Mittwoch, 5. August 2015

Poezi nga Baki Ymeri (1)

Poezitë janë zgjedhur nga vëllimet "Kaltrina", "Dardania"  dhe "Zjarr i Shenjtë".


ËNDËRR
                                                                          
Ishuj plot dritë                       
Ëndërroj,
Majë malesh
Flamurin
E kombit tim                                                                              
E shpalos
Dhe ëndërroj:             
Rrafte librash
Nën qiellin e hapur
Dhe në të gjitha këto konture
Je ti si një dritë
E mbështjellë me erëtimë.



FQINJËT E DRITËS

E dashur,
Eja të bëhemi fqinjët e dritës!
Ti as që e di
Se përballë teje
Gjenden rafte
Bibliotekash të ndritura.
Eja! Të pëshpërita,
Hapi këto libra të lashta
Dhe lermë
Të ta përkëdhel trofenë!



QË NË SHIKIM TË PARË

Para së gjithash
Ne rrinim mes librave,
Ne një qendër të shkëlqesisë,
Të pritjes dhe të dashurisë.
Të ftoja në këtë Kështjellë
Fëshfërimash dhe vështirë
Më vinte të besoj
Se trupi yt bleronte
Pranë meje
Dhe, o, si piqeshin
Dhe si i vilja
Mes fëshfërimave të librave
Frutat pyjore të buzëve tua!
farë vjeshte, para së gjithash
Dhe ne, mes librash:
Që në shikim të parë.



YLBERI

Më ftove mu atëherë
Kur në ëndërr të ftoja.
Mes meje e teje
Ishte vetëm një udhë
Që përmes shkretëtirës
Na çonte në Parajsë.
Mbulomë mirë
Dhe fshihmë mirë!
Ti më thoshe
Dhe mu atëherë shiu pushoi.
E hapa përnjëherë dritaren
Dhe i solla pajë trupit tënd:
Tremije puthje.
Alo! Alo! Alo!
Pritmë, jam ylberi yt!



ARGUMENT

Për pafajshmëri
Nuk gjej asfarë argumenti:
Jam vetëm një mjeshtër
Që të ka zgjedhur
Duke të zalisur
Brenda një nate -
Lezetshmëri kalimtare
Që e kaplon ekstaza
Derisa te këmbët e tua
Dita i sjell
Argumentet e dritës.



LIED

A s'e sheh, e dashur
Se jemi sëmurë
Nga kjo dritë
E shenjtë
Për të qenë përsëri atje
Ku vdisja pas teje
Kur lulëzoje?



O ZOT!


Thuhet se gruaja
Nuk ka Zot.
Dhe megjithate,
Si e ke ngjeshur
O Zot,
Kur në trajtën e saj
E ke vënë shpirtin tënd?
Dhe si është e mundur
Të vuaj duke e parë
Dhe më vjen t'i përkulem
Dhe të të harroj!
Nëse në trajtën e saj
E ke vënë krejt dashurinë
E shpirtit tim,
Atëherë si është e mundur
Që ta lësh mbi dhe
Kur ti mirë e sheh
Se do të bëhet Zot?



E MBESHTJELLE NE FJALET E MIA


Nuk e di ciles grua
Ia vodhen krejt mendimet
Një ditë, kur kaploi muzgu
Dhe përnjeherë, mes nesh,
U shuan mrekullitë.
Nisi dëbora e parë
Dhe ranë aq shumë flokë,
Aq sa mund të bien -
Kur të kaplon një valë vetmie.

Të lusja, atëhere, ças  për ças:
Eja dhe thuamë se çka mbeti pas
E mbështjellë në dashurinë tingëllore
Apo në dritën e fundit të një ore!

Tani, mbështillu në fjalët e mia
Porsi në mëndafshet
Që lindja i sjell prore,
Të përqafoj,
Thuajse përmbi to:
Mrekullitë bëhen hyjnore.



PASTEL

Guaca e gjinjve tu
Ishte e shenjtë si hëna,
Ngjyra e tyre e bardhë
Ishte porsi shkuma
Në bregun e detit.



VARFËRIA E FJALËVE

O Zot, çfarë nate!
Ka aq varfëri për rreth
Saqë më kaplon trishtimi.

O Zot, çfarë nate!
Ki kujdes,
Ki kujdes për shpirtin tënd!
Më pëshpërit çapkënja
Që ma sjell
Dritën e fjalëve pa hije.



SHTATOR

Nga koha e prej kohëve
Fshih-më, e dashur!
Mbro-më, valëzo-më,
Fshihi fshehtësitë e tua,
Mendimet bëji guralecë,
Me të gjitha sekondat
Luti valët
Të mos më harrojnë!

Në kroje rrjedhëse vishu,
Shtretër prej ujërash shtro-më,
Pastaj çvishu
Dhe vazhdo të notosh
Valëve të përjetshme
Të bukurisë
Duke shkruar për çiltërsi
Me dritat e shtatorit.



RIMA TË DASHURUARA

I gjeta të përqafuara,
I gjeta të hidhëruara,
Ngase s' janë bashkë -
Hidhërimi është i lashtë.
Por hidhërimi i ri
U duket më i mirë:
Për atë marr një rruzull vese
Dhe një rreze hëne,
E qes hidhërimin mënjanë
Dhe ndërmjet
Ditëve të kryqëzuara
I përzjej me pluhura të magjepsura
Dhe më kaplon gjumi
Në shtratin e rimave të përqafuara.



PAS SHIUT


Pas shiut, botën e kaplojnë mendimet.
Dergjet, njësoj siç pemët
Që vuajnë nga vetmia.
Madje,
Edhe vashat e reja të qytetit
Thuajse i ka kapluar pleqëria,
Bile edhe ata që s' kanë kurfarë ideje
Për shndërrimin e fjalëve në dritë,
Duket se e kuptojne ç'është vuajtja.



DASHURI NË NJË QYTET TË PANJOHUR

Zhgënjimet
Vijnë e shkojnë
Porsi femrat e reja.
Ato janë
Yje pa dritë.
Aq fjalë
Nuk thonë për to
As ujërat
Që kalojnë
Nën urat e shembura.
Në natën e kaltërt
Mendoja se dashuria
Ka sy të zinj
Dhe flokun si mjalta.
O, ata sy të kaltërt,
Për mua ishin
Nata më e zezë.



MJALTE

Më thuaj
Nga cilat stinë të të ftoj
Me flakërat e dëshpëruara të acarit?
Më thuaj, cilat drita ti tuboj
E të të mbështjell me to - e vluar
Me kohën e borërave që perëndojnë
Kur dëbora ka harruar se është shuar?

Eja, ti, mjaltë e shijuar
Nga gjuha e Zotit!



LUTJE

Zot i shtatit tënd,
Ditën e shtunë do të bëhem -
Ditën kur pa ty
Do ta ndjeja veten të shembur.                 .                         
Prit-më, edhe nëse s'vij
Dhe ruaje fuqinë tënde
Për ta shuar etjen time për ty!



SHERRIM

Vetëm për ty jetoj,
Vetëm pranë teje mund të flatroj,
Me ty mund të shkëpus nga fjalët
Flatra të mëdha.

Vetëm për ty marr frymë,
Për ty mund të luaj me zjarrin,
Me zjarrin që na e shërron
Sëmurjen e dashurisë.

Vetëm për ty jetoj,
Mrekulli e Zotit,
Grua
Me vajtim prej fëmije.




FINALJA E MADHE

Kur Engjëllit do t'i përkasë
Finalja e Madhe,
Fjalë s'do të ketë
Dhe s' do të ketë fjalë -
Kush je ti, moj
Mrekullia ime e gjallë.

Ti më gjykon,
Ti më trishton
Dhe më errëson
Pa qenë fajtor!
Ti më qorton,
Edhe kur hesht.
Kush je ti,
Moj bukuri e rrallë,
Mos je ti vallë
Mrekullia ime e gjallë?



RIMA TË LAZDËRUARA

Do t`iu urrej,
Duke ju dashur përherë,
O, te lazdëruarat e Zotit,
Ju rima, përjetë fajtore,
Thembra që shkelni
Mbi gjurmat
E frymëzimeve natore
Dhe botoni
Me kaçurrela fjalësh                                    
Ato që i harron
Edhe mendja më e shkujdesur.        
Ju vini e merrni njëmijë mëkate
Nga thesi plot fjalë të përqafuara,
Një arnë e qepni,
Ia jepni një palë -
Do të ju urrej
Edhe pse ju dua
Si dashurinë e parë.



ARS AMANDI

Ja se si më në fund
Arrita në skaj të botës -
Atje ku dielli
Përzjehet me kulosën
Duke u valëzuar
Deri në çakërdisje.
Përkulem dhe mbëltoj
Mbi shtatin tënd:
Tremijë puthje
Në kohën
Kur krejt bota
Zgjohet papritmas
E sëmurë nga gjumi.



PRITJE

Pas natërimit,
Prit-më në portën e agimit.
Jam këtu dhe nuk mund të shuhesh -
Drita na mban në krahëror me ëndje
Dhe na e shpërlan në ujërat e ftohta
Mjegullën time dhe vesën tënde.
Do të vemë kurora mbretërore
Dhe do të na vijë
Një turp i madh prore.



PA FJALË

Porsi Ovidi kam ardhur
Në luginën tënde të ëmbël,
Të ta ndjej ritmin e brendshëm
Duke notuar përmbi shtatin tënd
Të hijshëm, si një fushë dredhzash.

Porsi Ovidi kam ardhur
Në brigjet e këtyre ujërave,
I magjepsur
Nga rrëshqitja e një sirene
Që më kapiti
Që në shikim të parë.

Porsi Ovidi kam ardhur
Në qytetin e kapitjeve të ëmbla
Dhe dëgjoj
Mbi zanoret e fjalëve të mia
Shkrepëtimë lutjesh:
Eja edhe njëherë
T'i shijosh dredhzat
Porsi në mesverë!


KOH' E KRISUR

Sa do të vrapoj vallë
Pas kësaj bukurie
Prej qershisë së hidhur
Që hesht duke të ngjeshur
Dhe pastaj
E braktis vetveten!


PSALM

Kush je ti
Moj bukuri e hidhur?
Prej nga vjen
Dhe nga po ngutesh?
O, Zot!
Stërgjyshërit e mi,
Fqinjët e mi,
Miqte e mi,
Armiqte e mi
Dhe unë mes tyre
Gjith po rendim pas teje:
Të verbër e të cveshur,
Të shurdher e memecë,
Me mijëra vjet
Zvarrnisemi në gjunjë,
Përkulemi me evlavi,
Flijohemi për ty
Dhe ti gjith po na lind
Dhe trembesh prej nesh.



KENGE

Më thuaj moj vllahinke,
Çfarë qumshti të ka dhënë nëna jote
Dhe në cfarë dhomash të ka ngujuar
Që po të vjen kaq era e bukur
Si një trup i përkundur
Me përkëdhel;je të shkreta?

Prej nga e vjedh vallë
Shijen që po ta ndjej
Në gjirin e puthur me afshin
E resë së shpërthekuar
Në këmishën e saj të pambuktë?

Buzët tua janë dredhza?
Vaj, moj vllahinke,
Në mesditë kur krisi vetëtima
Përmbi to - shpërtheu erëtima.



BESNIKËRI

Përse rritet vallë
Vala përmbi peshq?
Një besnikëri kalimtare
Gjithnjë vjen dhe ua mbulon
rrëshqitjen
Ndërmjet shpresës dhe frikës.

Në fund të fundit
Edhe peshaqit ankorojnë
Në njëfarë limani
Si cdo anije e vjetër
të cilën vendalinjtë
E shndërrojnë
Në drurë zjarri.

Përse rritet vallë
Vala përmbi peshq?
Kjo është pyetja.
Përgjigja -
Edhe ajo është
Vetëm një valë.



KALTRINA

Qe dymijë vjet se po vrapoj
Pas teje
Porsi një mesazher i flatërzuar.

Që nga Durrësi e deri në Odesë:
Rumunë, shqiptarë e arumunë
Më ftonin në qëndresë.
Një valë prej mali
Apo fisnikërimi
Më rrethonte me temjan
E vaj të shenjtë
Qe dymijë vjet -
Porsi një mësazher i flatërzuar
Drejt Kështjellës së Bukurisë vrapoj
Që të të gjej.

Tani është rradha jote
Të vraposh pas meje
Dhe s'do t'i gjesh flatrat e mia
Ngase aq shpirt kam vënë në to,
Saqë i rrëmbyer nga arti
Për të të përvetësuar,
As që e kam ditur
Se kam depërtuar në vetëdijen tënde
Edhe për dymije vjet.



MURMURIMË

Me shpirtin në buzë
Duhet të jetë qenja
Apo buzët të kërkojnë
Atë shpirt
Që ik prej tyre
Ose shpirti t'i gjejë
Ato buzë
Që do të thonë:
Mos u mërzit se
Ne murmurojmë për ty.



FRYTI I NDALUAR


Kush është ky engjëll
Që po pret në dritare
Dhe në fund të fundit
Prej nga vallë kjo pyetje
Përmbi turmën
E përgjigjeve të heshtura?

Derisa qytetet po treten
Nën plehëra,
Fryti i ndal;uar lëkundet
Në degë, ne Fushë të Mjellmave.
Kush është ky engjëll?
E pyeta hënën
Dhe ajo m'u përgjegj:
Më mirë është mos ta dish!



BUZË TË LULËZUARA

Lule e heshtur ti ishe -
Lulet vdesin nëse heshtin!
Filizi yt ç'prej moti e dinte
Se si buzët e mia
I pëshpërisnin puthjet
Derisa edhe ato zaliseshin
Kur ti lulëzoje.

Lule e heshtur ti ishe -
E ndjeja mungesën tënde
Madje edhe atëherë kur dashuria jote
Përsëri mbyllej në burbuqe
Dhe vinte ai çast
Prej te cilit trembeshim që të dy.



DUKE RENDUR PAS BUKURISË

Të pëlqen poezia?
Më pyete.
Vaj, çfarë përgjigjeje
Po defilon në bregun e mëngjër
Të lumit tënd të lazdëruar!
Si të mos më pëlqejë erëtima e hidhur
E këtij trëndafili të pamoralshëm?!



HUMNERA

Më kot po pij nga kupa jote -
Qeshjeqarja jote,
Hapat e tu,
Nuk janë vecse:
Parajsë e vdekur,
Ekstaz i pluhurosur.

Pasuri të vjedhura,
Zgërdheshje e lazdërim,
Frone të përmbysura -
Të gjitha janë kujtime.
Nga agonitë e shekullit
Vetëm zigzaqet
E Ballkanit
Na tregojnë
Se çfarë të vërtete
Përmban humnera.



HOMO BALCANICUS


E shkuara varroset për së gjalli.
Çdo gjë që mbetet
Si ushqim, është
Vetëm paturpësia.
O, trima,
Çfarë lufte
Po çoni ju
Kunder
Kafshatave!

Nga historia, ja,
Duke ulërirë, dëgjohet
Një qen.
Pronari i tij -
Megalomanus Balcanicus
E nxit
Duke ia treguar një asht.

Bukuresht, 1993



MEIN GOT!

O Zot,
Çfarë burrash janë ata
Që gjejnë përkëdhelje më të shënjtë
Në vorbullën e gotës
Se sa mes buzëve të femrës!

O, shpirti im!
Loçka ime!
Engjëllushi im!
Jeta bëhet një stacion
Kur Venusi i Milosë
(Ajo pa krahë)
Nuk mund t'i mbajë
Valixhet.

O, Zot,
Çfarë burrash janë ata
Që nuk japin
Një dorë ndihmë?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen