Tregim
Pasi trokiti disa herë e vetëm kur dëgjoi një “hyr” të rreptë, Fejzo Dullci hyri te Zoran Koloviqi, shefi i policisë serbe, tërë frikë. E dinte se shpesh aty shkoje me këmbët tua e ktheheshe brithyer e duke të bartur në krah, po mund të vinte puna e të mos dilje i gjallë. E Fejzo Dullci nuk e donte vdekjen, disi i frikësohej shumë asaj dhe kjo frikë shtohej nga dita në ditë, nga ora në orë, tek dëgjoje e shpesh edhe shihje se si në atë godinë që mbizotëronte qytetin, vdekja u vinte njerëzve nga torturat më brutale të mundshme. Vdekja aty kishte gjetur mikëpritje të paparë dhe po bëhej gjithnjë e më e pranishme,më e frikshme e më e pangopur, ditën e natën merrte prenë e saj.
Zorani e shikoi Fejzon me urrejtje, neveri e kërcënueshëm, edhe pse sa nuk po bërtiste nga kënaqësia. Ky intelektual i urrejtur, pjesëtar i popullit të cilin e urrente me gjithë shpirt, i kishte ardhur mu ashtu si donte: duke ecur më shumë i vdekur se i gjallë, nga shkaku i frikës që e kishte mbërthyer.
Një kohë e mati me sy e ndjeu se kënaqësia dhe urrejtja po i shtoheshin.
“Mos më thuaj se ke frikë – buҫiti zëri i tij e Fejzua u drodh sikur e preku rryma elektrike. Burrat nuk kanë frikë, jo, e ti je burrë… Je burrë apo jo?!”
Fejzua u bë grusht. E dinte se duhej të përgjigjej, se heshtja aty ishte e rrezikshme, ndoshta më e rrezikshme se fjalët që mund të thoshte, po zë nuk po i dilte nga goja. Mezi merrte frymë e fyti i ishte tharë. Zorani merrte poza mu afër tij dhe kjo e cfiliste edhe më shumë.
“Jo, ti nuk qenke burrë... Burrat vdesin, po nuk dorëzohen kështu… Mos i ke lagur gjë pantallonat? Kësaj here je me fat. Nuk je në radhë të shkosh andej… Po edhe këndej nuk mbetesh lehtë, nëse nuk flet si duhet e ҫka duhet… Fol!”
Ҫka të fliste i ziu Fejzo?! Fundi i kishte ardhur, fundi… Kot krejt. Nuk e dinte ҫka duhej të thoshte, edhe sikur të kishte mundësi të nxirrte zë. Zorani po shtihej sikur mezi priste të dëgjonte fjalët e tij. Fjalët… Po Fejzua ishte më i heshtur se guri.
“E di pse të kemi thirrur?!”
Fejzua u ndje edhe më i ngurosur. Heshti ai. Zorani nuk po e prishte heshtjen e tij. Priste, duke ia bërë me shenjët të fliste. Befas, për habinë e tij, nga buzët e tij të djegura zjarrmie, doli një “jo” e habitshme, që e bëri policin të qeshtje me sa kishte zë.
Ende nuk ishte shuar e qeshura e Zoranit, kur u hap dera e brenda hyri një polic i madh, me fytyrë të frikshme, që e bëri Fejzon të mbështetej për muri, sikur donte të futej ashtu i gjallë në të.
“Hë, mos u duhet gjë ndihma ime, shef” – pyeti ai.
“Njëherë jo, po ti ulu aty e mandej shohim… Ky si duket ka harruar të flas” – tha shefi.
“Tregoi se unë nuk i duroj ata që nuk flasin, se ua përdredh qafën e i dërgoj në atë botë pa pikë mundi” – tha polici i sapoardhur.
“E di ky e di – u tall Zorani. Tashti po e pyes seriozisht nëse e njeh Urban Baftiun. E njeh apo jo, ti shul. Mos më rri aty si përmendore!” – befas ndërroi zëri i tij dhe fytyra iu shtrembërua.Fejzua mezi e kapërdiu pështymën që befas iu grumbullua në gojë.
“E njoh” – tha.
“Mirë, pohim me vend. Po të kishe thënë jo, do të kishe pasur pak punë me këtë shokun tim. Shkojmë tutje. Na e përshkruaj Urbanin, me se merret, si sillet, ku rri, me kë rri, pse rri, ҫka flet, pse flet e kështu me radhë”.
Edhe pse u mundua të mos e jepte veten, Fejzua u lehtësia. Pra, ai nuk ishte qengji që duhej të flijohej, por Urbani. Dëshira për të shpëtuar veten me ҫdo kusht triufoi dhe mendja iu kthjellua.
“Urbani është nga ky qytet, e njoh që nga shkolla e mesme. Kemi mësuar dy vite në të njëjtin korridor, edhe pse ai ka qenë dy gjenerata para meje. E di se ka qenë nxënës i mirë, disa thonë madje se ka qenë edhe nxënës shumë i mirë, por unë e njoh si një mendjemadh dhe si njeri që mendon se ai do të jetë shpëtimtar i kombit tonë…”
“Ndalu pak – urdhëroi Zorani. Pa ma shpjego pak më mirë këtë mendimin tënd të fundit, ҫka deshe të thoshe kur shqiptove “ai mendon se do të jetë shpëtimtar i kombit tonë?!”
Kjo ndalesë dhe kthesa që po merrte biseda, ndoshta edhe e gjithë kjo që po ndodhte, e bëri Fejzon të stepej dhe të ndente se si po i dridheshin këmbët. Polici që erdhi më vonë u kollit dhe e solli në vete. Nisi të fliste si i kurdisur:
“Urbani e mban veten patriot, kudo flet se ai nuk ngurron të vdes për komb e për atdhe dhe neve që punojmë e shikojmë punën tonë na shikon sikur jemi krejt të pavlerë, sikur hamë bukë kot e sikur bëjmë tradhëti ndaj popullit tonë. Flet sikur ai di ҫdo gjë e se mund të bëj ҫdo gjë…”
Polici u kollit fort e si rastësisht, Fejzua e humbi fillin e mendimeve e Zorani qeshi.
“Ҫka bëni ju kur ai flet kështu? A e përkrahni?”
“Jo, nuk e përkrahim” – reagoi me të shpejtë ai.
Një goditje e beftë në kupë të gjurit e bëri të rënkonte thellë.
“Po të mos e përkrahte askush, pse do të fliste Urbani? Flet sepse dikush e dëgjon sot e do të dalin edhe të tjerë që do ta dëgjojnë nesër… Për këta jemi të interesuar ne. Urbani as që na intereson. Ai është njeriu ynë, nuk e kupton këtë? Mendon se do të guxonte të fliste ashtu po të mos kishte lejen nga ne?!”
Fejzua e humbi. Kishte menduar se do të shpëtonte duke e akuzuar Urbanin për të gjitha, e doli se ai vetë ishte për të akuzuar të tjerë. Ҫka të fliste tashti? Njdeu sikur po binte nga një lartësi e madhe. Por,një e goditur në gju, me të njëjtën forcë dhe të njëjtin vend, e bëri të ciaste dhe të kërkonte një pikëmbështetje diku.
“Po unë thash atë që di…”
E goditura u përsërit, kësaj here pak më e fuqishme, sa iu duk se iu thërmua ashti dhe ulëriu. Zorani sikur nuk po shihte se ҫka po ndodhte, kurse polici ishte tejet i qetë. Ai po ndjente se po i shuhej edhe ajo pak jetë që kishte mbetur në të.
“Unë jam i pafajshëm – tha dikur, pse po më torturoni kështu?!”
Ata u shikuan sy më sy sikur kishin dëgjuar fjalët më pa kuptim të kësaj bote.
“Ti i pafajshëm, ti?!!! Po ku ka shqiptar të pafajshëm mbi këtë dhe, i marrë? Shqiptari lindet bashkë me fajin, secilën ditë që ha bukë, e shton fajin dhe e rëndon këtë dhe me fajet e tij dhe vdes e varroset pa i pakësuar fajet, vetëm se, ndodh një e mire atëherë, sepse toka ndjen lehtësim, pas secilës kufomë shqiptari… E kuptove apo jo?”
Dy shuplaka të forta sikur hodhën flakët e një zjarri prush mbi faqet e tij. Lotët nisën t’i rridhnin faqeve e frika e pushtoi edhe palcën e ashtit të tij.
“Kush i pëlqen ato që thotë Urbani?” – I erdhi një zë që e përshkoi me djegie që nga thembrat e deri te flokët. E kuptoi se e kishte pyetur Zorani, i cili ishte krej i ftohtë në dukje, akull. Lotët e Fejzos e kishin ngrohur thellë në shpirt, po nuk e jepte veten. Mu këta lotë, gjatë hetimeve, e kënaqnin më së shumti. Ishte si i dehur lehtë e plot elan kur shihte lotë në sytë e atyre që kishin mendje e sedër. Thyerja e tyre ishte ajo që e dëshironte, sepse të tjerët edhe ashtu, të thyer ishin. E dinte se pas një kohe, duke pirë me shokë, ai do të ndjehej hero midis tyre, duke ua treguar, me humor e mburrje njëkohësisht, këto thyerje shprtërash armiq.
“Mund të mendohem pak?” – pyeti pas pak me zë lutes, plotësisht i dorëzuar.
“Mirë, ke dhjetë minuta të kujtohesh, ne po dalim e po marrim ajër të pastër. Kur të kthehem dua emra, sa më pak fjalë e sa më shumë emra.”
“Mos ngurro të thuash ato ҫka i di, se po fillova nga torturat unë, nuk di të ndalem, as shefi nuk mund të më pengojë atëherë, derisa të ta nxjerr shpirtin nga hundët… Kur torturoj unë, shpirti kurrë nuk del kah duhet” – kërcënoi e qeshi polici.
Ata dhjetë minuta ishin autotorturë, torturë e ndërgjegjes, dhembje që e përshkonin nga të gjitha anet, ato hone që i hapeshin ta rrëmbenin dhe sikur e falnin me keqardhje. Po, thoshte me vete, Burimi është përkrahës i Urbanit, por është i ri, i bukur, me të ardhme. Po e përmenda këta do ta marrin e do ta shkatërrojnë. Kjo do të ndodh edhe me Fitimin, edhe me Hanën, edhe me Diellzën, edhe me Florimin… O, pse po më kujtohen këta emra mu tashti, kur kjo do të thotë flijim i tyre për ta shpëtuar veten?! Janë shumë. Po Gerti? Ai e meriton të përpunohet nga këta, se nuk durohet. Nuk durohet as ajo Drita që shkon e më bëhet përditë e më e bukur. Egzonin nuk do ta përmend, as Besianin. Jo,jo… As Gonin e Fehmiut, as Mirandën e Ganiut nuk do t’i përmend, edhe pse të gjithë e adhurojnë këtë djallin që e ka emrin Urban… Po këtë të përmend, dikë duhet ta tregoj këtu, përndryshe e pata. Nuk jam njeri që e duroj rrahjen unë. Ani torturat e gjata, me thonjë të nxjerrë e me gjak nga të gjitha anët? Ah, po shpëtova kësaj here, nuk do të arrijnë të më kapin më, jo.
Dera u hap dhe Zorani e polici hyn brenda duke, duke biseduar me gjallëri, thuaja se rreth tyre mbretëronte një lumturi e pashoqe. Fejzua sikur i ndjeu ato gotitjet e policit dhe ato pyetjet vrastare të Zoranit dhe u dërrmua fare, sikur u shpërnda në mijëra copëza dhe nuk po përmblidhej dot. Mandej, sikur u bë tjetër dhe fjalët nisën t’i rridhin me gurgullima, si uji kur derdhet nga shtypja e madhe:
“Urbani ka përkrahës të shumtë në qytetin tonë, por edhe në vende të tjera. Po u tregoj se Burimi është përkrahësi më i madh i Urbanit, pothuaj njësoj si ai është. Afër i qëndrojnë edhe Fitimi e Hana. Me të i shoh shpesh edhe Diellzën e Florimin… Edhe ajo gruaja e Shaipit, e veja, e përkrah shumë. E shoh edhe me Gertin nganjëherë, por edhe ajo Drita e bukur nuk i ndahet. Më rrallë, por rri edhe me Egzonin, me Besianin, me Gonin e Fehmiut, me Mirandën e Ganiut… Po u them se e keqja këtij qyteti i vjen nga djalli që e ka emrin Urban…”
“Shihe ti shihe pisin e pisave. Ky e di që ne i njohim këta dhe mu këta emra na i përmend… Mos po luan me ne, djalo?!”
Një shtrëngim i policit në tamth e bëri të ndjente dhembje të padurueshme dhe filloi të qante me dënesë. Nuk kishte fuqi as të lutej të mos e rrihnin më.
“Emra të tjerë. Më duhen emra të tjerë” – i qetë, por me bubullimë përbrenda i erdhi zëri i Zoranit, i cili po e shikonte sikur shihte një mbeturinë. Kur a pa frikën e vdekjes në sytë e tij, nisi të fliste si me keqardhje:
“E, Fejzo, Fejzo… Kur të shihja rrugës ashtu të trekosur, mendoja se ishe me karakter të fortë dhe sot prisja një përballje meritore me ty. Nuk ma merrte mendja të ishe kaq i flashkët, kaq frikacak, kaq i pakurriz. Jo, ndëshkimi yt i merituar, të cilin e kisha pritur kaq gjatë, nuk po më jep asnjë kënaqësi. Më pak se një hiҫ qenke ore…”
Polici ia ngjeshi fytyrës edhe disa shuplaka të mira.
“Lëre, këtë e paska rrahur Zoti,më shumë se ne. Ky qenka më grua se gratë, më mi se mini. Si e duron e shoqja në shtrat ore? Apo nuk e afron fare se fle me të tjerë. Epo, nuk durohet afër ku njeri prej qulli.”
Fejzua nuk kishte fuqi as të ndjehej i fyer. Madje sa mendja nuk i shkonte të fyhej e të ankohej, ҫkado që t’i bënin. Mjafton të shpëtonte i gjallë, të tjerat do të harroheshin.
“Mbahu he burrë – u zgërdhi para fytyrës së tij polici.
“A di cka. Na ke befasuar për të keq, po megjithatë, kësaj radhe po të falim – tha Zoran Koleviqi. Edhe pse nuk na the gjë me vlerë, për të patur ne një dëshmi se ishe këtu, merr këtë laps e këtë letër dhe shkruaj gjithë ata emra që i përmende pak më parë si përkrahës të Urbanit, po edhe ndonjë tjetër që të kujtohet në ndërkohë dhe firmose në fund… Ke edhe pesëmbëdhjetë minuta kohë për ta bërë këtë. Por,ke mendjen, asgjë mos ruaj për vete nga ato që di, se nuk del më prej këtu.”
Ata dolën e Fejzua mori lapsin e letrën dhe nisi të shkruante me shpejtësi, sikur po kyente një veprim me shumë rëndësi. Shkruante e shpejtonte, por sikur nuk po mund ta besonte se do të shpëtonte kaq leht. Nuk e kuptoi se sa shpejt eci koha, vetëm kur ndjeu se si dera u hap dhe policët u gjetën anash tij. E shikuan kur nënshkroi, i thanë të shkruante në fund edhe datën dhe e morën letrën sikur nuk vlente gjë.
“Kjo punë mbaroi për sot, po nuk përfundoi. Do ta vazhdojmë këtë bisedë edhe herë të tjera. Ke dëshirë të takohesh me ne edhe herë të tjera apo si e ke hallin?”
Zorani nuk kuptohej në tallej apo fliste seriozisht. Kurse Fejzua nuk kishte pike fuqie të përgjigjej. Vetëm murmuriti diҫka pa kuptim.
“Kemi edhe pak punë me ty dhe mbaruam… Mos u frikëso kaq shumë, ej. Po kthehemi edhe pak te Urbani. Ai ka autoritet e ne nuk kemi ndërmend ta vrasim e të krijojmë ideal lirie nga ai. Sepse ju shqiptarët keni prirje ta shndërroni në hero edhe atë që e keni luftuar për së gjalli, madje shpesh e keni luftuar me ne e i nxirrni edhe këngë kundër nesh… Po ne duhet ta vrasim për së gjalli atë. Me dorën tënde e të tjerëve si ti. Po nuk ndodhi vrasja morale e Urbanit nga ti e do si ti, ti do të jeshë viktimë, madje edhe nëse ik edhe në ndonjë shtet tjetër, madje edhe në skaj të botës. Ne të gjejmë kudo të shkosh dhe si e provove sot, hakmarrja jonë është e tmerrshme… Ore, pse dridhesh, po kupton a jo se ҫka duam nga ti apo jo?”
“Po,e kuptoj” – u dëgjua zëri i tij.
Polici kësaj radhe ia rrahu shpinën me dashamirësi.
“Ti nuk je i shkrimit, po ne të duam të shkrimit, pasi mendja deri diku të punon. Duhet të shkruash sa më pare një shkrim kundër Urbanit, duke e paraqitur atë si bashkëpunëtorë tonin. Trillo ҫka të duash. Mandej, po shumë më thellë duhet ta paraqesësh anën morale të Urbanit. Duhet të shkuash se ai nuk ka moral, se kalon me femra të mitura, se ka dashnore gratë e të gjithë miqëve e të njohurëve, se secila grua që shihet me të, më parë i është dhënë… Shkruaj se ai është vjedhës…krejt të këqijat e mundshme shkruaj për të e ne do të të shpërblejmë për mundin…”
Fejzua sikur nuk ishte më i kësaj bote. Po e futnin andej kah nuk kishte menduar kurrë se do të hynte,me asnjë kusht. Por…
“Pranon?”
“Po – tha, pa hezitim. Ku duhet të nënshkruaj?”
Zorani e polici qeshën.
“Nënshkrove. Ne nuk na duhet gjë nënshkrimi yt, po puna jote. Kuptove se me këtë po-në që shqiptove nuk shpëton më dot nga ne.Yni je, kudo të shkosh. Tash shko e dëgjohemi.”
Pas një jave Fejzo Dullci emigroi në Zvicër dhe pas një muaji shkroi një artikull tejet denigrues për Urbanin. Ky artikull bëri jehonë në Kosovë dhe dolën disa veta, të cilët nëpër kafene e ndeja thanë se ishin krejt të vërteta ato që thuheshin në shkrimin e Fejzo Dullcit, sepse edhe ata e njihnin Urbanin për të atillë.
Urbani nuk e tha kurrë as edhe një fjalë për këtë shkrim e as për ata që folën e folën kundër tij. Edhe pse e kam njohur Urbanin, nuk e kam të qartë në e ka lexuar ai atë artikull dhe nëse ka dëgjuar për fjalët që u thane për të.
(Inspiruar nga dhuna policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, në vitet 90-të të shekullit të kaluar)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen