Samstag, 28. Dezember 2013

Timo Mërkuri - “Kur flasim për Artin Jonian”


Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi

Një vlerë mbi vlerat poetike


  •  Libri “Kur flasim për Artin Jonian” i Timo Mërkurit
 
Të pranosh mahnitjen, gjatë leximit të librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, është e pamjaftueshme ndoshta, përderisa në të, gjenë një formë rrëfimore të mrekullueshme, në të cilën spikat urtia e dijeve të thella të Timo Mërkurit. E përgëzoj autorin, për stilin e veçantë narrativ, të sjellur si një mozaik kujtimesh, dialogjesh e vargjesh…, ku reflekton shpirti i një poeti, për të nxjerrë në pah artin e më shumë poetëve bashkëvendas. Kur, në saje të “Triremës Poetike Joniane” - Sarandë, 2013, bëhej dhe përurimi i librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, erdhi edhe njohja më për së afërmi, me autorin e librit, T. Mërkuri, e veçmas natyra e tij e çiltër, të bënte të ndihesh, ashtu siç ndihesh me një mik që njeh prej vitesh.
Libri i Mërkurit, një tip monografie do thosha, vjen me një narracion të ngjeshur ngjarjesh e stilizimesh gjuhësore! Të lë mbresën e një kronike, përmes së cilës, poeti sjell rrjedhën e një krijimtarie, të vargëzuar mbi kulturën sarandiote dhe përvijimet jetësore të miqve e kolegëve të tij - poetë. E bukura e këtij libri, është mënyra se si është sjellur rrëfimi! Narrator është vetë poeti e miqtë e tij bashkëpoetë, vijnë përmes dialogjesh e rrëfimesh si prurje mahnitëse, pasi poetët Jonianë janë unikë dhe këtë e reflekton vargu i tyre me frymë polifonike. Megjithëse, Mërkuri i quan një grup spontan poetësh, më saktë miqësh, ata janë një shkollë më vete, që bashkëveprojnë në emër të artit të Sarandës - vendlindjes së tyre të bukur, me histori të lashtë. Në të vërtetë, ata janë zëri unikal i poezisë Joniane.
Ngjarje të shumta jetësore e krijuese, si një thesar brenda këtij libri, të krijojnë përshtypjen e një kronike, monografie a ditari, të gërshetuara artistikisht, meqë autori, me devotshmëri arrinë të vërë në spikamë më të bukurën e kësaj krijimtarie, duke vënë në përdorim “vetëdijen historizuese”, përmes një trajtimi të arrirë artistik. Teksa shfleton fletët e librit dhe lexon vargjet, e imagjinon veten se si bredh nëpër Sarandë, duke e fiksuar atë si një kështjellë ëndrrimtare, ku jeta ka formën e një idile plot nuanca të ylberta. Po ç’e do, kur kjo ndjenjë zvetënohet nga aktualiteti shoqëror, nga shqetësimet e përditëshme, të cilat janë dallgë të pandalura që e rrahin këtë fortesë, si shkëmbinjtë bregorë gjatë furtunash?!
E një ndjesi e bukur të kaplon, derisa e lexon “ Kur flasim për Artin Jonian”, sikur pushtohesh në detin magjik të artit. Leximi i këtij libri, vë në pah mjeshtërinë e përshkrimeve mërkuriane, që zënë fill e degdisen tej përgjatë kufijve hapësirorë dhe kohorë të Jonit, ku si një perlë vendoset qyteti i Sarandës, që të zgjon mijëra imazhe përsiatjesh të admirueshme. Kjo shpjegon se, krijuesit sarandiotë e kanë mbajtur të pashkëputur linjën e raportit individual me përvojën universale njerëzore, qoftë edhe përmes afreskash narrative të legjendave.
Këtë libër e përmbushin autorë dhe krijime të përzgjedhura, arti i të cilëve ngrihet mbi botën e luhatur ekzistenciale, për t’u shndërruar në margaritar, vlera e të cilit do t’u mbijetojë kohërave. Në të, vjen një prezantim i denjë për autorin e vëllimeve “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, Agim Maton, sipas të cilit, në “Artin Jonian rrinë lirshëm legjendat e djeshme dhe marrëzitë e dashuritë e sotme”(13). Poezitë e A. Matos, kanë vlerë jetike, andaj “Të kultivosh Artin Jonian do të thotë t’i ngresh hymn jetës në mes të mortit, t‘i japësh frymë paqes në zgrip të luftës, të ngjyrosish me kaltërsinë e detit shpirtin e njerëzve, të mbjellësh në jetët e tyre një... ulli, pavarësisht se prej tyre mund të kesh hequr... të zitë e ullirit”. Atëherë, a thua vallë, mund të zërë fill këtu edhe shprehja “Sa pak det paska në poezinë time”?!
I trishtë përkah tematika, por i bukur për nga vargëzimi metaforik, vjen vëllimi “Mos e shiko fundin e detit”, i Andrea Zarballës, kur fati i hidhur deshi që ai, në vend që t’i botonte poezitë, i groposte ato pranë një rrënje ulliri në vendlindje - Llazat, të Sarandës, për të pritur kohë më të mira. E ai nuk dorëzohet, pret…, ka durim dhe shkruan: …Ullinjë tanë nuk janë pemë / janë gjyshërit tanë / të rrudhosur / shekullorë. Nuk kanë ndërmënd të ikin nga kjo jetë…(48). Dhe shumë krijues të tjerë më pas, përshkohen nga e njëjta ndjeshmëri, si: Kristo Çipa dhe “Këmbana e dashurisë”, Spiro Llajo me “Një grusht det” dhe “Motiv Jugor”, Kiço Papa me “Lirikat e Jonit”, në të cilën nuk vuri ndonjë fotografi heroi, por vuri shpirtin e tij, pastaj poeti Petraq Dhima, i cili u shpreh me sinqeritet: Dhe do shikojmë ndonjë dramë / Ndonjë koncert a komedi / Por ne e dimë, e para çfaqje / ka qenë e jona dashuri... (130). Natyrisht, pa harruar këtu, edhe krijuesit: Niko Kacalidha, Thanas Dino, Odise Kote…, krijimtarinë e të cilëve e përvijon një varg tejet domethënës i Mërkurit: “Dhimbja është banore e qytetit tim”! Me këtë, nënkuptohet një tëhuajësim ideor e kulturor, pre e të cilit bëheshin shpesh poetët.
Këtij vargani poetësh nuk i shihet lehtë fundi! Aty njihesh me krijuesit: Edmond Llaçi e Drita Lushi, të cilës “…dashuria për njeriun dhe dashuria për jetën më shumë se krahë fantazie, i jep guxim…”. Gjithashtu, Aqif Hysa prezantohet me “Poema e ikjes”, e si i mbetur “Peng midis Ekuinoksesh” është Ymer Nurka, me “Atdhe tjetër” reshtohet Faruk Myrta…, e të tjerë, të cilët vijnë me subtilitet e delikatëse në nismë, e më pas përthyhen përballë vrullit të mesazhit poetik, gjithmonë me ngjyrime të thekshme. Plotënia shpirtërore e këtyre poetëve shfaqet mjaft sensitive, andaj herë - herë, vargu i tyre jep mesazhe udhëzuese dhe përjetohet njësoj prej lexuesit. Po në to, qartazi del në pah përvoja moderne e ligjërimit artistik të vetë krijuesve, si dhe shija përzgjedhëse e autorit të këtij libri.
Prirja personale e Mërkurit, si e drejtë individuale, për të përkapur përsiatjet poetike të më shumë poetëve sarandiotë dhe më gjerë, e shtrirë në një kuadër diskursesh tërësore, sajon një vepër estetike. Kuvendimi me miqtë poetë, i një rrafshi ligjërimor modest e madhështor, në të njëjtën kohë ..., “është një botë e bukur, gati magjike, bota e Artit Jonian”! (20). Me këtë, fryma e individit (autorit) merr tiparet e një baritjeje shpirtërore që përshkon harkun kohor, nën portretizimin e lirikës joniane. Pata fatin dhe unë, që të njihem me këta poetë, e të pasuroj ëndjet e mia poetike nga vëllimet e tyre, të dhuruara miqësisht. E si mund të harrohen poetët: Dashamir Malo, Bardhyl Maliqi, Andriana Dhrami, Irena Gjoni, Vangjel Zafirati, Lediona Braho… Sa do të doja të mos kemë harruar asnjë poet, vargjet e të cilëve përmbajnë diell dhe det…, e ata, a nuk janë vetë jeta jonë!?
 
Imagjinatë e poetit apo gjurmim mbi arkitekturën poetike të Sarandës
 
Të dish të vrojtosh vëmendshëm detin dhe thesarin në të, nënkupton të njohësh atë botë të tërë legjendash që të përcjellin imazhe ëndrrash e realitetesh, teksa ndodhesh në Sarandë! Deti është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtij vendbanimi dhe fortesat e gurta janë harku më i natyrshëm i ndërlidhjeve kulturore e qytetërimeve, pasi ato kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. Për këtë, Timo Mërkuri, përvijon: “Te zemra jonë fillon deti”, lajtmotiv ky, që e përcakton metaforën unikale të Artit Jonian.
Më duhet të pohoj se, me shumë interesim e vëmendje, i lexoja vargjet e poetëve të përfshirë në librin “ Kur flasim për Artin Jonian”, jo pse për herë të parë ndeshesha me detin, valët, buzëqeshjen diellore, legjendat… që shumë herë dhe shumë kohë më parë i pata bërë pjesë të vargut tim, madje edhe: nimfat, guacat, pulëbardhat…, por pse aty e ndjeja vetë frymëmarrjen e poetëve, jetën e tyre midis sfidash. Çuditërisht, ata me forcën e tyre, ditën që këtë ta kthejnë në art. Vargjet e tyre na rikujtojnë se këto nota poetike kanë tingëlluar si metafizikë, duke synuar që përmes vargjesh të shpjegojnë natyrën e qenies dhe realitetin e hidhur. Kjo sfidë krijuese është si një “pina”, që deri në vetmohim i joshte krijuesit. Me këtë rast, Mërkuri dhimbshëm veçon: “Ndërmend kam vargun e poetit A. Mato “Mea Culpa” ku dëshmon se tridhjetë vjet poeti i privuar nga botimi, rriste në shpirt perlat e tija poetike, nën një pamje të ashpër indiference publike”, por që vetë poeti këtë mohim e shpreh me një varg të butë në dukje “Heshta si bilbili në degë”, por gjithsesi një “varg tronditës artistikisht” (41). E këtillë, me një histori nga më të pazakonshmet, vjen poezia e A. Zarballas, e cila mbijetoi edhe në kohë stuhish. Ishte një traditë e patjetërsueshme kjo, që i përndiqte poetët e mesazheve të mëdha.
T. Mërkuri, në librin “Kur flasim për Artin Jonian”, me nostalgji i rikujton shëtitjet pranverore, nëpër bulevardet e vendlindjes, qytetit bregdetar…, për të cilin vargje pakrahasueshëm të bukura, shkroi edhe poeti nga Vlora, Fatos Arapi. I frymëzuar kësisoj, Arapi shkruan: “Nëpër shtratin e lumenjve, në vrapin e tyre drejt detit, mes gurriçkave të zallit, ato që ndrrijnë tek-tuk janë grimca floriri. Grimca të vogëla, gati pluhurore, por përsëri grimca floriri janë. Në shtratin e lumit të lotëve të popullit tim, ndrrin floriri i ligjërimeve të nënave, flori i cili na veshi shpirtin në galvanizimin e rritjes sonë, duke mos e lejuar ndryshkun e kohës të depërtojë brenda tij.”
Ca fleta më pas, në libër, me një pleksje tematike e mesazh therrës, analizohet edhe poezia “Borxh ajrit” (119), e Fatmir Terziut, një mik i autorit, apo më mirë të thosha, një mik gati i të gjithë krijuesve të botës shqiptare dhe më gjerë. I ndërgjegjshëm për mesazhin “Qenka e thënë të iki borxhli” që përçon vëllimi “Lum Lumi” i Ali Podrimes, F. Terziu përçon mallin që kaherë poetët i bën borxhli ndaj Atdheut. “…Poetët e duan Atdheun, sepse i japin dashuri dhe shpresojnë që, pikërisht tek Atdheu, të rriten e lulëzojnë dashuritë e tyre” (120). Madje, T. Mërkuri, po në këtë linjë, e rikujton edhe Ismail Kadarenë, i cili ndonëse “lindi në Gjirokastër, por ai tash nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tej”.
Tendenca e bashkëveprimit poetik midis krijuesish, të së njëjtës trevë, feks me ca ndryshime të Mërkurit, që do të rendnin tok me shpirtin e poetit, për të prekur lartësinë që ai synonte. Dhe më duhet të përsëris, se dilema e poetit vazhdon…! Dikur, ai konstatoi dhembshëm: “Sa pak det paska në poezinë time”!
Kjo klithmë, jo vetëm për liri vetjake e Timo Mërkurit, sikur bëhet inspirim që nuk resht së yshturi secilin poet…, që të ndrydhin dhembjen e kohëve të shkuara e më pas, me butësi e ngrohtësi të thuret vargu poetik i një grupi të madh poetësh sarandiotë, të mbledhur në Klubin Jonian. Kështu, vargu i tyre jetësohet…, dhe deti e pulëbardhat e Jonit, nuk e sjellin pranë vetëm brishtësinë dhe ngrohtësinë e vargut poetik, por një pleksje të pafundësisë qiellore dhe kaltërsisë ujore, midis të cilave fluturon ky shpend, që sfidon hapësira e josh shpirtëra poetësh, këtu e gjetiu në botë, për t’i lënë fillikat përpara legjendave e Perëndive. Mërkuri paralajmërues, thotë: “Duhet patur kujdes në Sarandë, miqtë e mi! Po të lëvizësh një gur, nën të zgjohet një legjendë, po të mënjanosh një shkurre në breg, mund të sodisësh një nimfë, sirenë a ndoshta vetë Afërditën”.
Poezia Joniane sajohet si një përsiatje mbi “fluturime ëndërrash e pulëbardhash”, prandaj forma poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e përdorimit të vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i të qenurit poet bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen nga valët e detit, bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe shndërrohen në rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet në ëmbëlsi për vetë ata. Yllësia metaforike të hap vizione paqesore e me fluiditetin e vet të bën të pyesësh: prej nga kjo filozofi në poezi? E të duket sikur përgjigjen e gjenë në vargun e A. Matos: “Gjithë ditën fjalosemi me detin” e më pas i vetëdijshëm për ndryshimin e dukshëm, shkruan: “valët u ngjirën duke folur”! (15). Në të vërtetë, ai këtu i rreket një sinqeriteti përvijues të situatës: “Kjo s’e ka penguar faktin që, tej klimës së acartë ndërshtetërore, nga të dy anët e piramidave, të çelnin dhe aromatizonin ajrin të njëjtët trëndafila, apo që në mes të luftanijeve, që e shihnin njëra-tjetrën me grykësynë e topave, të fluturonin pulëbardhat krahëndërr e ngjyrëpaqe”.
Po e tërë kjo, vjen si një kujtesë kulturore e shtresuar ndër vite, që nga pasuria kulturore e Pilurit, prej ku autori i librit e ka dhe origjinën, deri tek hapësira më të gjera që e përfshijnë tërë kulturën e Sarandës. Pra, këtë s’e ka penguar fakti që kontaktet me me njëri-tjetrin, t’i afrojnë edhe më shumë poetët Jonikë. Deti Jon është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtyre vendeve: “Shqipërinë Jugore, Italinë Jugore dhe Kalabrinë në veçanti, si dhe Greqinë Veriperëndimore dhe Qipron”. E kalatë e gurta të qyteteve fortesa janë lidhja më e mirë, e natyrshme e ndërlidhjeve kulturore, qytetërimeve, madje ata kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. “Fjala poetike e Artit Jonian është si një pulëbardhë, që me lojën e saj nëpër e mbi vale, tërheq shikimin e meditimin, qoftë të një djaloshi të dëshpëruar në fundbotë, nga dhimbja e refuzimit të dashurisë së parë, qoftë edhe e luftëtarit që shkon e vjen nga lufta. Kësaj pulëbardhe i ka hije të fluturojë mbi kryet e …lavdisë me një degë ulliri në sqep. Dhe në qoftë se nuk mban degë a gjethe ulliri, atëherë ne i ofrojmë një varg poetik, të kaltër si qielli dhe si shpirti ynë, të bukur si ëndrra jonë, të patjetërsueshëm si ne vetë” (11).
Klubi Jonian shërben si urë miqësie e poetëve të më shumë viseve, sepse poezia e tyre reflekton një botë shpirtërore ku dallgëzon deti dhe trazon aromën e ullinjëve e të mbush frymë e sy me nuanca portokalli të portokajve që i sheh gjithandej këtij qyteti. Vetë Joni është misteri i një shtegëtimi heroik, romancash virgjiliane, danteske “fryt i një frymëzimi jonian, që na shpie tek legjendat”. Është jetike thënia e Timos “Të kultivosh Artin Jonian”, duhet të jesh i madh sa bota joniane…, megjithëse nganjëherë duhet që zhgënjimin jetësor dhe marshimin para sfidave, ta sajojnë me një tjetër ndjenjë, me një pleksje të vargëzimit erotik.
Sajimi i formës poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e përdorimit të vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i të qenurit poet bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen nga valët e detit bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe shndërrohen në rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet në ëmbëlsi për lexuesit. Yllësia metaforike të hap vizione paqësore e me fluiditetin e vet të bën të pyesësh: prej nga kjo ngrohtësi në poezi? Madje…, edhe atëherë, kur “Gjithë ditën fjalosemi për detin” (15).
Vargjet autoktone, të gjallëruara përmes figuracionit, tani më, të ambalazhuara me maturi të re artistike, janë motivuese, jo vetëm për besueshmërinë ndaj artit të vetë poetëve Jonianë, por edhe të atyre që ndikohen e frymëzohen nën peshën e këtyre krijuesve. Ky libër realizohet këndshëm, është mbresëlënës, me një dritëmagji legjendash e shpërthimesh të bukura emocionale, që vijnë si rigjetje para lexuesit. Besoj, në një të nesërme të qëndrueshme, ku vargëzuar do të mbetet, një përvijim legjendash nga e kaluara, me një realitet të ri poetik, mjaft të fuqishëm e të mirëpritur nga lexuesit e vëmendshëm.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen