Montag, 23. Februar 2015

Goditje në shenj e një romani

(Vështrim për romanin më të ri të Agim Gjakovës "RRËFIMET...")

Shkruan: Kliton Nesturi, Tiranë

Sapo nisa të lexoj këtë vepër, m'u krijua bindja se për të nuk do ulej njeri të shkruante apo dhe recensionet për të, çdo botues do të nguronte t'i botonte në gazetën e tij. Dhe të kështu, fati i këtij romani, prej bashkëkohësve të autorit, ishte që të kalonte në heshtje. Kjo, jo sepse ky roman është i shkruar keq dhe në mënyre amatoreske, apo se autori i saj është dikush anonim dhe pa peshë dhe integritet. Jo, asnjëra prej këtyre.

Mendimi im zuri fill duke u bazuar mbi instinktin se në jetën tonë dominon mentaliteti shqiptaro-ballkanik, i cili kur ndesh në një vepër të shkruar bukur, e mbi të gjitha që na përplas si shuplakë të vërtetat në sy, bëhet e pamundura që mbi të të bjere heshtja, duke shmangur kështu debatet, kokëçarjet, konfliktet. Për më tepër, kur në të behet fjalë për një pjesë të historisë shqiptaro-kosovare, realitetin që prej vitesh po e jetojmë të gjithë së bashku. Nëse dikush do të tentonte të thyente ketë mentalitet dhe do të shkruante realisht dhe pa fyerje për këtë vepër pa paragjykuar autorin, do të ngrihej një palë, ajo që e ndjen veten më shumë të prekur prej tij dhe do të godiste pa mëshirë njeriun që "shkruan mirë për heretikun". Ndërkohe, pa vonuar aspak, për kundërpeshe dhe aspak për të mbrojtur autorin dhe veprën, pala tjetër, ajo që e ndjen veten më pak të prekur, do të ngrihej duke i treguar grushtin palës kundërshtare. Dhe kështu, debati do të vazhdonte me egërsi, deri sa të dyja palët të uleshin në tavolinën e shtruar me gjithë të mirat, e aty të hanin, pinin e dëfreheshin me njeri-tjetrin. Ne, shqiptarët, e kemi zakon që, edhe kur diskutojmë për letërsinë, ngatërrojmë edhe politikën, duke gjykuar sipas kësaj të fundit. Gjykimin për një vepër letrare ne e ngatërrojmë me zhvillimet politike apo e thënë me troç, shpesh, bëhemi vasale të zellshëm të politikanëve dhe pushtetit.


Te shkruash për realitetin ashtu siç është, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, nuk është e lehtë. Madje, është shumë e vështirë. Që ta besh këtë, duhet guxim, qytetari, por edhe profesionalizëm. Kjo sepse, politikanët shqiptarë, kur janë në pushtet, nuk pranojnë që të kritikohen, apo të pranojnë mendimet e kundërta, apo akoma më keq nuk e dëshirojmë mendimin e pavarur. Ne vazhdojmë të sillemi rreth vorbullës sipas parimit: "Ose me ne, ose me ata! Rrugë të mesme s'ka!" Përgjithësisht, udhëheqësit shqiptarë kanë dëshmuar se ata hyjnë në atë kategori folklorike që duan ta dëgjojnë këngën e tyre të trimërisë, sa janë ende gjallë.


Letërsia është art dhe një prej misioneve të saj është që të flasë hapur dhe të komunikojë sinqerisht me lexuesin, pavarësisht se cilës kohe apo gjenerate ai i përket. Kjo është fryma që karakterizon romanin "Rrëfimet". Deri me sot nuk kam ndeshur në një vepër kaq të plotë të shkruar për historinë e jetës politike dhe gjoja intelektuale në Kosovën e pasluftës. E them këtë, jo pse kam ndonjë inat me palët, por se e njoh dhe e shoh realitetin, demagogjinë, skamjen, babëzinë për pushtet dhe pasuri, dëshirën për të monopolizuar jetën intelektuale dhe hapësirat mediatike, pehlivanllëqet dhe shkapërderdhjet politike, intrigën dhe vasalitetin. Të gjitha këto i shoh edhe në këtë vepër. Romani "Rrëfimet" është një vepër intelektuale, ashtu si pak të tjera të shkruara në "epokën e pluralizmit dhe të pasluftës" të cilat qëndrojnë të vetmuara nga bregu tjetër të mbushur me plagjiatura të nacionalizmit folklorik dhe verbim politik. Në Shqipëri dhe në Kosovë shkruhet shumë, por fatkeqësisht shumë pak, në raport me masën, dëshmojnë që janë shkrimtarë dhe intelektuale njëkohësisht.


Ngjarjet e këtij romani ndodhin përreth nesh. Personazhet e kësaj vepre kanë jetuar dhe jetojnë bashkë me ne. Pak rendësi ka nëse ata nuk shfaqen këtu me emrat e vërtete. Ata janë pjesë e historisë dhe jetës së Kosovës. Gjuha e hapur dhe stili ironik i zgjedhur prej autorit, i jep veprës një dimension të madh, të çliruar prej autocensurës. Ato e pasurojnë gjetjen, e cila i jep romanit një fizionomi të veçante dhe e bëjnë me dinamike ndërtimin strukturor. Tipizimi i personazheve vjen i skalitur me mjeshtëri duke i shndërruar ato në karaktere universale. Ka një ngjashmëri të tyre me personazhet gogoliane, por nuk mund të thuhet kurrë se Agim Gjakova ka imituar Gogolin, apo e ka marre atë thjesht si model. Është vet realiteti shqiptaro-kosovar, që të detyron ta shohësh në trajta dhe forma të ndryshme, por mbi të gjitha me paanshmëri dhe larg nacionalizmave patetikë dhe folklorikë. Të shkruash sot me art, paanshmëri dhe guxim, është qytetari dhe fisnikëri. Për fat të keq, ende mes shqiptarëve, qytetaria dhe fisnikëria vazhdoje të bien në sy të verbër dhe vesh të shurdhër.


Të falënderoj Agim Gjakova, që na solle këtë vepër!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen