rrjedhshëm e të përfunduar. Prandaj te ata gjithnjë has në mishmash fjalësh, fjalish e mendimesh.
Të gjymtuar fjalësh, mendimesh e përfundimesh shumë nga ata dalin para mediave dhe me gjoks të fryrë e me kokën lart u flasin të tjerëve!

31.10.2011
Jam sikur pasqyrë ëndrre, shfaq e shpërfaq gjihë ato kujtime,
përballë kohësh kur sundonte marrëzia,
dheu i atdheut thotë jemi më të lumturitë,
kur marrëzitë e tyre tashmë kanë vdekur,
e kur tash në ne fuqishëm jeton liria.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen