Mittwoch, 2. Oktober 2013

Aurela Topi - “Violinë malli”


Shkruan Hyqmet Hasko

Poezia si akt midis rebelimit,
shenjtërimit dhe profecisë

Rreth përmbledhjes me poezi “Violinë malli” të autores Aurela Topi

Poezia është një akt më shumë se i zakonshëm, diçka midis shenjtërimit dhe profecisë, që na përgatit ne lexuesve të saj për një katharsis të fortë etik, fiilozofik, estetik, ekzistecial. Në këtë këndvështrim, të flashësh për poetin dhe poezinë është gati e pamundur, njësoj sikur të flasësh për kode transhendetale, që largohen pambarmisht nga fokusimi fillestar.
Këto po bluaja jo rastësisht në mednje, ndërsa kisha shfletuar për herë të dytë librin me poezi “Violinë malli” të autores Aurela Topi. Kemi të bëjmë me një poezi të ndjerë, plot lirizëm e ngrohtësi, me sens të fortë vëzhgues dhe interpretativ, me ngjyra të ndezura të pasionet dhe virtytit njerëzor.
Poezia e Topit është e veçantë, e thjeshtë në dukje, me varg të shtruar, të rregullt e muzikal, nga njëra anë, por me një nerv të brendshëm plot nëntekste, nga ana tjetër. Poetja fokuson në vargun e saj përditshmërinë, unin e saj, brendësinë e gjërave në raportet e thyera midis dukjes dhe thelbit. Ajo vështron përtej asaj që shohim ne të gjithë, në vijat e lakuara të së pavetëdijshmes, që shpesh janë përcaktuese në jetën e gjithëkujt.
Imtësirat, detajet e gjetura dhe fine ushqejnë me “lëndë të parë” mbresat, përjetimet, imazhet, gjendjet e poetes, e cila nuk shtiret në asgjë, nuk sforcohet në asnjë varg, por ashtu me zemër në dorë na përcjell botën e saj të trazuar, ngjyrat dhe dritëhijet e jetës.
Kemi të bëjmë me një poezi të prekshme, që nuk ka nevojë për të “shtrydhur trutë”, siç thuhet në gjuhën e popullit, për të kuptuar mesazhet që burojnë prej saj. Pa rënë në thjeshtëzime, por duke ruajtur befasinë e zbulimeve të befta poetike, poetja na përcjell një minibotë të përndezur nga lufta, puna, dashuria njerëzore, tentativat e njeriut të lirë për t’u çliruar nga hijet e vetvetes dhe merimangat molepsëse të të tjerëve.
Kur lexon poezinë e Topit ndjen ritmet e vrullshme të jetës, pasionin dhe përkushtimin njerëzor, luftën e brendshme psikologjike dhe shpirtërore të autores për t’u ngritur mbi muranat dhe tabutë e kota të kohës, që shpesh janë varrmihëse të poezisë.
Të jeshë vetvetja, ajo që je, e vetërealizuar dhe pa komplekse ndaj gjithçkaje që të rrethon, kjo është si të thuash kredoja e poetes, mundësia e saj në luftën e radhës, për triumfin e sistemit të vlerave. Poetja nuk bën zhurmë, ajo vjen dhe ikën si hije, me vargjet e saj pa bujë e deklamacion, por që pasi iu shkon në fund, iu rikthehesh për të rigjetur dhe rizbuluar befjet dhe magjitë e tyre…

Tregtare të bëhem kurrë s’mundem,
Nuk di të mburr, po nuk më pëlqeu,
Pemën e mendimit kurrë s’e shkund
Po s’u poqën frutet nga qielli, nga dheu…

Aurela është emigrante dhe e vështron veten në relievin e dheut të huaj, por duke u rrekur të integrohet tok me bashkëemigrantët e tjerë, zbulon raportet e reja të njeriut me vetveten, me gjeografinë, historinë, të ndodhurat e të përjetuarat, etj.
Larmia tematike, mosrendja pas “temave të mëdha”, por projeksioni i gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ajo vendos vektorin e saj poetik, e bëjnë poezinë e Aurelës të ndjerë e të freskët. Poetja “nuk tregton fjalën”, por tenton të zbulojë rrënjët e vetvetes dhe të kohës së saj, në një përpjekje sizifiane, siç janë të gjitha përpjekjet e denja për dashuri dhe pasione njerëzore.    
Preludi i veprës poetike të Aurelës është kërkimi i misterit të ëndrrëimit, kërkim që poetja e çon në çdo cep të botës shqiptare, e shetit në çdo bjeshkë e krua, e ushqen me pasionin e një kërkuesje të etur për jetë e ngrohtësi njerëzore dhe e nis  të shumohet në mijëra e mijëra këngë dashurie e shprese për kohën e botës shqiptare.
Poezia e saj buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive dhe kjo natyrë e shkrimit poetik duket se po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë.  Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.
Ka shumë pika ku mund të kërkosh dhe të gjeshë të veçantën e poetikës së Topit, por mendoj se risia kryesore e poezisë së saj është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale.
Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Topit nga simorat e saj është vokali shumëgjyrësh mediativ, ritmi herë i matur, herë i vrullshëm, figurat e gjalla dhe të shtrira në të gjithë elemenetët strukturorë dhe konceptualë të poezisë, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje, gjendje dehëse e të vagullëta njëherësh, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale plot drithërima shpirti, plot thyerje e digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e Aurela Topit, e cila na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e saj në lëvizje, drejt dashurisë universale. 
Në analizë të fundit, mund të themi se kemi të bëjmë me një poete shumë serioze, që ka sjellë trajta të veçanta estetike në vargjet e saj, ose më saktë të themi të pangjashme me askënd tjetër, me një zë interensant, që me origjinalitetin dhe spinatintetin e tij duket se ka bërë dhe do të bëjë akoma më shumë në të ardhmen shumë lexues për vete, në të gjitha hapësirat e shqiptarisë, tashmë të unifikuara në vektorin estetik, i cili mund të themi se është vektori më i prekshëm i shpirtit dhe i gjuhës sonë kombëtare.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen