Mittwoch, 27. Februar 2019

Buqetë poetike nga Petraq Kote

Petraq Kote

Mure akulli

...rasti më kaloi prane vilës tënde, poet.
Ç’shoh? Pyeta Zotin.
“...një mur prej akulli ngrihet për rreth”, më tha, Zoti, “dhe dyer prej akulli”
Ika. Isha më i ulet se muri.
Ika dhe m’ u kujtua thënia e nji herë një plaku të çmendur të veshur me rroba jeshile, 
bridhte rrugët e shenjta të qytetit tim me bastun hekuri në dorë,
si Moisiu kur u printe hebrejve, 
“...paratë janë copa akulli”
ika, dhe luta diellin të kaloj ndonjëhere përsipër vilës...

Fier, 11 shkurt 2019



Asgjë e saktë

Në jetën time nuk erdhi e hyri asgjë e saktë,
unë i saktësova shpirtërisht dhe... më të shumtat i mbajta për vete. 

Fier, 6 shkurt 2019



Koha

 …dje kur dita ecte hapat e fundit të saj,
hapa një varr dhe varrosa të gjithë vitet e mi të vdekur.
U ula mënjanë dhe prita,
kohën të shkonte mbi varr të fshinte çdo shenjë,
por koha nuk shkoi!

Fier, 5 shkurt 2019



Litari i këmbanës

…një kult më ruan gjurmët hap pas hapi,
po unë nuk di ta përdor litarin e kambanave!

Fier, 31 janar 2019



Diçka 

...asnjëherë nuk e mbajta mend se kush më tha, 
“...gjurmët e tua janë alfabeti që do të shkruaj jetën tënde deri tek varri”.
Shoh hartën e shpirtit të shqiptarëve,
mungojnë shumë qytete me dashuri.
Gjithmonë ka patur pak gjëra për të jetuar jeta ime,
por nëna më ka dhënë diçka që përherë ta jap.

Fier, 29 janar 2019


*

...poet, qielli është i yti, toka është prangë!

Fier, 29 janar 2019



Kopeja e njerëzve

...i kyça në gojë sytë,
nuk dua të shoh se si Shqipërinë e fortë e plugon uji,
nuk dua të dëgjoj kur malet si kuajt e luftrave çalojnë,
nuk dua të mbaj mend si kuturisja e përgjegjshme rrjedh mbi fushat e pambarsura e derdhet në det, tërë ndy.
I kyça në gojë sytë, të mos kujtoj kur vetja më vret veten e kopeja e njerëzve gëzohet... dhe,
u bëra armiku im.

Fier, 31 janar 2019

Kriptizëm 

…kam vjet, nuk i bëj unë hapat e mi, 
i bënë kryeministri,
gjurmët i bëj vet… dhe nëse i vdekur.

Fier, 29 janar 2019



Uni. Radha

…unë jam Uni, hedh sytë nga ballkoni, sytë lexojnë fushën e orëve përball
dhe të mësuar vijnë e më thonë, 
“…tani e kanë radhën këmbët!”
Unë jam Uni i ditur ose errësira e natës përbrinj,
ku ndjenjat han barin e artë të yjeve të formësuar fytyra grash dhe ngopur,
vijne e më thonë,
“…tani e ka radhën koka!”
Unë jam udhësi i rrugëve të këputura ilire,
me shalë arrat e pyjeve të prera ne Pukë të cilat bëhen krevate për shtëpitë e kurvave udhëheqëse të shtetit shqiptar, ku shputat vijnë e më thonë,
“…tani radhën e ka arkivoli!”
Unë jam Uni i fëmijërisë sime,
ku ecja ime ngatërrohet me këmbët e mia dhe rrëzohet në humnerën e kokës sime e vjen në mëngjes e më bërtet, 
“…tani radhën e ka sperma e pastër shqiptare!”

Fier, 21 janar 2019



Ndërgjegja e syve

...fle i qet natën në shkretëtirën time,
por mendt më ikin si gratë nomade,
shkojnë atje, ku larg është gjithmonë…
Mëngjes. Shoh përpara
...ndërgjegja e syve të mi.

Fier, 17 janar 2019



Shëllirëza

...atje ndër shëllirat (tokat) e kripura të Semanit,
ka një zog me emër kripe, "Shëllirëz". 
Të vjetër sa fusha janë ata zogj.
Më 1996 gjahtarët e ardhur nga Italia i vranë barbarisht, sa miti i zogjve u shtang.
Moteve mbi kuaj atyre troktheve ndalnin zonja të bukura dëgjonin këngët e zogjve dhe hipur anijeve në Skelën e Semanit, treteshin në Itali.
Prej qëkuri më vret kënga e vrarë e zogjve, kënga e vrarë shpie përpara fundin e fushës.
"Shëllirëzat" u shtuan përsëri, por shëllirëzat e reja i urrejnë njerëzit, tashmë,
ndaj kur shkoj atje, eci leht dhe lut pluhurin e artë të diellit të më mbuloj.
Është tmerr kur ke dëshirë të degjosh, e di se dëgjon dhe nuk dëgjon asgjë!
..."është një orë kur s' tringllin asgjë", por atje në ato kripthe, kur ka njerëz,
asnjë "Shëllirëz" nuk këndon në të gjitha orët...

Fier, 28 Nentor 2018



Shtëpia e vjetër

Shtëpinë e vjetër e kisha buzë një lumi të vjetër në Sheq Marinas.
Lumin e mbushnin lidhjet e ujshme të stuhive të malit Tomorr, 
të cilat nuk e di se përse vraponin per në Adriatik!
Viktor Belting nuk hipi kurrë mbi rrjedhë, 
s' arriti, u mbyt larg së bashku me "Shën Pjetrin".
Shtëpinë e mbushnin njerëzit, edhe njerëzit rridhnin në shtratin e tyre.
Porta e shtëpisë për anë kishte dy sheqa të mdhenj, s' i rroknin dot dy shenjtore.
Në kokë sheqat kishin yje, jo draper e cekan.
Hynin njerëz të gjatë në portë, sa sheqat,
sillnin lajme pellazgjie, 
rrinin pak me gjyshin dhe iknin boçe plotë.
Por "të gjatët" nuk erdhën më, erdhën njerëz të shkurtër.
Sheqat i rrezoi stuhia e detit, lumi u pre,
vetëm dimrat i huanin ca ujë deri në mekje.
Në shtëpinë time s' mbërritën kurrë të pa udhët,
mendjet e sheqarakeve i mbinte dheu i but i fshatit.
Ne, ishin ç' ishte toka.
Shumë vonë erdhën mësuesit, më përpara kishte bërë tkurrje porta.
...nuk rilindëm ndonjëherë, ishim të lindur dhe pse gëzimi ishte i trishtuar.

Fier, 21 nentor 2018



Akulli më pyet...

...dje ndërtova edhe një rrugë për arsyen,
Iku dashuria e fundit.
Si perëndimet e ftohta kam ngelur,
me betimin e vjetër të njeriut,
me eren e vjetër 
me token e vjetër.
...akulli më pyet nëse dua shtëpi.

Fier, 29 tetor 2018



Shega...

...po çel shega prapë, nënë 
shega që mbolle ti,
po hapen sythat, lulet e ndër degë shegëza do të duken...
e mbolle nënë dhe shkove,
prapa i le psherëtimat...

Edhe babai iku, por ai mbolli rrap, afër Skelës së Semanit,
"...të pres vetëtimat, armiqtë e vonuar të cilët bëhen miq", më tha.
O, nënë,
po ti përse mbolle shegë?

Fier, 25 shkurt 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen