Dienstag, 3. Februar 2015

Takimi me vrasësin tim

Tregimi që fitoi vendin e parë në konkursin anonim
të "FLAKËS SË JANARIT 2015"

Biser MEHMETI
 
        Kurrë nuk më kishte shkuar mendja se tre vjet e ndonjë ditë më shumë do të takohesha rastësisht me vrasësin tim, i cili dukej sikur më kishte hudhur në shkretëtirën e harresës. Kur e pashë në fillim i thashë vevetes: mos mendja më është ngatërruar aq shumë sa që nuk jam në gjendje ta njoh vrasësin tim!... Disa çaste e kam vështruar njeriun për të cilin isha i sigurt se ishte vrasësë im. Zëri i veteves më tha: sa shumë paskëshka ndryshuar vrasësi im! Qenka stërkequr e plakur shumë... Ditën që më kishte vrarë kishte përjetuar një kënaqësi të madhe, i bindur se nga shpirti kishte hjekur një barrë të rëndë. Mirëpo, gjërat nuk kishin shkuar siç kishte dashur të shkonin. Prej atij çasti unë gjithnjë e më tepër i shfaqesha në mendje, i shfaqesha edhe në ëndërr, i shfaqesha kur bënte dashuri me vajza të bukura. Trajta ime herë e gjallë, herë e vdekur i shfaqej më së shumti gjatë natës e më pak gjatë ditës. Sapo shtrihej për të fjetur e ndjente praninë time jo vetëm në një skaj të mendjes, po edhe në një skaj të dhomës. Kurrë nuk guxonte ta fikte dritën, i bindur se ne velin e errësirës trajta ime do të ishte më konkrete. Dikush i kishte thënë se hijet e njerëzve të vdekur drita i bënë të padukshëm, madje i zhdukte edhe nga hapësira e mendjes. Sapo i bëhej sikur e kaplonte një gjumë i shqetësuar trajta ime i shfaqej afër veshit. Pastaj i pëshpëritja do fjalë me zë të vrazhdë, të cilat ai nuk ishte në gjendje t’i dallonte nëse ishin të vërteta ose i trillonte mendja e tij. Ato fjalë i shkaktonin neveri të madhe në shpirt. Shpesh ngrihej nga shtrati i xhindosur. Me mendje të çthurrur e me sy të buhavitur vinte te varri im dhe më vriste me shtatë plumba, i bindur se herën e parë nuk kishte mundur të më vriste tërësisht. Gjatë rrugës sa kthehej në shtëpi e ndjenjte veten të ngazëllyer, i bindur se kurrë më s'do t’i shfaqesha as në ëndërr, as në zhgjëndërr... E vrava për herë të dytë atë njeri të mallkuar, thoshte me zë të shfrenuar derisa ecte i kalamendur rrugës gjysmë të errët. Pastaj lëshonte do qeshje krikëlluese. Pak para se të arrinte te shtëpia zëri i mendjes i thoshte: ke harruar të bësh veprimin kryesor që do të të qetësonte edhe më shumë... Ngadalë, i dehur nga kënaqësia kthehej te varri im e pastaj pshurrej duke qeshur marrëzisht. Me një zë të shfrenuar, thoshte: kur të vjen pranvera asnjë lule të mos çel mbi varrin tënd!... Derisa e vështronte avullin e verdhë si dilte nga varri im zemra i rritej sa një mal...
 

        Kur hynte në dhomën e tij fryma për pak nuk e lëshonte. Trajta ime i shfaqej në dy pjesë: njëra ishte e vdekur e njëra e gjallë! Një zë i brendshëm i thoshte: sa herë do ta vrasësh ai do të shumohet si bimë e hidhur... E kaplonte pendimi pse më kishte vrarë për herën e parë e për herën e dytë. I kredhur në vorbullën e një dhembjes së paanë i betohej vetvetes se më nuk do të më vriste, madje edhe nëse shkoja te shtrati i tij dhe mundohesha t’ia nxjerrja te dy sytë... O Zot, i thoshte vetvetes derisa përpelitej në shtrat tërë natë, tash po e kuptoj se më e mundimshme është të jesh vrasës se sa i vrarë!... Tërë natën e kalonte në një gjendje të neveritshme, as i fjetur, as i zgjuar, as në ëndërr, as në zhgjëndërr... Shtëpia e tij i shëmbëllente një varrit në të cilin ishte varrosur për së gjalli... Një ditë e ftoi mikun e vet më të besueshëm, të cilit i tha: më shumë po më shqetëson për së vdekuri se sa që më ka shqetësuar për së gjalli!... Miku i tij, pasi u krodh disa çaste në do mendime të thella, i tha: ndërroje shtëpinë! Ndoshta hija e tij nuk mund të të gjenë kudo që të shkosh!... Të nesërmen mori një shtëpi të bukur me qira në periferi për gjashtë muaj. Kur u zhvendos në shtëpinë e re me gjithë familje e ndjeu veten të liruar nga një barrë e rëndë... Tash e tutje do të jetoj i qetë pa më shqetësuar ai i mallkuar, i tha vetvetes i ngazëllyer. Mezi priti të vinte nata e të shtrihet për të fjetur, ngase prej se më kishte vrarë s’kishte mundur të flinte. Tërë kohën hija ime i shfaqej në imazh... Sapo e kaploi gjumi i parë, hija ime vetëm në eshtra iu shfaq afër shtratit. Disa herë me një zë të çjerrë e thërrisja që të zgjohej e të më vriste përsëri... Disa çaste vazhdoi të qëndronte si në fërra pa e ngritur kokën nga jorgani. Pastaj disa herë e thërrisja në emër me një zë të llahtarshëm, me një zë që i shëmbëllente ulërimës së ujkut të tërbuar... Më thuaj pse më vrave pasi asgjë të keqe nuk të kam bërë!... Dikur u zgjua nga një gjumë i shqetësuar e pastaj me sy të zgurdulluar zuri ta vështronte hapësirën e dhomës. Me sytë e vagëlluar, nëpër të cilët sorollateshin do përfytyrime të vdekura, iu bë skur përtej dritares e pa fytyrën time, një fytyrë të zbehtë që i shëmbëllente një kufomës, të cilën koha nuk kishte mundur ta dekompozonte. Kurrë në jetë nuk kishte parë fytyrë më të vdekur e as sy më të tmerrshëm që e vështronin me një urrjejtje të madhe... Kjo fytyrë e shëmtuar, këta sy të verbër janë të rrejshëm, i tha vetvetes me zë të përvajshëm.... Mendja ime e sëmurë po i trillon. Kam frikës se së shpejti do të çmendem!... Të nesërmën u rikthye në shtëpi të vet. Çdo gjë i dukej e mbështjellur me një qefin të leckosur. Në çdo skaj e shihte hijen time të sëtkequr, të deformuar, e cila e bënte të tmerrohej. Në netët e gjata, kur përpëlitej tërë kohën e gjumë nuk mund të bënte, më mallkonte me shpirt të copëtuar pse nuk e lejoja të bënte jetë të qetë as pas vdekjes. Pastaj e mallkonte edhe vetveten që kishte menduar se me vrasjen time do të lirohej përgjithmonë prej meje. E mallkonte edhe mikun e vet që i kishte thënë: nëse ti nuk ke guxim ta vrasësh këtë gjë mund ta bëj unë nëse me jep një sasi të vogël të hollash, por edhe nëse më shpëton nga çdo e ligë që mund të më gjen... Hija ime ia kishte vrarë gëzimin e një ditë do ta vriste edhe atë. Sa herë mundohej të mendonte për diçka të lumtur gjithnjë hija ime me sy të nxjerrur i shfaqej përpara, duke i shkaktuar dhimbje e mërzi. Disa herë xhindosej si një bishë e egër e pastaj lumin e mllefit mundohej ta zbrazte duke pështyrë mbi fytyrën time. Mirëpo, pas pak hetonte se unë isha vetën përfytyrim, kurse pështyma i kishte rënë mbi fytyrën e tij. Një mendje e marrë i thoshte: ai po të pështynë edhe për së vdekuri, sikur nuk i ka mjaftuar të të pështyjë sa ka qenë i gjallë!... Disa herë i thoshte vetvetes: më lehtë e kisha me të kur ishte i gjallë se sa tash kur është i vdekur.... Kur ishte i gjallë mund t’i shkaktoja dhembje të madhe, duke e rrahur sa herë që doja, duke e fyer me fjalë banale sa herë që doja, duke ia sharë nënën sa herë që doja... Tash kur është i vdekur s’mundem t’i bëj asgjë...
 

        Kur kaluan tre vjet e ndonjë ditë më shumë filloi ta ndjente veten se kishte filluar t’i nënshtrohej procesit të çmendurisë, i cili do të zgjaste edhe për tre vjet të tjera. Një mesnatë kishte dalur nga shtëpi. Ndoshta ishte zgjuar somnabul. Ishte sorollatur nëpër do rrugë të zbrazta pa e ditur nga ishte nisur të shkonte. Dikur kishte ardhur te varri im, ishte shtrirë mbi varrin tim e pastaj kishte filluar të dëneste me zë lutës. Ndoshta më lutej që ta falja. Ndoshta më fyente edhe më tutje më fjalë banale. Unë kisha vendosur që të qëndroja indiferent ndaj të gjitha sjelljeve të tija prej një njeriu të çmendur...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen