Samstag, 3. Januar 2015

Seli Murati dhe “Pikëllimi i ëndrrës”

Nga Zejnepe Alili-Rexhepi

(Frymëzime, midis Ohrit dhe Torontos, të poetes Seli Murati) 


Pleksja emocionale dhe estetike e poetes Seli Murati, sajuar natyrshëm me përmasa shprehëse origjinalitetesh, artikulohet në vëllimin “Pikëllimi i ëndrrës”. E lindur në qytetin e Ohrit (Maqedoni), por e migruar në Toronto (Kanada), përpara lexuesit shqiptar, kjo poete vjen me aromë malli e dritëjoshje të vendlindjes.

Libri “Pikëllimi i ëndrrës” ndonëse libri i parë i saj, e nis udhëtimin magjik të jetës, mbi imazhet blu të një shpirti të ngujuar, midis një dashurie të perënduar e nostalgjisë therrëse, që dosido të shpie drejt shtigjeve të vendlindjes.

Malli i poetes i përçon larg shkëndijëzat e shpërndara të mallit të vendlindjes: “O, ëndërr e mërguar / kush t’i ndali hapat / lajm i ditës si një krismë / tremb çdo shpirt / bëhet zog i plagosur / zemra...”, këlthet ky zë poetik, në: “Tingujt e zjarrtë” (12). Megjithëse, siparin e librit e hap: “Trëndafili blu ngjyroset me puthjen” (9), sërish njëtrajtshmëria e po asaj poezie reflektohet edhe në poezitë vijuese, ku metaforat vërshuese janë identifikim i shpirtit të fisnikëruar femëror.

Delikatesa e një gruaje të ndishme, që ka sinonim mallëngjimin dhe urtinë, e portretizon këtë poete, kur: “Lot në pikëllim zemra jote / një zë nga shpirti vjen / tinguj të zjarrtë m’i sjell / përplasje flatrash - zogj në fluturim / gurgullimë ujërash / zambakë të bardhë në oborrin tim / një derë e magjishme që hapet” (12)..., është loti i së cilës flet më shumë se qindra metafora, tok.


Imazhet e trëndafilta 
të mallit të poetes

“Pikëllimi i ëndrrës” vazhdon udhëtimin në largësi të pamjeve të vendlindjes…, madje aq larg, ku malli të pikëllon e të tret, si një zog i plagosur: “Në çdo hap udhëtoj / në mendimet e mia / heshtur ndjek imazhin tënd / e po të thërras në emër D”…, duke dashur të gjejë prehje në një tjetër imazh, me inicialen D.

Mos vallë, ai për të cilin aludon poetja, ka dhuntinë e Diellit, dritës, dashurisë…?! Iniciale D…?! Sigurisht që po, kjo do të ishte mbështetja që pret, prandaj në vargjet e më poshtme, të po së njëjtës poezi, me titull: ”Jo s’më besohet”, shkruan: “Ç’do buzëqeshje që ma dhuroje / shpirti im humbiste i tëri në sytë e tu” (17). Vërtet, përsiatjet poetike, përshkohen nga një klithmë jete, e një dëshire të pafrenuar: "sa do të doje të kishe në duar / të djeshmen time / sa do të doja të kisha në duar / të ardhmen tënde” (20). Dhe befas, poetja sikur fillon të humbasë një copëzë ëndrre! Një dëshirë e vrarë i zbarkon në shpirt, e vargu i saj shpërfaqet në mendime gri, si në vargjet: “Miliona ëndrra kanë kohë / që kanë filluar të treten” (69). Artikulimi i gjendjes shpirtërore, përmes forcës së fjalës, shpreh thyerjen e një dashurie, përpos se një ndjenjë tërësisht e mërguar është akoma larg.

Poezitë, të cilat trupëzohen rreth eksklamacionesh dhe antitezash, zënë vend po të rëndësishëm në libër. Poezia “Pa ty lot i heshtur”, kulmon me vargjet: “E mbolla dashurinë në sytë e tu / ti erdhe si një engjëll nga qielli… 79), gjë që përkon me linjën tematike të poezisë “Më dhe flakë mallit tim” (93). Si e tillë, vlerësohet edhe poezia: “Engjëll nesër do të bëhesh” (100). Në të, dhe ca të tjera poezi, pikaset një gjuhë e pasur figuracionesh. Pra, një tufëzë e këtillë poezish krijojnë kurorë metaforash. Ndërsa, poezitë me katrena janë të vendosura në disharmoni figurash e rrokjesh, duke e vendosur vargun në mes antitezash.

Një kontrast, por i bukur sigurisht…, nga ato përpëlitje e pasiguri që di të shkaktojë një ndjenjë e luhatur, ndodhet në vargun nismëtar “Një kujtim i vyshshkur” i poezisë “Aromë trëndafili” (62), për të vijuar në ca varge tjera, gjithashtu domethënëse e të bukura: “Me petalet e trëndafilave të botës / do thur fjalët më të bukura për ty / rrëfimin e erës para tyre / një trëndafil i vyshkur nis e lulëzon”. Përgjithësisht, mbizotëron vargu i lirë, po dashuria as që mbetet besnike rrokjesh apo ndonjë figuracioni të larmishëm, por eksploron me lirinë e përdorimit të një game të tërë figurëshmërie.

Një sërë poezish, shpalosin edhe entuziazmin poetik të Selit, ku imazhet e blerta zënë vend nëpër vargje. E, poezia “Kthehu dritë e jetës sime” ngrihet mbi një emocion të papërmbajtur e lutës: “Nga kjo dashuri asgjë nuk mbeti / vetëm kur të shohësh trëndafil / ti këpute e të ma dhurosh / do më falë pak aromë / do më puth në vendin tend” (33). Përderisa, poezia “Sonte edhe qielli loton për ne të dy” , ka mbresëlënëse strofën: “Malli i ruajtur për ta, kujtimet / i palosa në arkën e vjetër / me pëlhurë mëndafshi / të mbledhura plot dhimbje / mbështjellur e brengosur / gjithçka me emrin tënd” (35). Madje, të krijon bindjen se vjen gjithnjë më e arrirë në poezinë: “Në strehën që pikon”, e në të, strofa e tretë vargëzohet kësisoj: “Në rrahjet e zemrës / në puthjen që rrënkon / në djepin e këngës / përkundim ëndrrat tona” (40) dhe tërë optimizmi është akumuluar, thuajse në një varg: “Do të çelin përsëri trëndafilat” (45). Dhe në to, buron entuziazëm premtues!


Kur liqeni pasqyrohet në sytë e zemrës

Një ditë, kur poetja rigjeti forcën në vetvete dhe përjetësisht e ndrydhi frikën, ajo mundi të ngrihet mbi altare ku servohen honet e dashurisë. Ashtu e vetëdijshme, do të lërë gjurmë mbi kujtimet e vjetra, për një ëndje të re, për një ngritje, një lartësim me të tjera përmasa vlerash, andaj bindshëm…”Tha: më kërko në libra bote / do më kuptosh, kisha një vlerë…” (50), si në “Gjurmë kujtimi”.

E së njëjtës tematikë është edhe poezia: “Notat e shpirtit tim” , në të cilën do thosha që kulmon me një shpërthim ndjesor e metaforik, strofa e fundit: “Kështu dalin këngët syri im / në pentagram u fsheha dhe unë / në pakicën e botës së madhe / e strukur nga frika se të dua shumë”. (64) Janë këto poezi të sajuara prej ca drithërimash shpirtërore që barten si melodi jete, ku loti e dhembja e kanë të përbashkët etjen…, ashtu si liqeni i legjendave, uji i të cilit, ndonëse në përplasje stuhish, shuan etjen e ëndjeve të mëdha.

Kthjellimi i zërit të përmalluar, të një vashe ëndrrimtare, derdhet në shikimin kristalor të syve blu…, po me atë blunë liqenore që mpiksen grimca emocionale, si vetë thellësia e liqenit, edhe kur vala tendoset nga malli i një bije të largët…, njomet nga lëngëzimi i lotit të atyre mijëra njerëzve që enden shtigjeve të botës.

Tërë kjo, sikur përkon me poezitë: “Aromë dashurie” (88) dhe “Është festë” (89), të cilat ndërlidhen bukur me poezitë: “Ti je engjëll i vargut tim” (96) dhe “Engjëll nesër do të bëhesh” (100). Engjëllore të vijnë dhe vetë vargjet e po këtyre poezive. Dhe, poezia përmbyllëse: “Një lot mbytës po flet” (102), të bën që të ndalosh kushtimisht tek vargu: “Më shumë mall janë / sot, sytë që pikojnë flakë”, jo për gjë tjetër, nënkuptohet, për ta ndjerë praninë e ndjesive të trëndafilta!

Vëllimi poetik “Pikëllimi i ëndrrës” përbëhet prej vargjesh ngacmuese për lexuesin, megjithëse imazhet e blerta e ndjenjat e ylberta janë projektime emocionale, të asaj që të pushton, si libër i parë. Libri ka shumë zona diellore, ku përçohet opimizmi i jetës, pavarësisht se nganjëherë poetja interpreton vargje zjarrmie e dhembjeje…, ku si në “guaskë e mbyllur” ruan kujtimin për një dashuri përtej, atje në një cep të vendlindjes.

Përmes kësaj ndjenje përçon variante të panumërta malli, shumëdimensionalitete nostalgjish: sa qiellore, po aq tokësore e ujore. Vendlindja është kulla që josh e ngujon. Andaj nganjëherë, shpirtvrarë…, ajo lë imazhe të zbehura të një pulsimi gruaje, si në gremisjet e kaherëshme eskiliane. Përmasa të padefinuara, të lirshme vargjesh, që në të vërtetë ngrihen mbi flatra të imagjinatës, fiksojnë variante të panumërta hapërimesh poetike, gjë që dukshëm e realizon portretin e vetë poetes, me ca nuanca biografike, ku shihet qartë prania e liqenit në sytë e saj - përmallim dhe sigurisht sfidat e papushtueshme nga malli, atje larg në dhe të huaj!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen