Sonntag, 19. Januar 2014

Blerim Valla - Jo eksperimente dhe dilentantizëm në kulturë

Letër e hapur qeverisë së re komunale të Gjakovës dhe kryetares së posazgjedhur znj. Mimoza Kusari – Lila

Gjakova nuk ka kohë për eksperimente dhe për dilentantizëm në kulturë!


* Shkruan: Blerim Valla

Kultura dhe arti gjakovar sot – sfidat
dhe perspektivat kulturore të Gjakovës 
 
“Kultura është baza fillestare dhe kushti primar për ndryshimin e shoqërisë shqiptare. Që një popull të fitojë fuqi politike duhet më parë të krijojë një kulturë të lartë“ - Branko Merxhani, shkrimtar dhe mendimtar i shquar shqiptar.
Nëse kultura përkufizohet si tërësi e arritjeve të një populli-kombi, në një etapë të caktuar të zhvillimit shoqëror, që përfshin krijimtarinë e gjithanshme të jetës shpirtërore të një populli–kombi, nëse kultura është përparësi dhe nevojë jetike e një kombi, dhe nëse kultura është dinjiteti e identiteti i një qyteti i një kombi dhe i
një shteti, lirisht mund të konstatohet se kultura dhe arti gjakovar(lexo:kultura e gjallë), sot paraqet një arritje të madhe dhe cilësore në kuadër të kompleksitetit të përgjithshëm të kulturës mbarëshqiptare, pra edhe të kulturës kosovare.
Krejt kjo falë traditës dhe përvojës së kulturës gjakovare në përgjithësi, por edhe në lëmi– fusha të veçanta të artit dhe kulturës të arealit të Gjakovës, që vazhdon të reflektohet falë emrave-personaliteteve të shquara nga fusha e artit dhe kulturës gjakovare, të cilët kanë lënë gjurmë të thella dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë, në pasurimin shpirtëror të qenies dhe kulturës sonë.
Gjakova padyshim se ka me çka të mburret dhe të prezantohet para opinionit(botës) sa i përket artit dhe kulturës. Gjakova është qyteti që ka dhëne më së shumti shkrimtarë, muzicientë, artistë, këngëtarë ... nga të gjitha viset shqiptare, nami i të cilëve tejkalon kufijtë nacional. E zhvilluar shumë ekonomikisht dikur, Gjakova është zhvilluar gati e mëvetësishme në art dhe kulturë duke u bërë e njohur me konceptin “Kultura Gjakovare” në përgjithësi, e sidomos në fushën e letërsisë,në veçanti, për çka është i njohur edhe koncepti "Qarku Letrar i Gjakovës" (Ali Podrimja, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Agim Gjakova, Zekeria Rexha,Vehap Shita, Enver Gjerqeku, Rexhep Hoxha, Sitki Imami, Teki Dervishi, Jusuf Buxhovi, Murteza Nura, Sefedin Fetiu, etj).


Vlerat kulturore e artistike të Gjakovës i vetmi mall eksportues

Por rruga deri tek arti e kultura e lartë gjakovare, kuptohet se ka kaluar nëpër vështirësi dhe pengesa të shumta, më shumë politike dhe ideologjike. Gjersa sot ato po kalojnë nëpër sfida,vështirësi e pengesa tjera qoftë të natyrës materiale apo edhe të globalizmit kulturor, dukë bërë përpjekje të vazhdueshme drejt ikjes nga provincializmi,improvizimi dhe daljes nga izolimi, që ka kapluar jo vetëm artin e kulturën gjakovare, pra edhe kosovare, por edhe çdo fushë të jetës në Kosovë.

Duke marrë për bazë ngjarjet e shumta kulturore dhe artistike (ato elitare dhe me vlera të mirëfillta kulturore e artistike) që kanë ndodhur dhe po ndodhin pas luftës e këtej, mund të thuhet se për fat të keq tash për tash arti dhe kultura është i vetmi mall për eksport që ka Gjakova (lexo:edhe Kosova) .
Këtë e dëshmon tradita e pasur kulturore dhe artistike gjakovare dhe një brez i tërë krijuesish dhe artistësh elitar gjakovar tashmë të njohur jo vetëm jashtë kufijve të Kosovës por edhe më gjerë të cilët dikur, por edhe ata të rinj sot, apo siç quhet “kultura e gjallë“,të cilët po vazhdojnë ta përfaqësojnë me dinjitet dhe me vlera të larta, artin dhe kulturën gjakovare kudo qoftë.
Duke filluar nga të mëdhenjtë Selman Riza, Avni Mula, Ali Podrimja, Ymer Riza, Qamil Muhagjeri (Qamili i Vogël), Besim Bokshi, Agim Gjakova, Shyqeri Nimani, Rauf Dhomi, Muslim Mulliqi, Zeqeria Ballata, Anton Çetta, Besa Imami, Liza Vorfi, Abdurrahim Buza, pastaj Ismet Peja, Din Mehmeti, Shani Pallaska, Qamil Grezda, Mazllom Myezini, Hadi Shehu, Tahir Emra, Hysen Binaku, Luan Mulliqi, Teki Dërvishi, Fitim Domi, Esat Valla, Esat Bicurri, Masar Caka, Fatmir Krypa, Ibrahim Ponosheci, Halil Muhaxheri, Agim Byci, Halil Haxhosaj, Shkëlzen Rexha, Mazllum Saneja, Myrvete Kurtishi, Luan Jaha, Armond Morina, Fatmir Hoxha, Jahja Shehu, Kastriot Nura, Shkelzen Kabashi, Sevdai Radogoshi, Besim Dina, e shumë të tjerë, të cilët janë nderi i artit dhe kulturës jo vetëm gjakovare dhe kosovare, por edhe asaj mbarëshqiptare. Për të vazhduar me brezin e krijuesve dhe artistëve të rinj si Shkëlzen Doli, Florent Nushi, Flaka Krelani, Flaka Goranci, Leonard Berberi, Ilir Bokshi, Jeton Vorfi, Liman Cana, Alban Meka, Gembi Xërxa, Zana Hoxha, Valon Shehu, Vesa Smolica, Albi Xhepa, grupit "Na", Florent Abrashi, etj, të cilët çdo herë e më shumë po ai shtojnë namin dhe vlerat e mirëfillta artit dhe kulturës gjakovare dhe asaj kosovare.
Gjakova dhe gjakovarët mburren me punën dhe aktivitetet e institucioneve të artit e kulturës si Teatri Kombëtar i Gjakovës, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi“, shoqëritë muzikore “Hajdar Dushi” e “Ymer Riza”, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Muzeut Regjional dhe Etnografik , Teatrit Amator ( tani Teatri i qytetit) “Emin Duraku”, Bibliotekës së Qytetit ”Ibrahim Rugova”, pastaj shkollës së vallëzimit modern “Art Design”, agjencive të modës “Bora“ e “Kujta & Meri”, por edhe të manekineve dhe fotomodeleve tashmë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare si Ema Hana, Blerina Brovina, Elza Marku, Artnesa Krasniqi, Orgesa Hoxha, Reshat Alija etj, e mbi të gjitha të bukuroshes së artit dhe kulturës gjakovare - Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.


Sfidat dhe perspektivat kulturore e artistike të qytetit të Gjakovës - prioritetet dhe objektivat 

Por, a duhet të mbetet vetëm me kaq dhe të vetëkënaqemi me këtë. Natyrisht se jo. Për të ardhmen e afërt duhet që secili personalitet i artit dhe kulturës gjakovare, çdo artist e krijues nga qyteti i Gjakovës, e më së shumti dhe më së pari, institucionet e artit e kulturës nga ky qytet, të punojnë në financimin më të madh të tyre, e më pas, të gjithë së bashku, duhet të jenë më agresiv në prezantimin e kulturës dhe artit tonë, por edhe të krijuesve e artistëve tanë, në veçanti në Evropë, tani nga bërja e Kosovës shtet.
Pra na duhet një propagandë agresive në prezantimin e vlerave kulturore e artistike gjakovare, në veçanti në Evropë, siç janë Mitingu i Poezisë, festivalet e këngës popullore, argëtuese dhe të këngës për fëmijë, festivalet teatrore për fëmijë dhe të rinj etj .

Perspektiva kulturore e artistike e qytetit të Gjakovës – me një fjalë si prioritete dhe objektiva qenësore duhet të jenë fuqizimi dhe financimi i teatrit të kukullave (i themeluar para ca vitesh në kuadër të Teatrit të Qytetit “Emin Duraku”), themelimi i festivalit rajonal të komedisë, i festivalit rajonal të teatrove për fëmijë dhe të rinj, pastaj ndërtimi i objektit të qendrës rinore, ndërtimi i objektit të galerisë(publike) të artit, pastaj themelimi i një gazete lokale dhe i një televizioni digjital lokal (lexo: të dyja të pavarura dhe apartiake) etj .
E gjithë kjo padyshim se do të shpinte jo vetëm në zhvillimin e artit e kulturës gjakovare, por edhe të shoqërisë gjakovare në tërësi.
Krahas kësaj në institucionet dhe organizmat e rëndësishme të artit e kulturës gjakovare, duhet të zgjidhen njerëzit e duhur, profesionist të dëshmuar, krijues të afirmuar, me ide dhe vizione të qarta dhe në hap me kohën, natyrisht edhe me aftësi të theksuara menaxhimi. E jo burokrat e zyrtarë anonim, aktivist partiak dhe mediokër të tjerë që s’marrin erë në art e kulturë, apo edhe matrapaz të artit e kulturës, të cilët do të thellonin krizën e kulturës dhe artit gjakovar dhe do ta ngulfatnin edhe më tepër atë, siç e kanë bëre deri tani .
Qeveria lokale dhe sidomos zonja e parë e Gjakovës, znj. Mimoza Kusari – Lila gjatë mandatit të vet duhet të caktoj dhe të ndaj një buxhet të dinjitetshëm për kulturë dhe art, vlera e të cilit duhet të jetë diku rreth 10 % nga buxheti total i komunës. E jo si ka qenë deri tash, kur kultura dhe arti zyrtar – institucional gjakovar “u mbajt dhe mbijetoi“ nga lëmosha e qeveritarëve lokal dhe anëtarëve të asamblesë komunale, të cilët paramendoni, për afër 95.000 banorët e Gjakovës me rrethinë, në këto katër vjetët e fundit kanë ndarë buxhet për art dhe kulturë, një shumë qesharake, e cila po të pjesëtohet me numrin e banorëve, del se për kokë banori të çdo gjakovari për t’u “kulturuar“ i ka takuar hiq më pak se 1, 22 cent !!! Vërtetë shumë kjo qesharake edhe për Librin e Ginisit.
Kur mendojmë të ardhmen e kombit tonë, na duket se politika më largpamëse dhe më jetëgjatë është ajo që vë kulturën në vend të parë. Duhet ta duam kulturën tonë, ta mbrojmë atë dhe të mendojmë për zhvillimin e saj. Ta duash kulturën, do të thotë të investosh për të ardhmen e kombit tënd. Një popull pa kulturë, është i destinuar të vdesë.
Një nga prioritetet e qytetit të Gjakovës duhet të jetë arti dhe kultura dhe pikërisht propaganda kulturore te libri, etnografia, trashëgimia materiale e shpirtërore, tek aftësitë komunikuese të kulturës, pra te projektimi i saj përtej hapësirës kosovare - shqiptare.
Gjakova dhe gjakovarët duhet të investojnë sidomos në turizmin kulturor, pasi në këtë fushë kanë se ç’ka t’i ofrojnë të tjerëve .
Duke parë sfidat nëpër të cilat po kalon momentalisht arti dhe kultura gjakovare dhe në përgjithësi komuniteti kulturor i Gjakovës, dalin disa objektiva kryesore për të ardhmen e artit dhe të kulturës gjakovare:
- Duhet përqendruar vëmendjen te rivlerësimi i librit si forcë e pashtershme në ringjalljen kulturore dhe si ushqim kryesor shpirtëror i një kombi, si element thelbësor i lidhjeve të individit me shoqërinë, sidomos të rinjve me librin.
- Duhet lehtësuar botimin e librit të autorëve gjakovar , duke mbështetur ata që të prezantohen sa më dinjitoz në panairet e librit, me qëllim njohjen por edhe përkthimin e librit shqip të krijuesve gjakovar në gjuhët e tjera.
- Të shikohet mundësia e themelimit të qendrës së artit dhe kulturës gjakovare e cila do të shërbejë si bazë për themelimin e instituteve dhe akademive të tjera kulturore më pastaj.
- Një pike tejet e rëndësishme përbën ruajtja,mbrojtja dhe propagandimi i trashëgimisë kulturore,dhe në veçanti i monumenteve të kulturës dhe historisë qytetare dhe kombëtare të Gjakovës, të cilat janë dëshmi të gjalla e së kaluarës sonë.
Kjo duhet të hyjë edhe në vizionin e turizmit kulturor të qytetit të Gjakovës, pasi kjo trashëgimi tejet e pasur kulturore nuk është vetëm një histori por edhe një mundësi për turizëm kulturor, si mundësi e drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik të qytetit tonë, por dhe për vet vlerat e trashëgimisë kulturore të Gjakovës .
- Përgatitja-hartimi i një guide–harte kulturore të Gjakovës (për të cilën është duke punuar autori i këtij studimi) dhe një tjetër për të gjitha monumentet e kulturës në komunën e Gjakovës. Sikurse edhe përgatitje e albumit dhe ekspozitës fotografike "Gjakova nga Ajri".
- Çdo politikan gjakovar në nivel kosovar dhe jashtë saj duhet të jetë një ambasador i artit dhe kulturës gjakovare nëpër botë. Ata duhet së pari të jenë ambasador të vlerave kulturore të qytetit të tyre.
- Jo vetëm njerëzit e artit dhe të kulturës gjakovare por edhe rinia gjakovare duhet të jenë përçuesi kryesorë i kulturës gjakovare. Duhet që institucionet komunale të bëjnë që të rinjtë të duan dhe ta çojnë përpara kulturën, duke investuar tek të rinjtë, pasi të rinjtë pa kulturë janë si krijesa pa shpirt.
- Ky vit e sidomos viti 2015 duhet të jenë vite të promovimit të artit elitar gjakovar përmes aktiviteteve të ndryshme artistike dhe kulturore, si simpoziume e tryeza shkencore të ndryshme, pastaj organizimi dhe mbajtja sa më në nivel i mitingut të poezisë – më ndryshe nga edicionet e deritashëm, pse jo edhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara të letërsisë dhe poezisë botërore. Si dhe një sërë festivalesh ndërkombëtare si ai i teatrove për fëmije, ai i komedisë, pastaj ai i këngës për fëmijë, festivali për këngën qytetare gjakovare, organizimi i një panairi për artin pamor, me pjesëmarrjen e artistëve bashkëkohorë nga tërë rajoni dhe më gjerë.
- Emisione televizive, radiofonike, pastaj përdorimi i internetit ... etj, për marketing kulturor - për ruajtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës gjakovare, të trashëgimisë së pasur kulturo-historike, të turizmit kulturor të Gjakovës etj, etj.

Unë, si njeri i kulturës, si prodhues, organizator dhe akterë i mijëra ngjarjeve kulturore dhe artistike në qytetin e Gjakovës, qe 25 vite, unë që kam dhënë dhe vazhdoj te jap kontributin tim modest në këtë fushë, kam mbetur i habitur dhe jam shtangur edhe me një fakt që flet për shkatërrimin e traditës kulturore të qytetit të Gjakovës. Nga burimet tona, të konfirmuara mirë, udhëheqësit e drejtorisë së deridjeshme komunale të kulturës, diku rreth 130.000 euro, ja kanë lënë borgj qeverisë së re në ardhje dhe drejtorit të ardhshëm komunal të kulturës !!! Kjo nuk do koment! Ja se cfarë dëmi i kanë sjellur të ashtuquajturit “Të parët e kulturës gjakovare” dhe qeveritarët komunal te deridjeshëm. Ja se si janë sjellur ata me paratë e taksapaguesve gjakovar! A e duron këtë kultura gjakovare dhe artdashësit e kulturës? Nuk e besoj dhe as që duhet. Pak është mallkimi…

Znj. Kryetare dhe ju anëtarë të qeverisë komunale ju lutemi veproni sa më shpejt, sa nuk është bërë vonë! Shpëtojeni kulturën dhe artin gjakovar nga antivlerat dhe nga matrapazët e kulturës, të fshehur nën petkun e pseudo-politikanëve dhe nga pseudo-krijuesit! Gjakova nuk ka kohë për eksperimente dhe për dilentantizëm në kulturë! Mjaftë ja kanë humbur dinjitetin dhe vlerat e artit dhe të kulturës gjakovare, gjatë këtyre 15 viteve të pasaluftës, të gjithë ata që kanë udhëhequr me kulturën e Gjakovës dhe ata që janë thirrur dhe kanë përfituar bajagi shumë në emër të saj, por që e kanë katandisur si mos më keq, dhe në fund, në ikje, e kanë lënë me faqe te zezë!

*(Autori është ish-gazetar shumëvjeqar per kulturë në të përditshmet e Kosovës dhe të Shqipërisë)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen