Freitag, 1. August 2014

Shaban Cakolli, burrë fisnik i shqiptarisë.

Në vend të In Memoriamit
 
Shaban Cakolli, u lind në Krilevë të Dardanës në vitin 1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse studimet në Univerzitetin e Prishtinës. Nga mosha fëmijërore u frymëzua për shkrime, kulturë dhe veprimtari kombëtare. Si i ri punonte me rininë e fshatit në grupe letrare, ku nxirrte gazeta të murit. Me shkrime dhe kulturë vazhdoi edhe në shkollimin e mesëm dhe univerzitar. Ka botuar shkrime në poezi, prozë dhe publicistikë në gjitha gazetat që botoheshin atë botë në Kosovë, ku edhe tani boton në gazetat dhe revistat që botohën në diasporë e Kosovë.Ka udhëhequr jetën kulturore në vendlindje dhe mërgatë. Në Gladbeck ishte sekretar i SHKA "Aleksandër Moisiu" në kryesinë e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Mërgim(BISHM), është në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani LSHAKSH. Ka botuar në gjuhën shqipe, gjermane dhe turke. Është i përfshirë në 18 antologji në gjuhën shqipe, një gjermane në mërgim dhe Kosovë. Poashtu, ka lën në dorshkrim edhe disa libra të përgatitura për botim.

Shaban Cakolli ishte veprimtar i shquar i mërgatës dhe bënte punë shumë të madhe në prezantimin e krijuesve letrar dhe të veprimarive kulturore e shoqerore. Ishte mik i mirë, njeri shumë i afërt dhe komunikastiv. I donte dhe i respektonte koleget letrar, miqte dhe farefisin. Ishte bashkëpunëtorë i shumë gazetave, revistave dhe mediave dhe portaleve elektronike. Të gjitha reaksite e respektonin, sepse ai ishte punëtor i palodhshëm dhe i furnizonte me shkrime që bartnin vlera të pamohueshme.
 
Shabani, që nga fillimi ishte bashkepunëtorë edhe i Portalit tonë "Ora shqiptare" dhe i Revistës ekektronike "AlbPlanet". Ai e jepte kontributin e tij duke na dërguar shkrime të ndryshme për vepritaritë kulturore të mërgatës shqiptare, prezantonte krijues dhe artiste të ndryshem nga e gjithë hapsira shqiptare, prezantonte librat e kolegeve të tij, shkruante recensione dhe vlersime letrare, jepte mendime për ngjarje të ndryshme politike dhe trajtonte tema nga jeta e përdishme. Me nje fjalë, Shabani ishte i papritueshëm dhe i pandalshëm. Por mbi të gjitha, ishte njeri fisnik dhe e donte njësoj çdo pëllëmbë të atdheut.
 
Shaban Cakolli, ndrroj jetë më 27.07.2014 në Gjermani.
 
Me ikjen e Shabanit, ne humbëm një mik të mirë dhe bashkëpunëtorë të zellshëm, mërgata humbi një veprimtarë dhe intelektual të shquar, njerzit e letrave e humben një kolege që e shkruante bukur dhe më shumë dashuri poezinë...
 
Qofte i përjetshëm kujtimi për këtë burrë fisnik të shqiptarisë !
 
 Haxhi Muhaxheri
 
 
___________________
 
 Agim Gashi: Me vdekjën e Shaban Cakollit, humbëm një njeri të ndritshëm, një mërgimtar plot dhimbje e mall për atdheun, një poet me plot vargje të dala nga shpirti i tij njerzor, një pishtar të dijes që ndriqoi atdheun e kombin deri në frymën e fundit.
 
Agim Metbala: Shaban Cakolli ishte një njeri fenomenal me shpirt manar, një poet i sinqert pa asnjë kalkulim që vargjet i nxjerrte nga thellësia e shpirtit e të qiltërt ashtu si e kishte ai zemrën dhe shpirtin e pastër, një poet që i respektonte dhe i donte të të gjithë poetë të tjerë, një poetë që ndjente kënaqësi t'i prezentonte të tjerë e të shkruante vështrimet goxha të gjata e profesionale, një atdhetar i devotshëm.

Ismet Jonuzaj: Shabani ishte një shembull se si duhet me qenë bashkëkombasi e intelektuali dhe miku!
 
_____________________ 

Poezi kushtuar Shaban Cakollit
 
 
Liman Zogaj

KUR OFSHAMA KTHEHET NE JEHONE

Mikut, poetit Shaban Cakolli

Tani e mesova fjalen tende te fundit:
-„Limano,do mjeshter po punojn
Ne gjoksin tim“.
Nuk i besoje lajmit...
As vdekjes
As varrit ne Krileven e zemres.
As nuk e neneshkruaj ikjen
Ndarjen, harrimin, Aiii.

Ne skenen e Teatrit
Atje,
te livadhet e luleve
Premiera shfaqet
me do rekuizita te thyera.
Nje ze ne eter
U be pake heshtje
Pak ushtime
Pak lot,
ne qepallen e henes mbi keneta.
Ne udhen neper shkretetira
Kur erarat na i fiknin kandilat
Kerkonim drite te re
Per planitin qe digjej.
Shaban Cakolli
Mos u vono shume
Ta falim vetem nje sy gjume
Dhe eja me penden e pa shterrur,
me lahuten e gedhendur me qershin e rrezes
eja
me vargun per Ylberin
qe ti lidhi trojet Ilire
si nje buqet me Mimoza te kuqe.

Mergimeve
Nuk e dim, a jemi te gjalle
A te vdekur
A jemi buze varrit
A ne tryezen ku e kafshoim pelimin
Qe na e vret
kalendarin e buzeqeshjeve
Te djegura.

Miku im
Vetem Ikjen Nuk e Neneshkruaj.

 
 
 
 
Makfire Maqedonci Canolli

PSE PO IKUN POETËT?

Pse ikun poetët kështu nga kjo jetë
krejt pa pritur fare pa na përshëndetë,
vargjet ua lënë zogjëve për kujtim
e në heshtje nisen rrugës për në amshim!

Vallë pse poetët po na ikun me të madhe...

mos janë mërzitur nga kjo jetë plot halle?
Apo ndoshta po i kaplon thellë në shpirtë mërzija
pse nëpër luftra po masakrohen fëmija?!

Pse kështu u ndave poeti Cakolli
cili engjëll në krahë përjetësisht të morri?
Mos vallë vetë e lute ti Perendinë
të jeshë për këtë festë me engjëjt në amshim!

E di se të dogji thellë në shpirtë ty malli
e ke shprehë në vargje me lotë mërgimtari,
i lehtë ty të qoftë dheu i Kosovës loke
për jetë do të kujtohet vepra e fjala jote!

Pusho ti i qetë në ato lëndina
me mikun e madhë poetin Podrimja!
Vargjet që ua latë zogjëve amanet
do të recitohen nga brezi në brezë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!
 
 
 
 
Lumturi Plaku

DEDIKUAR SHABAN CAKOLLIT

A je përmëndur se ç’dëm ke bërë në këtë vit,
o muaj korrik?

Pse i vrave fjalën e i prishe këngën atij bilbili,
që dhe pse lindur në Dardani
e emigruar në Gjermani,...

pa u tërhequr e pa u lodhur asnjë minut,
s’ndaloj pa shkrua, poezi e proza e gazetari
e opinione për çdo problem, hall e mundim,
që vriste, dëmtonte gjithë kombin e tij?

Pse i shove dritat,
që i ndizte kudo me shkrim e fjalë
ai atdhetar intelektual,
ai prind i denj, burrë i nderuar,
ai shok besnik, komunikues,
me fjalë bindëse me çdo njeri?

Në muajin korrik u nda prej jetës
një burr i nderuar, i rrallë, fisnik,
kultura humbi një intelektual,
Me vepra pa fund, me fjalë të rrallë.
___________________


Poezi të autorit Shaban Cakolli
 
 
KA KOHË
 
Ka kohë
që jam duke u ngjitur
Lugut të Blertë
të Gërmisë.
 
ka kohë që ujë pi
në krojet e fëminisë.
 
Ka kohë
që më janë ngatërruar kohët
dhe nuk e di kur fillon e kur mbaron
Ëndrra.
 
 
 
ZHGËNJIME
 
Evropën e krijuan së pari
me mite e legjenda.
 
Erdhi nga antika
në katër këmbë
në përrallat moderne
me urinë e Kronosit.
 
Djepi i saj
ku i dhamë qumësht legjendash
ende përkundet bosh
në gërmadhat e Ballkanit.
 
 
 
LEGJENDA E ROZAFATIT
 
Një fëmijë
kërkon gji
nga guri.
 
Nëna e murosur
me qumështin e saj
ruan qytetin e Shkodrës
nga ushtat e helmuara
të legjioneve romake.
 
Më kot babai
fëmijës së vet
i rrëfen rrugën e përgjakur
deri te kënga e lahutarit.
 
Ai s'do të kthehet
pa i pirë dy-tri pika qumësht
nga legjenda
e këtij shekulli.
 
 
 
DUKE SHIKUAR ORËN
 
Një shekull iku
duke shikuar
diellin me zenit.
 
Ku mbet ora jonë
që mat rrjedhën e gjakut
në histori?….
 
Pena ime gërryen mbi letër
hieroglifet
me të cilat kam shënuar
kronologjinë
e lindjes
deri në perendim
të epokës së gjakut.
 
 
 
DRURI I JETËS
 
Liliane Perrin-it
 
Ajo vdiq në nëntor
dhe flamujt e fateve tona
i zbritëm në gjysmështizë.
 
Liliane Perrini-i,
medalon i përjetshëm
ne do ta mbajmë të varur
në kujtimet tona.
 
Ajo iku në nëntor
dhe vjeshta hyri me verdhësi
në visoret e ëndrrave
duke shkundur gjethet
në Drurin e Jetës.
 
 
 
ËNDRRAT
 
Na mbytën ëndrrat
e dheut të huaj
 
Edhe netëve të pagjumë
bredhim të përhanshëm
hapësirave të bleruara
të vendlindjes.
 
zgjohemi
me ëndërr në qepallë,
dhe ngrysemi mbi pjalm gjumi
në bebëzen e lulëzuar.
 
Vetëm një grusht
dhe Kosovë
do të na sjellë
pushimin e trupit
dhe qetësinë e shqisave tona.
 
 
 
ROJA E TUFËS
 
Kur këndon Baca Nazif
fotografitë në mur lotojnë
nga malli:
"Ngjitet tufa me këmborë,
u prinë dashi me kurorë…"
 
Në karrige ahu
që ka lëshuar gjethe
rri ulur duke i rënë kavallit
i zgjon bylbylat e mallit
në kopshtet e largëta
nëpër këngë.
 
Nëpër mure zhagitet
hija e dashit të therrur kurban
për festën tonë të motmotit.
 
 
 
MALLI PËR FSHATIN E LINDJES
 
Arën me grurë e solli
në dhomën e stolisur
me kallij të vendlindjes.
 
Këtu në këtë qytet të huaj
as gruri se ka ngjyrën
e bebëzave tona:
është jeshil si zhapini
tek rrezitet mbi shkëmbij.
 
U poqën kallijtë në dhomë
nga malli ynë
ngjyrë bakri.
 
 
 
PLAGA E KURBETÇARIT
 
Është plagë
e nuk mbyllet kurrë
 
as nëzemër,
as në shpirt.
 
Stinët ndërrojnë,
datat në kalendar,
akrepat qarkojnë
rrathët e ferrit.
koha rri e ngrirë
në kujtime.
 
Plaga ime kullon
gjak
pika-pika
mbi kujtime….
 
 
 
SHAMIJA
 
Ma dha shaminë
që pat fshirë
lotin që ia shkrumoi faqet.
 
Kur u zgjova nga gjumi
me të i fshiva kujtimet
e lëndimet e zhubrosura…
 
Po njelmësinë e mërgimit,
 
me se do ta fshija,
me se do ta hiqja?
 
 
 
RASAT E MËRGIMTARIT
 
Një jetë e nemur
e lakuar nëpër
rasa.
 
Në emërore:Iliri!
në kallëzore:Dardani!
në rrjedhore:Kosovë!
 
Thirrorja është zhdukur
se nëna s'na dëgjon.
 
Emri ynë
edhe sot lakohet
nëpër histori.
 
 
 
NË KUJTESË
 
Dikush qan
mos po qaj unë?
 
Me ninullat të bukura
mí ndizte nëna
dhe qirijtë qiellorë
mbi kokë.
 
Mbi kokë,
pleqëria se ç'm'i shkundi
borërat e Sharrit
e duke bredhur meridianeve
ninullat e nënës s'mú ndanë.
 
Dikush qan
mos po qaj unë?
 
 
 
MALLI
 
Kur e lash shtëpinë
dhe ika nëpër botë
nëna deri te pragu i shtëpisë
më përcolli me lotë.
 
Ika unë i mjeri
nëpër baltë e terr,
nëpër shteg ylberi
vajta drejt në ferr.
 
Dielli rri i ngrirë
në qiellin e huaj
duke ma ngrohë jetën
me javë e me muaj.
 
Rrudhat e pleqërisë
s'ma shuajnë atë zjarr
që në vendin tim
të kem një copë varr.
 
 
 
REFREN KURBETÇARI
 
Kafka të ngjitura për lëkurë
që jetën s'e shijojnë kurrë
duke kujtuar lodrat e fëminisë
vrapin e bagëtisë në fushë
mallin që është përzier në këtë tymnajë.
 
Kush do túa ushqejë shpresën
ata që kurrë s í sheh të qeshur,
Rini e mbështetur për mur
deri kur?
 
 
 
KROI I AHUT
 
Nën shiun plak
diku në mal
buron me currila
uji kristal.
 
Rrjedh uji ngadalë
malit tatëpjetë,
siç rrjedh nëpër vite
malli im për jetë.
 
Një ylber kujtimi
rrjedh nëpër mote
prej zemrës sime
deri te zemra jote.
 
 
 
BYLBYL I LUMTUR
 
Ti në kafaz
unë mes natyre
ti këndej
e unë
matanë pasqyre
 
Ti lart në qiell
e unë poshtë në tokë,
as për një shekull
s'bëhemi shokë.
 
Eja të ndërrohemi
për shekullin e ri.:
unë pëllumb
ti bëhu njeri.
 
 
 
DITË E VONUAR
 
Si pikë uji nga shkretëtira
bëhu oazë
dhe mbushi burimet
që t'i freskosh zemrat e djegura
nga vapa qiellore.
 
Dhe eja
ditë e ëndrrave të bardha!
 
 
 
NËNA
 
Fjalë e qëndisur
me shkronja ari
te kokat e shqiponjës
në flamur.
 
U rritëm nëpër shekuj
në prehrin e saj,
me bazybenë
që na e lidhi për qafe
bredhim nëpër histori.
 
Edhe sot në kurbet
në ëndërr netëve dimërore
më flet.
 
 
 
DALLËNDYSHES
 
Shko në kopshtin tim
këput veç një mollë
ma sill t'i marr erë
të bëhem erë e saj.
 
Ma sill një lulëkuqe
me ngjyrë të flamurit
t'ma zdriti udhën
e shtegun nëpër terr.
 
 
 
KËNGË QYQESH
 
Në pullazin e shtëpisë
tubohen qyqet.
 
Netve me hënë
majë oxhaku
heshtjen mortore
vetëm kënga e tyre
e prish.
 
Mbështjell me ëndrra kobzeza
nëna mallkon
këngën e tyre mortore.
 
 
 
PARA XHAMISË SË MADHE 
NË PRISHTINË
 
Në Prishtinë
para kafenesë"Besa"
bërlyket shpresa për çdo ditë.
 
Para Xhamisë së Madhe
tubohet mëngjeseve rinia
për të shitur rininë e vet.
 
As me pishë as me qiri
kurkund s'gjen
mall më të lirë në treg.
 
 
 
BOTA E TJETËRSUAR
 
Shekuj me radhë
po lind
engjëj dhe tiranë.
 
Rruga ku takohen
shtruar me të zeza,
mbretëri e tyre
shtrihet në varreza.
 
 
 
DHEMBJE
 
Ngricë përjashta e ngricë përbrenda
ku të gjejnë zemrat pak ngrohtësi
dashuria ku do të shkrijë?!
 
Duke pritur ata që ikin
duke pritur ata që s'vijnë
më të vocërr po bëhen fëmijtë.
Po Gjeto Basho Muji kur do ta kapë thikën
për ta mbytur frikën?
 
 
 
NETËT PA GJUMË
 
Dhoma fle
po shtati im sé ndjen qetësinë:
mendimet bredhin nëpër visore,
qelizat ëndërrojnë sferat e dritës
ndërsa eshtrat parandjenë se do të bjerë shi.
 
Në mua s'ka qetësi:
zemra troket në një portë
ku e dashura ime qëndis
pajën e fëmijëve tanë të palindur.
 
Në një ëndërr hap një dritare:
fluturat e dritës vërshojnë nëpër perde
dhe shëndrrohen në fluska drite.
 
Zgjohem dhe shënoj në ditar:
notat e një kënge të harruar
në një legjendë.
 
 
 
PËLLUMB I HUAJ
 
Ai nuk e njeh
qiellin tim
që e ruaj në bebëz.
Di të fluturojë
vetëm mes reve me tym
që na i ngulfasin
mushkëritë tona fshatare.
 
Më kot shikojmë nga qielli
ai asnjë lajm nuk do t'na e sjellë
nga shtëpitë tona mbuluar me mall.
 
Edhe gugatjen
e ka në gjuhë të huaj
As dreqi s'i merr vesh
figurat që bën
tek fluturon nëpër qiell.
 
Më mirë është t'ia vënë
një degë dafine në sqep
dhe të lutemi të na sjell paqe
në këtë globin tonë
gjysmë tokë
e gjysmë ujë loti.
 
 
 
NË PRITJE
 
A do të kthehet ndonjëherë
si zog shtegëtar
për të marrë vezën e harruar
në pullazin tonë.
 
si stalagmit mijëvjeçar
pres i shtangur
fluturimin e tij nga vendlindja
unë Ago Ymeri vetë.
 
 
 
VENDI IM
 
Natë për natë
shëtis visoreve me hënë
buzë lumit,
fushave me grunaja,
pyjeve të gjelbëruara.
 
Krojet gurgullojnë në gjuhën e këngës
bari pëshpërit
baladën për Rrushen e Rexhës,
era zgjon mallin
e fjetur në zemër.
 
Natë për natë
bredh bulevardeve të ëndrrës
dhe në shtëpi nuk arrij kurrë.
 
 
 
RRUGËT E MIA
 
Jam udhëtar
që kërkon Itakën e vet.
 
Meridianeve të Europës
shetita,
nëpër hotele luksoze
kam fjetur
dhe asnjë çast pushimi
nuk pata
 
As buka s'pat shije
as uji i kroit,
pa i prekur nëna ime.
 
Shesheve të qyteteve
u mungonte aroma e blirëve
të buzërrugëve të mia.
 
Dhe vazhdoj rrugën
dhe s'di kush më shtyn
e në Itakën time s'arrij kurrë.
 
 
 
BOTA E MASKAVE
 
Është bërë bota si laraska
krijon fytyra me dy maska,
një dje,
tjetër sot,
nesër duket si robot.
 
 
 
NË BRENDI
 
E sotmja
qan të nesërmen,
të dyja në shpirtin tim ndeshën,
unë mes tyre përpiqem
të arrij triumfin.
 
 
 
PISHTAR DRITE
 
Fadil Sylejmanit
 
Pishtar drite
në qiellin e shqipeve:
e sjell pranverën në stinët tona,
ngrohtësinë në kujtime,
shënon vitet e dritës,
që arrijnë nga stërgjyshërit tanë.
Meshtar i të dielave tona
kur besimtarët
bien në gjunjë
tek predikon të ardhmen.
 
Qiri i Naimit
që shuhet për të bërë dritë
për poetin e tretur
në bardhësinë e letrës.
 
 
 
I HUMBURI
 
Kur deshi të kalojë
nëpër pragun e dy stinëve
u rrëzua në gurin e moshës.
 
Buza i rrodhi qumësht
se ende dhëmbët e qumështit
s'i ishin ndërruar çunit.
 
Tashti ndjek gjurmët e stinës
duke ëndërruar mustaqet e misrit
t'i rritën nën hundë.
 
 
 
USHTRIMI I DURIMIT
 
Digjet si Ago Ymeri
për fjalën e dhënë:
besë sot
a ka ndër burra?
 
Thinjat e durimit iu nxinë
dhe rishtas iu zbardhën
nën flakën e ftohtë
që digjet nëpër fjalë.
 
S'ka zjarr që ia pjek
kulaçin
që ia gatuan e bija e mbretit.
Ai do të kthehet
pas nëntë vjetëve
te nusja e vet.
 
 
 
MALLËNGJIM
 
Motra kur u bë nuse
hapi portat e ngujuara
të një stine të re.
 
Qerrja e kuqe me katër rrota kohe
kaloi mbi fëmininë e saj.
 
Motra iku!
Ç'zog do të këndojë
në drurin e manit
mallin e saj?
 
 
 
ELDORADO
 
Aty sundon vetëm një stinë:
gjethet thahen
në bebëz
ku bën vapë tropikale.
 
Aty mbretëron vetëm një kohë:
Doruntina do t'mbetet pa u martuar
se treqind krushq
kanë humbur rrugën
deri te shtëpia e saj.
 
Çika potureshë këndon
balada
me një kurorë gjaku në kokë.
 
El Dorado është
ëndrra jonë shekullore.
 
__________
Poezitë janë marrë nga përmbledhja poetike "Tokë Dardane"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen