Samstag, 21. Juni 2014

Ragip Kҫiku - Poezi e mendimit dhe kreativitetit

 
Me poezinë e Olimbi Velajt
 
Shkruan Ragip Kҫiku
 
Shpesh thuhet se kritika e poezia pajtohen rrallë. Dhe është mirë që ndodh kjo, sepse po të arrihej ai pajtim, atëherë kërkesat ndaj poezisë e autorëve do të mungonin e do të mungonte edhe rivaliteti krijues, ajo makina që shtynë krijuesit të punojnë, të kërkojnë e të gjejnë rrugë dhe forma të reja krijuese. Por edhe kritiku, në anën tjetër, kërkon. Ashtu si kam kërkuar edhe unë duke u marrë me poezinë e Olimbi Velajt. Për mua, kur autori e ka përfunduar një krijim, kur ia ka dhënë edhe formën e fundit, vlera e atij krimi është e njëjtë, edhe kur është botuar si përmbledhje, edhe kur ende ruhet dorëshkrim. Prandaj, për në shkrim kritik, për poezinë së Olimbi Velajt, kam marrë për trajtim poezitë e saj të botuara në përmbledhjen “Qenia pasdite”, aleph, Tiranë, 2003 dhe disa poezi që ajo m’i ka dërguar për lexim e që ende nuk e kanë parë dritën, si libër.
Mendimin tim për profilin krijues të Olimbi Velajt e kam nisur ta formoj nga leximi i disa poezive të saj që më binin në dorë herë pas here, interesimin për të ma ka ngjallur mënyra e të shkruarit të tekstit poetik, shkakun për ta studiuar e kam fituar nga brenda e asaj që ruan ky tekst e nga ajo që më shumë flitet në kontekst. Dhe, ky kontekst flet se Olimbia nuk mbetet e robëruar nga ndjenja, se ndjenja te ajo është vetëm fillimi, sepse ajo i përkushtohet mendimit dhe të gjitha ia nënshtron mendjes kreative: temën, figuracionin, llojin e vargut e porosinë. Me këtë ajo fiton një shkëputje të ndjeshme nga tradita e fiton shumë lidhje të ngushta me modernen, me kohën që e jetojmë e me qasjet që ka e që kërkon krijimtaria e sotme nga bashkëkohanikët e saj krijues. Kështu, kemi lidhjen me kohën të cilën e shprehë tejet abstrakte por shumë konkrete, për të cilën ajo ndjen e mendon:

“tjetër trajtë ka koha
nën fytyra të lodhura shenjtorësh”

Pra, jemi në kohë, i përkasim një kohe tejet dinamike, ku bashkëjetojnë absurdi e konkretja, ku mashtrimi dhe e vërteta lidhen shumë ngushtë, ku përditë ballafaqohesh me “fytyra të lodhura shenjtorësh”. Por, këta nuk janë shenjtorë migjenianë, që kanë përballë mjerimin, ata këtë lodhje e kanë midis milionerëve, midis qyteteve milionëshe, midis begative e varfërive pa kufi. Megjithatë, te kjo autore ndjehet ndikim i lehtë i stilit dhe interesimeve migjeniane, ndoshta pse ai ishte njëri nga poetët më novatorë të kohës së tij. Kurse te autorja është kjo një botë:

“ku kurmet pafajshëm përvidhen
e digjen pa kohën
që mat
sosjen tonë të pakthyeshme”

Legjenda më nuk shkon, ashtu si dyshohet edhe në realitetin, sepse brenda njerëzve e midis qytetërimesh krijohet diçka e re, shikimi i të gjithëve shkon drejt asaj që zhvillohet e nuk thuhet, te ndeshja e qytetërimeve, sepse ngecja e ideve shpirtërore bëhet pengesë e njohje që tashmë njerëzimi i ka në duar. Poetja është për ndryshime e jo për luftë dhe thërret:

”Dita persiane fillon me perëndimin”

A do të kuptohet kjo thirrje, mbetet të shihet, sepse natyra njerëzore gjithnjë, në situatë dramatike e që kërkojnë zgjidhje të ngutshme, sikur vonon:

“hapësirë e lirë për të qenë braktisje
e largët përgjithmonë mbeti vera prej shpirtit”

Dhe shpirti është ai që ndërlidhet me mendjen, kuptimi i jetës, burimi i dashurisë, e padukshmja që duket në thellësitë intime, si janë ndjenjat, imagjinata, ëndrra e shpresa. Por, autorja nuk ia ka besën shpresës, nuk i lë asaj në ruajtje as vetes, sepse edhe jetën e edhe vdekjen i shikon ndryshe:
 
“Do të doja të vdisja
në ndonjërën nga këto ditë
pa ateizmin tim
dhe erotikën e largët”

Duke ndjekur rrjedhën e vargjeve, rendin e poezive, vjen e shtohet edhe pamundësia për të thënë të gjitha ato që sjellin ato, të gjitha ato që ndjehen dhe të gjitha ato që të duket e nevojshme t’i thuash. Spektri poetik vjen e zgjerohet dhe të bëhet sikur shumë gjëra kanë dalë pothuaj spontanisht nga përvoja e autores, nga njohjet e thella si studiuese dhe nga talenti e lindur. E shkolluar në institucione me famë për letërsi e arte, ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me rrjedhat botërore në fushën e krijimit letrar dhe i ka sulblimuar ato me sukses, duke marrë përvojën e duke krijuar tabanin origjinal të krijimit modern shqip:

” jam
përtej ujit dhe hamendjes
në orët e thata të zgjimit
afër fjalive të mia
dynden imazhe, për pasigurinë
midis lajmeve dhe gazetave
që vjetrohen në mbrëmje
ndërsa shirat rrjedhin
përbri xhamash të ftohtë
në kohën që zmadhohet
përgjatë segmentit tonë ndarës.”

Te përmbledhja “Qenia pasdite” na del në dukje edhe një etje e një synim i kësaj autoreje: që të kontribuojë për daljen e letërsisë sonë jashtë kufijve provincialë e kombëtar, prandaj poezitë i boton të përkthyera në anglisht, njërën pas tjetrës dhe kjo krijon mundësinë që me poezinë e saj të komunikojnë edhe lexues të vendeve të tjera. Edhe në strukturën dhe interesimet e poetes në këtë përmbledhje dominon struktura moderne e ndërtimit të vargut, ritmi ndjehet nga brenda ku rima mungon. Thyerja e vargjeve, mëvetësimi i tyre si strukturë, duke mbetur vazhdimësi e ndjenjës, ndijimit dhe mendimit, janë edhe një karakteristikë dalluese e poezisë së kësaj përmbledhjeje:
 
“Gjithmonë humb diku
dëshira e kryerjes së plotë
duke menduar se më përtej së dukshmes
diçka gjallon
si mistika e pashpjeguar e qenies”

Poezia e Olimbi Velajt realisht na nxjerr para dilemës: po thellohet a po ngushtohet hendeku që ndanë prozën nga poezia? Dhe kjo dilemë nuk largohet gjatë leximit, po edhe në meditimet pas leximit, sepse ashtu si ka ikur shumë poezia nga soneti klasik, nga kadencat, nga rubai e kështu me radhë, ashtu edhe proza moderne ka ikur nga rrëfimet e gjata, nga analizat triviale, nga përshkrimet pa fund. Kjo ikje reciproke i ka afruar këto dy zhanre krijuese, po njëkohësisht edhe i ka larguar, sepse te poezia është thelluar ndjenja e mendimi e te proza rrëfimi është bërë më i ngjeshur e përditshmëria me ndodhitë e saj është shumë më e pranishme. Poezia e Olimbi Velajt është shembull tipik i këtij afrimi dhe largimi midis poezisë e prozës, sepse ndjeshmëria dhe nënteksti poetik këtu dalin tejet fuqishëm. Këtë shkrim për poezinë e Olimbi Velajt do e kisha përfunduar me këto vargje, që u drejtohen dy dashurive, poezisë si dashuri krijuese dhe dashurisë si ndjenjë njerëzore:
 
“Ndoshta nuk më mungon ti
por mënyra se si të desha.”
 
Prandaj, Olimbia mbtetet krijuese që është vazhdimisht në kërkim.
 
 
Biografi e shkurtër e Olimbi Velajt
 
Është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës më 1996. Më 199z-1998 kreu studime krahasuese pasuniversitare, "Baladat në Ballkan" pranë Universitetit shtetëror të Sofjes, Bullgari, "Sv. Kliment Ohridski", Departmenti i Folklorit dhe Antropologjisë. Më 2008 përfundon studimet pasuniversitare në Letërsi dhe merr një diplomë Master, pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Është doktorante Letërsie pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Punon si gazetare që prej vitit 1993 në disa gazeta kryesore në vend si dhe në revista e radio. Aktualisht është pedagoge e Letërsisë në Universitetin publik "Aleksandër Moisiu", Durrës.
Më 1998 botoi librin e parë, një vëllim me poezi "Çastet vdesin nën akrepa orësh" dhe më 2003 botoi "Qenia pasdite". Është përkthyesja e një antologjie të poezisë klasike bullgare, në kuadrin e një projekti ndërballkanik më 2006, EMOS. Është nderuar me çmim për poezinë e të rinjve më 1993 nga Fondacioni “Sorros”,Tiranë; me çmimin për poetet femra më 2003 nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, Vushtri; ndërsa më 2005 është nominuar për Çmimin Ballkanik nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, “Curtea de Argesh”, Rumani. Cikle të saj poetike janë të botuara në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, greqisht, rumanisht, bullgarisht, hebraisht dhe turqisht. Është e pranishme në disa antologji të poezisë shqipe ku merren në konsideratë autorët e pas viteve '90.
Momentalisht ligjëron lëndën e Letërsisë Botërore në Universitetin e Durrësit e edhe në universitete të tjera, si bashkëpunëtore.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen