Samstag, 22. August 2015

Cikël poetik nga Dedë Shkurti


DASHURIA

Edhe pa të pesë shqisat ke mundësi
të frymosh, o njeri.
Mjafton të kesh shqisën e të gjitha shqisave
me emrin e bekuar nga Zoti, 
Dashuri! 

…Qe e hënë kur Zoti na dha shqisën e të parit
Dy sy mbinë në gropat poshtë ballit.

Të martën në vrimëm pas faqes
erdhi shqisa e dëgjimit
Siç kish ardhur qysh në Zanafillë 
bubullima pas vëtëtimës.

Të mërkurën dora njohu të prekurit
në ditën e tretë;
Të butën të ftohtën, të ashprën të nxehtën.

Bashkë më A-në e parë si tingull
ndieu shijen e tambëlit i sapolinduri fëmijë
Qe dita e enjte kur e shihte, i dëgjonte të qarit
dhe shijonte puthjen e përkedheljen
Nënë e tij.

Tek Zoti i gëzohej krijesës së vet 
plotësuar nga shqisa e parë në të katërtën,
Të premten, tundimi kësaj radhe
kish mposhtur Adamët e shkretë,
Kafshëve u vodhën nuhatjen!

E shtuna pesë shqisat ia nënshtroi egërsisë
ku s’dallohej dora nga putra.
Dhëmbi nga sqepi dhe thonjtë nga kthetrat
Zotit i kishin dalë nga vatha gjallesat
Kish plasur urrejtja në tufat-turma.

… Në ditën e shtatë Zoti e ndërpreu pushimin 
Krijesat e papërsosura të arrinin ujdinë 
Egërsisë dhe Urrejtjes 
përjetësisht ia gjeti shërimin :

Shqisën e vet ua dha pa kursim e shpërblim 
nëse do të dinin ta vinin në jetë?!
DASHURINË.




HEMATOMË DASHURIE 


O dashuri,
Trullos, nxjerr prej saj, përsëri e trullos këtë Botë
Herë na gropos shtatë qind pash e herë na ngre mbi re.
S’na thua: na bie ti, si tokmak mbi kokë,
Apo, si torollakë, kokën mbi ty përplasim ne?! 


Lëvizim si sonambuj, kokën me mballoma,
Instinkti nget këmbët verbtaz tek shtëpia,
S’na mëkojnë por qeshin me hematomat tona,
I gëzofshi këto Ënj’tje të bukura, bërë nga dashuria!




FAJI I PAGJETUR

Mos vallë fajin na e kanë sytë
Që nuk venë emër mbi lotë,
Dashurojmë me sy tej Yjtë
Dhe urrejmë me sy në tokë?!

Mos vallë këmba e ka fajin,
Në dyzimin e përjetshëm?!
Këmbëshpejtë në dashuri
Këmbëngulur në urrejtje?!

Në dashuri, fajin e ka dora
Kur tundon buzën ta puthë,
Kur, “urrejtje” troket ora,
I rrit thonjtë, e bëhet grusht!

Peshë e Kryqit mbi gojë ngulet!
Jo, mbi syrin, dorën, këmbët,
Dashurisë i fali buzët
Urrejtjes i fali dhëmbët!




BUZË MËKATARE

 ****
Në ziftin e mëkatit rashë me buzë,
 Më tundoi një buzë e trashë lajkatare.
 Buzët e mia skuqnin prush e shpuzë,
 M’u duk se putha një një gastare.

****
Dhëmbin qenit ia ngula pa mëshirë,
 Një klithmë t’i shkaktoja, një hemoragji.
 Asnjëra nuk ndodhi:
 Si pelte u shformua ajo buzë e shfryrë
 E kish puthur në klinikë një bisturi.



BEFAS

*****
E kam pranuar humbjen në lojë me qetësi.

Humbjet e radhës paralajmëronin dashësit e mi!
Përdor stërkëmbëzën! Godit i pari! Gjuaj befasinë!
(Në bindjen time, jo kryneçe, vazhdoja…)
Trasta të tëra humbjesh ngarkoja mbi shpinë.

Rasti erdhi si pëllumb në atë perëndim,
 Symbyllur, pa guxuar të të shihja
 Të dhashë një shtrëngim, një puthje-përvëlim!

Ti shtange;në dritën e hënës; dy pika loti
 shtegëtonin drejt buzës së pushtuar.
 S’e mora vesh dhe kurrë s’ta kërkova:
 U ndieve e tradhëtuar apo më e dashuruar?!

Gjysmëshekulli lojtar, gjithënjë titullar.
 S’e kam kuptuar, s’po e kuptoj asnjëherë:
 Në dashuri,
 Më mirë të jesh në sulm, apo portier?!

 ***
O, frymor i përkëdhelur nga Zoti,
 njeri!
 Ndalu e mendo vetëm një çast
 në qetësi:
 Je si një laps, gjurmon jetën tënde
 si një vijë.
 Në pamundësi ta koregjosh,
 ta fshish përsëri.



ÇAST TUNDIMI

 *****
 Police e bukur, police e bukur!
 Skuqesh kur më merr gjurmën e gishtit.
 Mos më tundo, çapkëne,
 E bëj një ditë burg për një të puthur!

*****
Puthja është gjurma ime e Shpirtit.



PUTHJET

*****
U deshëm
 Derisa puthja shkoi në pikën e vlimit,
 Dhe numrin asnjëherë s’e mbajtëm mend.
 Secila dukej si puthja e fillimit
 Botën e tërë e kishim ne, nën këmbë.

*****
 Më tej s’e zgjatëm, s’deshëm avull,
 Në Ekuatorin tonë, shpinëpërshpinë.
 Lamë pas tropikët, kontinentet- akull,
 Ti, drejt Antarktidës, unë, në Norkeping.

*****
 Atje provuam të tjera dashuri,
 Në dy pole, një qiell, një Yll Polar.
 Puthjet kondensonin, gati për t’u ngrirë,
 Nuk vlonin më si puthja jonë e parë.



JU QË DO TË VINI

****
Ju që do të vini
 Për shumë gjëra mund të na tallni:
 Çfarë bukëngrënësish paskeshin qenë,
 stomakmëdhenj!

Se Zotin, nderin dhe moralin,
 S’i barazuam me mite, lezbike dhe gej.

*****

Të dashurat,
 me valë mund t’i bëni shtatzënë
 Nga një planet tjetër, në të tjera Re,
 Mund të ripërtërini gjenerata,
 pa babë e nënë,

Por, kurrë nuk do të mësoni
 të dashuroni si ne!

*****

Do të valloni si sonambuj Gjithësinë.
 S’do të shihni para hunde
 Lumturinë.



QENËRI NË NGJITJE

*****
Mësova një gjë që ia vlen për ta ditur
 Janë gjallë katërqind milion qen në Planet
 E dini, këtë numër popullsie, Amerika
 synon ta arrijë në dymijë e pesëdhjetë.

Bashkëjetuam me ta pa lindur ende Dhjata
 Fluturuam si partnerë me modul në Orbitë
 Braktisën kolibet, na kërcyen mbi krevate
 (Pesëdhjetenjë/dyzetenëntë = shumicë/opozitë.)

Pavllovit i vihet në dyshim shpikja me refleks
 Cili qe Objekti, qeni apo i zbuturi njeri?!
 Qenve sot u shërbehet me mastër shef
 Zotërit e qenve shpallin grevë me uri!

Na rroftë UNICEF-i, të drejtat e fëmijëve
 Ata lypin rrugëve, vriten si në Vaterlo.
 Qenve u fali jetën e mbetur dhe bukurinë
 E magjishmja Yll i kinemasë, Brixhid Bardo!!

Si mund të ngelnim prapa ne, bijtë e Shqipes
 Qenëria, sa asnjë Zë tjetër, ka rritur kualitet
 Fëmijën rom e çon në spital në krah një ministër
 Në Sauk shkon qeni në operacion me Kabriolet ?!

Po u japim qenve çfarë Zoti ne na kishte dhuruar
 Dashurinë sensuale, banjot me shkumë, krehjet.
 Në morëm instiktet u dhamë refleksin e kushtëzuar
 U dhuruam fjalën dhe u përvetësuam lehjet!

Nuk kemi përse çuditemi me kronikat bardhë e zi,
 Me dukuri, ndodhira e shfaqje: pa koment.
 Progres në qenëri,…vendnumëro në demokraci,
 Shqyhemi e lehim si qentë në Kuvend!

****
“E Bardha dhe Të Zezat”

Tiranë,2014


ZHGËNJIMI I LUFTËTARIT

Gunën gjysmëçveshur, pushkëlëshuar, ballëngrysur, Luftëtar.
Prapa shpine pas të ndjek si manar një re e bardhë.
Shtangin ernat. Gurët shtrydhin si gjinj shterpash mbi Moravë.


Ç’të ka ngjarë?!

Liri djepit ku u lindëm!  Vdekjen supesh shkundëm.
E bekuara e kërkuar e gozhduar majë plumbash!
Puthëm dheun përmbi varre për ta sjellë në krahë pëllumbash.


Pëllumbat rrugës u dredhuan në skifterë me sqep e kthetra.
Kapedanët flakën gunat, yje e grada mbi xhaketa.
Lirinë -bardhën paketuan nëpër xhepa dhe kuleta.

Ç’më ka mbetur të bëj tjetër mbi këtë djep që na përkund?
Përmbi vdekjen pushkërova, përposhtë jetës do të humb!
Pushkës qytën t’ia bëj furkë, tutënxehtën ta bëj plug!


Dymijë vjet bëmë tre mijë luftra
Dhe lirinë s’e poqa kund!


Korçë, shtator 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen