Dienstag, 10. Februar 2015

Jahe Fida - Dhjetë poezi


Viktimë e zemrës mbete!

Me agun e ditës linde.
Kur dielli ra e puthi horizontin

 iu vodhe atij se të deshi hëna! 
Qielli dhe yjet të donin...!

Por ndjenjat..., ah ndjenjat! 
Drejt zemrës time të shtynin!

Zemra të thirrte si e marrë!
Ti, dashuria-viktimë e saj mbete, 

kur të kyça, s’të lashë të ikje, 
Zemra të mbajti vetëm për vete...!

Erdhe! I dhe dritë! Aty marr frymë...! 
Në jetën e jetës, deri në tretje…!



Zgavrat…!


Të shikoj ashtu të shkatëruar, 
o pemë e vjetër, shekullore!
Sa keqas të paskan katandisur, 

insektet dhe shpendët mizore!

Në palcë të paskan goditur, 
trupi me zgavra të qënka fry,
në fole grenzash, gjarpërinjsh e mizash...!

Oh! Kështu s’mundet me t’pa ky sy!

Teksa të shoh kështu, ndjej dhimbje! 
Sa barbarisht me ty janë treguar...! 
Qortoj pemtarë e agronomë,
për moskujdesin e treguar!




Zëri që më vjen nga të tjerë shekuj!


Nga të tjerë shekuj më ushton një zë,
i fuqishëm, si zëri i këngëtarëve në kor. 

Një mesazh me peshë më përcjell ky zë 
Mesazh, që shpirtin ma bën therror!

Zëri më vjen nga thellësitë e shpirtit, 
të patriotëve, që për kët’ vend luftuan,
që s’kursyen as jetën, për vatanin e tyre, 

që kombin e donin, një shtet të bashkuar.

Dhe më thotë ky zë, që në kor më vjen: 
Duajeni atdheun! Është mbi gjithçka! 
Kujtoni gjakun që kemi derdhur lumë! 
Mos e lini kombin të përçarë e nda’!

Zbojini ulkonjat që e coptuan! 
 Bashkë me ta, dhe çdo tradhëtar! 
Qofshin këta të lindur me të tillë gjak, 
Qofshin të blerë në të flliqurin pazar!

Ndaj shqiptarë, kudo që jeni: 
Ju ftoj zërin t’ma dëgjoni!
Çojeni në vend ju, amanetin! 

Dilini zot vendit! Shpëtojeni!



Mëkat dashurie!


Mëkat bëre! U tregove e ligësht! 
Dashurinë, e le të rrinte vetëm, 
kur ike diku tjetër, me në sy trisht! 
Të nënshtroi bota e vjetër…!

Ike! Me vete more dhimbjen, 
e lotët s’t’u thanë një ditë!
Dhimbja keqas t’a trullos mendjen, 

këtë ti e ke më shumë se meritë…!

Dashurinë, e kishe provuar
e dije që s’ishte lodër për lojë.
Pse shkele keqas dashurisë tradhëtuar, 

kur ajo s’njeh zotëri e zonjë?!



Rrebesh..., si shiu!


Vargjet u bënë kopjace: 
imituan rrebeshin shi.
U turrën furtunë në muzë! 

Kërkonin domosdo poezi…

Vargjeve desha t’ua frenoja vrullin 
duke i ledhatuar, t’iu jepja ëmbëlsi! 
por, s’ka çadër ta mbajë rrebeshin,
ndaj i lash vargjet në të tyren melodi…!




S’e di..!


S’e di, në gaboi syri, 
apo zemra gaboi, 
në gabova unë,
a ndoshta të dy...!


Sido të jetë, ç’vlerë ka shkaku? 
Ne u ndamë, u ndamë, tani! 
Ti kudiku je strukur, vetëm, 
unë, s’di në lutem të vish ti!

Dhe po ta dija..., ç’vlerë ka?! 
Ne krejt kot u bëmë të largët, 
Kur u ndamë ashtu në hava!
Me tjetër tani shërojmë plagët...!




Sikletosur…!


Sikletosur ndjehesha kur isha pranë teje. 
Sikletosur dhe kur më ikje.
Sikletosur, kur rrija në heshtje, 

Sikletosur dhe kur të flisja e më flisje... 
S’po kuptoja çfarë po më ndodhte?!
Më dridhej zëri, djersa më mbulonte, 

Këputeshin gjunjët, zverdhesha djersë 
vjeshte.
Ndoshta,
sikletosur ndjehesha se të doja, 

Por, s’merrja guximin,
të ta thoja….!




Skifter u bëra


Skifter u bëra, u ngrita në qiell! 
Fluturimthi erdha te ju kreshpa, 
t’ju shikoja në këtë ditë me diell,
më të bukurat pamje të shijoja desha…!


Erdha tek ju, pashë mrekullinë. 
Krenarinë e shekujve aty e pashë, 
tek vështroja të lashtat shpella, 
pyjet dhe bjeshkët e pa masë…!

Borën e bardhë erdha të të shoh. 
Lulet e bukura atje, në lëndinë...
Eh! - thashë kurorë domosdo
për njerëzit e trevës dhe heroizmin!


U mrekullova nga burimet, ujët kristal 
nga ku nis Valbona, merr ujë Drini
ku blegërinë bagëtia në stan,
dhe ajri është burim frymëzimi…!


Ju kreshpa dhe bjeshkë të Nikaj - Merturit, 
Dragobisë e të tanë Malsisë krenare, 
kryelarta si besa e burrë-burrit,
Për ju sot, me endje skifter u bëra!




Nën hijen e manit


Nën hijën e manit, 
kaloje përditë.
Dilja të haja mana, 

Ty, duke të prit!

Ti ma dije hilen, 
dhe vije kastile, 
të qeshte fytyra, 
Ty, moj sy jeshile.

Bënte vapë e madhe. 
Goja kur të thahej, 
më të mirët mana
i mblidhja t’i haje.


Ti, si njomje buzët,
me hidhje vështrimin...

Një ditë ashtu befas 
me dhe përqafimin!

E që atëherë, 
ne u bemë një,
bashkë mbledhim manat, 

bashkë jemi gjithnjë!



Nëna të pret te pragu!


Nënës s’i thahen lotët! 
S’ka oreks, as gjumë ka,
del tek pragu shikon sokakët, 

shpresën gjallë akoma mba.

Del e pret fëmijën e saj,
 që i la imazhin e ikjes!
Trisht çastin e ndarjes së hidhur, 

që i fiku zemrës dritën.

Te ky prag, ashtu kërrusur, 
çdo çast pret fëmijën e saj! 
I plas zemra duke qarë, 
lotët shamia nuk ia thanë.

Do i vijë asaj nga larg,
 Fëmija shpirt do i vijë. 
Ndofta vonë do jetë atëherë,
zemra plas e s’ndjen të nginjë...!


Ndaj o i miri i saji fëmijë,
 mos e ler nënën kërrusur! 
Bëju gjallë e jepi lajmin, 
bëja jetën pakëz të lumtur!

Mos e ler nënën te pragu!
Hiqja brengën! Ktheja gëzimin!
Eja, jepi një buzëqeshje 

dhe në ikje merri bekimin

____________
Poezitë janë marrë nga libri "Vargjet pikojnë mall", Tiranë 2015

1 Kommentar:

  1. Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
    Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
    Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
    *Spell për të mbetur shtatzënë.
    *Magji për t'u ribashkuar.
    *Shëroni çdo sëmundje.
    * magji për fat të mirë.
    *Magji për pasuri.
    Dhe të tjerët.
    Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    AntwortenLöschen