Freitag, 13. Februar 2015

Mallkimi i poetit

Rrëfenjë nga Namik Selmani

        Këtu e vite të shkuara poeti Xhevahir Spahiu shkonte me hap poeti në zyrën pas pallatit të Kulturës në Tiranë ku aso kohe ishte libretist. Ishte një mëngjes i freskët nga ato që poeti kishte dëshirë që t’i kalonte diku në vjeshtën e Malindit e të Çepanit. Diku në Frashër apo mes burrave të urtë të Dibrës. Diku në Frashër apo mes liqeneve të Dumresë ku njeriu ngatërrohet gjithmonë duke i llogaritur saktësisht në numër e në emrat e tyre aq të bukur…
        Para se të hynte në zyrë e kishte për zakon që të përshëndetej me dy ullinj të moçëm, shumë të moçëm që ishin përballë zyrës së tij. I përshëndeste me sy, me duar, me krenarinë e madhe e të pashprehur se ato i kishte mbjellë dikur një gjysh që ishte njëherësh edhe stërgjyshi më i moshuar i të gjithë shqipfolësve.
        Me ndonjë varg të mbetur përherë i freskët e asnjëherë i kalbur në zahirenë e pambaruar poetike spahiane. Ndoshta pikërisht në ato ditë të trazuara të ndërrimsistemeve do të ketë mërmëritur monologun e papërsëritshëm: “Ah, sikur të më harrojë vdekja /si harron ullirin! Ah, sikur!” Brenda hapësirës së pamatë të infrastrukturës së tij poetike ai meditonte për ullinjtë. Për ata që shikonte e prekte, por edhe për ata që formonin kurorën ullishtore të Beratit, të Vlorës, të Çamërisë…Për kuvendet e panumërt që bëheshin në hijen e tyre. Për dasmat e panumërta ku djemtë uroheshin për të bërë djem më të fuqishëm se ata vetë. Për vallet e shartuara me blerimin e tyre. Për kurorat e fitimtarëve që bëheshin me gjethet e tyre hyjnore. Për kuleçet e festive të gatuara me vajin e tyre. Për plagët e kurrizëve të burrave të ftohur në ditët e betejave të përgjakshme që mjekoheshin me to…
        Po, ah, ç’kishte ndodhur? Ullinjtë nuk ishin më aty!!!!! Ishin prerë nga disa duar të panjohura për tërë natën. Një njeri i panjohur i kishte ngarkuar në natën e errët. Dikush i kishte transportuar në një vend të panjohur. Mos vallë i kishte dërguar në Skrapar për t’iu dhënë pak freski apo për t’i shtuar edhe më shumë lavdinë lavdimadhit dhe Mbretit të Këngës Demir Zyko? Mos kishin shkuar që të zbusnin sadopak dhimbjen e fshehur çame që prej shumë vjetësh në Arpicë, Paramithi, Gumenicë a në Filat? Mos?!
        Ç’thua kështu more poet?? A mos të ka zënë jermi e harron se çka po flet në këtë mëngjes të zakonshëm Tirane?
        Ullinjtë ishin prerë e mbi tokë kishin lënë disa gjethka të vogla. Nuk kishin mundur dot që të mblidhnin pak lëng të blertë ulliri për ta vënë në një Muze Ulliri me degët e ullinjve shumëshekullorë të mbjellë në vitet kur Tirana ishte a s’ishte disa kasolle të vetmuara buzë një lumi e pranë një kodre. Si në legjendat bashkëkohore, ullinjtë, mbase më të moçmit në Shqipëri e në Ballkan, ishin zhdukur nga harta e kryeqytetit të shqiptarëve për t’u zhdukur po kaq tragjikisht edhe nga harta e kujtesës popullore.
         Në atë vend do të bëhej një hotel me shumë yje. Nuk e mbante zyra. Turfullonte si kalë i plaguar poeti. Si Kostandini pa Dhoqinën. Si deti pa bregun. Si Skrapari pa dollinë. Si Prizreni pa Lumëbardhin ujëkristal që i kalon mes përmes si një kordele e blertë. Si Berati pa Tomorin. Po kujt t’i fliste? Kujt t’i qahej? Kujt? Kuujt?
        Atë çast ia behu në zyrë miku i tij nga Shkupi shkrimtari dhe esteti Ali Aliu.
        -Po ku ishe fshehur, more Ali? –gati sa nuk sokëlliu poeti. Aliu vinte nga Prishtina i malluar për Shqipërinë e miqtë.
        Para turfullimit të mikut të tij nga Tirana ai mbeti si i ngrirë.
        “Mund të presësh ullinjtë e Petrelës që janë 2000 vjeçarë? Po ata të Babicës që janë 2200 vjeçarë?- vazhdonte të meditonte a të thërriste poeti duke harruar traditën shqiptare të mikpritjes së tij me një përshëndetje fjalëëmbël për mikun e largët e të afërt.
        -Si ç’të kem, more Ali! Kanë prerë ullinjtë më të moçëm të Tiranës. Më gjej një kryeqytet në të gjithë botën që të ketë ullinj në zemrën e tij! Po ç’është këtej e tutje pa këta ullinj Tirana? Hë, më thuaj e mos më beso po të duash. A ka mallkim më të madh për ata që i kanë prerë ato? A mund që t’i ecë mbarë atij që ka në plan e që ka paguar për këtë vend kaq shumë? Iu thafshin krahët! Këto nuk i them unë, por e thua edhe ti, edhe të tjerët. E thonë të gjithë…
        U hap më vonë një gropë. E madhe, e stërmadhe. Si një kuçedër gojëzjarrtë. Një gropë që me vite të tëra me radhë kutërbonte erë plehu, erë krimi, erë… Një gropë që i hoqi edhe filizat e fundit të ullinjve që mund të kishin mbetur në palcën e dheut tiranas. Të tre MONUMENTEVE. Të tre vëllezërve degëblertë… Njëlloj me Monumentet e shkronjëtarëve të shquar shqiptarë Naim Frashëri dhe Abdyl Frashëri, për të cilët në ish truallin e Persisë fjalëmençur vetëm pas disa vitesh me aq kurajo poeti e dashurie për fjalën e kombit të tij do të propozonte që bustet e tyre të zbukuronin sheshet e lulëzuar të Teheranit
        - Hej, mos u bëfsh kurrë themel shtëpie, hoteli a ç’dreq ndërtese, moj gropë që more me vete ullinjtë më të moçëm të Tiranës!- mallkoi me sytë gati të përlotur poeti me sytë nga sheshi i boshatisur.- As kasolle bagëtish mos u bëfsh!
         ...
Dhe mallkimi i poetit zgjati, zgjati, zgjati mbi 20 vjet. Edhe deri tani. Dheu kurrë nuk u ngjiz që të bëhej “nënë”. Mbase edhe sot pas vitesh mallkimi i poetit duhet të bjerë mbi ullinjprerësit e Beratit, të Vlorës, të Myzeqesë, të Ballshit…për të shpërthyer sërish në vargjet filizëblertë. Jo pak po rreth 20 poeti ai ka bërë për ullinjtë.
         Bëj të vdes në një ulli, /bëj të vdes, por nuk vdes dot./o ulli më merr nënë rrënjë!

         Tek tregonte, fërkonte paksa gjurin e tij të sëmurë. “Larg sëmundjet nga poetët!–gati sa nuk thirra unë në atë çast me zë të lartë në gjysëmerrësirën e kafe “Evropës” me doktor Pandeli Çinën dhe me gazetarin e “mësuesin e arkeologëve “ të Skraparit, të mirënjohurin Nuri Çunin.
         Mos të zëntë kurrë mallkimi i poetëve! MOOS!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen