Samstag, 4. Januar 2014

Kasam Shaqirvela - Shtatë poezi


NJERËZISË SOT

Sa të ketë diell mbi këtë tokë
Ai ka mirë për të të ngrohur
Dashuri dhe paqë ti veç kërko
Sepse ashtu kam dëshirë të t'shoh

Nuk dëshiroj, qoftë dhe një herë
Të gdhihet njerëzia përgjumur
Ndër agime të murme, sterë
Kafshuar vetveten përherë

Lojëra bizare me njerëz
Në llogari të fatit njerëzor
Ndër shtatë palë tokë u tretshin
Përgjithmonë mizoritë
Aty mbetshin !

Kohë e ligë, rendet turbullohen
Lajmëtarë fatesh të prera vijnë
Për sëmundjet e Mileniumit të ri
Droga,amoraliteti e sida na prijnë

Nuk bëhet kështu kënaqësia
As me anomali kësisoji
Ashtu vetëmse shkatërrohet njerëzia
Ashtu i shuhet farra edhe soji.

 


NUK T’I THEM

Ato, nuk t’i them jo se druaj
Por gjërat i mbajë në kuti, i ruaj
Dhe nuk i përtip, por veç i bluaj
Në letër të bardhë bukur i shkruaj

Ti mundohesh të mi lexosh
Kot e ke jaran, kurrë s’do t’i kuptosh
Fjalët e mia, ylber i pasosur
Prekin teket e tua, oreksin e marrosur



PA EMËR

N'daç le t'i pushojë
e n'daç le t'i pëlcasë
ai damar i mbushur
me gjak t'shqiptarit
le ta skuqe deri në prrush
këtë tokë të t'parit
e sikur lava e vullkanit
ta mbulojë, jetë mbi jetë tretur,
ky vend pa emër sot e mot,
mbase s'ka për të mbetur.


 

P Ë R P I Q E M
(për mbijetesë)

Po përpiqem unë
përpiqem që moti
për këtë punë të moçme
dhe për këtë hall të ri.
Më dëshmojnë rrudhat
e fytyrës së rreshkur
dhe gjurmët e lotit të kryposur
vragë shekujsh të vuajtjes së pasosur.
I reckosur, sakatosur, plagosur
ringritur, ngjitur, shëruar e rritur
i njomë herët, e i thinjur vonë
i vdekur e i lindur përsëri më thonë
kreshpë, në kreshta malesh plakur
në djersë i qullur e në gjak i lagur !?

Përpiqen rreth mua edhe të tjerë
madje me mall e dëshirë përherë
zhytur në gjak therjesh, lemeri
shpirtprishur e vesbishë-njeri
ata s'dinë të qajnë njerëzisht
prandaj as lotët su janë tharë
su plakën ndër zotëra ndonjëherë
dhe s'mund të jenë për ta krenarë
as rrudhat n'ballë nuk i kanë ?!

 


PJELLË E KEQE

Zoti na ruajt neve tani
Nga çdo farë "laneti"
Që gjithë ditën e lume
Nga gojë e tij, e rreme
Shqiptohet xhenemi
Dhe xheneti.

Kur e takon në rrugë
Dhe mirë e mirë e shikon
Me sjelljen e tij, hajnisht
Të len pa tekst n'gojë, mjerisht
Por pas shpine fëtyrëziu
Ta punon më keq se dreqi e thiu.

Ndonëse pesë herë në ditë vetë
Falet e lutet pa ndërpre
Ai gjithmonë mendjen e vret
Kend e ka në rend sot
Për ta bërë pre.

Të ligat që i bën
U vjen një erë turpi
Sepse i lidhë me interesin
Pa mos e çarë kokën fare
Se disa tjerë, pikërisht nga ai
madje dhe mund të vdesin.

Qoftë nga ajo tradhtisht
Që ua bën të pafajshmive
Apo nga ndërsimi i egër
Që ua bën të ngjashmive.
E kur i thua se ky lanet
Përse na u dashka të falet
" At' e kam borxh " thot
Dhe dua të shkoj në xhenet,
Qoftë në atë të tradhëtarëve
Apo dhe n'atë të gomarëve.

 


P L E Q Ë R I A

Thuan që, çdo gjë është relative
Madje nuk përsëritet dy herë
S'varet nga stina e as nga moti
Në qoftë dimër, apo pranverë.

Pleqëria është një natë e gjatë..
E gjatë thuan, bile e thatë
Që përfundon pa agim?!
Është si një qiell, përplot
Me yje të ndezur eshkë që,
Një nga një i fiken n'trishtim.

Rrugë e gjatë, madje e vështirë
Me të përpjetën bile në rritje
Ligështim i fuqisë njerëzore
Por forcim i bindjes së dëlirë
I një përvoje e dije të nxënë
Urti e mençuri, ar në peshore
Për brezat më pastaj xhevahirë
Po ditën, le ta thithin prore
Të zhbëhet le t’mos e lënë
Se ajo që sot është ndër ne
Nesër histori kanë për t’i thënë

Pleqёria është e uryer, është sfilitje
Të duket se je nga tjerët i përbuzur
Madje, këmbëzënia pa faj e dëshirë
Të lodhin e t’mundojnë pa zbritje

Por ajo ka edhe lezetin e vet
Po qe se ke mbjellur n’pranverë,
Kur të kapë dimri, Frutet që i pret
As bora mbi kokë nuk t’i tret

Ata që dikur me dashuri i rrite
Tani dëshirën e kanë të zbutur
Atë që krahapur dikur e prite
Vitet ta rëndojnë mbi supet këputur
Nuk pyesin, as njohin për mëshirë
Rendin e rendin hiç pa u tutur
Drejt një kopshti të shpirti të lirë

E pra, kohës që kalon n’i thënçin jetë …
Kthimin prapa e ka të vështirë
Sado që dëshirat s’vyshken si lulet
Natyra e njeriut është e këtillë
E udhëhequr fortë nga vetëdija e dëlirë
Drejt ndronjetës gjithnjë në pritje...!
Të një agimi të vetëm, të pagdhirë…!?


QËLLO O ZOT
 

Ti Zeus, o zot i madh
Që tund e shkund këtë botë
Rrufetë shgjetare ku i mban
Hapi rretë drejt në tokë
Mëdyshë qiellin le ta çajnë

Qëllo o Zot, e mos vono
Drejt në kokë gjarpinjtë e gjakut
Me rrufetë e tua ti shkrumbo
Farën e keqe të tyre shkatërro
Mos e lejo të dalë përtej pragut.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen