Sonntag, 21. April 2013

Fehmi Ajvazi: ESTETIKA E PLUHURIT


 
ESTETIKA E PLUHURIT

Jeta virtuale kthehet në fakt
Përzirje ndjenjash na mbërthejnë
Me klithma me shantazh

Riciklohet kënga e vdekjes
Në skena të liga-hazarde
Në thellësi të betonta
Kohë të të verdha shpërthejnë

Librat i mbulon pluhuri modern
Pikturat e shenjta kidnapohen
Nga endacakë të lëbyrur
Të droguar në llozha vdekjesh

Rembranti Van Gogu Pikaso
Bien n’prita kriminelësh mizor
Anatema të trishtueshme pikturohen
Nëpër porno galeri e kazino

Ti se di çka po ndodh me kohët
As pse dialektika është e zezë
Jeta virtuale blihet me një lek

Plogështia e mëngjesit na plakë
Lakuriq dëftohet shpirti ynë
Pak nga pak i mbërthyer n’kryq
Mbërthyer n’zjarr e tym…
 
Marrë nga "Sofra poetike" në FB

Samstag, 20. April 2013

Arif Molliqi: SHI TE RRASA E ZOGUT


ARIF MOLLIQI

SHI TE RRASA E ZOGUT

1.

Rigon egër Një trazim i fshehur hovshëm mbetet në mes
Mbi shkëmb të prerë të Malësisë luftëtarët majë bjeshke
Çdo ditë të vijnë vullnetarisht nga lugina
Nga të katër anët e botës aty ku gufon zemra djaloshare
Atdheu thërret ejani në Koshare Përgadisni
Me fishekë e këngë majakrahut me zjarrin që gufon në gji
Ejani në shkrepat e thepisura aty ku Rrasa e Zogut ju pret
Kosova me vallen e shqiponjave në qiell
Rojet e tokave tona janë aty
Në lartësinë e Bjeshkëve të Nemura
Natyra është e dashuruar në luftëtarët e Lirisë
Aty shikimet dhe këngët e tyre të madhërishme
Rrinë në ujin e zhurmshëm të përroskave
Kosharja ua lidh trupin pas nëntë plagëve
Muzat e Rrasës së Zogut lajnë plagët me lotët e ngrohtë
Për betejën e nesërmë i bëjnë gati

 
2.

 
Në kasollën e pyellit në rrasën e gurit era njësoj e ftohtë
Pranvera në Koshare u kthye sërish sërish u kthye
Që një shekull e ngujuar në gurë
Dhe bilbilat sërisht filluan të këndojnë
Dëgjoj në heshtje zërat e mbrëmjes
Mbi gjethet e ahut shiu shembet,
Nga shkrepi në shkrep nga zemra e gurit
Vjen zëri i Sali Çekut
Thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit
Ti Kosovë e bukura Kosovë
Lindim dhe vdesim pë Ty

 
3.

 
Koshare Koshare ti kohë e netëve të gjata,
Ti kohë e ditëve të ndara dy pjesë të Atdheut
Tash nata e Bartolomeut aty
Çasti i kohës së ndaluar përtej tokës së rrudhur
Mbaroi Guri i kufirit s´është më
Rrasën e Zogut Muzat shqiptare e mbrojnë
Këtu ku rri unë,s´ka dritë asgjë shqiptare
Këtu edhe frika për vdekjen s´është shqiptare
O më falni s´jam si Ju
Ujë nga Rrasa e Zogut s´kam pirë
Muzat e Bjeshkëve të Nemura s´më kanë përkundur
Apo s´di s´di a kam të drejtë
Dashurinë për Ju e shkruaj në mërgim
Mos më ndërpritni i di të gjitha
Sonte një ushtimë shkrumb valë-valë zbret
Krisma armësh Vegimi s´më gënjen
Gurët në Koshare po thyejnë qafën
Shi të Rrasa e Zogut shi në Çiçavicë shi në Pashtrik
Gurët e varrit gurë kufiri u dridhën
U rrokullisën në kapërcell shekulli
Në humnerë as copat e ndërgjegjes Evropë
Dy krahët e një Torzo bashkohen
Tropoja pa mjegulla
Para agut në Pranverë

 
4.

 
Këtu gjithçka është kujtimi për Ju
Liria Rrasa e Zogut e kuqluar
Mbi barin e njomë të kësaj Pranvere fle
Por s´kam fuqi të bisedoj me Ju
Liria  fjala juaj e fundit  guri i kufirit
Bota s´bën sehir
Të degët e pishave të rrenjët Ahu hijemadh
Vashat ua lidhnin plagët e lotët e ngrohtë
Borën e Gjeravicës shkrin
Te pellgu i gjakut zogjtë s´i mbyllën dyert
Këngës tmeronte bajlozin e zi
Dielli ndërmjet Rrasës së Zogut nisi të dalë
Të ngrohë ftohtësinë në të dy anët

 
5.


Gjeravica beteja e re
Kohë shirash pranverore.
Heshtja shekullore shkëmbi Rrasa e Zogut
Kënga e trimit të plagosur jepkurajo
Ej moos u terhiqni Atdheunsërisht e pashë
Gjeravica  qëndron

 Shi në Rrasën e Zogut para lindjes se diellit
Sa e ftohtë sa e ngrohtë kjo natë
Agimi e Salihu ranë për të jetuar


(Tiranë, prill 1999/Hamburg, maj  1999)

Donnerstag, 18. April 2013

Dy poezi nga Qemajl Juniku



NJË DITË

Kut te verbohen sytë e kohës
Do të bëhemi djaj
Me emra robotësh
Do flasim me gjuhë kompjuterësh
Dashuria nuk do të ketë kuptim
Zemërgur do jemi
Mortjes nuk do ti përulemi

Sa të fortë do jemi një ditë
Mbi katallajë
Do t`i rrënojmë çerdhet e diellit
I verbojmë lindjet
Njerëz me emra robotësh
Secili do ta kemi nga një shigjetë
Për ti vrarë zogjtë në horizont

Do ti ngjajmë lëngatës
Qiejt do pikojnë dhembje
Njerëz robot
Flakë do përpijmë
Botë kuçedrash

Kur të verbohen sytë e kohës
Ëndrra nuk do të kemi
Zemër hekuri do jemi
Aktor me role të njëjta
Tragjedia e komedia nuk do të dallohen një ditë...




UJI RRJEDHË RRJEDHË

Ne urën e Tabakëve
Nën harkun e tretë
Fëmijëria ime e murosur

Në anën e majtë varrezat
Gurgdhendësi gdhend përkujtimoret
Shkruan për rininë e të vdekurve

Ura e dashuruar mbiu ujë
Uji i dashuruar nën urë

Nën urën e tabakëve
Harku i tretë
Rinia ime gur i shpuar
Varrmihësi mih
Gurgdhendësi gdhend
Me alfabetin e gurtë
Përkujtimoret

Nën urë uji rrjedhë rrjedhë



( Ura e Tabakëve është në Gjakovë,mbi lumin Ereniku)

Agim Desku: NË CILIN VARG MBES

 
AGIM DESKU

NË CILIN VARG MBES

Nga cili varg u nisa
Nga cili cep atdheu
Si ta shkuaj këtë varg poeti
Shpirtin si ta rrefej.

U nisa nëpër secilën kohë
Të shëtis botën
Me uratën tënde Mike
Të takohem diku.

Aty ku të rri bukuria
Si hyjni
Si më e bukura
HYRI.

TANAGRA
Më je
Në gjymsmë shpirti
U bëmë
Edhe varg poeti.

E atdheu të lirë
Të dhimbjes se mallit
Që kam Metropoleve
Evropiane.

Kujtoj lulet
Lapidarëve
Të falura
Me shpirt.

Si kujtim lirie
Për secilin varg
A fjalë.

Sa herë falëm
Unë e ti e vargu
Shetisim botës
Falëm edhe fjalë.

Për nënën
Si yll Davidi
Eh se si na rriti
E kaliti.

Si mrekulli atdheu
Më je
Nëna ime
Shqip.

Vargut u bashkuam
Ti lutem diellit
Për pak dritë
Për sytë e tu.

Aty ku jemi
Dritë zemre
Në një botë
Të fshehur
Plot magji.

Sonte
Në cilin varg
Mbeta për ITAKËN.

Fluturuam
Edhe në Çamëri
Ngado ku ka liri
Falem vargje zemre.

Vetëm lotët i morem
Si kujtim të shqipeve
E zanave.

Për një ditë
Të vijnë si vargje
Të lira
Në secilën kohë
Si varg poeti.

Secilën buzëqeshje
E falëm
Si kujtim
Që jemi Pellazgë.

Eh mbi varrin tonë
E duam një yll Davidi
Sebashku
Duam të rritemi
E të vdesim shqip.
Më.18.04.2013

Sylejman Aliu: STINA E LOTIT

 
Sylejman Aliu, poezi

Stina e lotit

Vinte diçka si furtunë
Bartej si vetëtimë
I mbledhur kruspull
Mbillja vetminë

Ngrih kokën lart, erdhi një britmë
Boshësi përrallash ndjellë
Dhe heshtja ra prapë
Në gjuhën time të dëlirë

Pranvera lotonte
Djegësima shkrepëtinë
Dhe një copë zemre atje
Dhe një copë zemre këtu
Gatuaja bukën e sime dhimbë

2.

Pushojnë gjymtyrët e shkepur
Mendja bën roje
Shemben mbi dhera ato hije të gjata
Masin e nuhasin qëndresën
Dhe ikin, ikin si shtrëngata

Mendja bën roje
Shpirti është i pagjumë fare
Shamitë valëviten me buqetë të zezë trishtuese
Dhe mbulojnë eshtrat e thërmuar n’varre

3.

Ngado nisem
Arave dal
Avullin e tyre ndjej
Erën e kalbur të vjeshtës së vonë
Dhe në megjë ndalem
Dhe prek gurin e ftohtë

O Zot
Tokën nënë me ftohtësi e ndajnë

I afrohem kroit
Stërpikat e tij lotojnë përreth
Më tutje hithrit
Rriten pa brengë
E dinë motin e lindjes
Dhe të shkurtrën jetë

Prishtinë, 1971

Dienstag, 9. April 2013

Fadil Curri: SHËNIME LETRARE NGA TETOVA


SHËNIME LETRARE NGA TETOVA

Në Tetovë këto ditë qëndrova që të vizitoj disa librari dhe të takohem me miqtë e mi të hershëm e të rinj, kryesisht shkrimtarë. Pikërisht një ditë pas zgjedhjeve të fundit lokale, pas së cilave për herë të parë në krye të komunës së Tetovës doli një femër shqiptare, edhe ajo letrare. Takova edhe dy miqtë e mi të penës, Adem Abdullahun e Aqif Isakun dhe atë të rinisë studentore, satirikun Ekrem Ajruli.
Si rëndomë, në takimet e shkrimtarëve, interesimi i ndërsjellë është se çfarë shkruajnë, çfarë botohet në këtë anë. Nga Ademi, mësimdhënës, poet dhe botues i revistës për fëmijë “YLBERI plus” në Shipkovicë të Tetovës, e që shpërdahet edhe në shkollat jashtë këtij qyteti me rrethinë, kuptojmë për numrin më të ri të kësaj reviste.
Duke e shfletuar revistën “YLBERI plus”, në faqet e saj shoh se ka poezi, tregime e drama për fëmijë të autorëve të ndryshëm, përkthime e përshtatje. Ka poezi të Aqif Isakut, Jusufzija Ademit, dhe të nxënësve krijues, prozat përrallore të Alketa Dervishajt dhe drama e Qemal Halilit, adaptimin tekstor të Natasha Xhelilit. Revista kishte edhe faqet e ilustruara me tekste, humor italian, kuriozitete, për shëndetin e fëmijës, faqen encikolpefdike të pedagogjisë, fjalort për terma të ndryshëm shkollorë, Në faqen “Pasuritë tona” botohet fototeksti për qenin e Sharrit. Në faqet e saj ka shumë shkrime e vizatime të tjera interesante.
Në bisedën me mësuesin e pensionuar, Aqif Isaku, autor i disa librave letrarë me tematikë fëmijërore, na zgjoi kërëshërinë gjuha e ëmbël dhe e dashur për fëmijë në poezinë e prozën e tij.
Këtë herë për lexuesit e kësaj faqeje të dashur për fëmijë, por edhe për të rriturit, zgjodhëm një që bënte fjalë për malin ndarës të Sharrit dhe emrat e Lonit.




 Prozë për fëmijë

EMRAT NË KOKËN E LONIT

Në orën e gjuhës mësuesja nxënësve u dha detyrë të shkruajnë emra njerëzish, që përbëhen nga emrat e shtazëve, bimëve e dukurive.
Loni i shkroi këta emra: Luan,, drenushë, dallëndyshe, Petrit, zog, laureshë, flutur, lule, vjollcë, manushaqe, Trëndafile, Hëna, Ylber, ylli, yllka, Dritan, Drin, argjend, Hekuran, Astrit, Flamur.
Pasi mbaruan me shkrimin, mësuesja i kontrolloi se sa emra të tillë i kanë gjetur. Kur iu afronua Lonit, pa se disa emra i ka shkruar me gërma të vogla.
-Pse këta emra i ke nisur me shkronja të vogla? – e pyeti.
Loni iu përgjegj mësueses.
-E, si mund t’i shkruaj me të mëdhe, kur ata janë të vegjël për mua? Për mua dallëndyshja nuk mund të shkruhet Dallënddyshe, drenusha - Drenushë, zogu - Zog, lauresha - Laureshë, flutura - Flutur, vjollca - Vjollcë, lule - Lule, manushaqe - Manushaqe, ylli - Ylli, yllka - Yllkë, argjendi - Argjend.
Mësuesja qeshi dhe tha:
- Kështu emrat kuptohen e shkruhen vetëm në kokën e Lonit.,

Aqif Isaku



 Poezi

Ç’TË DUHET KUFIRI, SHARR!?

Me një trastë e shkop në dorë,
Nisa Sharrit për t’u ngjitur
Edhe pse reshte borë
Nuk ndaloja për të hipur.

Sepse malit të lartë sa qielli
Dhe me rrugë veç për një dhi
Do të më ngrohin rrezet e diellit
Lart në majë kur të arrij.

Dhe, kur të ngjitem lart atje
Ku shqiponjat kanë foletë
Do ta shoh mëmëdheun
Që e ëndërroja shjetëra vjet.

Dhe, si dhia majes Sharrit
Do të ecja ashtu lirë
S’ do të kurseja djersët e ballit
Që mëngjesi atje të më g’dhijë.

Eh, sa bukur do të ishte,
Sharr, o mal bukurosh,
Që kufi fare t’ mos kishte
E rrugën kujt t’ mos ia ndalosh.

- Mbi gurët e mi si lapidarë
Shih shqiponjën dykrenore,
S’ të pëlqen trimosh, vallë,
Si hijeshon tokat arbërore?

Si në kohë të Skenderbeut
Edhe sot krenar ngritet
Për të ruajtur kufijt e dheut,
Shih sa lart qiellit i ngjitet!

Edhe trimave të lirisë
Kaherë iu bëra kala
Qëndisur me gjak një plis
Me krenari e ruaj pa nda’.

Ndaj kufijt s’ kanë rëndësi,
Mos mendo për ta, or djalë,
Se shpejt koha do të arrijë
E s’ do të më shohësh më si mal.

Mes jush do të tretem
Që në një shtet të gjithë të jemi
Arbëri prore të mbetemi
Në të edhe Çamërinë ta kemi.

Aqif Isaku

***
Këtë postim po e bëj për dy qëllime:
1. Që të jap dromca letrare nga rrethi i Tetovës për lexuesit e kësaj faqeje.
2. Të bëj ndërlidhje frymëzuese e njohëse, miqësimi e këmbimi cilësish ndërmjet krijuesve e redaksive me mision të ngjashëm, me inters të shumëfishtë.
Përshëndetje, Fadil Curri.

Freitag, 5. April 2013

Një kumtesë nga Dr. Irena Gjoni

 
BOTUAR TE GAZETA “RRENJET” NE ITALI. Dr. IRENA GJONI “NDËRTIMI I ARKETIPIT TË MITIT PËR PËRBINDËSHAT DRAGOI DHE KUÇEDRA NË BREGDETIN E JONIT SHQIPTAR”


Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore në Prishtinë te “Java e Shkencës”   (15-20 maj 2012) Organizator: Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Botuar te “Rrënjët” në Itali.


NDËRTIMI I ARKETIPIT TË MITIT PËR PËRBINDËSHAT DRAGOI DHE KUÇEDRA NË BREGDETIN E JONIT SHQIPTAR

                                                                Hyrje
Një nga sfidat e etnologëve sot, është ndërtimi hipotetik i arketipave duke u nisur nga ato mbetje mitike që kanë mbërritur përmes mbijetojave deri në ditët e sotme.Objekti i këtij studimi është ndërtimi hipotetik i arketipit të mitit për përbindëshat Dragoi dhe Kuçedra në Bregdetin e Jonit shqiptar. Mbështetur në rekonstruimin e teksteve të shenjta e të fragmenteve të tyre, të cilët flasin për ndeshjen (agon) kozmike midis Dragoit dhe Kuçedrës, është e mundshme të rekonstruohet legjenda e Bregdetit Jonian.Miti i mbytjes së Kuçedrës dhe i lirimit të ujërave konsiderohet se ka të bëjë me pjesën e vitit kur mungon uji dhe kur udha e Diellit është lart, pra, rreth kthyerjes së diellit në verë.
Rekonstruimin e panteonit mitik të Bregdetit Jonian mbështetur në gjurmët e hulumtimeve simiotiko-filologjike e semiologjiko-etimologjike (të Lambercit e Çabejt) dhe etnologjiko-filologjike (hermeneutike të Paplekës), mund të sjellë supozimin se në legjendën mitike të Dragoit Jonian bëhet fjalë për heronjtë kryesorë të dramës kozmike mitike nga miti protoilir, pra edhe protoshqiptar, ku Dragoi e ka zëvendësuar alopersonazhin –(vetëtimsjellësin, vetëtimëmbajtësin), ndërkaq Kuçedra (si sunduese e botës nëntokësore) - botën mitike të pranverës së përhershme. Në të vërtetë Dragoi dhe Kuçedra janë të vetmit perëndi parashqiptarë e parailirë. Marrëdhëniet e tyre mund të ndërtohen pjesërisht. Kështu, në rrafshin protoshqiptar fitojmë këtë skemë të dramës mitike kozmike: Dragoi e mbyt/ndjek/mund Kuçedrën me vetëtimën/bubullimën.[1]


Kuçedra dhe Dragoi në traditën e Bregdetit tëJonit
 
Në mitologjinë e Bregdetittë Jonit shqiptar, e vjetër sa dhe vetë shqiptarët në këto troje e hapësira,ekziston një përbindësh me shumë kokë, me trup gjarpri që nxjerr zjarr nga goja e që quhet Himera. Herë shfaqet me kokë luani, ngërdheshur para sulmit, me bishtin e tij të një gjarpri që në shtrirje kap nga brirët një dhi. Himera është një lloj Kuçedre në mitologjinë e Bregdetit të Jonit.Kjo kafshë e përbindshme shfaqet kur dikton viktimën e pastaj zhduket.Mendohet se jeton në malet Akrokeraune ose të Vetëtimave. Himera është kafshë e steresë që “viktimat e saj” i godet me “flakët e gjata”, që i ngjajnë një gjarpri të zjarrtë.
Me Himerën lidhet një ndër dukuritë specifike metereologjike e më mbresëlënëse të Krahinës së Bregdetit që quhet Sifoni, ose Stihi. Ai, në kuptimin popullor, është i shtrirë nga retë mbi malet Akrokeraune e deri në det. Zbriste po nga reja lart e futej në det.Thithte ujë prej tij, përpinte anijet, shkulte ullinjtë. Populli mendon se kaq fuqi ka sifoni, sa nxjerr ullirin nga toka në Palasë dhe e shpie në Vuno. Po ta prisnin, nuk bënte dëm, ndaj bënin çdo lutje e kryenin disa rite për ta“prerë”. Dhe të gjitha e kishin burimin te Himera.
Edhe karakteristikat gjeografike të trevës rreth vendbanimit të Himarës japin pamjen e një përbindëshi.Sipas karakteristikave të saj, Kuçedra, në vija globale,përfytyrohet si hyjni e nëntokës, sepse jeton nëpër shpella e ujëra nëntokësorë. Nga ana tjetër, ajo shkakton breshrin, erërat e fuqishme, thatësirën me çka i ndalë shirat, që bien “nga qielli”. Me këto atribute lidhet me qiellin dhe fiton atributet e qiellit.
Përkundrejt kësaj Himere –Kuçedër, ekziston një Dragua. Veprimet e Dragoit lidhen me jetën e njerëzve në tokë. Ai kështu na del si një hyjni mirëbërës, i cili kujdeset për organizimin e jetës në tokë, në rastet kur kjo pengohet nga forcat destruktive, siç ështe kuçedra, të cilën e ka armik të përbetuar. Ja si i përshkruan Mark Tirta këto atribute të Dragoit: “Përdorimi i rrufesë si armë në duar të dragoit, tregon se këtu kemi të bëjmë me hyjni të qiellit, pra me një kryehyjni, siç ndodhte në kohën e lashtë dhe te grekët,trakët, sllavët, perianët etj. Edhe Zeusi, Jupiteri, Peruni dhe të tjera, në ndeshjet e tyre përdorin rrufenë, parmendën. Përdorimi i parmendës (plorit a zgjedhës së saj) së pavëdyer (të panëmur) si armë nga dragoi, është tepër domethënës si atribut i hyjnisë së bujqësisë.Kau ka një rol të madh si dragua.Ai, sipas besimeve popullore, në asnjë rast nuk fluturon, po bërlyket, gërryentokën me brirë e me to lufton.”[2].
Në këtë kontekst, shumë e njohur është në Bregdetin e Jonit legjenda e mëposhtme: “Në një vend të Kaonisë, Perëndia Diell goditi me rrufe demin (ose kaun) dhe nga plaga e tij filloi të rrjedhë gjak, i cili duke rënë në tokë,çuditërisht u jepte jetë luleve, bimëve, pemëve dhe çdo gjëje të gjallë. Armiku i Diellit dërgoi gjarprin i cili filloi të pijë gjakun e kaut pa e lënë atë të bjerë në tokë. Dhe atëherë, pemët dhe lulet filluan të thahen.Dielli u zemërua,u prek shumë dhe u mbyll të vajtonte në shpellën e tij qiellore.Nga lotët e shumtë që derdhi nuk po ngrohte dot tokën dhe atëherë toka u mbulua nga akulli.Gjarpri, i trembur, u fut nën tokë dhe nuk e pinte më gjakun e kaut i cili vijoi të rrjedhë pak nga pak. Pemët e bimët filluan ta pinë, por me kursim e në heshtje dimërore.Sidoqoftë, gjatë kohës që gjarpri flinte, ato krijuan rezerva te jetës, aq sa të shpëtonin kur të zgjohej gjarpri”.[3]
Edhe Dragoi në luftë me Kuçedrën përdor vetëtimën, e cila është atribut i qiellit.Dragoi, siç e thamë më lart, është qenie ktonike qiellore dhe, si i tillë është i lidhur me tokën, përkatësisht me bujqësinë, që nënkupton se është në shërbim të njerëzimit që merret me bujqësi[4].


            Ndërtimi i arketipit të mitit përpërbindëshat Dragoi dhe Kuçedra


Lufta kundër Kuçedrës ose substituteve të tjera të sajparaqet luftën jetësore të të mirës me të keqen, dritës dhe errësirës, tëforcave të kozmosit kundër forcave të kaosit.Mbytja e Kuçedrës nga Dragoi ështënjëri prej motiveve më të lashta dhe më të përhapura botërore.Në Bregdetin eJonit, në kohë shiu dhe vetëtimash e shkreptimash, thuhet se lufton Dragoi meKuçedrën e bregdetasit nuk i lenë gratë të dalin jashtë derës së shtëpisë,sepse thonë se i shkojnë në ndihmë Kuçedrës. Burrat vetë dalin të gjithë jashtëdhe thonë: “O Zot ndihmoje Dragoin tonë!”
Me legjendën për personalizimin e mitit mund të supozohetse këtu kemi disa fragmente të një teksti ritual, të mitit, i cili përgjatëshekujve ka fituar veshjen kishtare, nën të cilën qëndron rrëfimi mitik (pagan, ama parailire e parashqiptare) indeshjes midis Vetëtimsjellësit – qiellorit dhe kundërshtarit të tij si sunduesi botës nëntokësore, botës mitike të pranverës së përhershme, ose nëse epërmbysim amën mitike (ekofeministike) të ndeshjes së të ashtuquajturitpërbindësh me kundërshtarin e tij. Meqë është fjala për një legjendë mitikefragmentare, ku si heronj themelorë kemi Dragoin dhe Kuçedrën, të cilët nërrafshin protoshqiptar e protoilir (në të a.q. interpretim"panteonik") figurojnë si vetëtimmbajtës Dragoi dhe formëgjarpri Kuçedra, është e nevojshmetë theksohet se nuk është fjala për aspektin e hyjnive të së mirës dhe sëkeqes, sepse në religjionet natyrore, botëkuptimi i ndeshjes kozmike me tëcilën lirohet uji pjellor prej botës nëntokësore të Kuçedrës, si botë mitike epranverës së përhershme, të dy hyjnitë përmbajnë atribute edhe të hyjnisëdobisjellëse edhe të hyjnisë rreziksjellëse. Domethënë nuk ka indicie qëprotoilirët dhe protoshqiptarët kanë pasur botëkuptim dualist për hyjninë e tëmirës dhe të keqes. Përveç kësaj, të a.q. përbindësha në vetvete shkrijnëdualizmin hyjnor-demonik,[5]
Fitorja e Dragoit kundër qenies së mbinatyrshme çon drejt‘zhdukjes’ së mungesës – rrjedhjes së ujit, lumenjve, përtëritjes së rendit, icili është i njëkohshëm me kthimin e forcave të plleshmërisë, vendosjes sërendit një herë të vendosur pas daljes në skenë të kaosit. Kjo duket edhe telegjenda e mëposhtme e gjarprit të Bistricës: “Në zonën e Delvinës, në lashtësi ishte njëgjarpër i madh, i cili ishte bërë tmerri i zonës. Ai jo vetëm kishte zënëburimet, por edhe hante çdo gjë që i dilte përpara. Tentativat për ta vrarëgjarprin kishin dështuar, por u kërkua mençuria e një plaku. Plaku ngarkoi njëgomar me eshkë dhe qymyr dhe kur përbindëshi ishte në gjumë, plaku e vurigomarin në vendin ku flinte gjarpri dhe ndezi eshkën e ngarkuar në gomar. Gjarpri pasi e pikasi gomarin, e hëngri megjithë ngarkesë.Eshka vazhdonte të digjej dhe bashkë me të edhe gjarpri. Meqënuk i duronte dot dhimbjet, i kërkoi ndihmë perëndisë së detit dhe Bistricës. Itha: “Ku je, o nëna ime Bistricë dhe ti motra det!” Bistrica nxorritetëmbëdhjetë burimet e “Syrit të kaltër”, por nuk i mjaftonin gjarprit. Ai ekuptoi gabimin dhe thirri: “Ku je, o nëna ime det dhe ti o motra ime Bistricë!”Deti erdhi deri në Finiq, por nuk arriti dot më lart e ta shuante zjarrin ebrendshëm të gjarprit. Që të shpëtonte nga dhembjet, gjarpri lëvizi meshpejtësi në shpatin e malit mbi Delvinë. Nga rruga e lëvizjes së gjarpritmbinë dy radhë lisash paralel për kilometra të tërë faqe malit, që nga vendasitështë quajtur e quhet “Rruga e gjarprit”. Aty sot gjendet një dukuri kompleksenatyrore me origjinë gjeologjike në të dy anët e së cilës kanë mbirë lisat. Mekockat e gjarprit, - përfundon legjenda, – u ngrit Manastiri i Mesopotamit”.[6]
Kalimi nga errësira drejt dritës nganjëherë shpjegohet edhe si pasojë e disfatës së përbindëshit që ka gëlltitur Diellin. Që këtu del se“heroizmi i trimit" vendoset në epiqendër të ndryshimeve ciklike sezonale, duke i transformuar përfytyrimet e mëparshme për vdekjen dhe lindjen e hyjnive të natyrës, që e thamë më lart. Në vendin e hyjnizimit të kohës natyrore, përmes ciklizmit dhe përputhjes së fazave të botëve të ndryshme, çon jo vetëm në mbytjen e Kuçedrës dhe i lirimit prej saj i burimeve të ujit, por e pllenon tokën (lavrimi simbolik, hierogamia).Mundja e Kuçedrës dhe lirimi i ujrave, shenjon fuqinë prodhuese të metalit, me çka njeriu ngrihet mbi qeniet tokësore,bile edhe mbi stuhitë dhe bëhet krijues i fatit të tij ekzistencial. Përfytyrimet e tokës, të cilat gjithmonë kanë qenë personifikim i hyjnisë femërore, kurse qielli i hyjnisë mashkullore, tani ndryshohen dhe arrihet tek hierogamia midis hyjnisë së parë dhe trimit[7].
Paraqitja e religjioneve monotoiste, atributet e Dragoit që vret Kuçedrën u vishen shenjtorëve të ndryshëm, të cilët luajnë rol të rëndësishëm për forcimin e besimit. Në krishtenizëm këto atribute i vishen shën Gjergjit e shën Ilisë. Pra për shqiptarët Shën Gjergji ishte Dragua, ndërsa Shën Ilinë e përfytyronin të hipur në një kalë të bardhë në qiell prej nga lëshon rrufe në qiell. Ndërkaq   në islamizëm, atributet e Dragoit i vishen Sari Salltikut, një shenjtë bektashian i shekullit XIII.[8]. Kjo edhe është faza e personalizimit të qenieve mitike, të cilat nga një përfytyrim i përgjithshëm për to, në vetëdijen e njerëzve konkretizohen me një emër të jetës reale – shpjegon Qemal Haxhihasani, që njëkohësisht shënon edhe fazën e kalimit “nga bota e përgjithshme e mitologjisë në atë të njerëzve të shoqërizuar e të personalizuar. Kemi këtu momentin e parë të lidhjeve të individit si person me bashkësinë e tij epike, por edhe me universin e tij shoqëror e kozmogonik”[9].
Qemal Haxhihasani duke i mëshuar kësaj çështjeje, por në një kontekst tjetër, në kontekstin e saktësimit historik të figurës së Gjergj Elez Alisë, ecurinë diakronike të formimit të kozmosit mitik etno kulturor shqiptar e dallon ne tri periudha:
(a)     në periudhën e parë bën pjesë lufta e Dragoit me Kuçedrën: “dragojtë luftojnë kundër këtyre përbindëshave me parmenda /.../, fakt që flet për praktikimin e kulteve bujqësore në popullin tonë që në kohërat më të lashta”;


(b)     “Në periudhën e dytë,janë figurat e kozmosit mitologjik shqiptar ato që i shndërrojnë heronjtë nga barinj të thjeshtë në kreshnikë legjendarë, në luftëtarë të guximshëm, të vendosur dhe të pamposhtur për të mbrojtur vendin, të drejtat, jetën dinjitoze,kulturën, doket e tyre tradicionale”;
(c)      “Në periudhë e tretë këta elemente jo vetëm që do të marrin zhvillim të mëtejshëm, por edhe do të shkrihen në mënyrë të pandarë në një të vetme organike, në një kozmos etnokulturor veçues, në vjetërsi normash të sjelljes së anëtarëve të fisit që do të dallojnë heroin e epikës sonë heroike tradicionale prej atij të popujve të tjerë“[1].
Sipas tij Kuçedra përfaqëson të përgjithshmen, kurse Dragoi të veçantën, personalen. Gjithnjë në këtë drejtim ai pranon evoluimin e kësaj figure, por këtë e shpjegon në një rrugë tjetër me anë të individualizimit, personalizimit. Prandaj, sipas kësaj, Kuçedra do t’i përkiste periudhës më të hershme, asaj politeiste, kurse Dragoi një periudhe më të re, në prag ose përgjatë periudhës së formimit, konstituimit e të konsolidimit të besimeve monoteiste. Mirëpo, meqë i përkitkan dy periudhave të ndryshme, atëherë nuk gjen shpjegim nevoja e ndeshjes së tyre. Sikur të mos kishin bashkëjetuar,atëherë as nuk do të kishte nevojë të ndeshen dhe sikur të kishin jetuar në periudha të ndryshme pse u ndeshën, kur nuk e kanë mbërritur njëri – tjetrin? 
Në këtë mënyrë shpjegohet procesi i kalimit të perceptimeve mitologjike, të një periudhe shumë të hershme në një periudhë më të re. Mitin e mbytjes së Kuçedrës dhe të lirimit të ujërave për nevojat e njerëzimit,krishterimi, si e pamë, do ta zëvendësojë me shenjtorë të kalendarit të besimittë krishterë[2],me njërin prej shenjtorëve më të rëndësishëm të tij shën Gjergjin që është shumë i përhapur në krahinën e Bregdetit të Jonit, ndërkaq figurën e Kuçedrës do ta zëvendësojë me gjarprin, që është simbol i djallit. Ndaj edhe kishat do të stolisen me ikona të fytyrës së shën Gjergjit, i paraqitur si kalorës (edhe kjo është atribut i Dragoit – mendon Haxhihasani[3])që e vret Kuçedrën, alias djallin.


    Pikëpamje të ndryshme mbi kohën e ekzistencës së Kuçedrës e Dragoit


Në ballafaqimin e atributeve të Kuçedrës me Dragoin në studimet etnologjike shqiptare, duke i bërë jehonë pozitivizmit historik dhe sidomos teorisë së bartjes e të huazimit të motiveve, bëhen përpjekje që këto dy figura mitike në koordinatën vertikale historike të paraqiten sikur ndjekin njëra – tjetrën, domethënë Dragoi ndjek Kuçedrën dhe kështu krijohet përfytyrimi sikur kemi të bëjmë me një figurë mitike, por të paraqitur me dy emra dhe që i përkasin dy periudhave historike: Kuçedra e një periudhe më të lashtë e ka zëvendësuar Dragoi i një periudhe më të vonë. Duke ballafaquar Alojz Shmausin, Albert Lordin e studiuesit rus përqafohet pikëpamja se “këtu kemi të bëjmë me një hyjni të një rendi më të ri, që asgjëson një hyjni të një rendi më të vjetër”[4].
Harrohet me këtë rast një karakteristikë e veçantë dhe dalluese e të dy këtyre qenieve mitike. Atributet e tyre të kundërta ndihmojnë të përvijojmë pikëpamjen tonë, se nuk përfaqësojnë një hyjni të vetme në dy periudha të ndryshme  historike (pasuese të njëra – tjetrës), po janë hyjni të të njëjtës periudhë dhe me atribute të kundërta: njëra përfaqëson hyjnitë nëntokësore (Kuçedra), ndërkaq tjetri hyjnitë qiellore (Dragoi). Po përmendim faktorët qenësorë dallues midis tyre: 
(1)Kuçedra është demon i nëntokës dhe duke tentuar të shoqërizohet me jetën tokësore ushtron dhunën në familje e në mjedis shoqëror, në bashkësi (pavarësisht se në disa përralla “zbutet”e mëshirohet), shkatërron bimësinë dhe jetën tokësore.
(2)Dragoi, ndërkaq, është hyjni solar, që zbret nga qielli në tokë për t’i mbrojtur tokësorët nga dhuna dhe shkatërrimet e Kuçedrës.
Sipas kësaj del se këtu nuk kemi të bëjmë me shtresëzime të atributeve të këtyre përbindshave nëpër periudha të ndryshme historike, por me dy hyjni, të cilat takohen, ndeshen në qiell, në një zonë të ndërmjetme midis diellit e tokës. Dhe në këtë pikë arrijnë vertikalisht nga drejtime të kundërta: Kuçedra nga nëntoka, kurse Dragoi nga Qielli.
Dragoi
↓
Toka
↑
Kuçedra
Si përfundim, nga gjithë kjo kuptojmë se të dyja këto qenie ktonike nuk kanë jetuar njera pas tjetres në periudha të ndryshme historike, por kanë bashkëjetuar dhe i përkasin të njëjtës periudhë. Pikëpamja evolucioniste e kundërshtuar nga pikëpamja antropologjike në studimet e sotme mitologjike botërore dhe jo vetëm në to, është e tejkaluar dhe e dalë nga përdorimi.


Bibliografia
 
1.     Calvert,Watkins, How to Kill a Dragon: Aspects of Indo-European Poetics. Oxford– New York: Oxford University Press 1995.
2.     Haxhihasani, Qemal, Gjergj Elez Alia: ASHSH, IKP, Çështje të folklorit shqiptar 5, Tiranë 1997.
3.     Marko,Visic, Knjizevnost drevnog Bliskog istoka. Naprijed, Zagreb 1993.
4.     Murtezani, Izaim, Mitski elementivo aslbanskiot i makedonskiot junacki epos i balada, IF “Marko Cepenkov”,Skopje 2008.
5.     Pango, Apostol, Enciklopedia e Delvinës dhe e Sarandës,Tiranë 2002.
6.      Tirta, Mark, Dragoi dheKuçedra: Kultura popullore, IKP,Tiranë 1999, nr. 1-2.
7.       Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, ASHSH, IKP,Tiranë 2004.



[1]Qemal Haxhihasani, Gjergj Elez Alia: ASHSH,IKP, Çështje të folklorit shqiptar 5,Tiranë 1997, f. 28.
[2]Izaim Murtezani, Mitski elementi vo aslbanskiot i makedonskiot junacki epos i balada,IF “Marko Cepenkov”, Skopje 2008, f. 202.
[3]Qemal Haxhihasani, Gjergj Elez Alia: ASHSH,IKP, Çështje të folklorit shqiptar 5,Tiranë 1997, f. 29.
[4]Mark Tirta, Dragoi dhe Kuçedra: Kultura popullore, IKP, Tiranë 1999, nr.1-2, f. 61.