Mittwoch, 14. Mai 2014

Portretizime vlerash poetike

(Vëllimi poetik “Mes luleve dhe lotit” - Besim Xhelili)

Nga Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi

Të hidhje një vështrim analitik në brendinë e vargjeve të librit “Mes luleve dhe lotit”, sigurisht do të ndiheshe me fat, nëse autorin e këtij libri, e njihje për së afërmi, meqë filozofia vetjake e një artisti, gjithmonë është ai shtegu që e kohezion ngritjen e tij në art.

Në nj...
ë pasdite të rënduar pune, nga ato të lodhshmet në pritje të fundjavës, kur vetëm librin mund ta përzgjidhje për shoqëri, si një mik të besueshëm për t’i pëshpëritur sekretet, dilemat, raportin me vetë librin dhe jetën…, më kujtohet që, në zyrën time, në universitet, ku nëpër sirtarë mbaja shumë libra, kryesisht të dhuruar nga miqtë e mi, më zuri dora librin e Besim Xhelilit, mikut dhe bashkëvendësit tim, poetit tetovar që prej vitesh jetonte në Vjenë (Austri). Asnjë rastësi në përzgjedhje…! Thjesht, shumë këndshëm më tërhoqi titulli i librit “Mes luleve dhe lotit”, pasi më kujtoi thënien e një poeti: “Ti, lulet nuk i shkel! As unë nuk mundem dot t’u marr erë”!

Megjithëse, librin e kisha lexuar qysh në korrik (kur edhe pata fatin ta merrja nga vetë autori, me autograf të tij), sepse rrallë ndodh që ta zvarris leximin e librave poetikë, me pretekstin se do ta lexoj një rast, kur të kem më shumë kohë. Zakonisht, i lexoj me ëndje dhe sapo më dhurohen, mirëpo ishte e vështirë që këtë libër, ashtu vetëm si të lexuar ta vendosje në sirtar…, gjithsesi poezitë në të, të joshnin për më shumë vëmendje! Veçmas, kur kupton se vargu poetik është më shumë se frymëmarrje, është vetë pëshpërima, e qeshura, drithërima, pikëllimi..., është veta pulsi i jetës! Nganjëherë, vargu është vetë trazimi i shpirtit që çohet peshë nga fuqia e fjalës!

“Mes luleve dhe lotit”, ky titull i brishtë, por ngacmues dhe përdëllimtar, qe konceptuar në tri cikle poetike: “…ethe Atdheu”, “Mes luleve dhe lotit” dhe “Përmallim”. Rreth 70 poezi vargëzohen këtu, me një ndarje jo të barabartë, ku mbizotëron cikli i parë “…ethe Atdheu”. Me të drejtë mbase, festa njëshekullore e Pavarësisë së Shqipërisë, atdheut shpirtëror të të gjithë shqiptarëve, nuk kishte si të mos bëhej kumbim fjale e shpirti edhe për poetin Besim Xhelili!

Mbarështrimi poetik i nocionit Atdhe ka nismën tek ai zjarri i përhershëm, që të shtyn të pagëzosh poezitë: “Shqipëria ime”, “Atdheu im i dashur”, “Abetarja”, “Iliria”, “Atdhe e mëmëdhe”, “Larg Atdheut”, … dhe të gjitha këto përmbajnë ndjenjën e trazuar kur tejkalohen 100 vite sfidash, për 100 vite dritë e fjalë të lirë!

Të hapësh portat e Atdheut dhe të mos e ndiesh mallin që të pushton për të, është e pamundur. Po a nuk është atdheu, dashuria e të gjitha dashurive?! Hajdegeri, në esenë: “Qenia dhe koha” jep shpjegimin e të mbijetuarit në kohë dhe në realitet edhe ne, vetëm me identitetin që marrim nga atdheu, herë të copëzuar e të paemër, herë krenar e madhështor, i mbijetojmë kohës.

Dy shtrirjet e rëndësishme të perceptimit poetik, ato: individuale dhe historike, në një farë mase e ruajnë ekuilibrin e mendimit vetjak të autorit! Gjurmët e kombëtares, thuajse janë të dyzuara. Janë parabola që i lidhin temat: vendlindje - dashuri - atdhe.

Përshkuar në një tis anatemizmi vargëzohen fjalët dhe mendimet e poetit. Në poezitë “Katilët” (28) dhe “Qentë e tërbuar” (34), zë vend simbolika e trajtimit të së keqes, përmes figurave, si: përbindëshat, ujqët, buburrecat, katilat, ardhacakët, por sigurisht kjo ndjesi, tek ky poet (nuk vjen si fobi e errësirës, ambienteve të mbyllura, së keqes e trishtimit, sikurse tek poezia e E. A. Po-së), por vë në spikamë vetë ngjarjet dhe ambientet, ku prej kohësh ka bërë vend e keqja e të huajve, pushtuesve, “ardhacakëve”, siç i quan poeti. Me këtë, mjeshtërisht ngrihet “Teatri i kafshëve të egra” (22), ku në formën më të plotë, natyrisht artistike, del në pah ligësia e pushtuesve. Kjo histori e dhimbshme shekullore, që e barti si barrë atdheu, shpesh arratis të vërtetën, andaj mjaft poezi të ciklit të parë i ruajnë këto kujtime, ndonëse të hidhura! Ato, përmes artit poetik mbteten reliktet e brezave që do vijnë!

Në këtë vëllim, brendatrupëzohen tri nivele ligjërimi: përshkrues, krahasues dhe gjykues. I pari, reflekton ngjyrimin emocional të përjetimit dhe vetë ngjarjes, përderisa niveli i dytë vë në spikamë dy kohë, që lënë gjurmë në kapërcimet e njëra-tjetrës, dikur dhe sot…, kjo dhe bëhet linja përshkruese e poetit përballë kohës. Niveli i tretë vjen inferior ndaj botës, mohimit…, gjykim ky emocionalisht autentik dhe i hartuar bukur! Këtu edhe shënohet paralelja poetike e një ndjeshmërie artistike e njerëzore. Andaj, poeti përmes poezive: “I dehur” (62), “Digjem” (58) dhe “Ndodh (57), duke përdorur logjikshëm pyetjen retorike, sikur paralajmëron përmes vargjeve: “Kur librat në rafte i mbulon pluhuri / Njerëzimit i mbyllen dyert para ardhmërisë”, (Kur 32).

Kjo, kryekëput ishte edhe porosia e shumë Rilindësve, megjithëse poetit i shërben si model frymëzimi vargu Naimian e veçmas Asdreni me porosinë e Zotit… “Se Zoti vetë e tha me gojë, Shqipëria do të rrojë” (13). Mes tjerash, apostrofa e përdorur dendur të rikujton vargjet e Naimit, poashtu edhe personifikimi, i cili sajohet me një intonacion karakteristik tingëllimor. Dialogu me erën, tek “Merrmë ti erë (71), pastaj edhe shiu e zogjtë, veçmas dallëndyshet…, një personifikim i gjetur për të mbajtur lidhjen e fortë të dashurisë dhe mallit për atdhe. Në poezinë e Xhelilit, gjithashtu ka shumë alegori, megjithëse ajo mbetet në sfond të poezisë, duke u lënë vendveprim figurave të tjera, të cilat përbëjnë një kurorë të tërë figuracioni.

Me një dendësi dhe korrektësi tematike, në të vërtetë, krijohet një simfoni ambiguitetesh, meqë shpesh metaforat bashkëveprojnë, me të njëjtin intensitet. Për këtë arsye, mendoj se vëllimi ka më shumë mundësi interpretimi, si temë me një shtrirje të gjerë, në dukje.

I ndikuar nga motivi i atdhedashurisë, me simbolikën e mallit për vendin e tij, vendlindjen, nënën, pragun e shtëpisë…, edhe ky poet merr vulën e identifikimit në botën letrare. Poezitë e këtij diskursi, siç janë: “Unë nga larg” (44), “Dallëndyshet e mia” (72), “Përshefca ime” (74), “Mall” (76), dëshmojnë përpjekjet për të ruajtur dinjitetin dhe identitetetin kombëtar, poezi që s’janë vetëm ndjesi rrëfenjash, por edhe “vetëtima simbolike”, të ngritura mbi një botë të begatshme shpirtërore.

Në këto poezi, vendlindja vendoset në frymë lirike të ndryshme: “herë si mall i pashuar mërgimtarësh a gur ëndërrimtar i të riut në kurbet; herë dhembje e gjakim i atyre shqiptarëve që e braktisën vendlindjen, madje edhe si shfrym ndaj atyre që e përbuzën. Pra, herë Diogjen e herë Don Kishot, poeti mbetet përpara sfidave të vendlindjes dhe vargun poetik e sajon përmes fjalësh të pakta, por të zgjedhura, me një forcë të lartë ndërtuese”.

Duke poseduar ndërgjegjen estetike, poeti i hap rrugë frymëzimit të tij dhe i strukturon në kohë poezitë, pra edhe poezitë erotike. Kjo ndjenjë është shprehur në mënyrë më diskrete, përmes monologut të brendshëm.

Për atë që poeti kishte parasysh të shenjëzonte, më erdhi e dobishme cytja që të ndeshem me një kontakt shpirtëror, gjë që do të linte gjurmë, padyshim edhe në këndvështrimin e analizës sime. Ajo që veçmas të bën përshtypje në veprën e B. Xhelilit është komunikimi me fëmijërinë, rininë, faza jetësore të paharrueshme. Edhe poezitë: “Mësuesi im” (77), “Erdhi shtatori” (78), “Malli im (79), Nëna (80), “Mall nëne” (81), na shpiejnë në kohë të largët, në vendbanimin e fëmijërisë së poetit, ku kujtimet e tij djaloshare ngrihen në flatra ëndrrash. Poashtu, rikujton disa nga shokët e fëmijërisë, të cilët fati nuk i përkundi me ninullat e jetës…, asaj jete që nganjëherë për dikend tregohet e kursyer në përkëdhelje e ëndrra.

Gjithsesi, vëmendje të posaçme u kushtoi kujtimeve më të bukura të jetës - fëmijërisë, poashtu dhe rinisë, ku përpos imazheve magjepsëse të natyrës së vendlindjes, kujtime të cilat i palosi sipas notave mbresëlënëse në memoaret e tij.

Mbizotorojnë përjetimet e dashurisë së parë, përpjekje këto sa të ëmbla e të trishta njëkohësisht, që e kanë si zbërthim botën psikologjike e sociale. Me këtë rast, poeti ynë përpiqet të krijojë balansin e një trazimi ndjesor, përcjellë me mosdurim e drithërima “purteke” të moshës, ndonëse vetë ai mbetet protagonist i këtij motivi. Janë të veçanta dhe të një kodi urban, vargjet: “Si e ka numrin / Zemra jote / Ta thërras / Kur ti fle…!? (53).

Vargjet vënë në spikamë një botë të bukur ndjesore, në raportin “Unë e ajo”, por këto krijime poetike shpesh nuk kanë dialog, as baraspeshë komunikimi, nuk shfaqin emocion të qëndrueshëm, e të paluhatshëm…, por ato i dedikohen një strukture të botës paksa tradicionale, siç është vetë jeta në këtë vendbanim! Po ky shenjëzim i botës së dy të rinjve, në harmoni me kornizimin e përgjithshëm me botën njerëzore, të rrethit shoqëror, nuk gjenë realizim, por mbetet vetëm një mbretëri hyjnore e tyre, pa mundësinë e të shprehurit me një liri të mjaftueshme. Melankolia, ishte si nxitje, që poeti të vijë ndryshe nga poezia në poezi.

Të lexuarit dhe të ndjerit e vargjeve të B. Xhelilit, të bëjnë të kuptosh që ai nuk shkakton shkëndijëza malli në shpirtin e secilës vashë, por vetëm të asaj që e adhuron, pavarësisht që krijon një spektër imagjinativ për vete, gjë që të bën që vargun e tij ta ndiesh edhe si një fije drite ndonjë buzëmbrëmje plot melankoli, edhe si një yll i vetmuar i një nate pa hënë, por edhe si fluiditeti i ditëve plot gjallëri e jetë.

Tërë ky emocion ka një shtrirje universale, me një mesazh të ndjerë si të domosdoshëm për kërkime të reja brenda poezive të vëllimit poetik “Mes luleve dhe lotit”. Besoj që ky libër, me forcën e vet të frymëzimit, ashtu siç bëri me grishjen e muzave, ka dhuntinë që të “grishë” edhe lexuesin e devotshëm e bashkë me të t’i sfidojë kohërat!

Dienstag, 13. Mai 2014

Një vepër me vlerë shkencore


Pasthënie

Prof. ass. dr. Valbona Gashi-Berisha

Ve
ndimin eFitore Sadikut për t’u marrë me problematikën e personazhit në kryeveprën “Të mjerët” e shkrimtarit francez, Viktor Hygo, nga më të njohurit e letërsisë botërore e konsideron si sfidë të me mendimin kritik shqiptar, ngaqë për një trajtim të suksesshëm të analizës së personazhit nevojiten jo vetëm njohuri mbi vlerat njerëzore të asaj kohe, por edhe metoda se si të futet në botën e mbrendshme të personazhit, cilësi këto që ajo i paraqet nga një këndvështrim tejet serioz.

Problematika që shtjellohet në këtë vepër ka vlerë të veçantë shkencore, sidomos me autenticitentin e personazhit të Hygos, që ndërlidhet me kompleksitetin e secilit personazh në rrugëtime të ndryshme. Në parathënje ajo flet për qëllimin dhe rëndësin e analizës së personazhit në përgjithësi, e në veçanti të dy personazheve: të Jean Valjean, heroit të veprës, dhe Javert, inspektor policie.

Në fillimin të veprës Fitorja analizon gjithanshëm jetën e mundimshme, por të pasur të shkrimtarit, krijimtarinë e tij të frytshme që edhe sot vazhdon të shëndrit mendjen e lexuesit. Ajo thekson se Hygoja, gjeniu i letërsisë, është shkrimtari që i dhuron lexuesit botën e artit, realitetin e fatit të njerëzimit dhe që penda e tij, si e asnjë shkrimtari tjetër, deri në atë kohë, nuk ka ditur t’i paraqes ashtu thellësisht personazhet e veta, si nga ana fizike po ashtu edhe nga ana shpirtërore.

Më tej autorja na njeh me teori të përgjithme për personazhin, duke dhënë një skemë ilustruese, me një shpjegim për llojin e personazhit, në të gjitha zhanret letrare. Jep edhe teori të qarta, sa i përket personazhit në roman, duke u nisur prej romaneve më të njohura të letërsisë pa lënë anash personazhet e letërsisë shqiptare. Një analizë të thuktë ajo bënë duke arritur të paraqesë shembuj nga romanet më të hershme si të Chretien de Troyes deri te autorët e shekullit të XIX, si janë romanet e Balzakut, Flauberit, Tolstoit e më vonë edhe të Kunderës.

Vendin kyq në këtë punim zë personazhi i Viktor Hygos në romanin „Të Mjerët“ që fillon dhe mbaron me Jean Valjean. Ky është personazhi më i realizuai, më kompleks dhe më njerëzor ka arritur të krijojë që penda e Viktor Hugos. Jean Valjean shpesh na duket se është personazh nga më të zakonshmit, i cili kishte vjedhur një bukë për të ushqyer familjen, por nga aty e tutje jeta e tij ndryshon, zingjiri i prangave lidh duartë dhe mendjen e tij dhe nuk i liron deri në vdekje. Jeta e tij shndërrohet në ferr dhe ferri e vuajtja e bëjnv atë të shndërrohet në engjull. Me këtë njeriu prezentohet si qenje e dyfishtë, ku dominon e mira dhe e keqja, shpirti dhe trupi, groteskja dhe sublimja.

Personazh tjetër që kandidatja ka analizuar gjithanshëm është Javert, inspektor policie dhe armik i përbetuar i atyre që shkelin ligjin, e në mesin e tyre është Jean Valjean. E keqja që e ndiqte Javerin del se ishte në mbrendësinë e tij. E kaluara e tij është po aq e keqe sa edhe e Jean Valjean. Kishte lindur në burg dhe kur rritet, ik sa më larg nga paraadhësit e tij. Pamja e jashtme e Javert, e egër dhe e vrazhdë, fsheh në brendësi një botë të dashurisë njerëzore që nuk e kishte kuptuar gjatë kohës kur e ndiqte Jean Valjean-in. Kur më në fund arrin t’a kuptoj se Jean Valjean është njeri i mirë, Javert, në shërbim të drejtësisë, mbyt veten në shenjë dhimbjeje për te. Konfrontimet e shpeshta dhe të pashmangshme që ndodhin ndërmjet Javert dhe Jean Valjean i japin një kuptim të thell analizës së këtyre dy personazheve.

Fitorja ka arritur të dëshmojë me pjekuri shkencore transformimet që ndodhin te personazhet e Viktor Hygos dhe ato përherë na dakin si rezultat i luftës midis të mirës dhe të keqes. Edhe nëse e keqja dominon, e mira është në brendësi dhe mendimet e veprimet e personazheve ndryshojnë. Jean Valjean transformohet në saje të ipeshkvit Bienvenu, Javert poashtu pëson tranformim në botkuptimet e tij në saje të Jean Valjean. I gjithë ky zingjir i fateve njerëzore është i lidhur ngusht me implikimin e ligjit të verbër njerëzor, që njeriu vet i krijon për një jetë të drejtë por në fakt kufiri i së drejtës dhe të padrejtës nuk ka arritur të gjej prehje në vetëdijen njerëzore.

Analiza e personazheve në këtë vepër, që kemi në duar, është nxjerr me konkluzionet kryesore duke dhënë shembuj se janë shumë kompleks dhe në të njejtën kohë shumë të thjeshtë ,por që arrijnë të ndryshojnë veten, rrethin dhe shoqërinë.

Prandaj, shikuar në tërësinë e saj, vepra që po e shqyrtojmë është punuar me përkushtim dhe me një metodologji të punës që ka nivel dhe cilësi të duhur shkencore dhe që mund të shërbejë si literaturë me peshë për studiuesit e Viktor Hygos dhe të letërsisë frënge në përgjithësi. Është një nismë dhe një ndihmë për studime të mëtejme rreth personazhit në përgjithësi dhe në veçanti për personazhin e skalitur të Hugos, sidomos kur dihet se ai ka krijuar me mijëra personazhe dhe se janë shumë pak të studiuar nga studiuesit shqiptar.

Prishtinë, më 24 mars 2014 


Shënime për autoren

Fitore Sadiku lindi më 28 shtator 1978 në Komogllavë të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” e kreu në Ferizaj në vitin 1998. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i ndoqi dhe i kreu në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2004. Po këtu i kreu edhe studimet pasuniversitare, duke treguar sukses të shkëlqyeshëm në gjitha provimet e parapara. Tashti është duke ndjekur studimet e doktoranturës po në këtë Universitet. Gjatë studimeve dhe veprimtarive skencore e hulumtuese, Fitorja ka ndjekur edhe trajnime të shumta për perfeksionimin e gjuhës frënge dhe metodatë e mësimdhënies për gjuhë të huaj (2003- Institutin e Lionit –Francë, 2007 Vichy-Francë, 2007 Montpelier-Francë etj.). Po ashtu prej vitit 2008-2012 ka mbaruar “Ҫertifikimi për trajnues për profesorë të frëngjishtes për 4 nivelet e gjuhës ” A1, A2, B1, B2 DELF –DALF, CIEP-FRANCE.
Që nga viti 2003 deri në vitin 2008 punoi si profesoreshë e gjuhës frënge në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. Prej vitit 2008 e këndej punon si administratore në Aleancën Franceze, ku krahas punës administrative, punon si mësimdhënëse e gjuhës frënge, merret me organizimin e ngjarjeve kulturore në Alliance Francaise, si janë festivalet e ndryshme, Dita Kombëtare Franceze, Java Franceze e Filmit, Ditët e Frankofonisë, koncerte të ndryshme etj. Përpos këtyre angazhimeve, merret edhe me përkthime prej frëngjishtes – shqip dhe anasjelltas.

Rrahim Sadiku - Ditët e prera


Ditar, në kohë paqeje, për luftën e për lirinë

1.10.2011
Pse shkruaj?
Një pyetje e kahershme pa asnjë përgjegje të përhershme.
Pse jetoj?
Asnjë fjalë e denj për të treguar se paku një atom kuptimi për pafundësinë e moskuptimit të asaj që është emëruar thjeshtë: të jetuar.
Pse vazhdoj të shkruaj e të përpiqem për famë, për të lënë gjurmë?
Pa përgjegje.
Ditëlindja e 57 nuk e jep edhe më të voglën shkëndijë kuptimi të veçantë për atë që shkoi, për këtë që është dhe për atë që do të vijë.

2.10.2011
E di se jam rob i rutinës.
Secila pore e trupit tim e urren rutinën.
Jetoj në të gjitha rrethanat që e ushqejnë rutinën.
Eci e eci rrugëve të mendimit, për të ikur nga të gjithë rrathët e shtrëngesës rutinore.
Nga lodhja më shpëton rutina duke më mundësuar të shtrihem e të persiatë derisa më zë gjumi.

3.10.2011
Në kuptimin e kohës nuk e mas dot pafundësinë e hapësirës.
Përballem e përballem me ngushtësinë e gjithë asaj që e quajmë afëtësi, dashuri, mirësi dhe ardhmëri.
Të menduarit e të dëshiruarit nuk është ajo që nënkupton jetë.
Njeri nuk nënkupton, më së shpeshti, as atë që duhej të ishte njerëzore.

4.10.2011Fati.
Pafati.
Kërkimi i fatit.
E pambërritshmja.
E gjetura...
Të gjitha nuk janë as sa një fiksim drite në një ditë të zakonshme.

5.10.2011
Të gjithë flasin për të gjitha.
Askush nuk e kupton se merren me asgjënë.
Të bëhet se krenohen që asgjëja është e tëra e tyre.
Mendojnë se janë të lumtur, se jetët e tyre janë plot.
U duket se të tjerët janë pa asgjë në vete.
Ata, që nuk janë këta kanë të ardhme shumë të vdekshme.
Këta, që nuk janë ata, janë të pavdekshëm.
Edhe ku e kuptojnë, nuk duan ta besojnë se të gjithë janë ata dhe këta.
Kam dëshirë të mos jem as ata e as këta.
E di që jam edhe si këta e edhe si ata.

6.10.2011
Vazhdoj të shkruaj duke më ardhur keq që:
po del se nuk ishim asnjëherë ashtu si dukeshim se ishim,
se nuk mbeti asgjë nga ajo që mund të ishim në kohët që ndryshuan
e që gjurmët që mund t’i linim në kohë i zvetnuam.
E di se unë, po as të tjerët, nuk e kanë kuptuar se:
e gjitha do të ishte dhe mund të ishte ashtu si duhej,
por – na doli përpara e na tundoi keq interesi!
Nuk e kaloj dot detin e dhembjes e lëngoj gjatë në gjirin e pikëllimit.

7.10.2011
Më thanë se jam gjetur mirë në këtë kohë.
Nuk u thashë se kuptimi i tyre për mirësinë e kohën ishte i pakuptimtë.
Kohën e tyre e njoha me brendi pakuptimësie të skajshme.
Po unë e kuptimi si qëndrojmë?
Eci edhe kur e di se e vërteta dhe shpresa nuk takohen kund.

8.10.2011
Më thanë se me ikjen e viteve vjen e ngulitet besimi e misticizmi.
Unë besoj e nuk jam mistik.
Unë jam mistik e nuk besoj.
Dua të shoh përtej, në sisteme të tjera yjësish në sisteme pafundësish.
Nuk shoh dot as përtej hundës, i them vetes, mu kur më lavdërojnë për dituri
e kur disa madje më quajnë edhe largpamës.
Si të përballem me miopinë e shpirtit tim?

9.10.2011
Njeriu dhe lulja.
Bukuri mbi dhe.
Vetëdije e vetëm shkëlqim.
Dy forma e dy lojëra të natyrës.
I shkreti njeri dashurohet në atë formë e nis edhe beson në atë lojë, sepse mendon se është krijuar për t’i sunduar e për t’i drejtuar të tjerët.
I mashtruar në besimin e tij të shpikur e në etjen për të mos vdekur, duke e pasur të qartë në ndërdije, se është shumë i vdekshëm.

10.10.2011
Besova se i shkova deri në fund pikëllimit e se do të lehtësohesha.
Pikëllimi vazhdonte e lëshonte rrënjë në mua edhe më tej, edhe më tej, edhe më tej...
Më thanë se te brendia ime duhej të kërkova magjinë për shërim. Kërkova e kërkova e kërkova...
Mësova se isha edhe më i pikëlluar.
Qava kur, më në fund, e kuptova se nuk ka shërim kur je i lënduar nga mbretërimi i asgjësë.

11.10.2011
Më tha se ne, më sa kishte kuptuar, fjalën trullan e përdorim për t’i fyer ata ata që nuk kanë sa duhet zhvillim mendor.
Te ne, tha, trullan është ai të cilit truri nuk i funksionon edhe aqë mirë dhe të atillët bëjnë jetën e tyre pa u tallur kush me ta e në emër të tyre.
Por ne, shtoi, nuk lejojmë që ata të futen atje ku janë më shumë të dëmshëm se të dobishëm.
Tek ju po shoh shumë e shumë trullanë që janë përbiruar në institucione e kanë marrë edhe tituj shkencorë. Kjo shikohet nga të gjithë e kudo si diçka normale.
M’u kujtuan shumë e shumë trullanë që kanë pozita e shesin mend dhe i dhashë të drejtë.
Në mua u shtua dhembja.

12.10.2011
Kalorësi i humnerës shkon me shpejtësi teposhtë
duke menduar se po ngjitet lavdishëm përpjetë e përpjetë.

13.10.2011
I them vetes:
sa herë vendos të mos shkosh askund
sikur je nisur për gjithkund!

14.10.2011
E fituam lirinë dhe menduam se erdhi koha e përfitimeve, sepse shtetin do na e ndërtonin të tjerët. Krejt ҫka lidhej me shtetin e kaluam andej, kurse mundësinë e përfitimeve e kthyem këndej dhe ngritjeve e bëmë pronë tonë. Vite e vite u preokupuam vetëm me to. Për të përfituar sa më shumë, ne u shitëm shumë lirë. Me kalimin e kohës vazhduam të shiteshim edhe më lirë, tejet lirë. Nuk treguam dot se dimë të jemi edhe shtetformues, por të gjithë e kuptuan se i donim të gatshme për vjelje të gjitha të mirat që vinin nga shteti. Donim edhe të ishim udhëheqës e të pushtetshëm në atë që e quanim kinse shtet. Sepse kishim bindjen se atë që atë që do të ishte shtet real, e kishin të tjerët, neve na mjaftonte kinseshteti, ku kishte shumë anarki e aspak ligje. Kjo na mundësonte të ishim vendimarrës sa për sy e faqe e punët t’i kryenin të tjerët, ndërkohë na bëhej e mundur të akumulonim shumë pasuri, të uleshim në kolltuqe gati mbretërore e të respektoheshim si liberatorë e vizionarë. Shteti mbetej andej, nuk ishte punë e jonë, na bëhej se ishim vetëm mysafirë në të dhe ashtu edhe silleshim. Uleshim këmbëkryq, duke ngrënë si të babëzitur në sofrën e shtuar, të cilën do ta linim aty, pasi t’i kishim përlarë të gjitha e të ngiteshim e të shkonim në shtëpitë tona, të rregulluara si pallate emirësh.
Po vazhdojmë të duam lirinë e ta rjepin shtetin, të cilin, tash po e shohim, na e kanë ngrehur ashtu si u është dashur atyre që e bënë e që nuk po na përshtatet aspak neve që përfituam nga ai. Më shumë nuk po u përshtetet atyre që për shtetin kishin ideale e nga i cili nuk përfituan kurrgjë.

15.10.2011
Lexova për mitin e Trojës dhe për pendesën mijëvjeçare të helenëve të lashtë.
Faji për plojën bëri plojë mbi ndërgjegjen njerëzore.
E di se edhe Iliria e pati të njëjtin fat me Trojën.
Asnjëherë dhe askund një fjalë pendese.
Katarsisi njerëzor ishte në të mbaruar atë kohë e po fillonte koha e kulturuar e mizorive pa fund.

16.10.2011
Shpesh na bëhet më e gjatë na bëhet rruga deri te vetja se sa kalimi i kontinenteve.
Me veten nuk shikohesh dot duke paguar para, kurse kontinentet mund t’i kalosh edhe symbulltas, pasi ke paguar biletën.
Udhëtimi të përballë me të tjerë, po vetja me kë?
Ne, me sa duket, sa herë duam të flasim me veten, me mend gjendemi gjithnjë diku larg.

17.10.2011
Lodhja intelektuale nuk kalon me pushim, nuk tejkalohet as me dëfrim, madje as me kërkim shpëtimi nuk këndellesh prej saj.
Ajo kalon kur edhe bota që të rrethon nis e jeton sipas parimeve intelektuale.

18.10.2011
Nuk solla kurrgjë në këtë botë,
U mundova të lë pas vetes diçka sado të vogël!
Dhe nuk do të marr kurrgjë prej saj.

19.10.2011
Perdja ra dhe e bëri të padukshme jetën time që para disa vitesh. Skena ku duhej të luaja rolin e të jetuarit u krodh në errësirë. Drama nisi edhe njëherë, si të panumërta herë, që nga fillimi. Dramë çfarë asnjë teatër nuk ka mundur ta përgatis, deri sot. Drama e vetmisë, me dhunë e me dhembje, me shumë vetmi, me shumë pashpresë. Dhe nuk ishte hera e parë që më duhej të luaja fill i vetëm. Publikun e kisha më afër e më larg se kurrë. Sa shumë veta aty e për mua sikur nuk është i pranishëm asnjë spektator, asnjë i gjallë, që të ketë, së paku një ndjenjë dhembjeje e mirëkuptimi për atë mbetjen time nën barrë të padurueshme. Askush brenda asaj tragjedie, për të lëshuar së paku një ofshamë. Për të treguar se merr pjesë në atë dhembje. Askush aty e fill i vetëm përballë dhembjes që kalon përmasat e njerëzores. Fill i vetëm, duke u përfytur me fatin e shndërruar në fatkeqësi, që nga lindja. Sa e rëndë të përballesh edhe me famën. Famën që brenda ka fatkeqësinë. Në vendin ku fama është motiv për zili. Aty ku dhuntia e falur nga Perendia të tjerëve u duket sikur vjedhje nga madhështia e paqenë e tyre. Gjithnjë fajtor për ata që më panë në skenë, në ekran, me brushë në duar, me figurat madhështore të bëra nga gjenialiteti i talentit tim.
Perdja ra! O Zot na beko, mua e ata. O Zot!

20.10.2011
Skena e madhe ra nën mbretërinë e territ. Dëgjojmë të flitet se drita e vërtetë në të nuk ra asnjëherë. E kuptojmë se drama vazhdon të luhet në atë që të gjithë e quajnë thjeshtë: jetë! Si aktorë, të etur për famë e për ndere themi: të jetuar! Kur bëhet vonë e kuptojmë se patëm jetë të vërtetë e se nuk e vlerësuam, se vetëm bëmë sikur jetojmë e nuk jetuam. Bërtasim: na kujtohet o jetë se na pate e nuk të patëm. Se na bekove me art, kur ne kah ti kishim drejtuar gjembat. Të gjitha na kujtohen tashti kur lodhja, plakja e koha kanë gërryer me armën e viteve gjithë atë që në ne pulsonte dituri, mirësi e shpresë.
Ne po dalim përtej perdeve e ti do të jeshë përsëri andej e këndej, në dramën e atyre që ishin, të atyre që janë e të atyre që do të vijnë. Skena e madhe asnjëherë nuk është pa jetë.

21.10.2011
Kudo përballem me mungesën e estetikës, madje edhe të përpjekjeve sado të vogëla, për pak rend e për një trohë bukuri. Nga shëmtia që më djeg e nga dhembja që më mbërthen, e pyes veten: a është me të vërtetë ky populli im, që vuante e kërkonte me ngulm shtetin e lirinë? A jemi ne me të vërtetë pasardhësit e njërit nga popujt më të lashtë të botës? A jemi ne ata që mburreshim për burrëri, për besnikëri, për mikëpritje...? A kemi moral, vendosmëri, trimëri? Pse digjemi nga pësimet e vrapojmë të pësojmë e gjë nuk mësojmë? Pse kotemi etjeve kurrë të shuara e nuk na bëhet vonë për njohje, shkencë,zhvillim?!
E di dhe e shoh se i takoj këtij populli që të gjitha këto i ka fjalë...

2.
Dhe nuk ndalem, por nisi e mashtroj veten edhe më. Vazhdoj të jetoj i lumtur në mesin e më të kënaqurve mbi këtë rruzull. U them të gjithëve se nga dita në ditë po e shtoj kënaqësinë e po mbushem me lumturi të reja. Shtoj se nga lumturia e madhe që ndjej kam frikë se mos më dalin krah e nisi të fluturojë. Se gati po mbetem pa frymë nga gëzimi e nga galdimi që më mbërthen herë pas here.
Dhe, merreni me mend se sa i lumtur do të isha sikur e gjithë kjo të ishte sado pak e vërtetë...
Ah, plandosem përdhe tërë apati. Të gjithë e dini se realiteti, nuk është me mua dhe se ai tregon diçka krejt tjetër.

22.10.2011
Na paskan pas marrë në qafë ato idealet e kota – më tha një i kotë. E shikova sikur nuk ishte mirë me tru dhe u largova.
Por, doli se kotësia e tij ishte e madhe e me vlerë dhe për këtë e shpërblyen dhe i dhanë mundësi të udhëheq në emër të idealeve. Ai që kurrë nuk kishte dashur të dinte se çka ishte ideali, filloi të kishte pushtet e të ardhura ideale.
U bë shumë i dukshëm dhe nisi të mësonte të tjerët se ҫka ishin njerëzorja e shenjtëria edhe pse përditë e zinin duke vjedhur. Ia shtonin pozitat, sa më shumë bënte krime.
Jo për ideal, po për atë se i shërbente edhe disa nga idealistët.
23.10.2011
Duke i parë e duke i dëgjuar disa, që ndjehen të mëdhenj për kombin e për shtetin, e kupton se ta janë me shumë peshë vetëm për veten e tyre. Ata ecin, bisedojnë, udhëheqin e ҫka tjetër nuk bëjnë pa e njohur atë me të cilën merren e pa bërë as edhe një përpjekje reale për të lexuar e për të fituar dituri, së paku ato më të domosdoshmet. Të atillët të mundësojnë të njohësh shkencëtarë pa asnjë arritje shkencore, shkrimtarë që nuk ne dinë as shkrim-leximin, ekonomistë që nuk e dinë as tabelën e shumëzimit, me historianë që nuk e kanë lexuar as edhe një libër. Përmes tyre e njeh më nga afër të vërtetën momentale për ne, sepse ata disa shfaqen dhe pranohen edhe në opinion e duartrokiten, citohen e madhërohen sa u mbushtet mendja se e gjitha që u nodh është e vërtetë dhe e merituar. Rrallë kush e analizon atë që kërkojnë e askush nuk merret me paditurinë që tregojnë. Këta disa flasin, jetojnë e përfitojnë në emër të diturisë e të shkencës, gëzojnë privilegjet e marrjes me shkencë e me përhapje diturisë, kurse kokën e kanë të zbrazët e me shkencën nuk janë takuar kurrë. Andaj e shikon gjithë këtë e mbetesh pa fjalë. Sikur nuk të besohet që kjo është bërë ndër ne diҫka e zakonshmendër ne. Bindesh se e vërteta është edhe më e hidhur kur përballesh fodullësh injorantë, me balona të fryrë për të marrë formë dinjitari, pushtetari, shkencëtari e ҫka jo, po që shfryhet e mbetet kurrgjp që në fjalët e para që flet. Ata shfryhen e fryhen pa u shqetësuar fare për këtë e të shtyjnë të pyesish veten: kush janë këta që po synojnë të na barazojnë me injorancën të gjithë neve? Cilat janë studimet, veprat, arritjet e tyre?! Kërkon, hulumton e nuk gjen kurrgjë, pos emrit e mbiemrit. Del se këta disa dështak, në të gjitha fushat me të cilat janë marrë e merren, do të na bëjnë të dështuar në të gjitha fushat e zhvillimi, po edhe në aspektin e funksinimit tonë si komb, si intelektualë, si evropianë. Ata, të veshur me rrobat më të modës e me kravatë shtrënguar sa gati e këpusin qafën, duan të n kthejnë te bajraktarizmi, krahinarizmi, familjarizmi e te të gjitha prapambeturira, të cilat u mundësojnë të jenë ata që duan dhe t’i tregojnë ashtu si janë. Këta, me bindjet e veta, nëse ato mund të quhen bindje, shohin vetëm përfitimet e veta, madhështore u duken vetëm vogëlsirat me të cilat mund të merren dhe të ardhurat që kanë nga e gjithë kjo. Për të ruajtur veten ata pranojnë që ne të dalim në sy të vetes e të botës si populli që ende ndahemi në fise, në krahina, në dyer të njohura e dyer të zakonshme...
Pyes veten edhe një herë e edhe shumë herë: a do të vijë dita që shkenca jonë të merret me ta e t’ua gjejë vendin që e meritojnë.

24.10.2011
Mos kërcëno e mos u anko, miku im. Merre e analizoje sinqerisht këshillën dhe dashamirësinë e atyre që ta duan të mirën e mos krijo prapaskena të paqena. Të ka mashtruar pushteti dhe e mashtron veten me pushtet. Duke qenë vetë gjysmë i arsimuar, sepse (pa fajin tënd) nuk ke mundur të keshë shkollim të rregullt e nuk ke pasur kohë t’u përkushtohesh leximit e përfitmit të diturive, kërkon të kompensosh kohën e ikur. E keqja jote është se këtë synon ta arrish me çdo kusht e pa i zgjedhur mjetet. Edhe më i paskrupullt tregohesh luftës për të arritur të gjitha ato që të janë të nevojshme e të domosdoshme për të qenë meritor në vendin që mendon se e ka merituar. Por. Mos mendo se të mungojnë vetëm aftësitë dhe pasuritë intelektuale për të realizuar pretendimet që ke. Realisht, më shumë se ato, të mungojnë pasuritë morale dhe njerëzore. Për këtë shkak, ndoshta edhe pa e kuptuar si duhet e pse, je lidhur shpirtërisht e verbërisht me injorantë, megjysmë të shkolluar e me pretendentë të diturisë. Gjysmëshkollimi e gjysmanalfabetizmi të janë bërë e vetmja vlerë shkollimi, udhëheqjeje e perspektive, tash që ke pushtet e mundësi vendosjeje. Prandaj kudo ke emëruar, ke zgjedhur e je rrethuar me gjysmanalfabetë, me të atillë që kujtojnë se mungesën e diturisë e mbulon titulli e diploma dhe me të atillë që mësimin, leximin dhe përkushtimin ndaj diturisë i quajnë humbje kohe. Andaj nuk është çudi që i gjithë vendi ynë, në rajon e në botë, me ty e me pushtetarë si ti, u bë simbol i mungesës së lirisë, i varfërisë dhe i papërspektivës.

25.10.2011
Na u ngritën si bij të lirisë,
e t’ju vërsulën demokracisë,
e gati e gërryen gjithë dheun,
e ta mbuluan me bërllog atdheun,
e të morën para,
e të ngritën për vete kala.
e të blenë vetura,
e të shpenzuan miliona për pëlhura,
e të mblodhën përreth bukuroshe,
e të hapën bordele qoshe më qoshe,
e t’u harruan mburrjeve,
e të gjëmuan shthurrjeve,
e t’u mbuluan tituj e diploma
e...
mos të shkojmë më andej...
ata jetojnë këtu
po nuk i ke më këndej...

26.10.2011
I flas mikut tim pa kërkuar përgjegje!
Në shenjë dhembjeje për për vrapin që bëri
për të më lënë pa punë e -
duke e falënderuar që më dha mundësi e frymëzim
tejet të madh për të punuar!
Ndoshta edhe për diçka tjetër,
e cila asnjëherë nuk ka pasur arsye
e të cilën asnjëherë nuk desha
e nuk dua ta kuptoj!

27.10.2011
Vrapimi drejt lirisë është veprim monumental, sepse na e jep bindshëm njeriun dhe njerëzoren, të natyrshëm dhe të madhërishmën, shënon vijën ndarëse në mes të së mirës dhe të keqes. Në këtë madhështi nuk duhet ta keshë asnjëherë njeriun e pozave, të përfitimeve, të etjeve për karrierë e për emër. I përkushtuari për liri është gjithnjë vetvetja dhe gjithnjë ushtar i bindur në shërbim të popullit të tij. Ai e di se kur futesh në maratonën liridashëse nuk guxon të mendosh se je hero dhe të ëndërrosh vendin meritor në histori, sepse historia dhe meritat i takojnë popullit e jo individit. Nëse madhështia dhe trimëria e individit kanë qenë shtytje për fitore, kujtesa e popullit nuk harron dhe për individin e shndërruar në hero gdhenden lapidarë të ndritshëm në gurë, bronz e përmes fjalës së shkruar. Në zemrat e në mendjet e bashkëkohanikëve, po edhe të gjeneratave që do të vijnë, ai do të mbetet përgjithmonë njeri i përkushtuar atdheut dhe ardhmërisë. Ai do të mësojë se mu etja për liri dhe gatishmëria për të bërë fli edhe veten për të, ka bërë që ai, deri në ditën e fundit të jetës, të ishte i ndjekur, i burgosur, i torturuar, i ndarë nga familja, i vuajtur sa nuk thuhet dot me fjalë, po kurrë i thyer apo i luhatur në bindjet e tij. Luftëtar pa pretendime, i madh pa kufi në frontin e atdhedashurisë e sakrificës. I përkushtuari lirisë, kur shikohet nga koha që ka ardhur pas tij, na del se ishte hero edhe kur jetonte, edhe kur derdhte gjakun dmarëve të atdheut. Flijimi për atdhe na lë edhe një porosi: sakrifica e vuajtja për atdhe rrallë japin fryte për së gjalli, po ato mbesin të gjalla e të paharrueshme në kujtesën e popullit dhe ai ato i shpërblen përjetësisht.

28.10.2011
Vitet e shpresës shkuan andej kah nuk eca
e gjitha ndodhi netëve pa fund
ditëve plot vetmi
zgjuar nga të fshehtat fjetur në cep të ëndrrës
besnike vetëm dhembja troket në secilën pore
me dimërjetë përqafon mashtrueshëm besimi
mbetur atje madhështore e dashuruara formë
shekullin e mundimit për ta zgjatur edhe më

29.10.2011
U ktheva tek guacka ime
në detin e mendjes
të nanurisem si në prehër nëne
muresh të etershme mbështjell
futur në ëndrra pagjumësie
herë-herë diçka çukit nën strehë
shoqëruar me rrokullimë qielli
verbëri mbjell dritë e fortë
s’di kujt t’i besoj më
me mua në mua mbetet diçka e mbështjell krejt gri

30.10.2011
Po habitem me një mori intelektualësh që jetojnë si të ishim mbi re, që nuk shikojnë kurrë risi në brendinë e tyre. Që ecjen e kohës e lidhin me kurrgjë. Mendojnë e mundohen vetëm për kotësi. Kur flet me ta dhe e sheh se nuk kanë as edhe një mendim të vetin, nuk kanë etje për dituri e për ta nuk ka kuptim fjala kulturë. Ata nganjëherë edhe flasin e shkruajnë, po as edhe një fjali e tyre nuk shpreh mendim të qartë, të rrjedhshëm e të përfunduar. Prandaj te ata gjithnjë has në mishmash fjalësh, fjalish e mendimesh.
Të gjymtuar fjalësh, mendimesh e përfundimesh shumë nga ata dalin para mediave dhe me gjoks të fryrë e me kokën lart u flasin të tjerëve!

31.10.2011
Jam sikur pasqyrë ëndrre, shfaq e shpërfaq gjihë ato kujtime,
përballë kohësh kur sundonte marrëzia,
dheu i atdheut thotë jemi më të lumturitë,
kur marrëzitë e tyre tashmë kanë vdekur,
e kur tash në ne fuqishëm jeton liria.

Donnerstag, 17. April 2014

Ymer Shkreli - ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

 
Ymer Shkreli

ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

ti thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu me ushtritë e marra
e kalorësit të kthejnë në konaqe të bardha

ti thoshe he t’u thaftë goja

e në ballë të oxhakut luajnë shtrigat
e pjekin kafe për dorasët e verës
e fëmijët edhe lumit ia ndërrojnë kahjen
e qentë i lehin shiut e breshërit
e mali e shiti edhe atë hajdutin plak
e pleshtat e qëndisën edhe ylberin në gjoks
e ti thoshe
he t’u thaftë goja si rrasa në diell

asgjë puna jote o ali binaku
as e bijve e nipave as stërnipave të tu
se ara pa ujë e mallkoi edhe diellin
e rrugët s’po prekin gjunj mbi dhé
e megjet po tirren në futa të zeza
e pullazet janë të vetmit qefinë për ditët
e varret po heqin lule prej zemrave tona
e zanat po qëndisin shami të djegura
e ti thoshe
thoshe

heu prieçat e tua po i bajmë si flamur
dhe erë e rëndë po ngatërron në mjegull
o ali binaku ti njeri pa oxhak

se tani edhe minjtë po të luajnë në santraç
pra thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu i rëndë si vdekja
e kalorësit të kthejnë në konaqe të fjalës
e besa të shtrohet trojeve si flakë
po ti thoshe he t’u thaftë goja
e u bëfsh qyqe mali atje në maje
ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia

Nga “Ditari i hajnit”, “Rilindja”, Prishtinë, 1971
___________________________________
Zgjodhi: Shaip Beqiri

Sonntag, 6. April 2014

Arsim Kajtazi - Përtej kohës


PËRTEJ KOHËS

1.
Si fëmijë më pëlqente të mbaja një orë dore. Dukej se kështu rritesha më shpejt, duke e matur kohën. Pastaj më lindi dëshira që ato t´i ndërroja. I ndërroja sepse e vjetra nuk më pëlqente dhe lakmoja një orë të re. Nuk ishte vetëm forma e jashtme që më ngacmonte dëshirën për ndërrime. Dhe kështu, prore, pa pritur e pa kujtuar ose kur më dilte qejfit, e dëmtoja tashmë orën e vjetër, ia thyeja xhamin, apo ia prishja ndonjë pjesë, dhe sërish kërkoja orë të re…
Më dukej se ato masnin diç më ndryshe dhe përherë synoja një kohë tjetër!

2.
Prapë, edhe pasi u rrita më dilte punë e telashe pikërisht me kohën. Mundohesha ta bind veten se kohën nuk mund ta masja me asnjë orë. Nuk më pëlqente koha që po kaloja e jetoja…

3.
Duke ndërruar orët më bëhej se ndërronin kohët, e kështu habitshëm nisa t´i ndërroj edhe zogëzat… Nëse nuk më shkonte mirë koha me ndonjërën sipas orës që kisha, e ndërroja edhe orën edhe atë, sepse zakonisht ato vërenin dëshirën time për orët, dhe si dhuratë për ditëlindjet apo ndonjë aheng të veçantë, më dhuronin pikërisht orë. Ato më dhuronin shpesh orë, madje dhe aso të shtrenjta, që të kisha mendjen më gjatë në ndonjërën prej tyre dhe të robërohesha në kohën e dashurisë. Isha aq i ndjeshëm në këto dhurata që mëtonin të më robëronin vetëm në një kohë dashurie! Por, ato vetëm mund të dëshironin këtë robërim, sepse unë isha i parobëruar, sepse nuk jetoja vetëm në një kohë. Mëtoja së paku me diçka të ndërronte koha, dhe se në atë rrjedhë ndryshimi ajo po sillte një risi. Edhe të vluaruat kujtonin se koha e dashurisë vinte më mirë dhe ishte e çmueshme si ora, madje më e çmueshme se ajo...
Çdo gjë rrjedh, çdo gjë ndryshon, apo jo, Herakliti im! I thosha shpesh vetes përpara pasqyrës!...

4.
Por, atëherë kur prishej dashuria me to, orët e tyre dhuratë i fërfëlloja diku në ndonjë kënd, derisa bëheshin hedhurinë. I hidhja në kutinë e orëve tashmë mbeturina, dhe ato pritej që një ditë të përfundonin diku në bërllokun e qytetit…
Nisa ta lodhë mendjen edhe me befasitë e atyre që separonin hedhurinat kur do të hasnin në orët e mia që kishin mbetur tashmë jashtë kohe. E si do ta masnin ata kohën me to, nëse u pëlqejnë!? Mos do ta kenë fatin tim!?

5.
Kohë e ndryshkur, orë e ndryshkur, shpirt e kujtime të ndryshkura. Një gërmadhë kohësh që nuk mund të matej me asnjë orë. As Sahatkulla nuk më pëlqente më, as ora në Katedralën e  qytetit që shoqërohej me kumbimin e kambanave… Kërkoja një kohë tjetër, jashtë kohe!
Amshimi si mund të arrihej?!

6.
Duke menduar thellë se përse po merresha aq shumë me kohën dhe gjurmët e saj, kisha arritur të kap vetveten në mendime të zëshme:
Me Orën e Diellit do të mas kohën e zgjimit tim...
Me Klepsidren e mas kohën e etjeve të mia të pashuara...
Me Orën e rërës e mas peshën e gurit tokërlitës të Sizifit, që në rrokullimë shndërrohet në  muranën time...
Sahatkullën e glacojnë sorrat dhe tik-takun ia kafshojnë krrokamat kobçare, por ajo prapë rrah dhe zërin që vie i shurdhër nga minareja e bënë më enigmatik, sikur vie nga kohë të errëta që kohësisht është vështirë të kapen...
Dhe së fundi, pasi rrahu kambanarja e Katedralës së qytetit, shikoja sa është e saktë Ora në dorën time...
Mbeta duke dëgjuar të rrahurat e zemrës, që me dukej se nuk gënjenin se jam gjallë...

7.
Kam kohë ta mas kohën... kohën e mbetur përtej kohës e lë të sorollatet brenda meje. Me çfarë ta mas kohën, kur gjithnjë më del mangut, edhe atëherë kur kujtoj se kam kohë mjaftë?! I cilës kohë jam unë?! Të kësaj kohe i kam vetëm petkat. Më duket trupi dhe shpirti im janë të një kohe shumë të hershme. Njësoj ndiej prekjen, përkedheljen, shtrëngimin e duarve. Njësoj mendoj për urrejtjen dhe dashurinë.
Koha jam vetë.  Jetoj në kohën që ma bëjnë dhe e bëj. E bëj kohën dhe ajo ecën edhe kur unë rri, si kur je ulur në tren e të bëhet se po ecën kur niset treni tjeter! Iluzioni i ecjes na ushqen me shpresë edhe kur nuk mund ta bëjmë një hap përpara! Kjo është kohë e iluzionit, kohë e mashtrimit të bukur, kohë e mashtrimit të keq. Kohë relative midis iluzionit, diçka që edhe është edhe nuk është. Kohë e jetës së mashtruar. Mbetet edhe shumçka për t´u provuar në kohë, dhe të mos bindemi kurrë se jemi mashtruar. Kjo është kohë e iluzioneve që prore premtojnë ndërrime ndërsa sillemi në rreth të mbyllur! Kohë premtimesh... kohë mashtrimesh... Kohë e Besës... kohë e kmesës!
Jam bërë si i çmendur duke bredhur nëpër kohë për ta ndarë mashtrimin nga njëmendësia!
Më duhet të bind veten se edhe mashtrimi është njëmmendësi, pa të cilën nuk mund të jetoj  asnjë çast...

8.
Ora e zgjimit të pritur...
Nisa të këndoj si Orfeu me zgjimin mëngjesor. Madje unë ishta zgjimi vetë, dhe më nuk kisha nevojë ta mas kohën. Harrohem në këngë tek ia dridh telat kitarës.


9.
Ora e zemrës po trokiste më shumë se në takimin tim të parë të dashurisë. Tashmë e ndieja se kisha rënë në një dashuri të thellë, kohën e së cilës nuk kishte orë që ta maste. Atë e masja me të rrahurat e zemrës tek bëheshin aq të thekshme, më të vrullshme se kur prisja takimin me të vluarën time.


10.
Ora e gjumit të përjetshëm… e si matet koha e gjumit?! Prapë zemra me orën e zgjimit e kupton se sa ka fjetur në ëndërr, që gjumin e bënë jetë, jetë e përtej jete. Gjumi është jetë e amshuar.  Edhe të vdekurit nisën të më ngjajnë se janë në gjumë. Tërë kohën duke  kujtuar të vdekurit, ëndërroj jetën. Jetën në një hapësirë të tejskashme ndriçuese.


11.
Orën  e ringjalljes... dëgjoj kambanat e kumtit përtëritës. Por çasti më bëhej shekull e përtej shekulli!

Kjo është ora e ringjalljes që tashmë nuk ka nevojë të matet me asnjë orë. Pos me zemrën ndriçuese që me dashuri matë kohën e jetuar dhe kohën e kaluar, që mishërohen në kohën që pritet të zgjohet në faqe dheu e gjithësie. Aty gudulisem me të Bukurën e Dheut  dhe  më mbushet shtëpia plot fëmijë që harrohen në lojën e gëzueshme, pa pasur nevojë të masin kohën. 
Ajo nuk më dhuroi kurrë ndonjë orë që ta masja kohën e dashurisë. Koha për të ishte e pamatshme: ”Unë të dhuroj zermrën për ta matur kohën që jetojmë së bashku!”
Ma ka thënë disa herë si përkujtim se dashuria matet me të rrahurat e zemrës.
“Zemra nuk është më vetëm imja!” 
“Edhe zemra ime tani rrah vetëm për ty dhe fëmijët tanë që do të vijnë në këtë jetë!”
Dhe erdhi dita që kohën ta masja me të rrahurat e zemrave të tyre.
Unë jam zemra e zemrave dhe ajo pagëzohet me ndriçim të agullimit, që është edhe lindje edhe perëndim, është amshimi vetë përtej natës e përtej ditës.
Jeta nuk matet me asnjë orë!

12.
Hapa sytë dhe pashë veten të kërrusur e me rrudha bërë palë-palë fytyrës. Orën me qëstek e kishta futur në xhep dhe atë rrallë e shikoja. E dija kohën sepse gjelat kishin kënduar tre herë para agullimit. Mjaftë kisha ëndërruar e jetuar. Tani duhet jetuar jetën ende me sy çelur derisa të vjen koha e gjumit... e zgjimit... e gjumit... e zgjimit... Koha e këndezve që i këndojnë agullimit.
Hej...  një ditë tek po më qetësohej frymëmarrja në një vizion ëndërrimi pashë një grumbull orësh të prishura, të ndryshkura. Orët e gjithë botës i pashë në një varrezë gjigante. Vërtet koha do të matet ndryshe?! Dëgjoja zëra përtej kohës...

Deidesheim, maj 2008

Dienstag, 1. April 2014

Grigror Jovani - Vargje te lagura


Me rastin e ditlindjës së poetit

Gëzuar Gole!
Stafi i Revistës elektronike "AlbPlanet" dhe i portalit "Ora shqiptare", ia uron ditlindjen poetit tone të nderuar Grigor Jovani!
Urojmë nga zemra që të jetoj edhe 100 vjet tjera dhe të na dhuroj shumë libra të rinj!  G ë z u a r !


ATDHE!

Në fund të fundit, çfarë i dhe,
Atdhe, o At, birit tënd bard?
Gjithë jetën kam mbiemrin tënd,
më pe gjithë jetën si bastard!
As dhe një fletë, nga gjithë ky det!
As dhe një laps, nga tërë këto pyje!
Megjithatë, në asnjë varg,
nuk t’u ankova. Dhe e dije......

Të kesh Atdhe nuk do të thotë,
t’ia duash pyjet pronë për vete.
Unë të kërkova dy-tre degë,
t’i kisha fyej nëpër dete.
Por kurrë s’do bëja llogari,
me ty, o At! Ngaqë jam bard...
Në fund të fundit, të ka gjak,
Atdheu im, ky bir bastard.




BIOGRAFI

Linda nga prindër pa Atdhe,
më thoshin Ky,
por s’qe i imi.
Kur njoha biologjikun At,
nga ajo ditë
s’m’u nda trishtimi.
Studiova shkollën e Askujt,
mora diplomën për Asgjë,...

në punë nuk bëra prokopi.
Shumë herë thashë “PO!”,
kur duhej “JO!”,
u katandisa në hipi.
Dhe sa për shkrimet…
ku di unë,
u rrashë në qafë apo më ranë?
Botova libra dhe vazhdoj…
Lexues s’pata kurrë
babanë.

DIELLI IM

Ngaqë e sulmuan me tërbim,
gjithfarë profanësh, dielli im
u struk ndër vete, u bë nga pak,
nga vijë e drejtë, rrumbullak.

Nuk u mjaftoi, tentojnë me zor,
nga rrumbullak, ta bëjnë katror.

TE JETOSH NJE VJERSHE

Nuk mjafton të bësh një vjershë
të bukur,
gjë kaq e vështirë
dhe kaq e madhe,
ndonëse vjershëtorët
s’janë dhe pak...

Më e mrekullueshme është ...

të rrosh një vjershë,
ashtu thjesht,
siç përjeton një puthje,
që gozhere bletësh
zgjon në gjak.

Ai mjalt pastaj... Që rrjedh ndër deje,
për të mbushur zemrën,
pak nga pak.
S’mund të jesh vetëm poet, atëhere,
je paksa si Shenjt,
Homeri plak.



POETET

Të pasur,
nuk mund të bëhen kurrë!

Është ligj.

Dhe vetëm që vazhdojnë,
ndërsa e dinë,
s’mund të konsiderohen
të ligj!



PERSERI PER NENEN

Sa herë dëgjonte çelësin tek porta,
si flakëz nga oxhaku hidhej.
“Je e marrë! - e qortonte babai. -
Ç’dreqin të gjen, nuk më thua?”

Ajo bënte sikur s’e dëgjonte.
Pas mesnate,
priste mua.



LULE TE EGRA

Të lutem: eja pranë këto ditë,
me vetminë
mos më lë vetëm.

Më ndihmo ta vras këtë shtrigë,
që gëzon:
si qyqet mbetëm!

Eja!
Ti ashtu, në mungesë,
rrit një kopësht me lule të egra.

U bë pyll.
Unë rojtar
eshtrash kthimesh të vjetra.



GRUA

Kam dëshmitar hënën,
që të mbron,
kam dëshmitar agimin,
që të zgjon,...

kam dëshmitar detin,
që të lan,
kam dëshmitar flladin,
që të than,
kam dëshmitar erën,
që të kreh,
kam dëshmitar dritën,
që të deh,
kam dëshmitar Zotin,
që të njeh
më mirë se unë:

Të dua shumë!




KESHTJELLA

Sytë e tu - dy portat e rënda
të asaj kështjelle,
që e sulmova këtu e vite,
ishin mbyllur me zhurmë ...

pas meje
dhe mbeta brenda, qyqari.
Këtu e vite,
nuk di kush është fitimtari.




AJO
QE ME NDJEK PAS


Më ndjek kudo. Si, dreqin, s’di...
Shfaqet e zhduket. E çuditshme!
Hap sytë në agim. E shoh në cep
të shtratit tim. Kaq e bezdisshme!
Kur bie të flej, dëgjoj në terr
si frymëmerr. Më kapin xhindet.
Edhe në gjumë, ëndrrat më ndjek,...

bëj që ta zboj, por nuk më bindet.
Ku eci unë, përkrah ajo.
E mira është, nuk më flet kurrë.
Dhe unë s’e ngas. Vetëm një herë
e bëra zemrën time gur.
I thashë, nëqoftëse atje ku shkon
takon mamanë dhe atin tim
t’u japë nga unë të fala shumë...

“Atje po shkojmë, tha, bëj durim!”

ETJA

Më zuri etja,
shpirti im,
më fal dy lotë,
buza po çahet.
Më shuaj etjen,
xhani im,
gjaku shteron
e thahet. ...


Shpirti s’ka veshë,
nuk më dëgjon,
e kur ka pasur,
vallë?
Vetëm një korb
rri më përgjon,
më kujton kërmë
dhe vjen vërdallë...



POTHUAJSE

Dashuria jote më ndryshoi:
U bëra i thellë si deti,
u bëra i gjerë si fusha,
u bëra i gjatë si mali.

Pse s’thua? Pothuajse
u bëre Zot,
Gole djali.


E PRES TE VIJE

“Cilën mbulesë do shtroje këtë herë?”
pyet zemra dhe më qesh,
në cep të shtratit ulet.
“Them që t’i shtroj çarçafin me pranverë,
t’i kundërmojnë lulet!”


VARGJE TE LAGURA

S'janë lotë për ty.

Iu prishën qiellit
bravat dhe mendeshat.
Ra shi gjithë natën
dhe m'u lagën vjershat.



NETET E MBETURA

- Po dashuria?
- Mos fol gjepura!
E ngatërruam
me rrobat e hedhura.
Tani thjesht më duro.
Më fto në shtrat,
ku e ku,
në netët e mbetura.