Dienstag, 1. Oktober 2013

Asllan Qyqalla dhe “Nimfa e zemrës së lënduar”


Shkruan Zejnepe Alili - Rexhepi

  • Mbi librin “Nimfa e zemrës së lënduar”, të Asllan Qyqallës

 Vizioni ndaj botës krijuese, imagjinatës dhe përjetimit, të mbledhura tok, në nënqiellin ku bashkëvepron autori i librit: “Nimfa e zemrës së lënduar”, Asllan Qyqalla, të lë përshtypjen se frymëzohet prej emocionesh, të cilat mjeshtërisht e formësojnë strukturën kompozicionale të tregimit.
Teksa e mora dorëshkrimin e Asllan Qyqallës, sikur një parandjenjë më orientonte në personalitetin e autorit me faktin që bën jetë artistike…, dhe vërtet në brendinë e prozave pikasa aftësinë krijuese të tij, si një ndërlidhje e pashkëputur me atë që njihet “vetëdije e personazhit”, përmes së cilës kornizohet vetë jeta, që nga formimi intelektual e moral, e gjithashtu edhe formimi i vetëdijes kombëtare.
I ndarë në dy pjesë: tregime dhe skica, libri ofron gërshetim të bukur tematik, me shumë fraza të sajuara me shije artistike, përmes të cilave ngërthehet tharmi i jetës. Madje, vetë procesi i thyerjes së njësive tematike, kur nga tema erotike, kalohet në atë sociale, meditative, pastaj atë të atdhedashurisë…, sidoqoftë në të fashiten vizione për një perspektivë të përgjithshme, në suaza të artit të shkruar.
Në disa nga tregimet, si bie fjala, ai që hap siparin e këtij libri të mrekullueshëm “Nimfa e një zemre të lënduar”, e pasuar nga “Nën pushtetin e stinës” dhe skica: “Bukurinë ua vodhe luleve”, janë frymëzim i asaj ndjenje përndezëse që gjithësecilit i bëhet flakadan moshe që u ndrrit ëndrrat rinore. Këto proza, janë pleksur si një simfoni e bukur, melodia e së silës u ngjiz nga ëndje të pafundme të kopshtit edenik, ku në epiqendër vihet erotizmi, si një stoli delikate, siç është vetë femra. Poashtu, narracioni i dendur dhe dinamizmi i frazave në to, të lënë përshtypjen se brenda tyre ka një dell ftillimi prozash poetike.
Vijnë bukur, në këto proza, edhe disa shkëputje imagjinative, herë në formë kujtimesh…, përcillen me dialog që zakonisht përçon entuziazëm, ndonëse mund të jenë dialogje të paktë, por arrijnë të të tërheqin në labirintin e leximit, që më pas të të joshin me stilin rrëfimor. Edhe këtu, herë-herë ndodh alternimi i dialogut, teksa i lë vendin narratorit të nënkuptuar.
Libri, “Nimfa e një zemre të lënduar” pra, karakterizohet edhe me përfshirjen e narratorit, i cili dukshëm, është i angazhuar për lidhjet detajore, herë pas here duke ia lëshuar vendin dialogut që e rrit intenzitetin e veprimit dhe përqëndrimin e personazheve, që së bashku bëjnë pjesën e pandashme të ngjarjeve. Personazhet, gjegjësisht kryeheronjtë, megjithëse janë të paktë, ata e fosforizojnë veprën, për të mos krijuar imazhin se çdo gjë është e blertë, optimizëm me çdo kusht, do thoja…, por përkundrazi, e ndjerë e reale, si sajesa që logjikshëm e pleksin shtjellimin. Kështu, prozat: “Kalvar rrugësh” dhe “Në grafikën e shpirtit të një azilanti”, e reflektojnë shkathtësinë artistike, për të përçuar po emocione të veçanta përjetimesh, edhe tek lexuesi.
Tregimi “Një natë e acartë” dhe skica “Në grafikën e shpirtit…”, pasqyron sagën kosovare, mjaft tronditëse për botën e civilizuar, e mbi të gjitha për bijtë e saj, brenda dhe jashtë atdheut. Në këto dy proza, sakrifica e shqiptarëve përshkruhet përmes një dhimbjeje të thellë, por të matur, veçmas në tregimin “Një natë e acartë”, ajo pothuajse i përngjet përshkrimit tronditës të Janis Ricos, tek vepra “E largëta”, ku kufomat e shpërndara gjithandej, flasin si statuja të heshtura…, dhe tregimi i Qyqallës shpreh dhimbjen ashtu të matur, ku megjithatë, të duket sikur mbizotëron pavarësia e heshtjes, sepse fundja, arti ka subtilitetin e vet, që nga një herë ngulmon të mbetet në konturat e ëndrrës dhe së bukurës.
Tëhuajësimi dhe dhembja e individit, e përshkruar nga autori, në tregimin “Një natë e acartë”, përafron mjaft me artin migjenian, në veçanti me një tregim të së njëjtës tematikë, “Bukuria që vret”, një konceptim i hollë mbi socialen, si gjendje reale e atdheut. Po vallë, mund të zhbëhen sot, pamjet tronditëse të përshkrimit migjenian? Thjesht, është e pamundur, ato vazhdojnë të mbeten relikte të çdo kohe!
Proza “Në grafikën e shpirtit…”, e vë lexuesin para kulminacionit të konfliktit, aty ku do të duhej të gjendet zgjidhja e atyre njerëzve që në ëndrrat e tyre e kishin sajuar parajsën…, me një trajektore si: vendlindje – Igelheim, ndërsa atje ku i kishte shpënë udhëtimi pa kahje të sigurtë, ata gjetën vetëm lodhjen, përbuzjen dhe trishtimin për të nesërmen edhe më të pasigurtë. Kjo, në të vërtetë qe trajektorja e brengëdhimbjes së shqiptarit azilant. Përgjithësisht, prozat e Asllan Qyqallës i kanë të dyja pamjet, pikërisht si vetë trishtimi dhe lumturia e jetës…, sfidat e të sotmes për rimëkëmbjen e së nesërmes.
Po me një shpresë të fuqishme për jetën, për të ardhmen më të bukur, janë kompozuar skicat: “Se mos nga ti do marrë dikush mësime”, “Të kisha një vajzë si Mira”, “Vesa” dhe “Bija ime na gëzo”. Gjithashtu, këtij sfondi tematik, mendoj se i përket edhe skica “Sikur të fitoja”. Në këto proza, heroina bartëse të ngjarjeve dalin kryesisht femra entuziaste, të cilat e luftojnë patriarkalizmin e mbetur në fshatrat e largëta të malësisë. Pavarësisht sfidave, ato nuk dorëzohen përpara barierave të shumta, andaj secila prej tyre, qoftë: Mira, Hava, Vesa…, dinë si të ndryshojnë jetën në favor të tyre, e me këtë janë të vetëdijshme se do ta ndryshojnë mbarë shoqërinë shqiptare. Prandaj, me të drejtë, edhe autori i libri, si mbështetës i optimizmit të tyre, i koncepton ato, si rreze dielli që vijnë pas një dimri të acartë, sepse shpresa e tyre dikur e largët, e paarritshme, ndonëse e vënë përballë pengesash të shumta, sa vjen e bëhet realitet.
Të gjitha këto shqetësime të autorit, A. Qyqalla, në parim vijnë nga bota e çiltër e një krijuesi, i cili përmes artit përcjell mesazhin kuptimplotë të atdhedashurisë, si preokupim parësor i gjendjes, në të cilën ndodhet atdheu i tij dhe realisht ky është mozaiku i harkuar i një shpirti të ndishëm ndaj mallit për vendlindjen, nënën, lulet e zogjtë…, ato që shumëkujt i japin lumturinë e pafundme. Prozat ndërthuren prej mjaft metaforash, si figura më të spikatura, po shpesh edhe pyetja retorike e eksklamacioni, janë përdorur me sens, në disa skica.
E tërë vepra vjen si një grafikë, ku shpirti që bredh me kohën, ka ruajtur me shumë dashuri, frymëzimet e një moshe, përjetimet e veçanta të jetës, ku pasioni nuk ndrydhet nga bota shpërfillëse. Ky frymëzim shpërthyes, në veprën e Asllan Qyqallës, shte i pritshëm, apo…? Mendoj se, s’kishte si të ndodhë ndryshe, sepse shpërthimin ideo-emocional që e sajon një frymëzim i fortë, një mall i patretur strukur skutave të shpirtit, nuk e ndrydh dot as përgjumja, madje as …ëndrra! Ai frymëzim, një ditë, mjeshtërisht jetësohet në prozë! Urojmë që po këto gjurmë, të prijnë në shpirtin e lexuesve me botë artistike brenda tyre!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen