Dienstag, 7. Januar 2020

Lule nga kopshti i poetit Ardi Omeri

Ardi Omeri

SHQIPËRIA IME

Ku Drin’ i zi bëhet i bardhë
Deshta me ja gjujt synin Zotit
Por një dashni e vjetër m’ka ndalë,
Kosova, kjo ëndërr prej mot’-motit...

Sot ja pashë sy zemrën e ja ndjeva erën
Sot,shkela një pjesë të tokës arbnore
Por s’derdha lot malli kur kalova pragderën
E njerës kokë, të Shqipes dykrenore

Dikur kufinjtë na i kish vënë shkjau
Ai qen mosmirnjohës që i dhamë Diell
Ai, Europa, otomani, në copa na ndau
Që kurrë t’mos kishte më shqipe në qiell

Po sot pse, pse sot kemi kufi,
aty ku bëhet i bardhë edhe Drini i zi?!



VALLZO ME SHPIRTIN TIM!

Ndale pash hatrin e zotit,
kët' shi që m'mbyti andrrën...
S'e nuk i vej dot ombrellë lotit,
e n'xhenaze s'e knoj dot kangën.

Ndale pash hatrin e zotit,
kët' termet t'lagun n'shpirt.
Nuk munet malli prej lotit,
kur as Hana s'ban dritë...

Ndale kët' shi t'dalun boje,
që as zemën s'di ku ka...
M'trem si plum dalun gzhoje,
e zemnën qull m'ka ba...

Ndale pash hatrin e zotit,
veç n'paç men me ardh tuj vallzu!
Veç at'herë kam me i knu lotit,
e kërkush mos pastë mshirë për mu.

Pse s'mujta me t'harru,
rrufetë e qillit rafshin n'mu.
Por ti ec, futu n'pika t'shiut,
e m'gjen me shpirt tand tuj vallzu...



DO TË PREK ME SHPIRT!

Unë fola me Afërditën, Ju e dëgjuat?
Nën tinguj violine me depërtoi në shpirt
Më këndoi një këngë aq të dlirë,
sa dhe nata urdhëroi Yjet të bëjnë dritë!

Qesha unë a qeshi shpirti, 
për at Zot që nuk e di!
Kërkova Afërditën mike,
Ju betova: - S’të prek me dorë,
Ti veç me mua bëj dashuri!



BUKUROSHJA E DURRËSIT

Vajza e qytetit tim, ka pamje të hijshme, 
Ndoshta sepse buzë detit është rritur 
Sikur “Bukuroshja ”, meqë ishte e fisme
Të rizgjohesh tek ajo, me zor kish pritur!

Vajza e Durrësit ka nur antikiteti, 
Si të jetë statujë, që në Taulantia shëtit
Ndonjëherë më ngjan si sirenë deti, 
Që heq luspat, por përsëri shndrit

Nuk është sirenë e përrallave Omerike
as princesha e njëmijë e një netëve
Është Durrsake, si “Bukuroshja” në mozaike, 
Skalitur natyrshëm me nurin e valës së deteve

Në se dashurohesh me një të tillë, 
shijen e jetës në deje do të ndjesh
Por dhe në u kthefsh pas, në Arbër e ILIR, 
me “Bukuroshen e Durrësit” në mëndje vdes...

Nuk është virus, 
I tillë s’ka as ka si të jetë!
Por më besoni, 
Të dashurosh një vajzë Durrsake
Është mrekullia vetë



KUR PUTHA JETËN!

Një portret mu  ngulit në mendje
Nga ato të rrallët, nga ato pa çmim!
Një heshtje e çmendur por e këndshme
Që do ti japësh jetë me padurim...

Një qenie, si një nga të shtatë mrekullitë
Si një mermer skalitur mijëra vjet më parë
Atëherë kur të shumta ishin perënditë, 
dhe poetet i këndonin secilës me radhë...

Kërkova në mijëra vargje emrin e saj 
Kërkova më kot në të gjitha enciklopeditë
Atëherë kjo kryevepër akoma s’ish bërë
O ndoshta fshehur e mbanin vetë perënditë!

Një krijesë që flet shumë edhe në heshtje
Një Pikaso në Mone' me gojë Modigliani
Një roman aventure i Zhyl Vernit
Apo mbijetese e krenarie si i një Indiani...

Një qenie njerëzore, një femër e bukur
Në pamje e heshtur me dy vijëza në ballë
Nga të paktët njerëz që s’jeton për tu dukur
Që në Luvër do të ishte një koleksion i rrallë!

Po mua përse sytë më mbetën aty,
Përse në qenie të denja për një Perëndi!?
Ç’të bëj, jam një i mjerë poet i marrë,
që edhe hyjnoreve u këndoj poezi... 

Si dija as emrin, as nga vinte e ku shkonte, 
kur portretit në fillim, kërkova ti jap jetë...
E putha, mu dridh shpirti dhe pyeta perënditë
Çuditërisht emrin e Saj s’e dinin as ato vetë!

Kuptova,- Kisha puthur krijesën e parë në jetë!



S’DUA HËNË MË TË BUKUR SE TY!

Kënga

Kur të pashë tek vallëzojë në ecje
Ndjeva në shpirt dhjetëra melodi
Zgjata dorën e zemrës, 
dhe mora një të bukur si ti!

Në pentagram me afsh pasioni
Ndërtova një mantel të purpurtë
Me nota të bekuara dhe prej Zotit
Krijova një të denjë për ty, një të kuq!

Në një vals kurrë kërcyer më parë të ftova
Me lëvizjet që vetëm zemra na mëson
Tek kërceja një këngë shpirti këndova
Pëshpërisja në gushë e buzë është kënga jonë

Zemra ime, kënga ime
Ti je e vetmja melodi
Ëndrra ime, jeta ime
Ndriçomë të lutem në përjetësi!

Lëri yjet që të shndrijnë mbi supe 
T’më shkëlqejnë kur jam me ty
Merre Hënën dhe hidhe tutje
S’dua tjetër më të bukur se ty

Zemra ime, kënga ime
Ti je e vetmja melodi
Ëndrra ime, jeta ime
Ndriçomë të lutem në përjetësi!

Lëri yjet që të shndrijnë mbi supe 
T’më shkëlqejnë kur jam me ty
Merre Hënën dhe hidhe tutje
S’dua tjetër më të bukur se ty



MALL

Çudi, 
Sa herë kam mall për ty 
jashtë bie shi...

Çudi, 
këto kohët e fundit,
bie shumë shi,
bie edhe kur jam me ty!



VDES PA DASHURI!

Më lër të të prek,
sa të ndjej mrekullinë! 
Më lër të të puth,
në ëndërrimet e netëve të gjata 
ku veç të çmendurit rrinë...

Më lër të bëhem xhind i djallosur, 
Të kthehem në engjëllin që jam!
Më lër të bëhem ai që s’dua,
Bëmë të kem atë që kisha e s’kam...

Më lër…
Jo, mos më lër…
Jam mjaft i çmendur kështu, 
nuk dua më shumë çmenduri... 
Jepmu me shpirt pa fjalë,
ose lërmë të vdes pa dashuri…



PINI ME EPSH E PUTHNI ME DASHURI!

Mbrëmë pashë Khajamin në hall, 
për pak verë dhe gjë të bukur kish mall!
Më akuzonte mua se i kisha thënë,- mos pi!
Ju betova në nderin tim mëkatar, 
-s'do kem qenë unë Ai...

Khajam o miku im, shihëm mirë, 
a s’të ngjaj me një fëmijë? 
Këndova si munda e si di më mirë, 
i ftova të gjithë,  pini e bëni dashuri 
Ju mëkatarë dhe Ju të dlirë... 
Pas çdo ditë që ikën, 
asnjë që ti ngjajë nuk vjen më
Merrini çdo gjë të bukur, 
që fati i jetës u lë...

Në me ndjenja luani, 
bëjeni me jetën tuaj!
Zemra mos tundoni, 
është i pa falshëm mëkat,
që vetëm ju do vuani...

Pini verë e puthni me dashuri
Pini me epsh e shpirtin lëvdoni
Po kurrë mos luani me ndjenja
Sepse, do pendoheni kur ndjenja të kërkoni!

Siç e sheh unë pi verë dhe raki,
s’mund të të kem thënë mos pi.
Të betohem në nderin tim mëkatar
s'do të kem qenë unë Ai...



ZHGËNJIMI I ADAMIT

Djallëzi e fshehur pas buzëqeshjes,
Lyer me të kuqe në perfekt djallëzor…
Një maskë mes shpirtit dhe veshjes,
Personifikim i mëkatit të parë njerëzor!

Atëherë s’dija nga vije e ku shkoje,
shihja vetëm vallëzimin tënd mbi tokë...
I mora me dhunë poezinë hyjnore Zotit,
e ta hodha Ty, si pluhur Zanash mbi flokë...

Shumë herë desh ma preu dorën Zoti,
kur shihte këngën e shpirtit mjerisht në vetmi...
Nxihej Qielli në re të zeza kur shpërthente loti,
mbetur peng i mollës më të famshme në histori...

Jemi si Adami dhe Eva në shekujt modernë
Lyer të dy me të njëjtën ngjyrë, të kuqen!
Në shpirtin tim është gdhendur nga dashuria,
Tek ty, në tundime djajsh që pas buzëqeshjes struken...

Në duart e Tua një mollë e kuqe,
që nuk di përse më ngjan me një zemër!
Duket e plotë dhe pse kafshuar dhjetëra herë,
por s’janë veç numra, janë rrahje, kanë një emër...

Një sferë që i pëlqen të këndojë Sekret Love
Një frut që i pëlqen të kafshohet çdo ditë...
Ndaj historia i dha mëkatit emrin tënd,
dhe zhgënjimit, fatkeqësisht i dha emrin tim...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen