Samstag, 10. Februar 2018

Gëzim Zilja: Ku nuk jam dakord me " SANDUÇ" -in e Mustafa Nanos


Në librin e tij voluminoz ‘’Sanduiç’’, Mustafa Nano rreket të shpjegojë rrugën e gjatë e plot vështirësi të shqiptarit e Shqipërisë në vite, deri në ditët e sotme. Kërkon me ngulm të shpjegojë, pse ne shqiptarët jemi kështu dhe jo ashtu, pse rruga jonë ka qenë (është) plot zigzage dhe tradhëtira, pse në çastet më të vështira dhe sidomos në formimin e kombeve të reja gjatë shekullit të XIX në Ballkan ne ishim disa hapa prapa nga të gjithë, pse u bëmë ‘’turq’’ e nuk mbetëm ‘’kaurë’’, pse kemi qenë të dyzuar midis dy vatanesh, njeri Turqia e tjetri Shqipëria etj, etj. Kuptohet që Nanua në shkrimet dhe librat e tij është antikonformist, është kundër rrjedhës së zakonshme dhe për mua kjo përbën vlerë sepse dihet, që këta janë njerëzit që e ndryshojnë botën. Mirpo të jesh antikonformist do të thotë të jesh dhe vizionar, të shohësh atë që njerëzit në përgjithësi nuk e shikojnë ose të mos pajtohesh me një sërë rregullash, mitesh, e histori që janë kthyer në tabu’. Kjo sigurisht duke u mbështur në fakte e dokumenta, me një logjikë të ftohtë e të hekurt, duke qenë sa më objektiv ndaj të vërtetave. Sa për pyetjen që ai ngre te libri ‘’SANDWICH. A është mirë me qenë shqiptar?’’ pasi e lexova mendoj, që sigurisht ia vlen të jesh shqiptar ashtu i ngarkuar me ‘’njëmijë’’ vlera e ‘’dymijë’’ antivlera. Meritë e Nanos, është se ai sjell aq shumë shembuj, ilustrime e citime saqë ndonjëherë habitesh sesi ka mundur t’i qëmtojë e gjejë. Mirpo jo rrallë lexuesi humbet (e metë kjo) në atë pafundësi citimesh e harron përse po jepen kaq shumë shembuj, kur edhe me dy tre të tillë e argumenta plotësuese mund të arrish në përfundimin, që i ke venë qëllim vetes. Nëse Shqipëria ka qenë e shtypur (sandviç) dhe e sulmuar pa pushim, e ndodhur midis fqinjëve, ku asnjeri dhe asnjëherë nuk ishte mik, (kena pas një rrezik t’zi/gjer’ sa kena pas dreqin kojshi) sasia e citimeve dhe autorëve, që përdoren në këtë libër përbëjnë një sanduiç tjetër, por që një lexues i durueshëm gjithsesi ia del t’i lexojë. Mua më krijohet përshtypja se në këto citime e ilustrime Nanon, e tërheqin si me magnet ato teza, thënie e teori, që të çojnë në përfundimin që: ‘’ nuk është mirë me qenë shqiptar’’ thënë më butë ‘’ne shqiptarët jemi njerëz allasoj, të çuditshëm?!’’. Jo se ato që janë thënë, shkruar e cituar, janë të pavërteta. Por ka më shumë fakte, thënie, studime e teza të kaluara dhe të sotme, të autorëve tanë dhe të huaj edhe për të kundërtën, madje nga po ata autorë, që përmenden në libër, ku shqiptarët dhe historia e tyre shikohen ndryshe e me më shumë objektivitet. Rreth 90 përqind të autorëve të huaj, që citohen flas për ata të përkthyer në shqip, sidomos pas vitit 1990, i kam lexuar dhe janë pjesë e bibliotekës time. Të analizosh fije e për pe ‘’Sanduiçin’’ i bie të bësh një sandviç tjetër ndoshta me po aq faqe, plot 394, dhe më shumë. Unë do të merrem vetëm me dy çështje, për të cilat mendoj ndryshe nga autori i librit Mustafa Nano: me trajtimin e figurës së Bismarkut, dhe se tezës se Megali-Idea, i ka ndihmuar shqiptarët në formimin e shtetit të tyre.

A është Bismarku një antishqiptar?

Mustafa Nano me një stil të vetin, me fjali e fraza të shkurtëra e plot nerv, çka përbën një stil dinamik dhe të kuptueshëm, kërkon mirëkuptim për trajtimin e figurës së Bismarkut. Ai thotë : Ka mbetur emblematike shprehja e Bismarkut në Kongresin e Berlinit se nuk ekziston një kombësi shqiptare dhe duhet thënë se nuk ishte e çuditshme, që ai nuk arrinte të shihte një kombësi shqiptare në vitin 1878. Shumë historianë shqiptarë s’e kanë pasur për gjë ta vizatojnë kancelarin e hekurt si antishqiptar por afërmendsh nuk kanë të drejtë. faqe 78. Më tej Nano përpiqet të tregoj e arsyetojë rrethanat, që pse Bismarku ishte i pafaj, që mori ato vendime e jo të tjera, për Shqipërinë e madje për të gjithë Ballkanin.

Gjithë përpjekjet e Bismarkut në Kongresin e Berlinit, qershor 1878, ishin fuqizimi i Gjermanisë dhe plotësimi i interesave të Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Anglisë. Atij nuk i interesonin aspak dhe nuk donte t’ia dinte për kërkesat e turqve, grekëve, malazezëve, bullgarëve, rumunëve e sidomos të shqiptarëve. Kongresi i Berlinit ishte një pazar i madh, ku shiteshin e bliheshin njerëzit e territoret e duhet thënë se në këtë raport Bismarku e të tjerë luajtën rolin e kasapit që ndan e shpërndanë prenë. Kufijtë u vendosën duke parë interesat e fuqive të mëdha dhe simpatitë e tyre krahas popujve ballkanas, të cilët u futën ose dolën jashtë kufijve të tyre. Në raport me Gjermaninë me atë që ai bëri për forcimin dhe rritjen e ndikimit të saj në Europë dhe vendosjen e ekuilibrave midis fuqive të mëdha, sigurisht Bismarku është një burrë shteti dhe gjermanët e nderojnë dhe respektojnë si një nga figurat e shquara të Gjermanisë. Por në lidhje me kombësinë shqiptare të asaj kohe në Ballkan, mendoj se ai është treguar i papërgjegjshën, një kasap i popujve, që kërkonin të formonin shtetet e tyre në bazë të kombësisë. Konsideratat, vlerësimet dhe vendimet e Bismarkut dhe fuqive të mëdha u shndërruan në luftëra, në barbarizma e shfarosje popujsh. Plagët e hapura në Berlin, Ballkani vazhdon ti vuajë sot e kësaj dite.
Për të mos e tjerrë gjatë po heq një paralele tjetër, me atë të figurës së Lefteri’ Venizollosit. Për atë çka ai dha e bëri për Greqinë nga shumë analistë e historianë grekë e jo grekë është mbiquajtur burrështeti më i madh grek që pas Perikliut. Por duhet thënë se gjithë dituria, inteligjenca, mprehtësia, elokuenca e tij u vunë në shërbim të Megali-Idesë, duke filluar nga fundi i shek XIX, deri në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ku shkëlqeu në përpjekjet e tij për të zgjeruar kufijtë e Greqisë në kurriz të kombeve të tjerë. Ai ‘’ngatërroi dynjanë’’ me megalomaninë, këmbënguljen dhe shifrat e pasakata, që jepte për prezencën e popullsinë greke e shqiptare në Jugun e Shqipërisë (Vorio Epir). Hyri në marrëveshje të mbidheshme e nëndheshme sidomos me Italinë e Sërbinë, që Shqipëria të ndahej midis këtyre shteteve dhe ishte në prag të finalizimit të marrëveshjes. Ndërhyrja e presidentit amerikan Uidrou Uillsonit ( si një pingule midis dy paraleleve) ishte vendimtare për moscopëtimin e Shqipërinë dhe shumë shteteve të tjera, duke kërkuar të drejtën e popujve të vegjël për vetëvendosje, Ai do të deklaronte: “Ne tani themi se të gjithë popujt kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë qeveri të zgjedhur prej tyre. Ky është parimi amerikan.... Të gjithë kombet kanë të drejtën e vetëvendosjes... SHBA-ja nuk është e përgatitur t’i bëjë padrejtësi njerëzve të Shqipërisë....’’ Megjithatë Greqia në sajë të Venizellosit ia doli të zhvaste mjaft territore nga Azia e Vogël. Mos vallë duhet të kemi edhe në këtë rast mirëkuptim për figurën e Venizellosit meqë ai është një personalitet i Greqisë e më e tej...
Personalitete të tilla duhet të shikohen në kompleksitetin e vet dhe të kohës por në raport me qëndrimet ndaj Shqipërinë, nuk kanë pse të kenë asnjë mirëkuptim dhe sigurisht, që janë antishqiptarë. Se çfarë mund të bënin më tepër ata kundër Shqipërisë, sikundër u përpoqën ta fshinin nga harta e Europës!?

Vijon

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen