E BUKURA NË POEZINË...
- Bujar Salihu: „MË PAK SE JETË“, poezi, botoi Ndërmarrja Botuese „RILINDJA“, Prishtinë 1997, faqe 84.
E parathënme:
Formimi i kulturës poetike tek shqiptarët e mërguar po merr fizionominë e vet duke qitur në pahë v...
lera artistike, mbase një talent në rritje e sipër. Në këtë mes bënë pjesë edhe poeti Bujar Salihu i cili ka kohë që lëvron artin poetik. Këtë mendim ekuivalent na dëshmoi libri i tij i dytë me titull „Më pak se jetë“ që doli nga shtypi në vjeshtën e këtij viti (1997). Deri sa Bujar Salihu këto poezi i lexonte tribunave të ndryshme nëpër takimet letrare e artistike, dukej sikur i konsideronte poezi vetëm të tijat. Me ti përmbledhur në libër, autori ka hequr diçka nga vetja e tij për t’ia falur lexuesit dhe tash poezitë duhet ti përjeton si diçka të të gjithëve. Ajo pjesa intime e shpirtërore ka marrur udhën kahë e përgjithëshmja, kahë e tanësishmja artistike. Pikërisht ajo pjesa intime e egoiste e autorit është bërë pjesë e të gjithëve dhe ai egoizëm artistik vetjak tashmë është bërë copë-copë duke u shpërndarë nëpër shpirtrat e lexuesve po më shumë ndër krijuesit, të cilët kush më shumë e kush më pak vuajn po nga ai egoizëm. Për një mendje më të hollë, të atyre që përceptonin rritjet poetike, a më mirë ngritjet artistike të gjeneratës së re, poeti Bujar Salihu dallon nga të tjerët sepse si duket ai ka një qasje dhe përkushtimi serioz ndaj poezisë. Për gjatë librit vërehen përpjekjet për një kultivim kualitativ e të kujdesshëm të poezisë. Janë këto arsye që Bujar Salihun e cilsojmë se ka ngritje, ka ecje i cili me librin e dytë dëshmon ngritje siç cilësore.Procedimi i vlerave poetike ka logjiken e vet. Dhe kjo logjikë zhvendoset gradualisht nga një stad tek tjetri, nga një vlerë tek tjetra, duke saktsuar prirjen për ligjerim poetik mjaftë bindës të cilin duhet ta arsyeton në vazhdimsinë e krijimeve të tjera poetike.
Opinionet konfliktuoze:
Bujar Salihu, edhe për nga mosha edhe për kah botimi mund të llogaritet se i takon brezit më të ri të krijuesve në Kosovë, por, këtë fushë ai e nisi në mërgim.Vëllimi i parë me poezi „Në xipat e vetmisë“, (1994), shënoi linde në mesin e krijuesve shqiptarë në Zvicër. Ai libër u prit mirë dhe u inkurajua publikisht autori. Pavarsisht nga dobësitë që e shoqëronin libri „Në xipat e vetmisë“ kishte edhe vargun meditativ të theksuar dhe poent poetike të mjaftueshme.
Mes opinioneve konfliktuoze, mes dallgëve të tërbuara, Ai vazhdonte lundrimin e tij në pellgun e poezisë. Dhe pikërisht pas plot tri vjetësh (shtator 1994-shtator 1997), paraqitet me librin e dytë poetik që mban titullin „Më pak se jetë“, ka arritur t’i relativizoj vërejtjet dhe sygjerimet e thëna publikisht?!
Poezia:
Poezia është vokacion frymimi dhe përjetimi artistik. Ajo e shtyn autorin të regjistron jetën me metoda artistike. Vargu i mirë e lartëson sejcilin poet, pra vetëm atëherë kur shkruan qiltër, me mesazhe e poresi të qarta, me varg të kursyer, ashtu siç mund ta dëmton sejcilin autor kur shkruan vetëm sa për të shkruar.
Me poezitë: „Mërgimi“, „E gurta“, (kësaj poezie do ti shkonte më mirë titulli „Kosova“), pastaj „Vetmi“, „Pritjet e...“, „Fija e Arianës“, Aurola e një arkivoli“ të përfshira në ciklin e parë të librit. Sikurse ato: „Jetë“, „Zogjtë e dhembjes“, „Reçetë për gatimin e lumturisë“ dhe „Udhëtimi i ëndërrt“ tek cikli i dytë. Ndërsa; „Galeria e dhembjes“ dhe ajo „26 dhjetori ‘91“ të përfshira në ciklin e tretë, ose „Në mangall të stërgjyshit tim“, „Mesazh“, „Absurd“, e poezia „Plagët“ tek cikli i katërt. Si dhe tek cikli i fundit që mban titullin e librit poezitë: „Nebulozë“, „Gjeometri“, „Mbi vdekjen“, „Në detin e dashurisë“, „Ndodhë“, „Pse bien gjethet“, „Dënimi“, „Sopata“ dhe poezia „Rrotullim“ e kanë bërë librin si strukturë organike të qëndrueshme, ku janë ndërlidhur tamam si një komponent organike që e ruan ekuilibrin duke i ruajtur pjesët dhe pjesëzat e gjymtyrëve trupore, në këtë rast poezive dhe vargjeve të caktuara.
Ndihet një lehtsim kur lexon vargjet e përbëra qoftë edhe nga dy fjalë të vetme si p.sh. fjalët „rrjedh dhe bardh“, tek poezia „Baladë murosje“ që nënkupton se tek Kulla e Rozafës qenka dashur të muroset nusja për të „rrjedhur jeta“, figuracion mjaftë domethënës ku autori e mbulon me bardhësinë artistike.
Një figuracion artistik të realizuar dhe mjaft interesant e gjejmi edhe tek vargjet:
„Çfarë dimri do kemi
mes kësaj vjeshte e pranverës që vjen
vallë çfarë dimri do të sfidojmë
pas kësaj vetmie të thellë“
Poezia: „Vetmi“, faqe 16
Vetvetiu nga vargjet që cituam nënkuptojm se ai parashtron pytje se çfarë kemi në mes realitetit objektiv dhe lirisë që ëndrrojmë? A duhen përpjekje, a duhen sakrifica për t’i sfiduar kohërat e vështira që na presin, kohëra të cilat me gjuhën e poezisë poeti i ka emërtuar si „dimra“. E dimra pa borë, pa rrëbeshe e furtuna nuk ka, ashtu siç thot populli „dasmë pa mish nuk ka“. Ndërsa tek komponenta „e gurta“ simbolizim metaforik për „Kosovën“, autori arrinë ta përcepton të gurtën, të ngathtën, atë të palevizshmën, që është shtangur e balsamosur në atë vend, me pozicion stabil e themele të qëndrueshme. Pra e përcakton me formë e platformë, me rrënjë e themele, histori e lashtësi që më së miri flasin vargjet:
„Kosovë
Ti nënë e gurtë
e bardhë dhe e urtë“
Poezia: „E gurta“, faqe 14
E për të vazhduar jeta aty, (pra në Kosovë), duhet bërë atë që poeti thot: „Faljani qiellit edhe një pëllumb/ t’ia matni pastaj bukurinë (Poezia „Jetë“ faqe 23). Si dhe vargjet: „Kam hedhur historinë/ që të krijoj me hirin e tyre armorit“, - mburojat, (poezia „Në mangall të stërgjyshit tim“ faqe 47).
Poezia „26 dhjetori ‘91“ shënon diçka që ka lënë gjurmë tek autori në një natë të ftohtë dimri në atë udhën ikanake ku „borëzezë dhe ca shpresa të bardha i shkeli (Ai)“. Gjurmë të ndodhive të shumta gjejm edhe nëpër poezi të tjera të cilat janë latuar me kujdes.
Poezia lirike dhe ajo e mërgimit:
Sentencat lirike janë përmbajtësore nëpër mjaftë vargje poetike. Ato janë reale me surealitetin kohorë. Mjaftë të realizuara, kuptimplote, të sinqerita dhe me objektivitetin e mundshëm:
„Prano të vdesim herët, e dashur
sepse është njëlloj si të mos vdesim kurrë
Prano, prano të mos zgjohemi kurrë (...)
për të jetuar në pavdekje që të dy
Poezia: „Prano të vdesim herët“, faqe 55.
Lirikat e këtij libri dallojnë për mesazhe objektive dhe fjalor të çartë, pa mistifikime steriotipe të këtij zhanëri poetik. Ndër poezitë lirike më të realizuara veçohen: „Fija e Arianës“, „Letër“, „Plane dashurie“, „Në detin e dashurisë“, por për t’u veçuar janë dy: Poezia që trajtuam pak më lartë dhe ajo „Realitet“ me vargjet:
„Ne aty ndamë realitetin nga imagjinata
dhe në realitet mbetëm një realitet“
Poezia: „Realitet“ faqe 50
Edhe poezia e mërgimit lëvrohet me kujdes sa edhe cikli lirik. Si duket tema e mërgimit është temë obsesive sepse edhe tek ciklet e poezive tjera ka mjaft sentenca e frekuenca dhembjeje, ndarje e malli që përgjithësisht paraqesin boten e mbrendshme të autorit ndaras dhe larg asaj që e dëshiron. Ndër poezitë më të dukshme të këtij blloku janë: „Kapelat e eksodit“, „Mërgimi“, „Pritjet e...“, „Në amfiteatrin e Alpeve“, „Udhëtimi i ëndërrt“, „Asgjë nuk lexoj dy herë“, „Fluturim“, e sidomos tek poezia që i kushtohet kthimit të Konicës në Atdhe (fatkeqsisht në gjendje amorfe), sepse edhe Ai pra Konica, sikurse autori i këtij libri „shtëpi pat e jetoi pa shtëpi“ gjat gjithë kohës kur „pritë i vëni pranverës dimri i zi“?!
Dy stile për t’u veçuar:
Në grupimin e parë veçojmë poezitë: „Galeria e dhembjes“, „Nebulozë“ dhe ajo „Zogjtë e dhembjes“, poezi që kan ndërtim artistik e stilistik mes veti të përafërt. Këto poezi jo vetëm që janë latuar me kujdes por paraqesin një stad invers (fr.kundërtë), të autorit krahasuar me ndertimin e të gjitha poezive të tjera të këtij libri. Mbase një pjekuri poetike që duhet vazhduar e kultivuar më shumë, nëse autori dëshiron për t’u bërë më serioz në fushën e poezisë.
Ndërsa në grupimin e dytë hyjnë poezitë: „Lutje“, „Jetë“, „Udhë jete“ e sidomos tek poezitë: „Gjeometri“, „Ndodhë“, dhe ajo „Rrotullim“ kemi një ndertim simetrik tjetër, ku autori ka bërë projeksione shkencore duke i ndërtuar vargjet në formë të rrathëve koncentrik. Kjo formë e poezisë do mjeshtri dhe njohje më të mirë, në veçanti shkencat matematiko-natyrore si gjeometrinë, fizikën, kiminë etj.
Rrëshqitjet artistike:
Rrëshqitjet artistike, apo realizimet më pak shkëlqyese vërehen sidomos tek poezia „Lutje“. Rrathët që i përmendem më lartë do të bashkërendonin edhe më mirë po sikur të hiqeshin vargjet: „Të përdhunuar e kemi durimin/ veç durim e kemi durimin“, për arsye se mbrenda një strofe prej dy rrjeshtave e kemi të përdorur tri herë „durimin“ në kohën kur „dhunë e kemi përditshmërinë“ e „Lutje sall i bëmë botës/ durimin të mos na e vërë në lojë“.
Tek poezia „Udhë jete“ në vargjet e fundit autori nuk arrin relizim të mjaftueshëm edhe pse thot: „Udha bëhet pas dritës së vërtetë“, pra konkretizim të sakt se cila është ajo „dritë e vërtetë që të shpie në jetë“ nuk kemi në kohën kur vet autori është një rrëfyes udhësh. Ndërsa tek poezia „Rrotullim“ kemi një humbje totale të një rrethi koncentrik. Pra të atij „Në fillimin e rrotullimit të parë“, këtë e thash për arsye të realizimit edhe më artistik të kësaj poezie në kohën kur trajtohet „Në fundin e parë të rrotullimit/ Në fillimin e rrotullimit të fundit/ Në fundin e rrotullimit të fundit“. Pra qart vërehet se mungon vargu „Në fillimin e rrotullimit të parë“ dhe mbrendësia e ndodhis së këtij rrotullimi. Mungesa e këtyre rrathëve më së miri venerohet, sikur t’i njohim më mirë komponimet e kimisë organike. Nëse vargjet poetike i sistemojmë sipas metodës së orbitave elektronike të sejcilit element kimik të një komponimi organik, atëherë do të venerojmë saktsisht mungesen e një orbite elektronike, gjegjsisht vargu poetik, pikërisht ajo orbita që është më afër bërthamës-atomit, pra ai vargu „Në fillimin e rrotullimit të parë“.
Lëshim i një natyre krejt tjetër, pra i asaj gjuhësore më dukshëm venerohet tek poezia „Asgjë nuk lexoj dy herë“, (faqe 32), ku qendren e vendbanimit Folketsvil, autori e ka shkruar në origjinal „Zentrum Volketswil“, në kohën kur vetëm disa rrjeshta më poshtë po tek e njejta poezi emrat e përveçëm të Xheri Adams, Papa Gjon Pali i dytë, Klinton dhe të disa toponimeve gjeografike, i shkruan duke e rrespektuar normën letrare të gjuhës shqipe. Ndikimi i bastardhuar i drejtshkrimit të shqipes (praktikë e përhershme tek disa përkthyes), që po e hasim dendur nëpër gazetat e përditshme nuk duhet bartur edhe në librat artistik e sidomos në poezi. Ky mëkat është i vogël për autorin në kohën kur libri e ka lektorin i cili me sa duket emrin e ka vënë vetëm sa për dekor sepse ai nuk ka nderhyrë as tek shenjat e pikësimit në fundin e vargut të poezisë moderne e le më në planin gjuhësor. Këtë gjë nuk i kanë evituar as recensentët të cilët nuk e kanë kryer sa duhet funksionin e tyre profesional.
E përmbyll mendimin për librin në fjalë me shpresë se autori ka për të prurë libra të tjerë edhe më të realizuar. Pra këtë mendim relativisht të zgjeruar, kam mundur ta tkurri në përmasat e një fjalie të shkurtër duke mujtur me e përthekuar tër mendimin e shfaqur gjat këtij shkrimi: Pra „Bujar Salihu, është poet!“ ose „Ai, shkruan poezi të bukura!“
Rorschacherberg, 16 nëntor 1997.
SHËNIME PËR AUTORIN:
(përgatitur në vitin 2005)
Bujar Salihu (22.02.1972). Lindi në fshatin Pogragjë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan. Në vitin 1992 ka emigruar në Zvicër dhe është i vendosur në Zürich.
Veprat letrare: „Në xipat e vetmisë” 1994, “Më pak se jetë” 1997, “Skeleti i dallëndyshës“ 2002.
Bujar Salihu jeton në Zvicër.Shiko më sh
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen