Mittwoch, 5. August 2015

Xheladin Mjeku - Kur vlerësohen vlerat


  • Murat Z. Gecaj: “PËR JU, KRIJUESE”, botoi “EDLORA“ – Tiranë, 2015

1. Çasje


Me Prof. Murat Z. Gecajn është kënaqësi të takohesh në çdo kohë, e për çdo rast, sepse ai asnjëherë, nuk ndodh të të mos befasoj me punën e tij, me angazhimet dhe krijimtarinë e pandalur, që e mban të freskët e plot elan për punë. Derisa po pinim kafet e takimit tonë në Tiranë më 23 maj të këtij viti, ai para vetes, mbi tavolinë, ku po rrinim, kishte vënë dy librat e tij të sapobotuar, për të cilat kisha dëgjuar se ishin në proçes botimi kohë më parë: “Me shpirt atdhedashurie” dhe “Për ju, krijuese”. Kurreshtar t’i shikoja që të dyja, befas më bëri përshtypje “Për ju, krijuese”, titull ky që simbolikisht më tingëllon si një përkushtim i fuqishëm për krijueset e vlerave të artit, të poezisë e kulturës, në përgjithësi. I përqëndruar në pamjet e kopertinave të të dyja librave që qëndronin aty mbi tavolinë, sikur më bënte ta dëgjoja një zë që më thërriste: “Ja këtu janë emrat që takojmë çdo ditë në jetën tonë. Portretet që na pasqyrojnë botën kulturore kombëtare, që shtrinë krahët gjithandej kah frymojnë krijueset tona, tashmë të dëshmuara edhe jashtë kufinjëve të atdheut, jashtë kontinentit plak e deri edhe në botën e largët, Amerikë, Kanada, e gjetkë”.
 

Vërtetë kisha të drejtë në këtë “dyshim”. Po takoja një për një vlerat dhe të vlerësuarat nga një penë e hollë mjeshtrore që din dhe ia del t’i skalisë lapidarë këto ambasadore të kulturës dhe artit që na përfaqësojnë denjësisht me vlera shpirtërore, letrare dhe artistike në përmasën mbarëkombëtare.


2. “Pasqyrë e të rrëfyerit” si model i realizimit lapidar të veprës

Nuk është rastësi ky nëntitull, meqë në realizimin e këtij projekti nga të veçantit e këtij lloji, për të mos thënë një krijim i tipit unikat, i realizuar nga pena mjeshtërore e publicistit, studiuesit të njohur në fushën e letrave shqipe Prof. Murat Gecajt, takojmë një çasje krejt ndryshe në prezantimin e portreteve të këtyre krijueseve. Ai nuk i qaset realizimit të kësaj materje veç me shënime e të dhëna të autoreve që do t’i prezantoj këtu, por si një bletë punëtore që shëtit lule më lule, i takon një për një, duke u marrë të dhënat dhe mendimet e tyre për përvojat jetësore, për krijimtarinë letrare, artistike, për veprimtaritë tjera krijuese dhe humanitare, kryesisht për arritjet dhe synimet në të ardhmen. Kjo formë e realizimit të librit të kujton punën e palodhshme dhe plot elan të një dashamiri të denjë të të arriturave në kulturë, art e letërsi, të brezave të ndryshëm të pjesës më të vlerësuar të kombit, të femrës shqiptare, që me vetëdijen dhe guximin e saj hyri në fushat e pafund të jetës artistike, për të dëshmuar kështu vlerat e një populli që ecën krah me zhvillimet e qytetërimeve tjera evropiane dhe botërore, në përgjithësi.

Autori i këtij vëllimi reprezentativ të krijueseve shqiptare, me mençuri ia del ta konkretizoj synimin e tij, që të mbledh faktet për autoret, duke i intervistuar, duke dialoguar dhe, me krijimin e mundësisë që ato të rrëfehen shlirshëm për jetën dhe aktivitetet e tyre. Po shkëpus një shembull, si i qaset Prof. Murat Gecaj trajtimit të këtyre temave. Në bashkëbisedimin me Liljana Kristulin, ku që në fillim ia përcakton qëllimin e bisedës duke i parashtruar pyetjet e tij: “Është kënaqësi, dr. Lili, që po bisedojmë bashkë. Dy janë arsyet kryesore: Së pari, krahas botimeve profesionale, shkruan edhe në fushën e letërsisë. Së dyti, ke shërbyer në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga jam edhe unë. Po kësaj teme do t’i kthehemi pak më tej. Pra, po e nisim bisedën me pyetjen, kur ke filluar të shkruash?”, (fq. 11), Kjo formë e shtjellimit të temave të përcaktuara i krijon mundësinë autorit që përmes dialogut të mësoj gjithçka për akcilën prej autoreve, krijueseve, artisteve dhe veprimtareve të shumta, që i ka bashkëvendosur nën një kupolë të përbashkët me titullin simbolik dhe komunikativ “Për ju, krijuese”. Dialogu këtu është njëra prej metodave të punës krijuese në realizimin e këtij libri, por jo vetëm dialogu vjen në shprehje në këtë rast. Një kollazh i mirë mjetesh në veprim ia mundësojnë realizimin e këtyre temave, si dëshmitë biografike, librat e botuar, pastaj mjete, si aparati fotografik dhe bloku i shënimeve, që Prof. Murati i ka të pandarë në përditshmërinë e tij.

Pothuajse shumica e krijueseve rrëfehen para altarit të dashurisë për artin, të bukurën, për jetën plot sakrifica e për dhuntitë e tyre krijuese, deri në arritjen e vlerave të dëshiruara, Një rrëfim i këtillë mundëson që më lehtë të shpalosen përvojat e tyre jetësore dhe veçoritë e tyre krijuese, që janë bashkërenditur në libër. “Pasqyra e të rrëfyerit” na kujton këtë realizim të veçantë për nga forma e shtjellimit, që Prof. Murat Gecaj e realizoi, falë punës së tij të palodhshme, duke mos u ndalur për asnjë çast në aktivitetet kulturore, në përurimet dhe përvejtorët e shumtë, kudo që i bëhet ftesa për pjesëmarrje. Falë këtyre aktiviteteve të shumta Prof. Murati ka krijuar shumë lidhje miqësie me krijuese e artiste të shumta, duke gëzuar respektin dhe dashamirësinë e tyre. Pikërisht nga ky fakt del se, pothuajse të gjitha e njohin më mirë me emrin “Babushi”.

 

3. Paraqitje e tre breza krijuesesh

Prof. Murat Gecaj me qëllimin më të mirë ka sjellur këtu krijuese moshash e profesionesh të ndryshme, duke mos iu përmbajtur një kriteri strikt, por në frymën e aktiviteteve kulturore dhe njohjeve miqësore përmes rrjeteve sociale elektronike me to ia ka dalur të krijoj portretin origjinal të akcilës, duke vjelur të dhëna e dëshmi sa më shumë që të ketë qenë e mundur, që të pasqyroj sa më bindshëm jetën dhe veprimtarinë e tyre. Një prezantim i këtillë ka krijuar mundësinë që, pavarësisht krijimtarisë poetike, letrare, artistike e aktiviteteve tjera prej veprimtareje, të pasqyroj edhe kategorizimin sipas moshave. Në këtë vëllim prej 91 personazheve, 62 janë shkrimtare e poete, ndërsa 29 të tjerat janë artiste e veprimtare të njohura. Numër i mirë prej tyre (30 sosh), vazhdojnë të jetojnë e krijojnë në vende të ndryshme të botës, si në Evropë, Amerikë, Kanada, etj. që të bashkuara këtu me krijueset nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera amtare, vijnë si një trup i përbashkët i një prezantimi kombëtar.


Paraqitja e tre brezave të krijueseve krijon bindjen se autori ka qenë i mendimit që të prezantoi emra sa më gjithëpërfshirës, pa i privilegjuar ndonjërën prej tyre. Kështu, në moshën e re, që sapo kanë dhënë frytet e tyre krijuese, për të dëshmuar pastaj me shkrimet e tyre edhe në të ardhmen, vijnë: Nafije Salihaj, Seli Murati, Adivie Hoxha, Ermira R. Jusufi, Ganimete Thaçi (Hasjanja), Afrore Shaipi, Albulena G. Pllana, Belantina Venari, Blertë A. Prebreza, Ledia Riza Lahi, Denisa Cingari, e ndonjë tjetër që mund të ketë moshën e këtyre që veçuam.

Krijueset tjera, si: Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Albana Mëlyshi (Lifschin), Lida Lazaj, Zyba Hysa, Liljana Kristuli, Angjelina Krasniqi-Bardhaj, Ilirjana Sulkuqi, Kozeta Zylo, Vitore Stefa-Leka, Mimoza Agalliu, Raimonda Moisiu, Lumturi Vladi, Majlinda Nana Rama, Merita Gjoni, Puntorie Ziba, Shadije Hotnjani, Kozeta Zavalani, Alma Begaj, Rajmonda Maleçka, Reshida Çoba, Vjollca Spaho, Vojsava Nelo, Mimoza Erebara, Enkelejda Kondi-Massedboeuf, Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Lumturi Ymeri, Vera Istrefi, Seli Murati, Mina Çaushi, Makfire Canolli, Vjollca Pasku, Valbona Hykaj, Enkelejda Tahiri, etj. mund të konsiderohen brezi i atyre që me veprat e krijuara dhe me vlerat që prezantojnë kanë dhënë kontributet e tyre në një periudhë të gjatë kohore.

Brezi i tretë, që vijnë këtu janë kryesisht artiste e veprimtare, që ndonjëra tashmë nuk është në jetë, por veprat dhe vlerat e tyre mbeten pasuri e pakontestueshme shpirtërore dhe kombëtare. Poashtu, takojmë edhe emra që kontribuan dhe vazhdojnë të japin vlerat e punës së tyre të palodhshme, si: këngëtare, aktore, edukatore, historiane e veprimtare gjithandej nëpër botë, ku prezantojnë fuqishëm kauzën tonë kombëtare në instancat më të larta botërore e ndërkombëtare, duke takuar figura të fuqishme shtetërore e politike. Të këtilla i konsiderojmë: Vaçe Zelën, Nexhmije Pagarushën, Tinka Kurtin, Fatime Sokolin, Besa Imamin, Xhevahire Gashin, Lule Bajraktarin, Diana Bakalli (Shima), Fatbardha Gegajn, Persa Grabovën, Pandora Dedja, Qibrije Hoxhën, Dila Gecajn, Entela Binjakun, Sara Titka, etj.

Trajtuam kështu prezantimin e këtyre krijueseve për të dëshmuar se gjithnjë vazhdon të jetoj fryma e brezave, duke krijuar gjenerata të reja, trashëgimtare që premtojnë se arti dhe kultura jonë kombëtare dhe, pse jo edhe në përnasa ndërkombëtare synon të jap emra e personalitete pa shkëputje. Veçanërisht gëzon fakti se bota femërore ka një vend meritor në këto përmasa, që flet për një ngritje intelektuale dhe emancipuese të femrës shqiptare në breza. 


4. Aty ku flasin vlerat

Kur flet Prof. Murat Gecaj, nuk ka fije dyshimi se aty flasin vlerat dhe vlerësimet meritore, flasin sukseset, frymëzimet për krijime të reja, për gjurmime vlerash e krijuesish.

Ashtu siç e theksuam në fillim, ky vëllim, për vetë tematikën, këndvështrimet, stilin, figuracionin, etj. sjell një risi për mënyrën e realizimit, si projekt dhe vlerë letrare. Krijimtaria letrare-artistike e poeteve dhe shkrimtareve, veprimtaria shoqërore dhe humane e artisteve dhe e veprimtareve shqiptare, të cilat punojnë dhe veprojnë brenda dhe përtej kufijve të Atdheut, deri në Amerikën e largët dhe Kanada, vijnë përmes bisedave të lira me to, përmes diskutime dhe analizave për krijmtarinë dhe tematikën e librave që sjellin për lexuesin, përmes shkrime për përurimin e librave e dokumentarëve të ndryshëm, për jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre, në përgjithësi. Kjo krijimtari, në të shumtën, ka nivelin e letërsisë moderne të kohës, ka frymën e emancipimeve evropiane e botërore. Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë, për mesazhet e bukura dhe frymëzimin spontan. Gjuha dhe mënyra e trajtimit vijnë si një atraksion dhe lehtësi këtu, që e bëjnë librin tërheqës për lexuesin.

 Në mbyllje të këtij vështrimi veçojmë punën e frytshme të Prof. Murat Gecajt, në botimin e kësaj përmbledhje antologjike të shkrimeve monografike, analizuese dhe prezentative, me mjaft interes, jo vetëm për krijueset shqiptare të letrave shqipe, të artisteve dhe veprimtare tona të dëshmuara.
 Realizim, vërtetë mirë i realizuar dhe, vlera kombëtare të vlerësuara.



(Autor i këtij shkrimi është Xheladin Mjeku)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen