Freitag, 6. Dezember 2013
Xheladin Mjeku - Dhjetë poezi
PËRKUND DJEPIN
E METAFORAVE
Përkund djepin e metaforave
Dhe vendos fjalët në fuqinë e dhjetë
Deri në zgjimin e muzave
Metaforat ndërtojnë kështjellën e fjalës ...
Latojnë monumentin e mendimeve
Mbi bazamentin e dashurisë
Në djepin e metaforave
Ninullat e fjalës shtrijnë flatrat
Pafundësisht
Në kapërcyllin e fjalës
Mbëltoj fuqinë e imazheve
Plot metafora
Përkund djepin e metaforave
Derisa frymëzimi më zbret
Në qepallat e mendimit
PSE TË SHKOHET NË KOSOVË
Bisedë e imagjinuar me Visar Zhitin
Pse të shkohet në Kosovë
Kur udha e nisur shekuj më parë
Është shkelur përfundimisht nga troku
Arritja është e mundshme për një vrap kali
Deri në Fushë-Kosovën e legjendave
Në Dardaninë e poshtme të fisit tim
Atje ku pikëpjeken perënditë me diellin dhe yjet
Atje ku gjithçka nis me fjalën liri
Me emrin Kosovë
Pse të shkohet në Kosovë
Rrugës zikzake plot rreziqe e furtuna
Kur dalzotët e kësaj toke kanë trasuar shtigjet
Deri në kupën e qiellit plot vezullim drite
Ma fal një thërrime drite për besë
Ta shoh majën e alpeve që na mbanin peng
Ditën e agimeve të djegura
Në Udhën qumështore të pafund
Ëndrrat nuk shqiten për një fije floku
Për një Natë Bartolemeu
Andej bie erë lirie
Këtej shtyhet dita
Për një hap tjetër
Pse të shkohet në Kosovë
Atyre shtigjeve i është prerë udha kobzezës
Për kaq kohë që na janë zënë pritat
Dhe zdirgjem lirshëm pasbjeshkës
Me fytyrë kah dielli
Me mikun e vëllaun shtigjet i kemi bashkë
Gjithandej fushave të Kosovës
Me ty po flas
Visar Zhiti
TËHARRJE E BIMËS SË KEQE
Sa inat i kisha Ymer Shkrelit
Kur suall në jetë Bimën e dreqit
Druaja se na mbet në pragun e shtëpisë
Si Gjarpëri i Mirko Gashit
Dhe nama e plakave në mëhallën time
Tëharrje e bimës së keqe
Deri në agim mbeteshim në dritare
Duke përcjellur lojën e yjeve
Në Kashtën e kumtrit
Dhe meditimin për bëmat e ditës
Që përtypeshin nga gojëkëqinjtë
Si në mokrën e stërgjyshit të ndjerë
Tek bluante kokrrat e pakta të drithit
Mbledhur fushëblertave të djegura
Nga dorë mizore e satanës ndjellakeqe
Atëbotë
Tëharrje e bimës së keqe
Zbret në kujtesën e viteve të ikura
E sotmja nis me zgjimin esëll
Me frutin e mbarsur nga engjujt e dritës
Sjell kujtimet e mallit për miqtë e fjalës
Me dashurinë në katror
FIORENTINA QË MA KUJTON KUKËSIN
Nuk ishte kohë e njohjeve
Ishte ditë përkujtimi
Ditë e shënuar ishte ajo ditë
Bëhej e pabëra
Për njeriun që kishte prekur Pikëllimën
Majë-majën e foleve të shqipes
E pikëllimi kthehej në dashuri
Përjetësisht
Po fryma e miqësisë farfurinte
Mbi majat e Gjallicës
Si shpedi i gëzuar
Që flatron krahapur
Mbi zgjimin e kujtesës
Një herë vjen koha e njohjes
Vjen çasti i ikjes dhe fjala në mes
Derisa preken virtyte njerëzisht
Kur po iknim buzëmbrëmjes
Nga pas na ndiqte kujtimi
E fjala shpërthente si lulja
Agimeve plot dritë
Me pengun e emrit
Që nga pas na vinte
As të njoha ndo’iherë
As më the një fjalë për be
Pamëdyshje ma kujton Kukësin
- Fiorentina, s’më the!
DERISA VIZATOJA PORTRETIN TËND
Kërkoja penelin dhe ngjyrat
Ta sjell tek ti një rreze dielli
Të fshij kujtimet në qetsinë e natës
E të shprish vetminë time të strukur
Në hijen e kujtimeve të tretura
Me shpejtësi më shkëpute nga ëndrra
Derisa vizatoja portretin tënd
Më ftove në përqafim të ri
Mes pikave të lotit
Nga syri i përlotur
Që i gjason një ylli mbi re
Zbriti një rreze drite
Mbi nurin e adhurimit tënd
Si fjongo iu mbështoll
Portretit që po lind
Çuditërisht më shkëpute nga ëndrra
Për një kujtim dashurie të humbur
Ngjyrat e ylberit u kthyen në pamje të re
Në portretin tënd hapej drita
Përfundimisht
KURTH
Tri herë kam rënë
Në kurthën e fatit
Tri herë triumfues
Nga pjekja e qenjes
Tri herë më kurthuan
Për një pikë dritë
Tri herë triumfova
Triumfalisht
NATA NUK FLEN ME VETMINË
Nata nuk flen me vetminë
Mbledh rreth vetes frikën
As heshtjen nuk e lë jashtë loje
Nata nuk flen me vetminë
Ka shqisa të vrojtimit
Pak nerva konop përreth
Dhe shfryrje mllefi prej bishe
Nata nuk flen me vetminë
Edhe kur tis ogurzi
Mbulon majat e bardha
Nata nuk flen me vetminë
Yjeve u sjell pak shkëlqim
Që ta trasojnë udhën e t’filluar
Drejt shtegut të ri
Nata nuk flen me vetminë
As kur globi rrotullohet
Për një jetë drite
PRUSH
Kaluam shtegun e parë
Mbi prushin e vatrës
Kaluam shtegun e dytë
Mbi prushin e mallit
Kaluam shtegun e tretë
Mbi prushin e dashurisë
Dhe u dogjëm flakë
Në hirin e heshtjes
VETULL MALI
Vetull mali rrëshqet
Mbi kurriz të ditës së re
Dhe thyen shikimin dita
Mbi vetull merr gjak trimi
E ruan fort ballndritur kujtimin
Ndodh të bie në pritë besa
Për një vetullhollë
Shumë tyta zhgrehin mllefin
E maleve u ndihen gjamët
Ma qet plisin mbi vetull
E hallet më nj’anë si harresa
Ashik që nuk i perëndon dielli
SA HERË MË FTONI MUA
Sa herë më ftoni mua
Keni ftuar një pjesë
Të jetës sime
Sa herë më ftoni mua
Keni ftuar ndjesinë shpirtërore
Që më ndjek nga pas
Sa herë më ftoni mua
Keni ftuar edhe ëndrrat
Që më zgjojnë esull
Sa herë më ftoni mua
Keni ftuar një copë dashuri
Që e ndryej në shpirt
Sa herë më ftoni mua
Keni ftuar fjalën time
Në kërkim të lumturisë
Xheladin Mjeku (1961) shkruan poezi dhe prozë për të rritur dhe fëmijë. Merret edhe me kritikë letrare dhe publicistikë. Shkrimet e tij janë publikuar në shtypin e kohës dhe në portalet elektronike në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Është bashkautor në disa libra me poezi, kritikë letrare dhe publicistikë, ndër të cilat:
“Zhbërja e ikjes” (2006)
“Hijet e thyera“ (2008)
“Aromë gruaje” (2010)
“Bedri Dedja në kujtesën tonë” (2010)
“…me Dritëronë” (2011)
“Lotët e virgjër” (2012)
“Antologji e dhembjes poetike” (2012)
“Prekja e pikëllimit”, monografi dhe poezi (2012), etj.
Në vitin 2010 fitoi çmimin e parë për Përmbledhjen poetike “Mëkatet e Orfeut”, nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në botë “Drita” dhe Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena” -Tiranë.
Në vitin jubilar 2012, në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, fitoi çmimin e parë për Përmbledhjen poetike “Në kopshtin e muzave”, nga Klubi i Shkrimtarëve“De Rada” nga Ferizaj -Kosovë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në botë “Drita”.
Jeton dhe krijon në Prishtinë.
Ka botuar:
“Prelud poetik” poezi, në bashkautorësi (1997)
“Mëkatet e Orfeut”, poezi, botohet në Konkursin shpërblyes
“Nëna e lirisë” tregime për fëmijë (2012)
“Në kopshtin e muzave”, poezi, botohet në Konkursin shpërblyes
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen