- (Ose atdhetarët dhe revolucionarët – liria dhe pushteti në romanin “Shtetthasit” të Rrahim Sadikut, vëllimet I,II dhe III, Zgjimi, Ferizaj, 2012)
“Ku do të ishte atdheu po të mos ishim ne?! Jemi ne, prandaj është atdheu”! (Slogan i atdhetarëve rrahagjoks)
Nga Enver Zhinipotoku, sociolog
Diogjeni, personifikim i moralit cinik në filozofinë antike greke, jetoi në kohën kur Greqinë skllavopronare, pas një lulëzimi në të gjitha sferat, sidomos në filozofi, art e kulturë, e kishin mbërthyer krizat dhe kishte filluar një rezignancë e përgjithshme e shpirtit krijues grek. Dëshmitë e ruajtura dhe kronikat e kohës, flasin se Diogjeni ecte edhe ditën me fanar, meqë, siç thoshte nuk i mjaftonte drita e diellit për ta gjetur “njeriun e vërtetë” në shoqërinë greke, të rrëzbitur nga luftërat dhe krizat e moralit njerëzor.
Luftërat dhe pasojat që lënë ato, sikur personifikojnë fundin e njerëzores dhe nxjerrin në sipërfaqe llumin e përgjithshëm shoqëror, që neveritshëm shihet nga kushdo, identifikohet nga analistët dhe duhet të luftohet nga intelektualët dhe “mjekët socialë” të shoqërisë, nëse pretendohet që ajo të marrë rrugën e të mbarës dhe të modelohet si kreaturë e mirëfilltë dhe e organizuar shoqërore. Por, që të arrihet kjo, shoqëria së pari duhet të lirohet nga engjëjt e rrejshëm, pushtetarët abuzivë, atdhetarët rrahagjoks dhe mujsharët që ia zënë frymën dhe e kapin grabitshëm e rrënueshëm shtetin.
Pikërisht, këtë shpërfaqje, kërkesa për një pamje ndryshe dhe një sallto mortale të asaj që po ndodhë në shoqërinë kosovare sot, na jepet në trilogjinë, romanin voluminoz, “Shtetthasit” të shkrimtarit dhe atdhetarit ferizajas, të burgosurit të ndërgjegjes dhe atij që eci nëpër prushin e kohës, (më shumë duke vuajtur prapësitë e të tjerëve) - Rrahim Sadikut.
Një filozof gjerman, Fridrih Engelsi, kishte thënë me një rast duke lexuar Balzakun: ”Më shumë kam mësuar duke lexuar romanet e tij për shoqërinë franceze të shekullit XIX se nga të gjitha historitë e kohës”. Dhe vërtet kishte të drejtë kur bëhet fjalë për artin dhe shpërfaqjen e tij realiste e imagjinare. E njëjta gjë mund të thuhet, mendoj, edhe për shoqërinë kosovare në vigjilie të paraluftës dhe të pas saj, duke lexuar këtë roman të këtij autori.
Në asnjë vend në mënyrë më të hapur dhe më bindëse, nuk na dalin synimet e një klase pushtetare që u përgatitën disa dekada si “revolucionarë ilegalë” dhe në fund na shfaqën si “legalistë”, abuzues të pushtetit, mbështjellur me aureolën e “çlirimtarëve atdhetarë”, se sa në këtë roman të Rr. Sadikut.Askund, më mirë se këtu, liria, pushteti, morali, etja për dije, njerëzorja, e shumë kategori tjera morale e juridike, nuk abuzohen deri në groteskë dhe të kalojnë në të kundërtën e tyre. Atdhetarët e djeshëm, u shndërruan në pushtetarë të sotëm plaçkitës; engjëjt e djeshëm në ujqër të sotëm, duke i hequr maskat me të cilat kamufloheshin, sepse me pushtet dhe para, blihet edhe e gjitha ajo që të duhet për t’u bërë i pushtetshëm. ”E kaluara e tyre ishte ajo që ishte. Pushteti dhe ata, janë kjo që po shihet…Prandaj, vraponi, o burra! Merr çka mundesh, ose mbete pa gjë”-janë fjalët me të cilat autori Sadiku e fillon romanin e tij voluminoz mbi tetëqind faqesh.
Liria që e sollën “çlirimtarët” është ajo për të cilën kishin vuajtur e ishin zhuritur njerëzit e këtij nënqielli, brez pas brezi. Po, çfarë ndodhi?! “Çlirimtarët” këtë liri “e prenë” për masën e kërkesave të tyre dhe ajo është liri për aq sa duan të të japin të pushtetshmit. Nëse kërkon më shumë se kjo masë e përcaktuar, je “tadhëtar”, ose nuk e kupton “lirinë”! Ata që thirrën në emër të lirisë dje, e të pushtetit sot, punojnë që vendit t’i marrin çdo gjë, e të mos i japin asgjë.Ata atdheun e shohin si plaçkë dhe mundësi për zhvatje, kurse “motelet”, që lulëzojnë kudo, në qytete e fshatra, prerjet e shiritave për shumëkatshet pa plan e leje të pushtetarëve, të bosëve të drogës e të keqpërdoruesve, merren si kritere zhvillimi.
Rrahim Sadiku për një kohë të gjatë “ishte zier” në vorbullën me “atdhetarët e djeshëm e pushtetarët e sotëm”: në ilegalitet, nëpër burgje, nëpër frontet e luftës, andaj apetitet e “shokëve” të djeshëm, të “idealistëve materialistë” të sotëm, i di dhe kupton më mirë se kushdo tjetër, madje edhe lexuesit ia sjellë me besnikëri babëzitë e tyre.Kjo vepër e tij është një kronikë - roman e tmerrshme faktesh për abuzimet pushtetore, të atyre që tërë jetën kishin ëndrruar dhe ishin frustruar nga “kompleksi i Edipit” dhe prandaj manifestohen aq pamëshirshëm sot.
Ironia dhe sarkazma, ndoshta janë figurat më të konsumuara në këtë vepër, sepse realiteti i sotëm në Kosovë i transponuar artistikisht nëpër faqet e saj, në emër të së djeshmës atdhetare, është ironik dhe sarkastik. Në një vend, i çoroditur si ky yni nën pushtetin e çlirimtarëve, ku rrahet gjoks se “lirinë e sollëm ne për popullin e shumëvuajtur”, shitja e moralit personal dhe kërkesa për moral nga të tjerët, është bërë modë dhe treg i kërkuar nga pushtetarët.Ekzaltimet patriotike deri në ekstazë të atdhetarëve të shfrenuar duke bërë qejfe në atdheun e lirë, për robërinë e të cilit kishin vuajtur dhe ishin syrgjynosur për tri decenie “çlirimtarët” në mërgim, është ironi e bukur që me ëndje lexohet në roman.
Omari (me G përpara) (siç ironizon autori kryepersonazhin), Trullaci, Trupi, Madhoshi, Zijoshi, Simi, Zbythakët, etj. janë portretizuar në roman si ata që i tërheqin penjtë dhe frenat e orientimit të së keqës në ilegalitet, të planifikuesve në ekzilë dhe të pushtetarëve të pas luftës në Kosovë. Nga ana tjetër, më të paktë janë ata (Bimi, Hekurani e ndonjë tjetër) që personifikojnë intelektualët e matur, ata që vërtetë u dhimbset atdheu dhe nuk e shohin lirinë e pushtetin si plaçkë për zhvatje.
Trullaci bashkë me Omarin (me G përpara) janë dy personazhet më të realizuara të romanit. I pari është personifikim i njeriut që ngado që shkon sheh një të dyshimtë. Partia, sipas tij, është mbi të gjitha dhe të gjithë oponentët duhet eliminuar. Omari (me G përpara) dhe Trullaci duke udhëhequr ilegalën jashtë vendit, linçonin intelektualë e individë, duke i shpallur edhe tradhëtar dhe ndonjë prej tyre i anatemuar, edhe është vetëvrarë! Ajo që Trullaci me Co. propagandonin për individët (sidomos për ata që nuk e kishin lëshuar fare Kosovën dhe kishin duruar çdo shtypje), shpeshherë përputhej me kuzhinën serbe që ziente për të apostrofuarit.
Të kthyer pas luftës në pushtetarë të imponuar, pa merita, por me gjoja meritokraci lufte, ata shndërrohen në reketues të fshehur nga të cilat haraçe finansojnë veprimtari të dyshimta fitimprurëse. Autori përshkruan bukur atmosferën kur “baballarët e kombit” vijnë në pushtet, të cilët nëpër kafene e ahengje ndajnë zonat e influencës dhe prenë e periudhës së privatizimit, gjithënjë duke mos harruar të shpifin përmes propagandës për kundërshtarët. Ata që janë në piramidën e pushtetit duke i lejuar të punojnë bizneset e pista, atyre u marrin haraçe dhe me aso parash ndërtojnë madje edhe lapidare dëshmorësh! Përmes reketimeve nga bizneset që i kanë nën kthetrat e tyre, vëren autori, ata synojnë para për botën e krimit dhe likuidimin e atyre që ua zënë rrugën për punët e tyre të ndyra.
Në Kosovën e pas luftës, pohon autori, udhëheqësit fitojnë autoritet përmes truprojeve, nuk turpërohen nga gënjeshtrat publike, nuk kanë moral të japin dorëheqje nga mossukseset. Pushtetarët dhe Qeveria në Kosovën e pasluftës i ngjajnë lopës që e thithë veten!
Në hapësirat e shumta që u kushtohën në roman Omarit (me G përpara) dhe zbythakëve si argatë të së keqes, na del se ata janë katalizatorë të të këqijave, që u sjellin atyre që u besojnë, duke i keqpërdorur mjetet e tyre në diasporë, besimin e tyre, dhe pas lufte duke i vrarë ata që nuk pranonin të vepronin sipas diktateve të tyre. Ja si e përshkruan Omari (me G përpara) vetën dhe zbythakët që i ndihmonin për çdo gjë në veprimet e tij të mbrapshta.”Jo ore nuk është punë e thjeshtë të më deshifroni, jo! Nuk e keni leht të shihni tek unë as atë që mund të shihet. Edhe te shumë e dukshmja, unë kam të padukshmet e mëdha befasuese. Jam si ajsbergu unë. Pjesa më e madhe e qenies sime, si veprimtar, e si pushtetar nuk shihet kurrë. As që do të shihet ndonjëherë! Unë fshihem më mirë ditën se natën…Zbythakët ishin ata që më ndihmuan më së shumti për të ardhur aq shpejt te pushteti, te paraja dhe te nderimet.Më mësuan punëdhënësit e mi se si njihen ata, se si përdoren ata dhe se si hidhen tutje kur të duash, pa u frikësuar se vjen ndonjë rrezik prej tyre” (I,fq.145). Megjithatë, siç thotë autori, zbythaku i fundit, të cilin e kishte propozuar vet Omari dhe që mendonte se mund ta ndërronte kur të donte, i doli “kapuç me mëngë”, i pamposhtur, sepse në kierarkinë e veprimtarisë ilegale, ai u fuqizua aq shumë, sa që, qe e pamundur për ta hequr qafe. Ai u fuqizua, sa luante edhe me Shefin e tij të mëparshëm.Pra, ky që u bë Madhoshi, siç del në roman, u bë shefi pushtetor në Kosovën e pas luftës, siç është edhe sot, urdhërat e të cilit i zbaton domosdo edhe Omari (me G përpara).
Omari, siç e portretizon autori, gjatë gjithë romanit është prototip i hilexhiut si atdhetar, i ndërskamcave, shpifjeve, i ngritjes duke shkelur mbi të tjerët, i pakapshëm si peshku në dorë, minidiktator, tinëzar, pra i tillë çfarë e kishin krijuar shërbimet sekrete staliniste, për t’i përçarë të tjerët, para të cilëve shtirej si shok e atdhetar dhe për tu shërbyer me zell atyre që e mbanin. Ai është një “ugar ideologjik”, që e pret farën e çdokujt për të mbirë!
I ngjashëm e intrigant na paraqitet në roman edhe Trullaci, që mbijeton duke i yshtur dhe sakrifikuar të tjerët. Asnjëherë nuk pranon të shquhet për diçka dhe atëherë kur i zbulohen këmbët, ik në perëndim ku jeton, zhvillon aktivitet “atdhetar ilegal”, spiunon dhe vjelë mjete nga ata që i mjelë materialisht e ideologjikisht.Ai e piu gjakun e popullit e të atdheut kur po kullonte nga pushtimi e pushtuesi, e piu kur luftohej dhe po e pi edhe tash në Kosovën e pas luftës, duke mos u shqitur nga funksionet e larta të shtetit.
Për të punuar në shërbimin e sigurimit, të cilin e udhëhiqte Omari (me G përpara), ishin tri rrugë: 1.Do të jetosh, kryej detyrat që të ngarkohen; 2.Nëse nuk mundesh, na i trego pengesat dhe ne i eliminojmë; 3. Nuk do, ne të eliminojmë ty!
Në romanin “Shtetthasit”, shpërfaqën probleme të shumta imediate të shoqërisë kosovare, veçmas të periudhës së pas luftës. Etja për pushte tek “atdhetarët” e dikurshëm, shndërrohet në abuzim nga batakçinjtë e sotëm pushtetor dhe kjo duket se urrehet si murtaja nga autori dhe lexuesit. Populli që kishte vuajtur me shekuj, madje këtë qindvjetshin e fundit ishte përballur me shumë krajata dhe elaborate gjenocidale, që ishin projektuar kundër tij, mezi kishte pritur që njerëzit e sakrificës po vinin në pushtet. Prandaj, edhe dileriumi i popullit ishte i pafund: t’i votojë çlirimtarët. Por, me një mandat pushtetor, këta “çlirimtarë” iu irituan popullit, i cili tani e kuptoi se i ishte ndërruar vetëm samari (lexo: sunduesi). Këta pushtetarë u treguan shumë të zellshëm dhe nepotistë ne rehatimin e njerëzve të vet, myhybve partiakë dhe militantëve fanatikë. Aq më tepër këta burra të pushtetshëm, do të vë në dukje autori, edhe gratë e tyre, shpesh analfabete, ose gjysëm të tilla, do t’i bëjnë të pushtetshme, madje me tituj akademikë dhe mësimdhënëse nëpër Universitete të shumta, që kanë lulëzuar anë e kënd Kosovës.
Pushtetarët uzurpatorë të lirisë tallen me të rënët, që nuk patën fatin ta shijojnë larine dhe përfitimet e shumta nga ajo, që ua mundëson qeverisja e paskrupullt me vendin dhe me njerëzit, sidomos të atyre që dikur i kishin “shokë”. Bosët e profiterët e shumtë të pasluftës thonë me tallje se “ nuk paskan pasur faj ata që kanë rënë për liri, sepse ajo vërtetë qenka e ëmbël, duke sjellë: pasuri, privilegje dhe femra të bukura”. Kështu, thotë autori,”rrahagjoksit e atdheut dhe baballarët e kombit, në vend që të turpërohen, ata krenohen në çdo hap me prapësitë e tyre: tenderët, orgjitë e trafikimet me mishin e bardhë”.
Në vëllimin e tretë të romanit, autori në fillim në formë prologu na ka dhënë lakuriq karakterin dhe synimet e shtetthasve të tij, që i portretizon gjatë gjithë veprës: “Atyre u besonin të gjithë dhe nuk u besonte askush. Në sy të të gjithëve ishin ngapak edhe të famshëm, por më shumë të dyshimtë. Ishin të rrethuar me të gjitha që i kishin ëndërruar, me të gjitha që kishin mundur t’i kishin dhe me të gjithë ata që kishin mundur t’i nënshtronin.Ata kishin luftuar, së paku, ashtu thoshin, që populli i tyre të ecte vertikalisht.Por, tash, si sjellës të fitores që e ndienin veten, nuk mund t’i duronin afër vetes ata që nuk e përkulnin kurrizin para tyre…Për shtetin flisnin vetëm ata, sepse atë të drejtë ia kishin rezervuar vetëm vetes. Donin që me këmbëngulje bota ta quante shtet, atë që e kishin shndërruar në shtetth. Mendonin se ishin të përkryer për ta udhëhequr shtetthin.Ishin shtetthasë të bindur.U bindeshin të gjitha bindjeve të veta, e ligjit nuk i bindeshin kurrë. Dhe e gjitha ajo që vepronin e kërkonin për ta, ishte e drejtë.Sepse, ata ishin shtetthasit.” (III,fq.5-6)
Si njohës i mirë i psikologjisë së nëntokës dhe i bëmave të shtetthasve, Sadiku ka bërë një parabollë të shkëlqyeshme dhe interesante me mitin nga antikiteti përmes “kompleksit të Edipit” dhe lakmisë së sotme pushtetare, pa zgjedhur mjete sundimi. Këtë kompleks, duke zbërthyer honet e errëta e të paeksploruara të ndërdijes, Freud-i e kishte konstatuar shkencërisht se “ajo që më heret është ndrydhur, vie koha që domosdo shpirti e qet në sipërfaqe”. Ideja për ta shtypur të nënshtruarin, u lindë pushtetarëve nga ajo që kanë pasur vet nga të pushtetshmit, kur kanë qenë të nënshtruar (të dënuar nëpër burgje).Kështu ndodhë edhe me mënyrën e dikurshme të shfrytëzimit të atdheut. Derisa e kanë shfrytëzuar të tjerët, pse të mos e shfrytëzojmë edhe ne që sot jemi në pushtet?!
Autori qëllimisht bisedën për plaҫkitjen e atdheut nga pushtetarët, në roman e vendos në odë (në odën e Trullacit), aty ku ishin zhvilluar qindra biseda për shkëlqimin e “atdheut të udhëhequr nga mësuesi i pagabueshëm Enver Hoxha, që e kishte shndërruar Shqipërinë në fanar ndriwues të komunizmit dhe luftën që duhet bërë kundër revizionizmit titistë, që ka tradhëtuar çështjen e internacionalizmit proletar”, në ndërkohë që Shqipëria nën udhëheqjen e xhaxhit Enver ishte, vetëm para Angolës me të ardhura kombëtare dhe me nivel zhvillimi në botë!!! Dhe një prej fatëkeqësive më të mëdha, që vëren autori tek pushtetarët e sotëm, është fakti se ata nuk janë zhveshur nga gëzhoja e diktaturës më të egër dhe e diktatorit, që e patën idol, sepse ata dhe sot e kanë model atë dhe marrin mësim nga teoritë e tij, se si duhen shtypur kundërshtarët!
Duke e shtrydhur artistikisht përditshmërinë kosovare, ku nga çdo anë dhe në çdo hap vidhet atdheu, abuzohet me pasuritë dhe vlerat e tij, ata që duan të jetojnë ndershëm, janë të detyruar t’u duartrokasin atyre që shkelin shkelin ligjet dhe plawkisin pa mëshirë.
Pushtetarët, të ngritur pa merita në kierarkinë e pushtetit, dehen nga fakti se atë gjë nuk e kishin parë as ëndërr kurrë, kurse sot e kanë realizuar qëllimin dhe shton autori ata kur vijnë në pozitën e papandehur, domosdo abuzojnë me të, sepse e dijnë mirë se kjo shansë më kurrë nuk do tu jepet! (Një herë vie vera kah dera, siç thotë proverbi!).
Rrahim Sadiku në këtë roman stigmatizon dobësitë tona shekullore si popull, që edhepse rob ndër shekuj, nuk mësuam gjë nga romantizmi kombëtar dhe meskiniteti intelektual yni. Shkrimtarët shkruajnë, edhepse askush nuk lexon.Shkruhet më shumë se që ka lexues.Shkrimtarët nxjerrin në dritë ato gjëra që s’mund t’i mbajnë në shpirt dhe të cilat ndoshta “duhet harruar”, siç mësojnë pushtetarët. Intelektualin, nuk e ngushëllon liria e abuzuar, ai nuk gjen prehje askund veç shkrimit.Nga çdo anë sheh duar abuzive, që shkafnjejnë çdo gjë që u del përpara.Ditën dhe natën pyet: përse dhe deri kur kështu?! Por, vetja nuk i përgjigjet!
Duke qenë vet i dënuar dhe persekutuar nga ish sistemi monist, duke kaluar pjesën më të mirë të jetës nëpër duar të sigurimit, në emër dhe për ideale të një shoqërie, e cila e shpërfaqur me të gjitha vlerat e abuzuara të saj, jo që nuk e afron, por e iriton në çdo hap, autori zbërthen në roman fakte dhe të dhëna të sistemit që kishte shtypur bashkëkombasit e tij për decenie.Shpesh në roman, autori ballafaqon forcën e sigurimit të sistemit pushtues me naivitetin dhe injorancën e atyre që futën në vallen e atdhetarisë, por pas pak zbulohen, spiunohen dhe bien si gjahu në rrjetin e merimangës.Nga ata të sigurimit, autori përmend Bozhon me sy gjarpri, Simon, Qahilin, etj. Shërbimi i sigurimit të armikut, madje tallet me sigurimin e vendosur pas luftës në Kosovë, pjesëtarët e të cilit kanë kaluar nëpër duart e sigurimit armik dhe janë shkollë e tyre! Shërbimi sekret i armikut krenohet me faktin se duke përcjellë e koordinuar rrjedhat shoqërore, ka arritur që te shqiptarët të fus ndjenjën e urrejtjes te njëri- tjetri, të mosbesimit si sëmundje, që nga të burgosurit politikë po manifestohet edhe tek popullata e gjerë pas luftës.
Në vërshimin e atij llumi që përshkruhet në roman, ku dukuritë e dëmshme shoqërore dhe negative shpërfaqen me vulg, autori ndalet në zbërthimin e dy segmenteve shumë të rëndësishme, për të konstatuar se pa vendosjën e tyre në këmbë të shëndosha e stabile, nuk mund të ketë perspektivë shoqërore për të ardhmën. Është fjala për sistemin e drejtësisë dhe arsimit, ndër dy shtyllat kryesore të çdo shoqërie të zhvilluar.Sot shoqëria kosovare, mjerisht është sistem i kalbur i drejtësisë, i cili është i korruptuar më shumë se çdo sferë tjetër shoqërore, që në vend që të dënojë fajtorët, shkelësit e ligjit dhe keqbërësit, bashkëpunon me ta! Për klimën e krijuar, vëren me të drejtë autori , të cilën as nuk e ka pritur, për të cilën as nuk ka vuajtur populli dhe tani po ia zë frymën, gati sa ajo paraprake, do të shprehet: “Kurrë më mirë nuk ka qenë! Bëj çka të duash, kur të teket, çka të teket e si të teket, pa i dhënë llogari askujt!Grabit,gjobit, rrah, kërcno, bëj çka të teket dhe prapë je më i miri, më i çmuari dhe më i paprekshmi nga pushteti”! (I,fq.173.) Njerëzit ankohën çdo ditë për padrejtësi dhe kërcënime nga batakçinjtë e shkelësit e ligjit, hajnat denoncohen çdo ditë në polici e gjyqe dhe ato shtiren se punojnë, por të ndikuara nga politika dhe piramida e pushtetit, lëndët, jo që nuk kryhen, por ato vjetrohën dhe zhvlerësohen me vite. Njerëzit që janë në krye të gjyqësorëve, prokurorive,etj.janë kryesisht ata që, në sistemin monist ishin po në ato vende, dhe tash thotë autori, janë të zënë ngusht nga mujsharët e sistemit për fajet e tyre të vjetra dhe mëkatet e tyre dje, duke u shndërruar në çatipë të politikës dhe punojnë sipas urdhërave të urdhërdhënësve oligarkë. Ndodhë shpesh që, gjyqëtarët që kanë dënuar ndonjë prej pushtetarëve të sotëm në vitet ’80 me vite të gjata burgu, sot janë bërë avokatë mbrojtës, që sërish tani të njëjtit persona i mbrojnë nga akuzat e rënda për shpërdorime apo vrasje!
Autori në mesin e shumë dobësive që shfaqën në llumin shoqëror që ka përmbytur shoqërinë kosovare, flet në shumë vende në roman për nivelin tejet të ulët të arsimit në të gjitha nivelet, në ndërkohë që janë shpenzuar shumë mjete për infrastrukturë shkollore, trajnime, mësimdhënie apo tekste shkollore. Çdo ditë hapën e përurohen shkolla të reja, por çdo ditë jepën e falën diploma e tituj pa mbulesë, shiten me para e nepotizëm, gjë që nuk ndodhë gjetiu përveç te ne. Janë hapur mbi 30 Universitete, në ndërkohë që, në këmbë të shëndosha Kosova nuk ka kapacitet për ta mbajtur një të mirëfilltë. Por, universitetet e hapura shërbejnë për të mbuluar veprimtaritë e paligjshme bosët mafiozë, që dirigjojnë gjithëçka në Kosovë, për të pajisur njerëzit e tyre me diploma e tituj, që t’i vendosin pastaj në kierarkinë e pushtetit, siç po ndodhë çdo ditë! Tituj shkencorë akademikë, diploma e doktorantura, jepën çdo ditë pa kritere, me para, pa merita; doktorojnë bijtë para baballarëve e bashkëshortet para bashkëshortëve në komisione, ata pa asnjë vepër shkencore të botuar, vihen në krye të Universitetit! Dhe, kjo është e keqja më e madhe që i ndodhë kësaj shoqërie, vëren autori Sadiku, sepse në sferën e ndieshme të arsimit kudo veprohet pa sens e papërgjegjësi.Ata që nuk duhet, vihen në vendet kyqe në bazë të përkatësive farefisnore, bindjeve partiake, nepotizmit, servilitetit, konkurseve të kurdisura,etj dhe Qeveria mburret për këto suksese! Pra, kudo si nuk duhet, kudo ai që nuk duhet!!!
Por, në atmosferat me njerëz e episode të tilla, që gjatë gjithë romanit të zënë frymën, ndonëse ai lexohet me kënaqësi,( përveç atyre që e kanë “mizën në kapuq”dhe e gjejnë vetën aty) për të parë se deri ku shkon ndërgjegja e mosvrarë pushtetore me prapësitë e tyre, autori na jep edhe galerinë e paktë të personazheve që i vret shpirtërisht kjo atmosferë dhe ndonëse nuk pajtohën me klimën shoqërore, që nuk mund të ndërrojnë rrjedhën e së keqes, së paku nuk dëshirojnë të bëhen pjesë dhe argatë idiotë të saj.
Hekurani është njëri prej tyre.Ai është atdhetarë i vuajtur, i burgosur politik, pjesëmarrës lufte, i larguar nga puna pas lufte, me një përvojë të gjatë profesionale, pse e shihte të arsyshme të kritikonte “shokët” e tij në Qeveri, që ishin të pushtetshëm dhe abuzonin me gjithëçka.Hekurani vuan çdo ditë shpirtërisht nga ajo që sheh tek i ndodhë popullit të tij pas gjithë atyre vuajtjeve: marrëzira të papranueshme, mendjet e ndritura rrugëve(ose pa influencë), injoranca në ballë!
Edhe Bimi në romanin “Shtetthasit” është intelektual me drejtpeshim, që nuk pajtohet me abuzimet që i bëhen vendit, me qëndrim dhe bindje distancohet nga shokët e dikurshëm të “idealit”, me të cilët dikur kishte ndarë çdo gjë, përveç pushtetit dhe fuqisë së tij sot. Edhe Bimi pranon të humb vendin e punës (dënim kapital në shoqërinë demokratike), vetëm pse nuk pranon të bëhet ingranazh i pushtetit, që në çdo hap e shtyp popullin.Përmes Bimit (autori mund të ketë aluduar në veten), vihet re qartë vija e ndarjes midis atdhetarit dhe revolucionarëve, sepse synim i të parit është liria e atdheut, kurse i të dytëve pushteti. Etja për liri e “atdhetarëve” rrahagjoks (në emër të udhëheqësve të luftës), u shndërrua në etje për përfitime materiale.”Realisht, vendi ynë sot është shndërruar në shtet të këpucëlëpirësve. Pothuaj secili që është në pozitë më të ulët, duhet të kujdeset që t’ia lëpijë sa më mirë këpucët atij tjetrit që e ka epror… Sa më këpucëlëpirës të jetë një pushtetar ndaj atyre që ka mbi, e sa më i korruptuar e i paskrupullt të jetë me ata që i ka nën vete, aq më shumë pranohet në masë dhe fiton simpatinë e të tjerëve”(II,fq. 129-130).
Autorin dhe të gjithë ata që i duan të mirën atdheut, i gërryen shpirtërisht fakti se mediokritetet ngritën në nivele akademike pa meritë, por me mujshëri dhe kjo ndoshta na ndodhë vetëm neve në Evropë, problematizon autori.E vërteta në shoqërinë kosovare është bërë “zë Kasandre”, sipas mitit grek, që e thotë të vërtetën, e askush nuk i beson asaj, që shpesh s’ka as kush ta thotë, ose edhe nëse e thotë, ata zëra janë të pafuqishëm, të mekur ose kakofonikë. Gazetarëve, që ftohën në përurime “u mbyllet goja” me mish të pjekur, champagne, ose Ҫhisky nga pushtetarët e bosët e ndërtimeve pa leje, kur përurohën shumëkatshet si “dëshmi e zhvillimit të atdheut”!
Në romanin “Shtetthasit” të Rrahim Sadikut, gjejmë edhe stigmatizimin e plagëve shoqërore, të cilat na përcollën si popull dhe projektuan fatin tonë gjatë shekujve.Të tillë autori e quan hakmarrjen dhe mentalitetin patriarkal që kultivohej ndër ne, si “normë kanonike burrërore” se “i dëmtuari duhet të falë”! Në këtë mënyrë, duke bërë presion mbi viktimën që të falë, ose t’i jap besë dorasit, shpesh nga rrethi është favorizuar dhe i është dhënë e drejtë këtij të fundit në mënyrë indirekte.Kjo ndoshta edhe ka qenë një stimulim për keqëbërësit potencialë, që ndiheshin krenarë për veprën e bërë.
Është një përshtypje, që e fiton lexuesi duke lexuar këtë roman se, duke pranuar plagët tona gjatë shekujve: hakmarrjen, besën e dhënë çdokujt, përqarjet tona meskine, jokonsolidimin kombëtarë, kokëfortësinë pa argumente, servilizmin, krenarinë e rrejshme, mungesën e vetëdijes kombëtare, etj, autori për plagët tona gjatë shekujve nuk fajëson vetëm të huajt për të pabërat tona. Duke dalur nga gjeografia e bukur, duke i lëshuar, apo duke na i marrë territoret fqinjtë, nuk kemi qenë unikë në mbrojtjen e tyre dhe kësisoji pastaj, kemi kënduar këngë, apo kemi vajtuar për ato territore që s’kemi mundur t’i kthejmë kurrë më e t’i bëjmë tonat, duke hyrë kështu në historinë tragjike dhe, çuditërisht, jemi mburrur me këtë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen