Samstag, 11. Januar 2014

Rrok Berisha - "Kujtime të varura"


Recension

LIBËR ME VLERA
TË MIRËFILLAT IDEOARTISTIKE

Nga Mikel GOJANI

  • Rrok Berisha: "Kujtime të varura", Bota sot, 10.1.2014
 
Krijimtaria e deritanishme poetike dhe publicistike e Rrok Berishës përfaqësohet me këta tituj të librave, si “Ti aty mbush ujë”, “Kërkimi i vetvetes”, “Vetmia e udhëtimit”, “Larg e Afër”, “Shpirti i dritës së amshuar” (poezi kushtuar Nënë Terezës (shqip – anglisht), “Akuarelet e Shpirtit”, “Kujtime të varura” (poezi); “Krimbi në mollë”, “Bardh e zi”, “Kukullat”, “Shitësit e Mjegullës”, “Argatët e Dreqit”, “Letër jo e zakonshme” (memoare dhe pjesë ditari nga koha e kaluar dhe periudha e luftës), “Anton Frrokaj - në piedestalin e përjetësisë” etj.
 
Kohë me parë krijuesi Rrok Berisha botoi librin e tij poetik të titulluar “Kujtime të varura”, që ngërthen në vete 88 poezi, me motive nga e kaluara dhe këtoditëshmëria jonë.
 
Libri është i konceptuar në këta kapituj: Fillimi a fundi, Matje e saktë, Krih të thyer e pupla të kallura, Murosje e fjalës, Madhështia, Homazh prindërve të mi dhe Ku është dashuria. Këta kapituj krijojnë një strukturë unikale përmbajtjesore.
 
Duhet potencuar në fillim të këtij shkrimi se autori Berisha besnikërisht i ka qëndruar rrugës së tij krijuese, duke ruajtur shkallën e avancimit të lirikës së tij në përgjithësi, apo edhe duke e shtuar nivelin e arrirë motivor e artistik. Përbërës kryesor i ka temat dhe motivet atdhedashurie, po ashtu edhe ato filozofike e sociale, të cilat shtresohen ideoartistikisht në relacione bisedore ndërmjet poetit dhe lexuesit, duke krijuar shpeshherë edhe një paralelizëm ideor, përmbajtjesor e stilistik me vargun tonë tradicional poetik.
Libri poetik “Kujtime të varura” të autorit Rr. Berisha, prezanton në vete larushi temash dhe motivesh që janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin. Vargjet e këtyre krijueseve i përshkon një natyrshmëri poetike, ku brenda subjektit të vargut poetik dominon frymëzimi mbi botën dhe realitetin. Ngjyrimet e kohërave dhe atmosfera e ndezur me esencat e saja të zjarrta, ku çdo gjë frymon nga ndjenja e thellësisë dhe gufon në rrafshin e përjetimit të realitetit, të përjetuar më ndryshe, kuptohet herë më bukurinë e saj, me ëndërrimet, mirëpo ndodh edhe me trishtimin e saj. Objekt frymëzimi dhe preokupimi për këto krijuese janë ngjarjet dhe momentet e ndryshme që prekin thellësinë e botës së tyre shpirtërore.
 
Vëllimit poetik “Kujtime të varura” të autorit Rrok Berisha, i prin një poezi mjaft të arrirë, si për nga aspekti motivor, po ashtu edhe artistik. Është kjo poezia e titulluar, Në aeroport, që prek realitetin tonë të trisht me esencat e saj mjaft tragjike, të zbrazjes së atdheut tonë dhe migrimit të popullatës sonë, sidomos të të rinjve, në vende të tjera të perëndimit dhe globit. Janë këta avion, “si zogj të hekurt që fluturojnë” duke bartur me vete shumë të rinj të këtij kombi dhe atdheu. Një realitet që edhe sot prek shpirtin e këtij populli, edhe përkundër mbërritjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: Zhurmë/ Zogj të hekurt fluturojnë/ Ulen, ngritën/ Avionë shkojnë e vijnë/ Përplot të ngarkuar/ Shumë zhurmë në aeroport/ Dhe/ Di t’i mashtrojë loti i ndarjes/ Shpresë e një takimi të ri/ Pritje dhe përcjellje/ Tërë koha rrugëtim...
(Poezia, Në aeroport, fq. 5)
 
Nga e njëjta frymë përshkohet edhe poezia, Nga toka e dhembjes, ku autori me një duf të vrullshëm shpirtëror shpreh që bregun që ka pllakosur këtë popull, sidomos pjesën me vitale të tij, të rinjtë, të cilët për nja kafshatë buke janë të detyruar të migrojnë jashtë atdheut: Zogjtë e hekurt – avionë/ kompozojnë melodinë e ndarjes/ Nëpër aeroporte të Prishtinës, Shkupit Tiranës.../ E porte – gjithandej mëmësisë.../ Bartin e largojnë/ Nga kjo tokë e dhembjes/ Të rinjtë plot freski/ plot ëndrra...(Poezia, Nga toka e dhembjes, fq. 9.)
 
Sikundër mund të vërehet edhe nga vetë titulli i këtij vëllimi poetik, autori i ka ofruar lexuesit një poezi me domethënie të caktuar. Në të çështje dhe probleme nga më të ndryshmet. Te poezitë e Berishës ngërthejnë në vete kryesisht metafora të tejdukshme, ndjehet kudo mjedisi rrethues, bashkë me njerëzit dhe natyrën që rrethon me trajtat e tyre të përditshme e të mugëta që nuk vepron tjetër veç trazon gjithnjë e më shumë shpirtin krijues. Brenda këtij subjekti ngërthehen edhe hidhërimi, edhe vetmia, edhe reagimi i një shpirti i cili gjen prehje vetëm në ëndrrat e veta. Në këtë varg po ashtu e gjejmë edhe trajtimin e temave që lidhen me problematikën sociale e psikologjike, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit po ashtu edhe të alternimeve jetësore. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e këtij autori shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit. Poezitë e këtij krijuesi merren me fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, dashuria, dhimbja, dëshira, kujtimet, vetëdija, lotët, shpresa, ëndrra, errësira, humnera, drita, zjarri etj., janë lajtmotiv që i japin dritë dhe shkëlqim kësaj forme të të krijuarit: Secili ka një kornizë/ Si kafaz mbyll vetveten/ Rininë/ Dashurinë/ Dhembje/ Dëshirën/Trashëgiminë/ Kohën...(Poezia, Kornizë, fq. 19)
 
Frymëzimet që ngjizin në shumicën e vargjeve poetike të këtij krijuesi vijnë si lirika dhe përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore të dashurisë. E vështruar me një kuptim të gjerë dashuria bëhet shkak i gëzimit dhe i trishtimit, i shpresës dhe zhgënjimit etj. Realiteti i fundit i okupimit në Kosovë shprehet përmes këtyre shprehjeve dhe ky sfond i errët pasqyrohet në mënyrë shumë origjinale, duke përçuar edhe mesazhin më të rëndësishëm dhe shumëdimensional. Ardhacakët na i kallën shtëpitë, bjeshkët/ Djepat na i thyen, pemët e vreshtat na i prenë/ Por dashurinë, për etninë/ Nëpër shekuj s’kanë mundur të na vrasin... (Poezia, Erdhi koha, fq. 25).
 
Një itinerar mjaft mallëngjyes dhe të shumëpritur autori e bën edhe nëpër atdhe, nëpër Mirditën historike dhe heroike, me të cilën pjesë një pjesë të madhe të kësaj popullate e lidhin shumë lidhje gjenealogjike dhe etnologjike, që deri dje ka munguar. Ai me zërin e tij kumbues thërret për një bashkim kombëtar, ëndërr e shumë brezave tanë. Autori përmes vargut të tij është optimist që kjo ndjenjë do të realizohet: në Luginën e Fanit/ Adriatikun e Kosovën/ Për tërë kombin – Shqipërinë/ Kalimashi ka hapë gjoksin/ Nëpër zemër të shkëmbit/ Aortë e bashkimit/ Furnizon gjithë etninë/ O, populli im/ Çmallu e thaj lotët/ Bjeshka ka hapur gjoksin.(Poezia, Kujtim trishtues, fq. 52).
 
Dashuria për atdheun, kombin, tokën arbërore dhe çdo gjë që lidhet me ashtin arbëror, janë tema mjaft të shfrytëzuara si frymëzim për poetët tanë, këtyre temave as kësaj radhe nuk ka mundur t’i shmanget as autori Berisha. Këtë frymë e ndjejmë te vargjet e poezive në vijim të librit, si E fjalët mungojnë (Për kombin tim), Në dritën e shpirtit, Kjo dashuri e tokës etj. Duke shfletuar vëmendshëm librin e Berishës, kam përshtypjen që ky libër është përplot përshkrime emocionale, rregulla stilistike, begati gjuhësore me shumë natyrshmëri e hedhur në vargje, e mesazhe të cilat të rikujtojnë që poezia realisht, është art i së bukurës dhe i mesazheve. Librin e veçon edhe një brumosje e arrirë në fushën artistike, që autorin e nxjerr në pah jo vetëm si njohës i fjalës së shkruar artistike, por edhe shumë sensuale ndaj botës shpirtërore të të individit dhe kolektivitetit të cilit i takon vetë krijuesi. Berisha, përpos larushi temave që trajton, ai vepron edhe me zemrën e madhe të prindërve, përkatësisht nënës (si hyjneshë e botës) dhe babait shumë për përvuajtur. Këto dy figura i gjemë të skalitura mjaft mprehtë te kapitulli i parafundit të librit, Homazh prindërve të mi. Këto figura i gjemë te poezitë, si Nëna, Urat, Kopsht bujarie, Ashti i fortë, Dhembja (homazhe për fëmijërinë pa fëmijëri të babait Canë), Këngë krenarie, Dy emra – lidhje e gjakut dhe e gjuhës, Kam dy varre etj: Në fshatin e lindjes të lojës dhe fëmijërisë/ Në kodrën e zabeleve/ Në atë lartësi madhështore/ Kam dy varre/ Tridhjetë e nëntë vjet e pesë muaj më parë/ Varrosem babanë/ Me njëzetë e pesë nëntor dymijë e nëntën/ Afër varrit të babait/ Pushon në paqe trupi i nënës... Poezia, Kam dy varre, fq. 111. Ose poezia tjetër me të njëjtin frymëzim:Zefi është Canë e Cana – Zef/ Pjesë e gjakut të njëjtë/ Askush nuk mund u shkuli rrënjët/ Askush nuk mund i ndau/ As t’ua helmojë dashurinë...(Poezia, Dy emra – lidhje e gjakut dhe gjuhës, fq. 105).
 
Poezitë e këtij orientimi tematik gjithsesi i shquan një ton i ngrohtë mallëngjyes. Prandaj, Berisha është një poet i cili i këndon gjithnjë e më shumë , dhe atëherë me mjete të njëjta poetike, lirisë shpirtërore e historike të njeriut dhe të truallit të tij.
 
Poezia e Berishës, siç u tha, sajohet më së shumti nga një tematikë e njëjtë. Në kapitullin e fundit, Ku është dashuria, ngërthehen poezi që kryesisht dominon ndjenja e dashurisë. Këtë frymë e gjejmë te poezitë, si Ajo ndjen ja që kishim, Të shpresosh kot, Ku është dashuria, Kënaqësi e trishtim, Gjinjtë e vashës të quar peshë, Poetët kanë mision të veçantë etj.
 
Në fund, thënë në mënyrë përgjithësuese, poezia e Berishës i sendërton synimet krijuese pikësëpari me qartësinë, komunikimin dhe përjetimin e saj të drejtpërdrejtë, po ashtu edhe me krijimin e një natyrshmërie poetike. Plasimi i tillë tradicional i ideve dhe motiveve, i kuptimit e i domethënieve dhe i gjithë përbërësve të vlerave poetike është gjithashtu një rrugë e mundshme e realizimit të saj tërësor. Kjo formë e të krijuarit të artit poetik, njëkohësisht njëherësh edhe e përcakton edhe vlerën ideoartistike e estetike të vargut
përgjithësisht. Vargu i Berishës është një varg mjaft i stabilizuar dhe me vlera të veçanta si në aspektin motivor, po ashtu edhe artistik.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen