Donnerstag, 21. August 2014

Farida Ramadani - Një tufë me poezi


Make-up
 
Make-upi i qytetit,
më befason.
Make-upi yt,
më magjeps.
Të shpirtit,
s’ta kuptoj!
Ngjyrosur,
i paformë,
sakatosur,
shpërfillur…,
përzierje vitesh,
kapërcim limitesh.
 
 
Stinët pasohen
 
Bulëzat ujore,
rreshtuar në vesën e vjeshtës.
I mblodha,
“Pallat” rruazash ngrita...
Frika se mos shkriheshin,
asqë ndodhi …,
deri në stinën tjetër,
arritën monolite.
Më befasuan,
të lidhura qëndruam miqësisht,
leksion jepnin paqësisht...
 
 
Fustanbardha
 
Bukur topin po e mban,
por më gjatë a mendon?
Jeta s’është vetëm penallti,
po ka shumë vështirësi...
E burri i shkretë veç pret,
shtiret i gëzuar me demek,
se ajo topin nuk ia jep,
gjithmonë do ta gjuajë vetë!
Sot pak martesa po rezistojnë,
maninë e ndarjes kanë në gjak,
s’ po dinë çfarë është familja,
çfarë është burri apo fëmija!
Po nuk është, moj fustanbardhë,
Jeta si një përrallë!
Po atë ta kalosh në harmoni,
duhet shumë të sakrifikosh,
të japësh vlera, të punosh,
të mbushësh ato që ke bosh...
Jeta e lumtur do t’ju shkojë,
po e kuptove, se s’ është lojë.
Dashuria është një thesar,
a e ke kuptuar vallë?!
Njerëzimi e ka humbur,
kërkoje, të mos jesh e mundur!
Te vetja duhet ta gjesh,
të vlerësosh fustanin që ke veshur.
Bukuria flet me të ultin ton,
mirësitë e tua vlerëson.
Për atë që rri zgjuar për ty,
që ëmbël në zemër i ke hyrë...
Jeta s’është vetëm një ditë,
por një mal i tërë me dritë,
që po munde, e mban ndezur,
derisa, në çift, të keni vdekur!
Edhe ju o krushqi, e shoqëri,
mos rrini me krye në hi,
jepni përvoja të bukura,
për çifte familjesh të lumtura!
 
 
Nuk përkojnë…
 
 
Disa kanë 24,
disa 32,
disa... ku ta di…!?
Të mërzitura fjalët,
s’ artikulohen njëlloj,
se dhëmbët ndoshta,
s’përkojnë me karakterin,
apo karakteri me dhëmbët.
Prandaj fjalët bëhen çorap,
njerëzimi dot s’po i kap.
 
 
Injorancë e skaduar
 
Mjaft më...
Boll...
Mjaft më...
Boll...
Ritual i përsëritur,
për të gjithë
bërë pis.
Boja po ju rrjedh,
koha jashtë i nxjerr.
Vepra e tyre skëterrë...
S’i lënë të lëvizë dot,
si hije në një qëndrim bosh.
Edukatën kanë larguar,
me injorancën bashkuar,
vetveten kanë mohuar,
por thellë rrënjë lëshuar,
vështirë për t’i asgjësuar...
 
 
S’jetoj pa ty
 
Mbi gjethet e thara,
ndjej hapin tënd,
tek largohesh,
si goditje,
në thellësi të qenies sime.
Pyes veten:
“Ç’bën?”
Marr guximin,
shpejtoj hapat,
duke rendur…
E kuptoj,
pas teje jam i çmendur.
 
 
Di të ec...
 
Di të ec...,
edhe nëse ti më ndalon.
Di të ec...,
edhe nëse ti reagon ndryshe.
Di të ec...,
edhe nëse ti s’më kupton.
Di të ec...,
edhe nëse ti s’më jep ndihmë.
Di të ec...,
edhe nëse ti, s’ke besim tek unë...
Di të ec...,
se kështu më pëlqen.
Di të ec...,
se jeta ime vlen.
 
 
Sfidë ndjenjash
 
Shpirtrat s’u takuan rastësisht,
Ndjenja s’qe atje gabimisht.
Folën me gjuhën e heshtjes.
Jehona e refrenit të mekur,
si një oaz virtual i thekur.
Spiranca puthjesh me sy,
ofshamë e shpirtit.
Të puthurat në imagjinatë,
qëndruan shumë gjatë...
Sfidë me heshtjen,
mik me buzëqeshjen.
Mendime të hallakatura,
buzëqeshje të zjarrta,
emocione të brishta,
përfshirë në fjalë të pista...
Të shkalluar në imtimitet,
dashuri si forcë me vullnet,
si uragan epshor,
jehojnë klithmat...
Të vetmit dashnorë
mbi muret e heshtjes.
Yjet e strukur qeshën,
pikat e shiut u nxitën,
si magnet u thithën.
Si një masazh mbi supe
te njëri- tjetri, pa hezitim,
u dorëzuam me nxitim...
 
 
Kiki im
 
S’e di pse në fillim s’të doja?
Ndoshta, mirë nuk të njoha.
Çdo ditë që ka kaluar,
u fute në zemër, pa kuptuar...
Je i vetmi që s’ke llafe,
buzëqesh me mimikën tënde,
ham...ham..., kur jam e vrenjtur,
nuk hidhesh, kupton i heshtur.
Ndjek lëvizjet e mia,
shoqëruar me lajkat e tua.
Kupton, kur jam e gëzuar,
më ndjek, si i dashuruar.
Qetësi shpirtërore krijon,
nuk je kafshë, je human,
je shoqërues shumë i mirë.
Eh, Kiki...
Me një të lehur,
shqetësimet mi fshin.
Je i pari që më pret,
natën dërmitjet m’i ndjek,
tashmë pa ty s’mund të rri,
të “përqafoj” shumë Kiki!...
 
 
Pentagrami: “Zog i lirë”
 
 
E mbaja lehtë në dorë...,
mërmëriste, si me “gojë”...
Fjalëcicërima pa kuptim,
i dilnin nga shpirti...
Kur desha ta pyes unë,
mbylli sytë për gjumë!
Heshtaz cicëron,
veten në vlerësim zogu i lirë,
Të gëzueshëm dhe pa lëvizur
e ndjej në “fluturim”...
S’e kuptoj gjendjen e tij...
Disa thonë për të: “Lum si ai!”
Por unë bie në mëdyshje :
S’ia dalloj fytyrën,
as në brendësi “ngjyrën”...
Një lot, papritmas, i rrëshqiti
e pas të parit, tjetri u nis,
lart kokën ngriti,
m’u duk sikur kuvendoi me Zotin...,
ky zog i lirë...
“Këndo, këngën e zemrës!...
Të paktën provoje,
ta ndjesh veten...”-
i thashë në fjalorin tim.
Dikur u tha loti,
ndaj rinisi cicërimin...
Përsëri ngriti kokën,
s’pushoi këngën e lumtur :
“Ciu... ciu...”.
Sikur kishte tërë botën,
m’u duk
në melankolinë e përfshirë...,
si në një simfoni zogu pa kthim...
Dikur... e thellova kuptimin,
ndaj vendosa kënaqësisht :
T’i jap lirinë.
E lëshova në ajër ...
U largua, duke cicëruar,
thithte ajrin e munguar
dhe prej andej
më përshëndeste
me krahët pendorë të tij .
Cicërimi gjallëroi malet,
lulet shkundën petalet,
nga duartrokitjet, të bukurat nota,
herë të “buta”, herë të “forta”.
Në hapësirë cicëronte
dhe vijonte të rrihte krahët,
zogu im i lirë...
Në pentagramet qiellore,
shkruhet me ciu-ciu:
“Lum si unë për këtë ditë!”


_______
Nga libri "Pikrturoj në qiell"   

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen