Mittwoch, 2. Oktober 2013

Fakete Rexha - Katër rrëfenja


KOKË MË KOKË

- Nënë, si u njohe me babin?...

- E gjeta të vetmuar. Më buzëqeshi. Ishte ai që më njohu mua.
- Cfarë të premtoi babi pasi që të njohu?
- Asgjë. Përveq tjerash, unë i blija dhurata. Gjërat që i pëlqenin. Gjërat që i donte. Dhe gjërat që i kanë munguar në jetë. Vetëm që ta bëja të lumtur. Por kot! Aq e shkurtër lumturia në të.
- E pasi u linda unë?
- Vinte rrallë në shtëpi. Ishte i përhumbur, sa që se shihja. Ishte apo s'ishte me ne. E, ndodheshim në luftë.
- Nënë, po ndoshta babi s'na donte! Ose, ndoshta ka dëshiruar të jem djalë! Prandaj iku e na la!.
- Ai, zemra e nënës, të siguroj që s'na urrente. Por, i duhej të shkonte te ajo. Shkaku i së cilës na mashtronte. E vazhdonte paturpësisht të na mashtronte.
- E, lufta në Kosovë, ty që tu hakmorr me djegie në zemër? A e dinte ai këtë gjë?
- Po, zemra ime, e dinte. Por, me krejt ato fatkeqësi mua shpresa kurrë s'më lëshoi. S'ka rëndësi që ai kurrë s'gjeti kohë, madje as pesë minuta të më ngushllonte.
- Nënë, a thua babi kthehet një ditë?
- Bija ime, të gjitha rrugët tua te pragu i tij kryqëzohen. Por, jo të tijat te pragu ynë. Kur të rritesh edhe pak, ti vetë mund të zgjedhësh nëse do. Mes meje dhe atij. Por, ai kurrë s'mund të zgjedh mes meje dhe teje.
- Nënë, unë asgjë s'po kuptoj nga këto që më thua. Blla...blla...blla...!
- Oh, e gjora ime. E di. Ti ke vetëm tetë vjet. E është ende herët për të dhënë më shumë shpiegime. Yt at një ditë vetëm hapi derën dhe iku. Pasi që kishte bartur me çanta gjërat e tija. S'di nëse të kujtohet? As na pati shikuar. Asnjë fjalë s'na e tha. Lamtumirë sëpaku. Ose mirëupafshim. Pata nënqeshur që të mos qaja. Me shpresën se s'e ka me gjithë mend. E do të kthehet. Ti, bija ime ende asgjë s'po kuptoje. Ende. Se ç'po ndodhte në të vërtetë. Ngaqë kurrë s'na pa duke u përlarë. Ditë më pas, pasi iku yt at, unë shumë u mërzita. Tepër vuaja. Që iku nga shtëpia. Iku nga ne dyja. Qelësin e derës kur ma la në dorë. Kësaj here me të vërtetë.
- Nënë, të dua. Unë, ty shumë, shumë të dua. Sa qielli... Ti je nëna...mëëë....e bukur.......nëëë...botëëë...ëëë....ëëë....
- Fli! Fli zemra ime! Kuptimi i jetës sime. S'ke përse qan, as përse mërzitesh. Ja ku e ke nënën tënde pranë. Ti mund të llogaritësh gjithnjë në mua. Kurse, atij do t'ia mbaj mend. Cdo padrejtësi deri në hollësi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta harroj.
- Po, si do t'ia bëjmë vetëm ne dyja, pa babin?
- Oh, shpirti im i bukur. Mos ke frikë. Se mal jam unë, ku bora e zë borën. Mal që fluturon. Jam unë. Prandaj, mos ke frikë. Nëna është gjithmonë këtu!
- Nënë, a e do ende babin?
- Po siiiii? Zemra e bukur e nënës. Dhuratën e vetme e kam nga ai. Ty. Pasuria ime. E vetmja. Më e madhja e jetës!
- Nëëë..nënëëë...ëëë....ëëë.... e dua babin! Babi...ëëë....më mungon....
- Fli, zemra e nënës, e vogël, e artë. Fluturo e lumtur në ëndrra. Ruaj kujtimet e vogla për tënd at.
Fli shpirt!. Fli, gëzimi im. Shshshsh...shshshsh....shshshshs.




UNË E SHOKU IM I LUFTËS

Si fëmijë i lodhur buzëlumi ishe kur të gjeta. Me atë plogështinë e vullnetit të flashkët fëmijëror. Nën hijen e shelgjes vajtuese. Prag vjeshte, truç ulur në zall. Pranvera e vera muzg ishin shkrirë në ty. Kishin hyrë e dal secila pa të përqafuar as prekë me dorë. Pranverë isha e bukur kur t'erdha. Me krejtë pranverat e mia t'u strehova në gji. Si kurrë deri atëhere, kurrë tjetër njeri desha. Si ty. Derikur mbi kokë nisën të këndojnë gjinkallat. Mbigjunjëve tu duke llokoçitur tinguj të përjargur puthjesh. Takimeve tua buzëmbrëmje deri prag mëngjesi.
E, ishte luftë...
Qiellit të shqetësuar përvëlim shpërthenin bombat. Detonimet e zjarrta. Kuq. Pluhur. Flaka me dridhje e bubullimë. Nxinte e skuqte prapë qiellin. Në kohën kur ujku e qengji bashkë bëheshin. Ne dyja vetëm ishim. Më shumë vetëm se me ty. Hynte natë e zbardhte dritë unë me time bijë në prehër. Vështrimin e humbur nëpër terr, kërkonim dorën e njëra-tjetrës. Rrafsh me natën na zgurdulloheshin sytë. Zemrat rrafsh me tmerrin. Larg matanë dritares. Lart në dritën e hënës. Si çekan në tëmtha marramendja e vetmia e rëndë sall frikë. Anije e shqetësuar mes valësh shtëpia. E ne si mes deti që orë e çast përpinë. Dridheshim nga frika mendt na merreshin. Sytë na tereshin me pagjumësi. Gjihtnjë në të njëjtën kohë, pamja që shashtriste me orët e mërzitshme parambrëmjeve deri shtriqje t'agimit. Ne dyja vritnim kohën duke folur me sy.
Ishte luftë.
E, ti s'ishe me ne...
Ajo mi afronte elastikët dhe krehërin flokët t'ia lidhja gërshetë. Të holla fare ia lidhja për ta mbytur natën. Zë e shprish. Shprish e lidh sërish. Dhjetëra e dhjetëra herë. Prapa shpinës së saj duke qarë. Digjeshim me lot sa unë e sa qiriri. Fuqi s'kishim pranë, as vullnet të fortë frikën të na ulë. Ne dyja vetëm që ndodheshim. Më shumë vetëm se me ty. Madje, edhe tashmë shtrëngatat që kishin shpërthyer të luftës. Kishim rrezik. Përveq meje e sime bijë kush tjetër s'mbeti në lagje. Njeri që frymonte shqip. Edhe të tjerët që mbetën trembshëm kuvendonin. Sikur unë e ime bijë. Pa fjalë. Vetëm me buzë. E lëvizje të vogla shurdhër. Veshët në krah sall zemërim. Vështrimet e frikshme na hidhnin në përqafim të njëra tjetrës. Puthjet shtrëngueshëm. Përkdhelje fortë të ngjeshura. Cast pas çasti bënim si të ishte kjo mbrëmje e fundmja herë.
Ishte luftë.
Ti, s'ishe me ne...
S'ishe ngushëllimi. Fuqia. Mbrojtja. Ruajtja. Zgjidhja. Mbështetja. Por, kur ndodhte të ishe përherë qortoja veten. Mendja për keq që më kishte shkuar. Sepse ti shpejtë çfajësoheshe, zhvishje padrejtësitë. E unë prapë vazhdoja të të besoja. Ndoshta ngase kisha frikë. Në të katër anët lufta. Ti s'ishe me ne të ndiheshim të mbrojtura, ose pak më të sigurta. Mbrëmjeve kështu të vetmuara, zhvendosja e hijeve tona na mbillte tmerrin në shpirt. Sikur drita e hënës në dritare pemët që i bënë të lëvizshme, lulet kacavarëse i shndërron në qenie misterioze, në hije që lëvizin e rrethojnë shtëpinë. Pamja rrudhej oborrit deri përmasash të vogla. Sa të një thike bojëargjendi. Dorës e trupit me lara... Ti prapë s'ishe me ne.
E, ishte luftë....
Ne të prisnim. Orë e çast ty të prisnim. Më shpeshë se ty, konturet e zeza të na futen dhomës, ç'njerëzisht të na perëndojnë sytë. Qiellit që orë e çast mallëngjehej. Përsëritshëm pikëllohej. Shqetësohej vazhdimisht. Në vend se ti për ne. Cdo natë çast pas çasti që larg hapësirës vinin zëra. Hapa. Shkrepëtima të tmerrshme, të shpejta rrëmbyeshëm. Psherëtima. Rrapëllima. Krisje. Shushërima që të rrënqethnin shpirtin. Trualli nën këmbë na dridhej. Oh, me ç'mendime të çuditshme ushqeja mendjen e zemrën. Nga frika bijën time, me ditë të tëra e mësoja si të fshihet, mbrohet, e të ikë nga gjamallat e zinj. Sa troha, kështu e mësoja, fëmijën time të vogël. Aq net e net pa ty. Kur ti s'ishe me ne.
E, ishte luftë...
Dikur asnjë gëzim. Siguri as mbrojtje s'na jepte asnjë ardhje e jotja. Ti vetëm sa fshiheshe pas nesh. Me ne dyja mbuloheshe. Na e kishe nevojën. Si i krisuri me telall. Rrugën në dhomë ia humbe vetes dhe neve. As të vinte keq. Jo për ne. Por, për veten tënde. Zemrën tënde të varfër oh, me ç'ëndrra e ushqeja. Trupin tëndë që kishte njohur një jetë sall turbullira. Shqetësime. Pakënaqësi.

Tu thaftë krahu, burr!
Që kurrë s'na e dhe.
Në këmbë po ngritemi vetëm.




AI KUR MË TAKOI MUA
1.

Ai kur më takoi mua vetëm atëherë iu zgjuan ndjenjat e dhembshurisë. Ishte si një fëmijë i llastuar. Me ato moskokëçarjet e gëzueshme fëmijërore. Që ia kishte ndrydhur vetmia e tmerrshmle, ku kishte rrjedhë jeta e tij. Tani që e dinte se e doja, dashuria që po lindte në shpirtin e tij ishte si një agim i freskët. Ku shuheshin të gjitha ethet e saja të këqia. Takimet tona mjaftonin për ta mbushur me mendime të gëzueshme, zbrazëtirën e orëve të mërzitshme. Mbrëmjeve të mia në shtëpi dhe mbrëmjeve të tija kafenesë. Ai, si natyrë ishte i vetmuar. I pëlqenin qoshet, skutat e fshehta, terri e vetmia. Ku mund të jetonte i qetë vetëm me mendimet e tija. Gratë për të ishin botë e përsosur. Por, ende jo mirë e njohur. I shihte si botë pasionesh sensuale që turbullojnë mendjen. Dhe, me secilën që i kalonte pranë e kishte zemrën e kënaqur. Ato për të ishin sikur librat. Cdonjëra i pëlqente. Si ato që vlenin, si ato që shkruheshin brenda natës. Tek ai kishte kaluar dashuria dhe po kalonte përsëri. Kurse, unë ende kisha kohë të gëzohesha. Të isha e lumtur, të qaja, vuaja dhe të varrosja rininë time. Por, kurrë s'gjeta kohë të bindesha. Të besoja. Të shihja. Zemrën time se si po vdiste përsëri. Në vitet tona të para çdo gjë kishte pamje e kuptim tjetër. Prej njerëzve deri te gjësendet. Edhe rrugët, edhe bari, edhe gurët. Mbrëmjet ishin më të bukurat, më të ngrohtat. Kisha ndjesinë se përherë ishim në muajin maj me ajrin e freskët, gjethet e barin e njomë blert nënqiellit të pambukt të Prishtinës. Ishte qershor kur lidhëm miqësinë tonë. Me premtimin se e lidhëm si nyje të fortë litari. S'vonoi e dekada e parë na zuri me shira. Pastaj, tjetra solli borën që ne se përballuam dot.

2.

Skëterrë para nesh derdheshin netët e zeza. Skaj botës ishim të vetmuar. Kosova ende në luftë. E ne mezi të gjallë shpëtuam. Nga gjiri i ujërave të ndotura që përpinte gjithë ç'na kishte mbetur në mes. Ende pa u ndarë. Ende pa u veçuar. Kurrë më shumë ishim kaq afër njëri-tjetrit. E kurrë s'ishim më t'largët. Në mesin e asaj përmbytjeje ku orë e çast mund të na përfishinte rrëkeja. Valët më shtyenin kah vrima e zezë. Duke më përplasur mbrenda e hedhur jashtë sa ç'ishte e mundur. E ti s'po gjeje kohë as për t'më ngushlluar. Mua të cilën lufta e kishte djegur në zemër. Prisje fundin tim deri në çastin e mbram kur more sytë e vetullat në dorë. Dhe, si vjedhës ike me çantë. Siq ikje buzëmbrëmjeve shpeshëherë. Pa na shikuar drejtë në sy. Pa na përshëndetur. Pa na përqafuar. Premtuar ndonjë fjalë të lumtur në vesh, që jep shpresë. Pa as lamtumirë sëpaku.
Kohë mu desh murin ta kapërceja mes rrëkes. E, errësirën e dendur barrë që ma le pas shpinës. U shtrëngova e s'mbajta vesh as u verbova nga ai rrebesh. Prandaj, sot s'kam asnjë shqetësim. As për veten as për time bijë. Kur gjumi nga unë e ndanë papritur. Ngaqë e di. Shumë mirë e di, siq e di edhe ti si unë. Se nesër ti je ai para t'ardhmes që do të përgjigjesh. C'pate që ike e na le në shi!? E, kurrë ende s'na pyet. Mos gjë tjetër e keqe prapë na ka ndodhur. Ku shkove pasi neve na e humbe rrugën? Janë të vetmet gjëra që sot për sot neve na lidhin për ty. E, na bëjnë të lidhura fort të mendojmë për njëra tjetrën. Dashurisht. Dhembshurisht. Unë e ime bijë. Lidhur fort dy zemra.
Ishte prapë qershor si atëherë. Kur gjithë kjo na ndodhi. Dhe, prapë do t'vijë një tjetër. Me netët e bukura. Këndshëm si bar i gjelbër harlisur. Ja, qe gati u rrit ime bijë. Ndoshta, kur t'gjejmë kohë edhe do të flasim. Për vetminë dimrore. Netët tua në shi, me ngricë e dritë të hënës. Ku do të mërdhihesh. Ti e botë e yte e brendshme. Larg nesh. Larg zhurmave të dashura njerëzore.




DËGJOM E DASHUR

Rrallë të qortoj. Sepse e mirë po rritesh. E sjellshme. E dëgjueshme. Por, kur më ndodh, atëherë fshehem dikund. Pres sa të marri gjumi. Ulem e qaj në heshtje, në këndin tim të preferuar, në kuzhinë. Ky është këndi im ku zbrazi gjithë kënaqësinë dhe pikëllimin e ditës. Gjithmonë pasmesnate.
Ndërkohë pyes: pse?. Fëmijës sime ia ngarkova shpirtin me fjalë. E bëra me vaj. Zemrën e saj të vogël t'i dhemb. Kush jam unë për ta qortuar atë? A s'e kemi mjaft jetën për të na qortuar orë e çast. E koha aq e shkurtër për ta jetuar e për të na dhënë të drejtë. Të jetojmë e të vdesim me peshën e fjalës së hidhur në fyt. A është kjo e vetmja e drejtë që kemi mbi fëmijët tanë? Veç pse mundemi? Sepse jemi më të mëdhenj, më të fortë dhe vetëm pse ata na bënë Nënë. A është ky çmimi i dhembjes me të cilin kemi paguar praninë e tyre të dashur në jetë? ....e shumë, e shumë pyetje tjera që s'u gjej përgjigje.
Ngrihem me pikëllimin në shpirt e futem në dhomë. Shtrihem pranë teje në shtrat. Ti fle e ofshanë herë-herë në gjumë. T'i përkëdhel butësisht flokët, të shpërndara si një pahitëse, bisht pavode mbi nënkresë. Fytyrën, krahun tënd të majtë hedhur mbi mbulesën e shtratit. Të flas qetë, ulët, me zërin përgjysmë në vaj. E penduar falje kërkoj. Përpara Zotit. Ty pastaj.
Zemra ime e bukura. Tani që po fle. Dije edhe një gjë. Unë shumë, tepër fort të dua. Jam poaq krenare që kam një vajzë si ti. Kur të rritesh e bëhesh femer e pjekur. Bëhesh grua, nënë. Do të jesh larg meje. E unë e vetmuar prej teje larg. Do të vras kohën bashkë me mendimet duke kujtuar këtë kohë derisa ende jemi bashkë. Vetëm ne dyja. Të lumtura, të plotësuara në shpirt. Me dashuri plot që kemi për njëra tjetrën. Sa një liqe i madh, i thellë. Me pamjet e kthjellta të bukura rretheqark. Përnat si sonte do t'i kujtoj sytë e tu të fjetur. Flokët tua, të bukurat gërsheta rastësisht shpërndarë mbi nënkresën ngjyrëqumështi. Duke formuar te qafa jote si e mjellmës një hije të thellë të bardhë. E gjithmonë do të kujtoj siq të shoh. Si një mbretëreshë. Fjetur e zgjuar me yllin e artë në ballë. Ose, si drenushë duke vrapuar pas ëndrrave.
Pastaj, nga pendimi i thellë e pezmi i lutem zotit:
Ti, që pate vullnetin e bukur. Prehërin të na e mbushësh me lule. Jepna jetë e të thithim aromën e tyre. O Zot, zgjatjau dorën e ndihmoju të rriten. Shëndetshëm. Të zgjuar. Të lumtur. Të gëzuar. Ata, që duan lirinë e vet. Kënaqësinë për të jetuar. E dëshirën për jetën pabrenga. Se fëmijët o Zot, janë arti ynë e muzika e botës.
Pastaj, ngrihem dhe shkoj në dhomën time. Bëj ajar sahatin. Ngreh mbulesën. Fik dritën. Futem në shtrat. Dy duart nën faqen time të djathtë. Pres derisa më kapërdin gjumi.
Të nesërmen zgjohem në mëngjes bashkë me zilen e sahatit. Me puthje e përkëdhelje, ty të zgjoj nga gjumi. Para se të ngrihesh shtratit m'i shtrin duart e bardha si qumështi. Për një kohë ke dëshirë të më varesh lëngshëm në qafë. Më përqafon. Më puth. Ngrihesh. Han mëngjesin. Vishemi secila në dhomën e vet. E nisemi. Unë në punë. Ti në kolegj. Ditën e bekuar e marrim në dorë ti këndej, e unë andej rrugës me autobus.

Marrë nga vëllimi " Bota e vogël e Beri Lu"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen