Këtë përmbledhje poezishë të autorit Khalil Gibran e shqipëroi dhe e përgatiti
për Revistën "AlbPlanet", Halit Beka (Methasani)
LIRI
Dhe një orator tha: "Na fol për lirinë"
Dhe ai u përgjijg:
Në pazar dhe pranë vatrave tuaja,
Tek përuleni asaj lirie tuajës, kam parë
Mu ashtu si skllevërit tiranit i përgjunjen,
e lëvdojnë atë dhe pse ai i rreh.
Gjithmonë, në korije të tempullit,
apo në hijen e kalasë
më të lirët mes jush si zgjedhë e si vargonj
lirinë ta varin, kam parë
Dhe zemra përbrenda më gjakoset,
pse ti i lirë mund të jesh edhe kur
dëshira për liri së kërkuari shpërgënj të bëhet,
e si arritje e përmbushje kur së foluri për liri pushon,
I lirë vërtetë kur pa një gajle një ditë të kesh
dhe netë pa brenga e pikëllim.
Por, kur këto gjëra jetën ta nxijnë,
e prapë mbi to, cullak e i palidhur ngrihesh
E si përtej ditëve e netëve do të çohesh,
kur zinxhirët qysh në mëngjes të kanë mbërthyer
e ti në mesditë e kupton se duhen thyer?
Në të vërtetë, zinxhiri më i fortë - ajo që ti liri e quan,
ndonëse hallkat në diell i shkëlqejnë e sytë t'i verbojnë.
Dhe ç'është ajo, veçse pjesë nga vetvetja
që tej duhet ta flakësh që i lirë të jesh?
Duke djegur librat e tua të ligjeve
s'mund ta fshish
as gjyqtarëve ballin duke ia larë
edhe pse detin e tërë mbi to e derdh
E nëse ndonjë ligj që do ta shfuqizoje,
Mu ai ligj që ti me dorën tënde e ke shkruar mbi ball
Do ishte
Dhe një tiran po të duhej ta rrëzoje,
më parë fronin tij në ty ndërtuar, shkatërro.
Pse, si do mund një tiran të lirët e krenarët të sundojë?
veçse me tiraninë në ta vetë
e me turp për të qenë krenar të jenë!
Dhe nëse diçka, andrallë më s'do ta quaje,
ajo nga ti vetë të qe qe përzgjedhur e jo imponuar.
E nëse një frikë tej do ta flakje
Stoli i saj mu në zemrën tënde ndodhet
e jo në duart e të frikësuarit
Vërtetë, gjithë gjërat që në qenjen tënde lëvizin
vazhdimisht gjysëm të pushtuara janë:
lakmues e i llahtarisur, i pështirë e dashamirës, ndjekës
dhe ai prej të cilit duhet të arratisesh.
Këto gjëra brenda teje lëvizin
si drita e hija si çift që kacavirren
dhe kur hija humbet e zhduket,
drita që mbetet ,hije për një dritë tjetër bëhet
Kështu edhe liria jote kur vargonjtë e vet humbet
zinxhir i një lirie më të madhe bëhet po vetë
BUKURIA
Dhe një poet tha:
Na fol për bukurinë:
Ku ta kërkosh bukurinë,
dhe si ta gjesh atë
Veçse ajo të jetë rruga jote
dhe Udhërrëfyesja jote të jetë
Dhe si të flasësh për 'të
përveçse ajo
endësja e fjalës tënde të jetë
I fyeri e i lënduari thotë:
Bukukria është e sjellshme dhe e mirë
Si një nënë e re gjysëm e turpshme
nga lavdia e saj, mes nesh ecën
Dhe ziliqari thotë:
Madje, bukuria është diçka
e fortë dhe e frikshme
Si stuhia ajo tund tokën
nën e qiellin mbi ne
I lodhuri e i rraskapituri thotë:
"bukuria është nga përshpëritje e butë,
Ajo në shpirt të flet!"
Zëri si një dritë e zbehtë
heshtjes vëndin ia lë
që nga hija e saj dridhet
Por zevzeku thotë:
" E kemi dëgjuar atë
të çirret nëpër male"
Dhe me vërritmat e saj
zhurma e trokut të thundrave
dhe ulurimat e ujqërve vijnë
Natën rojet e qytetit thonë:
" Bukuria kah lindja, me agimin ngrihet
Dhe në mesditë punëtorët e udhëtarët thonë:
Përkulur rreth botës nga dritaret e perëdimit,
bukurinë kemi parë.
I bllokuari nga dëbora në dimër, thotë:
Tek kodrat kapërcen, me pranverën vjen
Dhe në vapën e verës korrësit për bukurinë thonë:
" Me gjethet e vjeshtës tek bukuria kërcen,
dhe me një pirg dëbore mbi flokë e kemi parë"
Gjithë këto gjëra për bukurinë thatë
e prapë për ‘të asgjë nuk folët
përveç nevojave të papërmbushura
Dhe bukuria nevojë nuk është, pos ekstazë
nga etja gojë e zhuritur nuk është
e as dorë skamnori e shtrirë
Por zemër e përvëluar e i magjepsur shpirt
Shëmbëlltyrë që sheh nuk është,
as këngë që dëgjon
Por përfytyrim kur sytë i mbyll
dhe këngë që me veshët mbyllur dëgjon
Nuk është trap me lëkurë të rrudhur,
as krahë në kthetra ngjitur
Por kopsht në të përhershëm lulëzim
një tufë engjujsh ngaherë në fluturim.
O popull i profecive,
bukuria është jetë
kur jeta të shenjtën fytyrë saj zbulon
Por ju jeni jeta, dhe velloja jeni po vetë
Bukuria është përjetësia dhe ju e saja pasqyrë.
Rrobat
Dhe endësja tha: Na fol për rrobat
E ai tha: Rrobat ju fshehin mjaft nga bukuritë
e prapë të pabukurin dot s'e fshehin
Dhe, ndonëse në veshje lirinë e privatësisë kërkoni,
Në vend të tyre rripa e zinxhirë mund të gjeni
Duhet që dielli e era më shumë lëkurën
se sa veshjen t’ju rrahë
Se fryma e jetës në dritën e diellit është
Dhe dora e saj është në erë
Ca prej jush thonë:
Era e veriut i ka endur rrobat që veshim
Por çnderim qe gjergjefi i tij
dhe zbutësi i tejzës ishte peri
E kur puna e tij mbaroi, ai në pyll qeshi
Mos harro - mburojë e syrit të shkujdesur - thjeshtësia
E kur sy të tillë më të mos ketë,
thjeshtësia ç'do të qe, pos vargonj e fajësi?
E mos harro se toka kënaqet
lëkurën këmbëzbathur të ndjen
Dhe era me flokët e tu të lozë - përgjërohet
Shoqëria
Dhe një i ri tha:
Na fol për shoqërinë:
Shoku yt është nevojë e zgjidhur
Ai është fusha që ti me dashuri e mbjell
dhe me falënderim e korr
Dhe ai është sofra e oxhaku yt
Se shkon tek ai me uri
Dhe atë për paqe e kërkon
E kur shoku të thotë ç'mendon
Ti frikë nga mohimi brenda vetes nuk ke
dhe as miratimin dot s'e përmban
E kur ai hesht, zemra jote zemrën e tij
së dëgjuari s'pushon
Sepse pa fjalë, në shoqëri
gjithë mendimet, dëshirat
e pandehmat, lindin e së bashku, me gëzim
pa brohoritje, ndahen
Kur ndahesh nga shoku, mos u brengos
Pse, ajo që në ‘të ti don më shumë
më e qartë bëhet në mungesë të tij
Ashtu si mali në syrin e alpinistit
më e qartë duket kur nga fusha e shikon
E le të mos ketë synime në shoqëri,
e ruajtur thellë në shpirt
Pse dashuria që kërkon
Është zbulim i misterit të saj vetë,
E s'shtë gjë tjetër veç një rrjetë e hedhur
që pos së padobishmes asgjë nuk kap
Dhe për shokun, nga më të mirat tua lër.
E nëse ai pikën tënde të dobët i duhet të dijë
I thuaj se përmbytje është gjithashtu
E ç'ia vlen një shoku që kohën kot
harxhon për ta kërkuar
Ndërsa orët për të jetuar ia vlen të kërkosh
Sepse të tijat janë që do përmbushin
të tuat nevoja, e jo zbrazëtinë
E në ëmbëlsirën e shoqërisë
Le të ketë buzëgaz e hare,
kënaqësi e ndarë mes jush
Se në vesën e gjërave të vogla,
zemra mëngjesin gjen dhe freskinë
Thirrje e një të dashuruari
Ku je moj e dashur?
A je në atë parajsën e vogël,
Vadit lulet që të shikojnë
Si foshnjet që gjijtë e nënës vështrojnë?
Apo je në qurin tënd
Ku faltorja e mirësisë
Për nder tënd është vendosur
E ti si flijim zemrën
e shpirtin tim ke vënë?
Apo je mes librash
E dituri njerëzore kërkon
Kur me mençuri hyjnore je ngirë?
O shoqe e shpirtit, ku je?
Në tempull po lutesh
Apo natyrën në fushë
Strehë e ëndrrave të tua, thërret?
A je në baraka të skamnorëve
Zemërthyerit me ëmbëlsirën
e shpirtit tënd ngushëllon?
Duart e tyre
me bujarinë tënde ua mbush?
Ti je shpirt i Perëndisë,
e kudondodhur
Më e fortë se shekujt,
A e mban mend ditën kur u takuam
Kur dritë-kurora e shpirtit tënd na rrethoi
Dhe engjujt e dashurisë pezull na rrinin
Punës së shpirtit lavde i këndonin
Kur u ulëm nën hije të degëve,
a të kujtohet?
Nga sytë e njerëzve të fshiheshim,
e mban mend?
Ashtu si brinjët sekretet hyjnore
të zemrës, nga lëndimi mbrojnë
I mban mend ti monopatet
e pyjet që ecnim
Me duart mbërthyer
e kokat kah nëri-tjetri përkulur?
Sikur vetet brenda vehteve
mundoheshim të fshehim
A të kujtohet ora kur u ndamë
Dhe ti puthje detari në buzë më dhe?
bashkimi i buzëve të dashurura,
ajo puthje më mësoi,
zbulon sekretet hyjnore
që gjuha dot s’i thojë
Ajo puthje, parathënje
e një psherëtime të thellë qe
Si fryma e të gjithfuqishmit
që baltën në njeri e ktheu
Ajo psherëtimë
në botën shpirtërore më çoi
Lavdinë e shpirtit tim njoftoi
Dhe , atje ai do përjetësojë
derisa sërish të takohemi një ditë
Më kujtohet kur ti më puthje papushim
Me lotët që faqeve të rrëshqitnin
E ti the:
Trupat tokësorë shpesh duhet të ndahen
Që qëllimet për në këtë botë të arrihen
Dhe të ndarë të jetojnë duhet
Nga nevoja materjaliste detyruar
“ Por shpirti mbetet i lidhur, i sigurt
Në duart e dashurisë, gjersa vdekja arrin
E shpritrat e bashkuar tek Zoti i shpie”
“Shko, e dashur! Dashuria të ka zgjedhur ty
Mbi veten, si e dërguar e saj
Pse ajo është Bukuria që lules,
gotën e ëmbëlsisë së jetës i jep
Ndërsa krahëve të mi boshe
Dashuria jote - kujdestare ngushëlluese
Kujtimi yt - dasma ime e përjetshme”
Ku je tani, o tjetër vetja ime?
A je zgjuar në t’natës qetësi?
Le të përcjellë flladi i lehtë tek ty
Çdo rrahje të zemrës dhe dashuri
A përkëdhel fytyrën time
Në kujtimet e tua?
Ajo pamja ime nuk është më
Se mbi fytyrën time të lumtur si dikur
Pikëllimi hijen e tij ka hedhur
Dënesa sytë që bukurinë tënde pasqyronin
M’i ka fishkur
Dhe buzët që ti me puthjet e tua
M’i njomje , m’i ka tharë
Ku je e dashur?
A i dëgjon ngashërimet
Që përtej oqeanit?
A e ndjen nevojën time?
Durimin tim, a e mat dot?
Vallë a ka mbetur më shpirt në ajër
që frymën e këtij djaloshi
që po vdes, tek ty të sjellë?
Vallë a munden engjujt
mes tyre të flasin,
e ç’më mundon tek ty ta përcjellin?
Ku je, o ylli im i bukur?
Se terri i jetës më ka mbërthyer
Pikëllimi më ka pushtuar
Buzëqeshjet përmes erës m’i dërgo
Që kur të mbërrijnë sërish të ngjallem
Aromën tënde në erë kudërbo
Që me të i gjallë të mbetem
Ku je o e dashura ime?
Oh, sa e madhe është dashuria
E unë sa i vogël jam!
Vizitë nga Urtësia
Në heshtjen e natës Urtësia erdhi
e bri shtratit më qëndroi
lotët m’i fshiu
E, si nënë e dhembshur më vështroi
dhe tha:
Të qarët e shpirtit ta kam dëgjuar
dhe të të qetësoj erdha
Hapma zemrën e me dritë ta mbush
Më kërko,
dhe unë udhën e së vërtetës të tregoj
Dhe unë thashë:
Kush jam unë, Urtësi
në këtë të frikshëm vend si erdha?
këto shpresa të mëdha, ç’soj gjërash janë
kjo mori librash, mostra të çuditshme?
këta mendime, ç'janë
që si pëllumba në fluturim kalojnë?
Dhe këto fjalë nga dëshira kompozuar
dhe prej ëndjes kënduar,ç'janë?
E ç'janë këta bindje,
që shpirtin trishtueshëm e ngazëllyes ma kaplojnë
e zemrën ma mbështjellin?
E kësisoj, sy në sy më vështrojnë
e më në thellësi më zhbirojnë.
Arratinë prej brengave të mija marrin.
Dhe ata zëra që ditët e mija vajtojnë
se si rrëgjohem, qajnë,
ato ç'janë?
Ç'është kjo rini
që me dëshirat e mia luan
Dhe dëshpërimin më përqesh,
harraq i punëve të djeshme
Në vogëlsirat e çastit, ngazëllyer
përbuzës në ç'vjen paskëtaj?
Ç'është kjo botë
që për ku më çon nuk di?
Me mua pamëshirshëm rri.
Dhe kjo botë
Që gojëhapur njerëz të mirë gëlltit
Dhe të ligat të jetojnë në gji të saj, i lë
.
Ç'është kjo krijesë
që me dashurinë
për pasuri kënaqet
ndërsa humnera përtej rrethit të saj rri e pret?
Kush kërkon puthjen e jetës
ndërsa vdekja fort e godet
me kënaqësinë e një minute
që një vit pendesë sjell?
Kur ëndrrat e thërrasin,
me dremitje kotet,.
Ç'është ai që drejt detit të errësirës
mbi lumin e marrëzisë lundron?
Këta, ç'soj gjërash janë, o Urtësi,?
E ajo duke folur, u përgjigj:
Përmes syve të Zotit
botën mund ta shohësh, o njeri,
Dhe me mendje njerëzore mund të kërkosh
sekretet e të përtejmes t'i mësosh,
E prapë, kulmin e marrëzisë
Tek e vërteta t’shikosh
Në vendet e shkreta shko
dhe bletën mbi lule do gjesh,
Vëre shqiponjën që presë së vet
vërtik t'i sulet,
Në shtëpinë e fqinjit shko,
dhe fëmijën shiko
që sytë mbi zjarrin vezullues kapsit,
ndërsa nëna punëzënë, shtëpisë i sillet
"Si bleta bëhu
dhe ditët e pranverës kot mos i ço.
Se ç'bën shqiponja mos e vështro.
Si fëmija ji
me dritën e zjarrit ngazëllehu,
dhe punët e nënës mos i shiko
Se për hir tënd është
Gjithçka që me sytë e tu sheh
Moria e librave
dhe gjërat e çuditshme
Të bukurat mendime -
hija e atyre shpritrave
Që para se ti të vije, ishin këtu
Fjalët që ti thur -
lidhje mes teje e vëllezërve të tu
Bindjet, trishtimet e haretë,
fara që në arën e shpirtit qe hedhur
E paskëtaj të korrej
Ajo rini që me dëshirat e tua luan
derën e zemrës tënde hap
që drita brenda të hyjë.
Kjo tokë me gojën hapur,
shpëtimtari i shpirtit
prej skllavërimit të trupit i tënd
Kjo tokë që me ty ecën -
Zemra jote
E po kjo zemër e gjitha që ti
për këtë botë mendon.
Kjo krijesë, që ti si të paditur
e të vogël e shikon
Nga ana e Zotit ka ardhur,
keqardhjen përmes brengës të mësojë
Dhe përmes errësirës
njohurinë të përfitojë
Atëherë Urtësia
mbi vetullat që më përvëlonin
dorën vuri, dhe tha:
Ec atëherë përpara e mos prit,
se para teje Përsosmëria pret.
Ec e frikë nga gjembat në rrugë mos ki
Se asgjë e ligjshme të ligën nuk e mbron
Dhimbja
Dhimbja është thyerja e lëvozhgës që
kuptimin tënd mbështjellur mban
Ashtu si bërthama e frutit duhet thyer
që zemra e saj diellit t'i qëndrojë
Edhe ti duhet ta njohësh dhimbjen
Dhe me mrekullitë ditore të jetës
zemrën në thagmë po ta mbash
edhe dhimbjet më pak të mahnitshme
se gëzimet s'do të qenë.
Dhe do t'i pranoje stinët e zemrës
ashtu si stinët gjithmonë i pranon
tek mbi fushat e tua kalojnë
E me qetësi të plotë do shikoje
nëpër dimrin e pikëllimit tënd
Më të shumtën e dhimbjes
e zgjedh vetë
Është ilaçi i idhët
që mjeku brenda teje bën
Sëmundjen në vetvete shëron
Ndaj mjekut vehte besoji,
ilaçin në heshtje pije,
pa fjalë aspak në gojë
Pse, fjala e tij,
ndonëse e rëndë e e fortë
Nga dorë e butë
dhe e Padukshme udhëzohet
E gotën që të sjell,
dhe pse buzët t'i djeg
Baltë me lot të shenjtë njomur
Vetë poçari gatuar e pjekur ka.
Gëzimi dhe hidhërimi
Atëherë një grua tha:
Na fol për gëzimin dhe hidhërimin
Dhe Ai u përgjijg:
Gëzimi yt - hidhërim i demaskuar.
Dhe i njëjti pus
prej nga e qeshuara jote del
shpeshherë me lotët tuaj është mbushur
E ndryshe si do të qe?
Sa më thellë ai hidhërim në ty gërryen,
aq më shumë gëzim ti mban.
A s’është gota që ti mban verën
po ajo gotë që në furrën e poçarit është pjekur?
Dhe, a nuk është uda* që ta qetëson shpirtin,
nga ai dru që është gdhendur me thikë?
Kur je i lumtur,
thellë në zemrën tënde vështro
e do të shohësh se në të vërtetë
ti qan për atë që kënaqësia jote ka qenë.
Disa prej jush thonë:
“Gëzimi është më i madh se hidhërimi”
Dhe të tjerë thonë se
“hidhërimi ia kalon gëzimit”
Por unë do t’ju thoja:
Ata janë të pandashëm!
Së bashku ata vijnë,
e kur njëri ulet e rri me ty në minder,
ndërsa tjetri flë mbi krevatin tënd
Dhe ti vërtetë je i pezulluar
si peshorja mes dhimbjes dhe gëzimit
Vetëm kur je bosh
ti je në venqëndrim e i barazpeshuar.
Kur thesar-mbajtësi të ngre lart
për të peshuar arin dhe argjendin e tij
patjetër që gëzimi apo hidhërimi yt
o ngrihet, o bie.
*udë= Instrument popullor Arab, me tela si llauta jonë
Kënga e shpirtit
Në thellësi të shpirtit një këngë pa fjalë kam
Që në bërthamë të zemrës jeton
mbi pergamen me bojë të ngjisë s'pranon
Dashurinë në mantel të tejdukshëm,
ma mbështjell e gëlon,
e mbi buzët e mija jo.
Si ta psherëtijë?
Tutem se me frymë tokësore më përzihet.
Kujt t'ia këndoj?
në shtëpinë e shpirtit
nga frika e veshit të vrazhdë ngujuar rri
Kur në thellësi të syve të mi vështroj
Hijen e hijes së tyre rri duke shikuar
Dhe kur majat e gishtrinjve prek
dridhjet e saj ndjej
Puna në dorë pranisë së saj i përgjigjet
Si liqeni që shkëlqimin e yjeve pasqyron
Lotët, që trëndafilin në vyshkje zbulojnë
si pika e kthjellët e vesës ma tregojnë,
Një këngë nga soditja kompozuar
Nga heshtja botuar
Nga klithmat shmangur
Nga e vërteta palosur
Përsëritur nga ëndrrat
Nga dashuria kuptuar
E fshehur nga zgjimi
Nga shpirti kënduar
Këngë e dashurisë quhet
Cili vëlla do ta këndonte (Kaini apo Esau*)
Më shumë erë se jasemin është
Cili zë do ta pushtonte?
Si i të papërlyerës sekret
në zemër thellë ngujuar
Kush telat mund t'ia dridhë
Kush vallë gjëmimin e detit
Me këngën e bilbilit ta bashkojë
Kush mundet klithmën e shtërngatës
me psherëtimën e fëmijës ta krahasojë?
Kush fjalët me zë guxon t'ia thotë
Kur për zemrën janë bërë t'i lexojë
Ç'njeri Këngën e Perëndisë guxon
Që me fjalë e zë ta këndojë?
*Lexo mbi çifutët Kaini dhe Esau në Dhjatën e vjetër
Një lot e një buzëqeshje
Brengat e zemrës me harenë e morisë,
s'do t'i këmbeja
Dhe s'do të kisha lotin që trishtimi buron
në çdo qelizë timen, të rrjedhë
e në buzëgaz të kthehet
Veç një lot e një buzëqeshje jeta ime të mbetet.
Një lot që zemrën time t’më kthjellojë,
e të fshetave të jetës kuptim të m’i japë
Një buzëqeshje - me bijtë e llojit tim të më ofrojë
Simbol të lëvdatave të mija për perënditë të çfaqë
Një lot që me zemërthyerit e tjerë të më bashkojë
Një buzëqeshje, shenjë e ngazëllimit, gjallëqenë
me dëshira të zjarrta, më mirë, i përmalluar të vdisja,
i këputur i vrarë, se sa i gjallë e i përzënë,
Për dashuri e bukuri në thellësitë e shpirtit,
etjen dua ta kem,
sepse të kënaqurit –
njerëzit më të ndrydhur i kam parë,
Psherëtimën e të përvëluarve e të përmalluarve
e kam dëgjuar
Më e ëmbël se melodia më e ëmbël,
e pandarë.
Me muzgun që avitet, petalet lulja i mbledh
Flë, e përmallshëm atë mbështjell
Agimi avitet, ajo buzët e saja hap,
e të diellit puthje të nxehta t’i prekë.
Sadaka (Të japësh)
Dhe tha një pasanik:
Na fol për sadakanë
E ai u përgjigj:
Ti jep, por shumë pak
nga ajo që zotëron
Është ajo që jep nga vetvetja,
kur vërtetë jep
Pse, ç'është pasuria
pos gjërave që mban e ruan
nga frika se nesër do të të duhen?
Dhe e nesërmja,
Ç’i sjell ajo një qeni cigun
që kockat varros
në rërën e pagjurmë
Tek ndjek peligrimët
për në qytetin e shenjtë?
E ç'ëshrë frika e nevojës
veçse nevoja vetë
A s'është droja e etjes
kur pusin plot e ke
Etje që nuk shuhet?
Ka nga ata që shumë pak japin
nga aq shumë sa kanë
Dhe e japin që t'ia dinë
Dhe dëshirat e fshehta
të padobishme ia bëjnë sadakanë
Dhe ka nga ata
që nga e pakta që kanë,
të tërë e japin
Këta janë besimtarët
dhe bujarët e jetës
Dhe arka e tyre bosh
kurrë nuk u mbetet
Ka nga ata që me gëzim japin
e gazi shpërblimi i tyre është
Dhe ka nga ata
që me dhimbje japin
Dhe dhimbja është
pagëzimi i tyre
Ka nga ata
që dhimbje s'njohin tek japin
e as lumturinë nuk kërkojnë
Por as mendjen tek mirësia s'e kanë
Ata japin si ta hidhnin tej në luginë
Ashtu si mërsina
aromën në hapësirë
Dhepse Zoti për duart e këtyre flet
Dhe pas syve të tyre,
lart mbi tokë AI buzëqesh
Është mirë të japësh kur të lypin
Por është më mirë të japësh
pa të kërkuar
Por që vetë ti e kupton
Dhe dorës së hapur
në kërkim të atij që do të marrë
Më i madh është gëzimi
se të japësh
E ti, a do t'i mbaje dot gjë?
Dhe gjithçka që ke,
një ditë do të jepet
Ndaj, jep tani që stina e sadakasë
jotja të jetë e jo e trashëgimtarëve
Ti shpesh thua:
Do të jepja,
por vetëm atyre që e meritojnë
Pemët në pemishte të thonë jo
Edhe tufa në kullotë, jo të thotë
Ata japin që të mund të jetojnë
Pse të mbash është të vdesësh
Sigurisht, ai që ia vlen
të marrë ditët e netët Ia vlen
për gjithça tjetër që edhe ti ke
E kushdo ka merituar
të pijë nga oqeani i jetës
Edhe nga përroi yt i vockël
meriton kupën ta mbushë
E ç'shpërblim më i madh do të ishte
se sa ai që në kurajon
e mirëbesimin ndodhet
përveç sadakasë, dhe e pranimit
E kush je ti
që burrat të shqyejnë gjoksin
e të mburren, që ti
hashiqare vlerën e tyre të shohka
dhe krenarinë e tyre të patrazuar?
Shih më parë se si të jesh dhurues
e që mund të japësh vërtetë
Se në të vërtetë
është jeta që i jep jetës
Ndërsa ti që e quan veten dhurues
Nuk je veçse dëshmitar
Dhe ju që merrni,
e që të gjithë të tillë jeni-
Mos mbani peshën e mirënjohjes
që zgjedhë mbi vete
e atë që ju dhuron mos të vini
Por çohuni së bashku
me atë që ju jep
Mbi sadakanë, si mbi krahë
Sepse ta mbash mendjen vetëm tek borxhi
Është si të dyshosh në bujarinë e tij
Që zemërmadhen tokë për nënë ka
E Zotin për baba!
Vdekja
Atëherë Almitra foli e tha:
Do të pyesnim tani për vdekjen
E ai tha:
Ju do ta dinit sekretin e vdekjes
Po si do ta gjenit kur s'e kërkoni
në zemër të jetës?
Bufi që sytë vetëm për natë i ka,
misterin e dritës dot nuk e zbulon
Nëse vërtetë shpirtin e vdekjes vëreni,
Mbi trupin e jetës zemrën hapni
gjërë e gjatë
Pse jeta e vdekja një janë
Ashtu si lumi e deti janë një
Në thellësi të shpresave e dëshirave të tua
Dituria e heshtur e së përtejmes fshihet
Dhe si fara që nën borë dremit
Ashtu dhe zemra jote
për pranverën ëndërron
Dhe ëndrrave besoji,
se porta e përjetësisë fshihet në to
Frika ndaj vdekjes asgjë tjetër s'është
pos drithmës së bariut
që para mbretit qëndron
E dora e tij gadi për ta nderuar
mbi bariun shtrihet
A s'është bariu i lumtur nën drithmën e vet
se shenjën e mbretit do të veshë?
E prapë, ai mendjen tek drithërimat më s'e ka?
E ç'është vdekja
veçse lakuriq në erë të qëndrosh
e në diell të tretesh plotësisht!
E ç'është të ndalësh frymëmarrjen
veçse çlirim i frymës
nga rryma e pandaltë,
që ajo lart të ngrihet e përhapet
e Zotin të kërkojë e pangarkuar?
Vetëm kur nga lumi i heshtjes
ti vërtetë do të këndosh
E vetëm kur majën e malit të kesh mbërritur
E nga aty, do fillosh të ngjitesh vlrtetë
E kur toka gjymtyrët t'i ketë marrë
Vetëm atëherë kërcimin do të fillosh
Zëri i një poeti
Fuqia e mëshirës në zemrën time, thellë mbillet
Dhe unë grurin korr e në duaj lidh,
e të uriturit ja jap
Shpirti im jetë i jep hardhisë
Dhe unë veshulët shtrydh e lëng të eturit i jap
Perëndia llampën me vaj më mbush
dhe unë në dritare e vë,
udhëtarëve të panjohur udhën t'ua rrëfej
I bëj këto se në to unë jetoj
E duart në më lidhshin, e thënë mos qoftë
që këto që bëj, më të mos mundesha
vdekja - dëshira e mbetur do ishte
se unë- poet e po nuk dhashë, të marr s'e bëj dot
Njerëzia si stuhi zemërohet,
e unë në heshtje psherëtij
Pse stuhia kalon tutje, ikën,
e psherëtima te e vetmja Perëndi
Njerëzit pas gjësendeve në tokë kapen
E unë flakadanin e dashurisë ngahera kërkoj të mbaj
të më pastrojë flakë e tij,
e zemrës ligësinë t'm'i përcëllojë
Gjërat që preken pa vuajtur njeriun e vdesin
Me dhimbje që ringjall, dashuria vetiu e zgjon
Në fise e klane njerëzit keqazndarë
që qytete e fshatrave të ndryshëm u takojnë
Po unë mes tyre të huaj e gjej vehten
e asnjë vendbanimi s'i përkoj
Atdheu im - Gjithësia, ,
familja njerëzore, fisi që i takoj
Njerëzit të dobët, mes tyre keqpërçarë
Shih sa e vogël Bota,
në mbretëri ta ndash,
Perandori e krahina, zgjuarsia ç'u bë?
Njerëzit në një bashkohen,
tempujt e shpirtit të shkatërrojnë
Pastaj dorë për dore lidhen
që shtëpi për njerëzit në tokë ndërtojnë
Unë mënjanë rri,
shpresëzërat brenda vehtes tek thonë dëgjoj:
"Ashtu si dashuria me dhimbje
zemrën e njeriut e ngjall
ashtu dhe injoranca,
mësim dijes i bën.
Dhimbja e padija në hare e dituri të çon
Se Qënja Mbinjerëzore
asgjë nën qiell s'krijoi kot
-2-
Zemra më pikon
për të bukurin tim Atdhe
Dhe i dua njerëzit e tij,
se vuajtur shumë kanë
Por, nëse njerëzit e mi do të çohen
Për plaçkitje nga dëshira shtyrë
Me motivin e tyre
"frymë patriotike" ashtuthënë
të vrasin e plaçkisin duan,
vendin e fqinjit të pushtojnë
e mizoritë mbi atë popull të kryejnë
Për këtë Atdhe e këtë popull timin
veç urrjtje do t'ruaj.
Këndoj hymnin për vendlindjen,
e malli shtëpinë e fëmijëve të mi
më merr të shoh
Por nëse njerëzit në atë shtëpi
strehë e bukë udhëtarit s'i shtrojnë
Himnin në zemëratë do ta ktheja
dhe mallin në harresë shndërruar
Zëri i brendshëm do të thoshte:
"Shtëpia që nevojës vend s'i bën
rrënimin për hak e ka"
E dua fshatin tim të lindjes
me ca dashuri nga ajo e Atdheut
Dhe Atdheun tim,
me pjesë nga dashuria për tokën e dua
Që i tëri vendi im është,
dhe me tërë qenjen time, tokën dashuroj
Si parajsë e njeriut ,
shpirt i prekshëm i perëndisë
Njerëzia, ky shpirti i Qenjes Mbinjerëzore në tokë
Dhe po kjo njerëzi
mbi rrënoja qëndron
lakuriqësinë pas rreckave e mbulon
lotët mbi faqet e thara lëshon,
e fëmijët e vet mëshirshëm thërret
Por fëmijët të zënë janë
tek himnin e fisit këndojnë
Të zënë janë
se shpatat i mprehin,
e qarjet e nënës
nuk mund t'i dëgjojnë
Mirësia popullit i thërret,
por më kot, veshë për të s'ka
E nëse dikush dëgjon
e lotët e nënës i fshinë, e ngushëllon
Tjetri do të thotë:
"Ai është i dobët, ligështia e mundon"
Njerëzia është shpirti i Mbinjerëzores
mbi tokë mirëkuptim e dashuri predikon
Por njerëzit tallen me këto mësime.
Jezusi Nazarian dëgjoi
dhe kryqëzimi fati i tij qe
Sokrati thirrjen e Perëndisë dëgjoi
dhe atë ndoqi,
më i mirë fat s'e gjeti
Pasuesit e Jezusit Nazarian dhe të Sokratit
nxënës të Perëndisë janë,
E meqë njerëzit nuk i vrasin ato
Me to tallen e thonë:
"Tallja më e idhët se vrasja është"!
Jeruzalemi s'mund ta vriste dot Nazarianin,
as athinasit Sokratin
Ndaj jetojnë ata ,
në përjetësi jetojnë
Tallja mbi nxënësit e Perëndisë,
dot nuk ngadhnjen
Përgjithmonë ata shtohen e jetojnë
-3-
Ti je vëllai im se njeri je dhe ti,
të dy ne bij të Shpirtit të Shenjtë jemi
Nga e njëjta baltë jemi bërë të dy
Ti je këtu si shok i rrugës së jetës je
dhe të fshehtat e Vërteta
t'i kuptoj më jep ndihmë
Ti je njeri, dhe kaq mjafton
që si vëlla të të dua
Për mua fol, si për mbarë të vijë
Se e Nesërmja tutje do të të marrë
Dhe fjalët e tua për prova do t'i vërë
Dhe drejtësinë do marrësh,
nga gjykimi i Tij
Ti mund të më mohosh
gjithçka që e imja është
Se babëzia ma nxiti të mbledh pasuri
Dhe nëse kjo vërtetë do të kënaqte,
tapinë ta kam dhënë, merre, e jotja qoftë
Gjithçka mund të bësh mbi mua
Veç të Vërtetën dot s'e prek
Gjakun mund të ma derdhësh
e t’ma djegësh trupin
Por shpirtin s'ma vret e as ma lëndon dot,
Duart në pranga mund të mi lidhësh
e këmbët me vargonj
Në burg të errët të më fusësh,
por mendjen dot s'ma skllavëron
Pse i lirë është si fllad në qiell të paanë
Ti je im vëlla, e të dua.
Ta dua adhurimin në kishë,
në tempull tek gjunjëzohesh
Tek lutesh në Xhami, të dua
Unë, ti e ne të gjithë fëmijë të një feje jemi
Pse rrugët e ndryshme të saj
S'janë veç gishtrinj të së dashurës dorë
të Qenjes Mbinjerëzore.
Shtrirë për të gjithë ne
të na përsosë shpirtin,
dëshpërueshëm, që t'arrijmë,
mezi presim të gjithë
Të dua për të Vërtetën
që nga dituria të vjen
Të vërtetën që nga injoranca
s'e shoh dot
Por si të mirëqenë e respektoj,
pse punë e shpirtit është
E vërteta jote
me të vërtetën time të takohen
Në botën tjetër,
e bashkë , si aroma e luleve të përzihen
Që një e vetme e tërë të bëhet,
e Vërteta e përjetshme
Që në përjetësinë e Dashurisë e Bukurisë
të jetojë.
Të dua se je i dobët para të fortit sundues
dhe i varfër para të babëziturit pasanik
Ndaj lotët i derdh dhe ngushëllimin të jap
Dhe përmes lotëve të shoh që
krahët e drejtësisë të kanë pushtuar
buzëqeshur të shoh tek prokurorët i fal
Vëlla të kam e të dua shumë
-4-
Të kam vëlla,
po pse me mua grindesh?
Pse ma pushton vendin
e të më nënshtrosh mundohesh
Për hir të kënaqësisë
për ato që lavdi e autoritet kërkojnë?
Pse e lë gruan e fëmijët
dhe vdekjen kërkonnë tokën e largët,
për hir të atyre
që me gjakun tënd lavdi blejnë
dhe nderin e madh
me lotët e nënës tënde përfitojnë?
Vallë, nder është që vëllai vëllain të vrasë?
Nëse nder e quan,
le t'i themi një punë e adhurueshme,
Dhe Kainit tempull t'i ngremë
që vëllain e tij Abel vrau
A është vetëruajtje ligji i parë i Natyrës?
Pse atëherë lakmia të shtyn të vetë-flijohesh,
vetëm e vetëmt'arrish synimin e tij,
edhe vëllain duke vrarë?
Ruaju o vëllai im nga prijësit që thonë:
"Dashuria për të jetuar na obligon
të drejtën e të tjerëve t'u mohojmë"
Të them veçse këtë:
Të mbrosh të drejtat e tjetrit
puna më e bukur e më fisnike
që mund të bësh është
Nëse të jetoj,
nga mua kërkohet të tjerët të vras
Atëherë, vdekja ime
më e ndershme është se jeta
E nëse nuk e gjej dot njeri të më vrasë,
që nderin vehtes t'i mbroj
Atëherë, ngurrim s'do kisha
por jetën vehtes me duart e mija do t'ia marr
Për hir të përjetësisë,
përpara se përjetësija të ketë ardh.
Egoizmi or vëlla shkaku i epërsisë qorre është
Dhe epërsia krijon fiset,
fiset autoritet që çon në sherr e nënshtrim
Shpirti beson në fuqinë e dijes
dhe drejtësisë mbi padijen e errët
Ai i mohon epërsisë shpatën
për të mbrojtur e forcuar mosdijen e shtypjen
Ajo epërsi që Babiloninë shkatërroi
e themelet e Jeruzalemit tronditi
Që la Romën në rrënoja,
që kriminelët i quajti të vyerit e mëdhenj
Që shkrimtarët i bëri t'i lartësojnë emrin
Historianët, bëmat çnjerëzore të saj
si lëvdata t'i shkruajnë
Të vetmen epërsi unë njoh
është dituria e mbrojtjes dhe
e mësimit në Ligjin Natyror të Drejtësisë
Ç' drejtësi tregon autoriteti
kur ai vrasësin vret
Kur vjedhësin e burgos
Kur vendin fqinj sulmon
e popullin ia vret
Çfarë mendon drejtësia
për autoritetin, nën të cilin
një vrasës ndëshkon një vrasës
Një hajdut dënon atë që vjedh
Ty vëlla të kam, e ndaj të dua
Dhe dashuria është drejtësi
me plot fuqi e dinjitet
Nëse drejtësia
këtë dashuri për ty s'e përkrah
pavarsisht nga fisi a rraca kujt i takon
Mashtrues do të isha,
që shëmtirën ego pas
basmasë së bukur
të dashurisë së pastër fsheh
Përmbledhëse:
Shpirtin shok e kam
që në trishtim e ankth të jetës
më ngushëllon
Ai që shok shpirtin s'e bën,
armik i njerëzimit është
dhe ai që udhën njerëzore
tek vetja nuk e gjen,
në dëshpërim do të kalbet
Jeta del nga vetvetja
dhe nga rrethina nuk degëzon
Një fjalë të them kam ardhur,
dhe tani është koha ta them
E nëse vdekja s'më le ta shqiptoj,
nesër ajo të thuhet
Se e nesërmja në librin e përjetësisë,
sekrete kurrë nuk lë
Kam lindur në lavdi të dashurisë
dhe të dritës së bukurisë të jetoj
Që pasqyrim i Zotit janë.
Unë jetoj këtu
e njerëzit, s'më nxjerrin dot
prej pronës jetë, sepse e dinë
se në vdekje do të jetoj
E në sytë m'i shkulshin,
unë prapë murmuritjet e dashurisë
dhe këngët e bukurisë do dëgjoj
Dhe në veshët m'i mbyllshin,
prekjen e flladit,
me zjarrin e dashurisë
e aromën e bukurisë përzier do të ndjej
Dhe në zbrazëti më vënçin,
bashkë me shpirtin do jetoj
këtë fëmijë të dashurisë e bukurisë
Kam lindur të jem për të gjithë
e me të gjithë
Dhe ajo që bëj në vetmi sot
Nesër popullit do t'i jehojë
Ajo që sot e them me një zemër
Nesër shumë zemra këtë do ta thonë
Fjala
Pastaj një shkollar tha: "Na fol për fjalën"
Ai foli duke thënë.
Ti flet kur paqe me mendimet më nuk ke
Dhe në vetminë e zemrës më dot nuk rri
Jeton tek buzët, dhe tingulli,
çlodhje, kotje është
Dhe në të shumtën e fjalës,
mendimi është gjys i vrarë
Pse mendimi
shpend i hapsirës është,
qe në kafazin i fjalëve ,
shumë, vërtetëi hapin krahët
por dot nuk fluturojnë
Dhe ka mes jush
që llafazanin kërkojnë
Nga frika se vetëm mos mbesë
Heshtja e vetmisë në sytë e tyre
vetveten lakuriqe zbulon,
e të arratisen
Ka nga ata kur pa ditur
a paramenduar flasin
Një të vërtetë zbulojnë
që as vetë s'e kuptojnë
Dhe ka nga at që të vërtetën
në vetvete kanë
por me fjalë dot s'e thonë
E në gji të kësisojve shpirti
në heshtjen ritmike jeton
Kur shokun në trotuar
a në pazar takon
lëre shpirtin që buzët t'i lëvizë
e gjuhën të udhëzojë
Lëre zërin brenda zërit
që në vesh të veshit të tij të flasë
Pse shpirti i tij do ta mbajë
të vërtetën e zemrës tënde
si gjuha shijen e verës mban
Kur ngjyra të jetë harruar,
dhe enë më mos të ketë
Shitblerje
Dhe një tregtar tha:
Na fol për shitblerjen
Dhe ai u përgjigj e tha:
Bota ty të jep frutin e saj
e ty asgjë s'të duhet të bësh
Veç duart e tua t'i mbushësh, të dishë
E tëra është dhuratat të shkëmbesh
që bollëk të gjesh e të kënaqesh
E prapë, shkëmbimi në dashuri
e drejtësi njerëzore të jetë
Përndryshe në lakmi për ca
E uri për të tjerët shndërrohet
Dhe kur në treg,
ju punëtorë të detit e të fushës
Me endëset e poçarët,
e mbledhësit e erëzave takoni
Ftojeni kryeshpirtin e kësaj bote
mes jush të vijë,
që peshoret të shenjtërojëllogaritë
e kundërllogaritë të peshojë
Dhe dorështerpin mos e mundo
në llogari të futet, se ai fjalët për punë shet
Të tillë njerëzve u thuaj:
Me ne në fushë eja, ose rrjetën hidh det
Që toka e deti i begatë dhe për ty të jetë
E nëse këngëtarë a valltarë a me fyej
që i biejnë, takoni
Dhurata prej tyre blini,
atje në pazar kur vijnë
Pse edhe ata
mbledhës frutash e temjani janë
E ajo që sjellin, edhe pse prej ëndërrave
Rroba e ushqim të shpirtit janë
Dhe para se tregun të lini e shkoni
Shih se asnjë duarthatë mos të ikë
Se Kryeshpirti i botës, qetësisht
nuk fle atje mbi erë,
gjersa nevojat e më të dobëtit
plotësuar të jenë.
Shtatë vehtet
Në orën më të qetë të natës,
ashtu gjysëmfjetur, i shtrirë,
shtatë vehtet e mija u ulën bashkë,
e ashtu bisedën me përshpëritje filluan:
Vetja e parë:
Këtu në këtë të marrë
kam kaq vite që rri
Me asgjë nuk merrem
veç t'ia përtërij dhimbjet përditë
dhe pikëllimin çdo natë.
Dot s'duroj më, do ngre krye tani
Vetja e dytë:
Fati yt ku e ku më i mirë si imi është, or vëlla
Se vetja e hareshme e këtij të marri më ka rënë të jem
Unë gazin e harenë e tij bëj
dhe orët e gëzueshme këndoj
Dhe me këmbët e ngatërruara
mendimet më të ndritura të tij,
më bie të kërcej
Pra, nga mërzia që kam
mua më takon rebelimi
Vetja e tretë:
E, po unë, vetja copë e çikë prej dashurisë
lloj i flakët i afshit të tërbuar,
i dëshirave marramendëse?
kundër këtij të marri
unë jam ai që më takon të rebeloj
Vetja e katërt:
Unë, nga të gjithë ju jam më fatkeqi
Pse asgjë s'më është besuar
pos urrejtjes së neveritshme
dhe zemërimit shkatërrrimtar.
Pra, jam unë vetja më e stuhishme
që ka lindur në shpellat e errëta të ferrit,
që do ngrihej kundër
e s'do të shërbente më këtë të marrë
Vetja e pestë:
Hëk-hë, jam unë,
vetja e të menduarit, tekanjozi
Vetja e etjes e urisë,
e dënuar të bredh papushim
në kërkim të së panjohurës,
e gjërave që ende s'janë shpikur
Pra, jam unë, e jo ju ai që i bie të ngre krye.
Vetja e gjashtë:
Dhe unë, vetja e punës, i shkreti punëtor,
që me duar plot durim,
e me sy të përmallshëm
që i vesh ditët me përfytyrim
e gjërave pa formë,
të përjetshme forma u jep.
Ndaj, jam unë i vetmi,
kryengritësi ndaj këtij të ndërkryeri zevzek
Vetja e shtatë:
Sa e habitshme,
të gjithë ju do të rebeloni
kundër këtij njeriu,
pse sejcilit prej jush i ka rënë
një fat i shkruar për ta përmbushur.
Ah, veç të isha edhe unë njëri prej jush
një vete me short të rënë,
Por asnjë s'kam.
Unë jam ajo vetja "mos bëj asgjë"
Ai që rri kot, budalla.
Kot kudo, e kot kurdoherë
Ndërsa ju të zënë me punë,
jetën. ripërtërini
Pra, jeni ju apo unë
ai që të rebelojë?
E kur kështu foli vetja e shtatë,
të gjashtë vehtet e tjera vështruan me keqardhje mbi të
e asgjë nuk thanë më.
E ndërsa nata zhytej gjithnjë e më thellë,
njëri pas tjetrit ranë të flenë,
tulatur, me një gëzim të ri.
Por vetja e shtatë mbeti zgjuar.
Vështronte hiçin
që ndodhet pas çdo gjëje.
Bukuria e Vdekjes
1- Thirrja
Lermëni të fle, se shpirti me dashuri më është helmuar
E të pushoj lermëni,
se shpirti me ditë e netë më është ngopur.
Ndizmëni qirinjtë, e temjanët rreth shtratit m'i digjni
Gjethet e jaseminit e trëndafilit mbi trup m’i shpërndani
Flokët me temjan m’i lyeni e këmbët me parfum m’i spërkatni
Dhe dorë e vdekjes ç’më ka shkruar mbi ballë, lexoni.
Në krahët e dremitjes të pushoj, lermëni
se sytë hapur , zgjuar, më janë lodhur
Telargjendta lirë me dridhje shpirtin të ma zbusë.
Telash harpe dhe llaute një vello të më thurni
E zemërvyshkurën me të ma mbështillni.
Këndo të shkuarën, siç agimin e shpresës në sytë e mi shikoni
domethënia magjike e saj –
një shtrat i butë ku zemra më pushon
Fshijini lotët miqtë e mi, dhe duart si lule lart i çoni
Agimin me kurorën e tyre përpjetë, përshëndetni.
Si shtyllë drite mes meje e pafundsisë
Nusevdekjen vështro si qëndron
Mbaje frymën e bashkë me mua
shushurimën shenjëdhënëse
të vdekjes krahëbardhë dëgjo.
Afromu, e lamtumirën më jep
Sytë me buzë që qeshin m’i prek
Fëmijët me duar e gishta të trëndafiltë
Duart t’m’i mbërthejnë
Lëri pleqtë duar damardukshëm,
mbi kokë t’m’i vendosin,
e bekimet të më japin
Virgjëreshat të më afrohen
e hijen e Zotit mbi sy t’ma shikojnë.
Dhe jehonën e vullnetit të tij dëgjoni,
me frymën time të garojë.
2- Ngjitja
Një majë mali kam kapluar
dhe shpirti në t’paanën kupë liriplotë qiellore fluturon
Larg, shumë larg, shokët e mi, unë jam
dhe retë kodrat prej syve fshehur m’i kanë
Luginat mbytur nga i heshtjes oqean
Dhe duart e harresës rrugët e shtëpitë kanë mbështjellë
Fushat e lëndinat prapa një tisi të bardhë po zhduken
Si re pranverore, e verdhë si e qiriut flakë
E kuqe si muzg.
Kënga e valëve dhe himnet e përrenjve
Shpërndarë, dhe zërat e turmave në heshtje shushatur
E hiç, asgjë nuk dëgjoj, veç të Përjetësisë muzikë.
Në përsosmëri harmonie me të shpirtit dëshirë.
Në bardhësi të plotë mbuluar jam
Në rehati, në paqe, në qetësi.
3-Eshtrat
Nga ky qefin i bardhë më çmbështillni
E me petale jasemini e zambaku më vishni
Trupin prej qivurit të fildishtë ma hiqni
E mbi jastëkë lulesh portokalli të pushojë
Mos më qani, por këngë rinie e gëzimi këndoni
Lot mbi mua mos derdhni,
por për vjeljet e rrushtrydhjet vallëzoni.
Psherëtima agonie mos nxirrni,
pos shenja dashurie e gëzimi
mbi fytyrë me gishtrinj më vizatoni
Qetësinë e ajrit me ligje e requiem mos e trazoni
Lërini zemrat këngën e Jetës së përhershme
me mua të këndojnë
Me veshje të zeza për mua zi mos mbani
Me rroba plotgjyrëshe vishu, e së bashku të gëzojmë
Me psherëtimë në zemër për largimin tim mos flisni
Sytë i mbyllni e mua në përjetësi mes jush do më shihni.
Mbi një tog gjethesh më vendosni
E mbi shpatullat tuaja miqësore më bartni
Për në pyjet e shkreta ngadalë më dërgoni
Në varrezat plotpërplot mos më çoni
Prej kërkëllitjes së eshtrave e kafkave
ëndrra të mos tresë
Tek qiparisat më çoni
e varrin ndër vjollca e lulëkuqe ma hapni
Që hije kur rriten asgjë nuk u bën
Varrin të thellë ta kem
që eshtrat vërshimet në luginë mos t’m’i nxjerrë.
Nurin tim të gjerë ma lini, që hijet e muzgut të vijnë
E afër meje të rrinë.
teshat tokësore të gjitha m’i hiqni
e thellë në Tokën Mëmë më vendosni
E mbi gji të sime Nëne me kujdes më lini.
Me dhé të butë më mbuloni,
e çdo grusht i tij me farë jasemini,
zambaku e mersine përzier.
E kur mbi mua të rriten e lulëzojnë
Aromën e zemrës sime në hapësirë do të lëshojnë
Deri edhe diellit të fshehtat e paqes sime t’i zbulojnë
Dhe me flladin e rehatinë udhëtari të lundrojë.
Më lini atëherë, miq, lermëni
dhe me hapa të heshtur largohuni
Si heshtja luginën e shkretë kalon
Lermëni me Zotin e vetë ngadalë shpërndahuni,
Si flladi i Prillit lulet e bajames e mollës davarit.
Tek gëzimet e jetës suaj kthehuni
Atë që vdekja prej meje e jush s’na e heq dot
Atje do të gjeni
Me vend largohuni, se ajo që këtu shihni-
Fare larg prej kuptimit të tokësores botë
Më lini.
I çmenduri
– alegoritë dhe poezitë
Ti më pyet si u çmenda.
Kjo ndodhi kështu:
Një ditë para se mjaft perëndi të kishin lindur,
unë nga një gjumë i thellë u zgjova,
dhe pashë se të gjitha maskat m’i kishin vjedhur,
- shtatë maskat që në shtatë jetë vishja e gëzoja
- pa maska vrapova nëpër rrugët me turma,
duke bërtitur: Hajdutët, hajdutët, hajdutët e mallkuar!
Burra e gra qeshën e nga frika në mua
për në shtëpi ia mbathën, nxituar
Dhe kur në pazar mbërrita,
një fëmijë mbi çati të shtëpisë hipur
-“Ai është i çmendur”. thërriti:
Unë hodha sytë lart që ta shikoj,
dilelli për herë të parë fytyrën lakuriq ma puthi.
Për herë të parë dielli fytyrën ma puthi
Dhe shpirti prej të diellit dashuri
Në flakë u kall
E maskat s’i doja më.
Dhe thirra si në ekstazë
Maskat më s’i dua.
Bekuar hajdutët qofshin
Që maskat m’i vodhën
E kështu i çmenur u bëra
Dhe i gjeta të dyja:
lirinë e vetmisë dhe sigurinë të kuptuarit qënë
se ata që na kuptojnë
diçka në ne skallvërojnë
Por në sigurinë time aq krenar le të mos jem.
Se dhe një vjedhës në burg i sigurt është
nga një tjetër që vjedh.
E mira dhe e liga
Dhe një nga të kryepleqtë e qytetit tha:
"Na fol për të mirën e të ligën"
Dhe ai u përgjigj:
Për të mirën në ty mund të flas,
por jo për të ligën
Pse, ç'është e liga
pos së mirës nga urija e etja e saj torturuar?
Dhe vërtetë, kur e mira është e uritur,
ajo edhe në guvat e errëta kërkon ushqim,
dhe kur e etur, ajo nga krojet e shterrura pi
Je i mirë kur je një me vetvehten
Kur s'je i tillë, ti s’je i lig
Pse, një shtëpi e ndarë
nuk është një strofull hajdutësh,
por thjesht një shtëpi e ndarë.
Dhe një anije pa timon mund të bredhë pa drejtim
përmes ujdhesave të rrezikshme, e prapë nuk fundoset
Je i mirë kur mundohesh të japësh nga vetvetja
Nuk je i lig kur kërkon të fitosh për vehte
Pse, kur orvatesh të fitosh s'je veçse një rrënjë
që kapesh pas toke e thith gjiun e saj.
Sigurisht fruti rrënjës s’mund t'i thotë:
" Ji si unë, mba plot, piqu
dhe jep gjithmonë nga bollëku yt"
Pse, frutdhënja është nevojë,
siç për rrënjën është përthithja
Je i mirë kur je plotësisht i zgjuar kur flet
Dhe prapë, nuk je i lig kur gjuha flet përçart.
i nëpërgjumur.
Dhe madje, edhe fjala e penguar
gojën e qullët mund të forcojë.
Je i mirë kur ecën serbes,
me hapa të rëndë drejt synimit tënd
E prapë, s'je i lig kur ecën çalë-çalë
Pse edhe çalamanët nuk ecin mbrapsht
Por ti që je i fortë e i beftë,
e sheh që nuk je i çalë para të dobëtit
quaje atë mirësi
Je i mirë në mënyra të panumërta,
dhe s'je i lig kur s'je i mirë
Ti thjesht sorollatesh, je përtac
Ç'ti bësh që drerët breshkat
të rendin s'i mësojnë dot
Në dëshirën tënde për të qenë i madh
ndodhet pikërisht mirësia jote
dhe ajo dëshirë në të gjithë ju ndodhet
Por në disa prej jush ajo dëshirë është si përroi me rrëmbim
drejt detit, që sekretet e shpateve dhe këngët e pyllit bart
E në disa të tjerë, një rrjedhë e butë
që vehten në kthesa e përkulje humb
e zvordhet para se të mbërrijë në bregdet
Le t'i thotë ai që dëshiron shumë atij dëshirëpaktit:
"Po ti, ngase pengohesh e je ngadalë?"
Sepse i miri i vërtetë nuk i thotë cullakut:
Po ti ku i ke brekët? as të pastrehit:
"Po me shtëpinë tënde ç'u bë?"
KËNAQËSI
Pastaj një asket, që një herë në vit
shkonte në qytet,
nga turma doli dhe tha:
Na fol për kënaqësinë:
Dhe ai u përgjigj e tha:
Kënaqësia- këngë lirie
Por s’është liri
Lulëzim i dëshirave tua
Por frut i tyre s’është
Thellësi që lartësive u thërret
Por asnjë prej tyre vetë
E ngujuara që krahë merr
Por nga hapësira e pambyllur
Po, troç e vërtetë,
Kënaqësia – këngë lirie
Dhe me qejfplotë do doja
që me plot zemër ta këndoni
Por zemrën duke kënduar
ta humbisnit s’do doja
Disa prej të rinjve tuaj
si kënaqësia e gjitha t’ish,
Dhe gjykuar e qortuar janë
As qortim e as gjykim në ta s’do jepja
Veç të kërkonin doja
Që ata kënaqësinë të gjejnë,
Por jo vetëm atë
Shtatë motra ka kënaqësia
Dhe më e shëmtuara,
më e bukur se kënaqësia vetë.
Për atë që tokën gërrmonte, a keni dëgjuar
Që rrënjët të gjente e thesar gjeti vërtetë?
E ca prej pleqve tuaj kënaqësinë
Si mbrapshtitë nga dehja kur kryhen
kujtojnë me pendesë
Por pendesa- mendjemjegull e mendjes
E jo ndëshkim i saj
Me mirënjohje kënaqësinë ta kujtojnë
Si të mbjellat e një vere kur kanë korr
Por nëse pendesa i kënaq, për ta ashtu qoftë
Dhe ka mes jush nga ata
Që as të rinj s’janë të kërkojnë
E as pleq të mbamendin
Që nga frika e kërkimit e kujtimit
Me kënaqësinë fare s’merren
Që shpirtin pas dore mos lënë
A fyrje për të t’mos kenë
E prapë në vetë shpërfilljen
Kënaqësinë e tyre gjejnë
Kësodore dhe ata thesarin kapin
Ndonëse rrënjët me durardridhshëm gërromojnë.
Pa më thuaj shpirtin ç’e fyen?
Vallë bilbili qetësinë e natës trazon
Apo xixëllonja yjt?
Dhe flaka juaj a tymi, erën a e ngarkojnë?
Ti mednon se shpirti yt një pellg i qetë
e me një purtekë e ngacmon?
Vehtes kënaësisë t’ia mohosh
Shpeshherë dëshirë ruhet
për atëherë kur të pushosh
Madje dhe shpirti trashëgiminë e vet e di
Dhe nevojën e drejtë, e mashtrimit i druhet
Dhe trupi yt - harpë e shpirtit tënd
Që t’ ëmblën muzikë prej tij të xjerrë
A tinguj rrëmujë e të çjerrë
Dhe tani zemrën tënde pyete:
“Nga e mira dhe e keqja
në kënaqësi si t’i dallojmë?”
Në fusha e kopshtije shkoni
E kënaqësinë e bletës të mësoni
që mjaltin nga lulja e mbledh.
Por dhe të lules kënaqësi
Që mjaltin bletës i jep
Se për bletën burim jete është lulja
E për lulen lajmëtare e dashurisë bleta
E për të dyja, bletë e lule
Mardhënia e kënaqësisë
Nevojë dhe ekstazë
O popull i Orfalisë,
Si bleta e lulja
Qofshit të kënaqësisë
Arsyeja dhe zemërimi!
Dhe një murgeshë sërish foli
Na fol për zemërimin- tha – dhe për arsyen
Dhe ai u përgjigj duke thënë:
Shpiti yt shpeshherë bëhet fushëbetejë
Ku arsyeja e gjykimi yt kundër nepsit
dhe zemërimit tënd luftojnë.
Ah, në shpirtin tënd paqebërës të isha
Që sherrin dhe grindjet e shumta
Në njëjës dhe melodi t’i ktheja
Po si vallë ta bëj, kur ju vetë
Paqebërës nuk jeni
E as dashamirës të vetvetes, aspak?
Arsyeja dhe zemërimi
Timon e vela të shpirtit tuaj lundrues
E kur asnjë prej tyre thyer
Hidhesh e rrëshqet
A përndryshe vendqëndrim
Mes detit ke mbet.
Ndaj lëre shpirtin
arsyen sa zemërimi ta lartësojë
Që ai të mund të këndojë
Dhe zemërimin me arsye le ta drejtojë
Që zemërimi yt përmes ringjalljes së përditshme
Le të jetojë
Ashtu si feniksi mbi hirin e vet ngrihet
Gjykimin e nepsin ju lutem t’i trajtoni
Ashtu si dy miq që i prisni e i doni
E di, që njërin më shumë se tjetrin
Aspak s’e nderoni
Se ai që më i zgjuar nga tjetri është
Dashurinë e besimin për të dy e humb
Mes kodrash,
Kur n’hije të ftohta plepash ulesh
Paqen e qetësinë e fushave e lëndinave ndani
Lëre zemrën në qetësi të thotë:
«Zoti në arsye mbështetet »
Dhe kur stuhia vjen
E erërat e forta pyjet shkund
Kur rrufetë e vetëtimat
madhështinë e qiellit zotërojnë
Lëre zemrën atëherë në frikë e nderim të thotë:
«Zoti lëviz me zemërim»
Dhe ngaqë frymë në tokë të Zotit je,
dhe gjethe në pyll të tij
Edhe ti, në arsye pusho
E në zemërim, si Ai vrapo»
Shqipëroi Halit Beka (Methasani)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen