Tregimi që fitoi vendin e dytë në konkursin letrar
në “Flaka e Janarit 2015”
Nga Rrahim Sadiku
Prolog
Nuk e harrojmë kurrë atë ditë kur shkuam te Krijuesi dhe i raportuam: madhështore doli puna jonë për krijimin e njeriut!
1.
Gjithën këtë e kishim bërë pasi arritëm të qetësonim shpërthimet e mëdha kozmike; pasi kishim paqësuar e vënë në kontroll të plotë shkatërrimin e ndërtimin; pasi kishim lënë prapa ligësinë dhe kishim gozhduar të ligun; pasi kishim hedhur nga vetja e nga rreth ynë gjithë atë pluhur e gjithë ato djegie që na kishin mbuluar. Organizuam atëherë një ndejë madhështore dhe ndjemë se kishim nevojë për risi. Ishte hera e parë që kishim mundësinë e plotë të nxirrnim në sheshin e yjësive të përkryerën, bukurinë e bukurive, diturinë e diturive, dhuntinë e dhuntive dhe nga gëzimi që kishim e nga hareja që na kishte kapluar, gjëmuan pafundësitë e gjithësisë. Por, kur u qetësuam, disi u ndjemë si të humbur. E përkryera shkoi të shijonte hiret e saj, ideatorët vrapuan të venin punët e tyre në vend, secili nga shërbyesit kishte obligimet e veta. Mbetëm vetën ne të gjithëfuqishmit dhe Krijuesi. Na mungonte diҫka që mund të ishte e të mos ishte, të vdiste e të lindej në forma të ndryshme, me zgjuarësi e veti plot, me etje të perëndishme, pa mundur të ishte perëndi. Diҫka që mund të ishte e shëmtuara dhe e madhërishmja njëkohësisht. Diҫka që do të ishte e bukura, shumë e bukura dhe e përkryera, si ngjashmëri me ne, e që do të dallonte shumë nga ne. Ia pranuam njëri tjetrit se disa here e kishim ndjerë këtë. Sado u munduam, nuk e larguam dot bisedën, një kohë të gjatë, për të bukurën dhe madhështoren. Krijuesi na tha se ishte e nevojshme të krijonim diҫka që do të ishte sinonim i gjithë asaj që donim ne.
2.
Një ditë Krijuesi kërkoi ideatorët dhe ata ishin menjëherë para Tij.
“Është koha – u tha, të krijojmë qenien më të hyjnishme e më së paku të hyjnishme në gjithë mbretërinë tonë. Keni kohë shtatë ditë. Shtatë ditë të tjera do të heqim e shtojmë të panevojshmet e të nevojshmet dhe shtatë ditë të tjera do t’i kalojmë duke e krijuar ambientin për njeriun e duke e mundësuar vazhdimësinë jetesës së njeriut. Pra, krijojeni njeriun të përkryerën, me fuqinë dhe dobësinë brenda tij.
3.
Ne kishim kohë gjithmonë dhe mu ajo sikur ishte kobi jonë. Nuk dinim ҫka të bënim me pafundësinë e kohës. Marrja me njeriun mund të ishte shpëtimi ynë. Dhe punuam shumë që njeriu të ishte sa më afër përkryerjes.
4.
Kopshtin për Adamin dhe Evën e krijuam me kujdesin më të madh dhe e pajisëm me të gjitha ato bimësi e shtazëri që na u kujtuam. Ia treguam Krijuesit pamjen e tij dhe ai na tha se ishte i kënaqur.
5.
Në tokë, për të qenë sa më afër me njeriun, lamë Thotin, Zotin, Zeusin, Shenjëtin…
6.
Atë ditë që festuam për krijimin e njeriut dhe pamë me sytë tanë lindjen dhe vdekjen e tij, pastaj përsëri e përsëri e kur e pamë të lindëte e të vdiste krijesa jonë, gëzimi ynë nuk kishte kufi.
7.
Pa shkuar shumë mëkëmbësit e Krijuesit në tokë na njoftuan se njeriu ishte larguar shumë nga synimet tona. Thanë se ligësia po na e vidhte atë.
8.
Kisha harruar se ne, si gjithmonë, të përkyerën nuk e kishim dhuruar tërësisht, ajo na duhej, duhej të mbetej pronë jona. Dhe njeriu nuk na doli aspak i përkryer, përkundrazi, u bë dështimi ynë më i madh.
9.
Shumë kohë shkoi e miliona vite rrodhën në tokë, pa e parë dot të mirën e përpjekjeve tona. Nuk na bëhej ta zhduknim, nuk kishim si e linim ashtu. Krijuesi më nuk u mor me këtë ҫështje. Një kohë të gjatë as na pyeti se ҫka kishim bërë për njeriun e me njeriun.
Epilog
Për të na qetësuar, Krijuesi na mblodhi e na tha: madhështor ishte tentimi ynë për të krijuar njeriun!
Shifra: “KRIJUESI”
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen