Donnerstag, 12. Februar 2015

Lule për lulet, me lule të vyshkura!

ANTOLOGJI PËR TË TREGUAR PRAPAMBETJEN E JO ZHVILLIMIN 
E LETËRSISË SHQIPTARE PËR FËMIJË 

  • ”Lule për lulet – antologji e letërsisë për fëmijë 2000 – 2014”, Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Tiranë, 2014

Nga Rrahim Sadiku

Lexova “antologjinë” “Lule për lulet”, të përpiluesëve Pandeli Koҫi, Astrit Bishqemi, Fatmir Gjestila, Riza Braholli, Vangjush Saro, Vasil Premҫi, Xhahid Bushati dhe Xhevat Syla, brenda së cilës janë përfshirë një pjesë e madhe e poetëve meritorë të letërsisë shqiptare për fëmijë, po edhe një pjesë më e madhe “poetëve” që nuk marrin vesh nga krijimtaria, nga shkrimi artistik dhe nga vlera. Aq më pak nga bota e fëmijëve. Dhe më doli se shumica nga këto lule, që përpiluesit kanë dashur t’ua servojnë fëmijëve si të freskëta e me plot nyansime pranverore, të jenë të vyshkura, të vjela kaherë dhe pjesa më e madhe e tyre tejet të vjetruara, të tejkaluara e pa asnjë arsye të gjenden në një përzgjedhje të këtillë.

Ky libër, realisht, nuk është antologji, por paraqitje e autorëve shqiptarë që kanë shkruar, që e shkruajnë ose që mendojnë se e shkruajnë letërsinë për fëmijë.


Po e nis nga Xhevat Syla, përzgjedhësit të krijimeve të shkrimtarëve nga Kosova. Kjo përzgjedhje që ka bërë ai tregon cektësinë e mendjes së tij, titullin e ligjëruesit që nuk e meriton dhe papërgjegjësinë e cila gjithmonë dhe kudo e shoqëron. Poezia e Xhevat Sylës, e përzgjedhur këtu, si edhe e gjithë poezia e këtij autori, mund të ishte e arsyeshme të botohej në ndonjë revistë, si shkrim fillesatri, por jo në një antologji,ku ai është një nga përpiluesit. Ja si e shkruan ai poezinë “Vendlindja”:


Prindërit, gjyshërit,
fara e fisi;
shtëpia, rruga,
fusha e lisi;
varret, kujtimi,
bjeshka e lumi;
loja, dashuria,
ëndrra, gjumi...


Nuk besoj se duhet të shkohet më tutje. Cili njeri që i di germat nuk do të bënte radhitje të këtillë fjalësh, me mungesë totale të frymëzimit, imagjinatës, prekjes së botës fëmijënore? Mendoj se zgjedhja e tij si përzgjedhës i krijimtarisë së poetëve nga Kosova është tallje e qëllimtë e dikujt në Tiranë me këtë pjesë të krijimtarisë sonë letrare.


Tregimi (nëse mund të quhet kështu) i Vasil Premҫit, gjithashtu një nga përpiluesit e “antologjisë”, nuk është shkruar për moshën të cilës i dedikohet kjo angtologji, ka stil gazetaresk dhe stërzgjatje fjalish e ngjarjesh dhe rrëfimi del shumë klasik, sepse nuk e intrigon me asgjë lexuesin.


Realisht, si e këtillë, kjo “antologji”, sikur të qëndronte realisht, do të duhej të ishte alarmuese për realitetin krijues të letërsisë shqiptare për fëmijë, në vitet e fundit, sepse ajo tregon degradim të thellë cilësor, tematik dhe estetik të saj. Shumica e poetëve të rinj (dhe aq të rinj) vazhdojnë të shkruajnë sikur letërsia jonë të ishte në fillimet e saj, sikur letërsia jonë ka ngecur tek bejtexhinjtë, sikur krijuesit tanë nuk lexojnë e nuk shohin se ҫka po ndodh e ҫka po zhvillohet rreth tyre e në botë. Por, lumturisht nuk është ashtu, sepse ka shumë e shumë shkrimtarë që sjellin vlera e risi në letërsinë tonë për fëmijë e që nuk janë të përfshirë këtu.


Disa shembuj se si degradohet krijimtaria shqipe për fëmijë, duke i marrë këto poezi e këta krijues si vlera antologjike (fragmente nga libri):


“Dy dhe vetëm dy janë babë e nënë,
Të kërkosh gjithë botën si ata nuk gjen...
Tre gishtërinj e drejtojnë penën,
Gishtat lozin valle, pena zgjidh problemën.”
(Adil Zeka, “Dhjetë rrahje të zemrës”), f. 16


(...Atje gjetën familjen e zhabave. Princesha Mjellmë vendosi një ligj: asnjë mjellmë nuk do të ushqehej me zhaba...”
Alketa Dervishaj, tregimi “Liqeni i zhabave” dhe ajo nuk e di se zhabave (fjalë sllave) shqip u thuhet bretkoca) f. 32


“Atë lis të rrahur nga erërat
e kam pasur mësuesin e parë në jetë
dhe mësimi i parë që më ka dhënë,
ka qenë: Qëndresa.
(Anton Papleka, “Lisi në kodër”) f. 37


“Në duart e tua
Libri sot përngjan,
Porsi pulbardhë
Mbi detin e paanë.”
(Arian Leka, “Bota e pyetjeve”) f. 42


“Kam dy vjersha në xhep
Nisem në takim letrar
Në mendje më sillen vërdallë
Cilën ta lexoj më parë?”
(Erinë Rrahmani, “Dilemë në një orë letrare”), f.75


“Iku flutura dhe bleta,
Ikën ato
Larg,
Dhe të lanë ato në gjumë,
Në një gjumë të bukur mjaltë.”
(Faslli Halit
i, “Ninullë”), f. 77


“Berber... një berber për Mbretin... berber për Mbretin?” – bërtitej në ato anë.
(Fatmir Terziu, “Toka flet”, tregim dhe autori nuk e di se berberit (fjalë turke) shqip i themi rrojtar) f. 85


“Qengji në burim
Ujë pinte i qetë,
Nga larg e pa ujku
Dhe u sul shigjetë.”
(Gjikë Kurtiqi, “Ujku dhe qengji”) f. 109


“Di të dalë,
di të falë,
di të këndojë,
di të fluturojë...”
(Gjon Gjergjaj, “Mësohuni në dallëndyshen time”) f. 112


“Zogj që shtegtojnë, të tjerë që dimërojnë në vend,
Me pupla shumëngjyrëshe disa, disa me pupla të zakonshme,
Zogj që këndojnë bukur, të tjerë që turrnakin apo ҫirren;
Zogj pujesh, qytetesh, zogj oqeanesh, malesh, zabelesh...”
(Konstandin Dhamo, “Zogjtë”) f. 151


“Flamuri, flamuri,
i kuq me shqiponjë,
pranë televizorit
mua më shikon...”
(Nase Jani, “Flamuri”), f.181


“Në lagjen: “Te Ҫarshia”
po jeton Florenti,
ma mendje bizarre,
nuk ka krejt qyteti.”
(Syrja Etemi, “Maniret e Florentit”) f.245


“Një ditë Beni, në një shitore,
Bleu një laps dhe një fletore.

Me fletoren e lapsin kuqezi
U kthye Beni, vrap në shtëpi.
(Xhemë Karadaku, “Lapsi”) f. 278 


Derisa ne vlerësojmë e marrim si pasuri kombëtare krijuese edhe krijime të këtilla (që janë vetëm disa nga shumësia e përpjekjeve të kota të përzgjedhësve, për të ngrehur në nivel vlere jovlerën), bëhet e dukshme se diҫka nuk është në rregull me ne, me ndërgjegjet e me përgjegjësitë tona, si njerëz e si krijuesë, si shkencëtarë e as si pjesëtarë të këtij kombi të shumëvuajtur e të rrahur vazhdimisht nga padrejtësitë e të tjerëve e më shumë nga vetvetja.

Dienstag, 10. Februar 2015

Jahe Fida - Dhjetë poezi


Viktimë e zemrës mbete!

Me agun e ditës linde.
Kur dielli ra e puthi horizontin

 iu vodhe atij se të deshi hëna! 
Qielli dhe yjet të donin...!

Por ndjenjat..., ah ndjenjat! 
Drejt zemrës time të shtynin!

Zemra të thirrte si e marrë!
Ti, dashuria-viktimë e saj mbete, 

kur të kyça, s’të lashë të ikje, 
Zemra të mbajti vetëm për vete...!

Erdhe! I dhe dritë! Aty marr frymë...! 
Në jetën e jetës, deri në tretje…!



Zgavrat…!


Të shikoj ashtu të shkatëruar, 
o pemë e vjetër, shekullore!
Sa keqas të paskan katandisur, 

insektet dhe shpendët mizore!

Në palcë të paskan goditur, 
trupi me zgavra të qënka fry,
në fole grenzash, gjarpërinjsh e mizash...!

Oh! Kështu s’mundet me t’pa ky sy!

Teksa të shoh kështu, ndjej dhimbje! 
Sa barbarisht me ty janë treguar...! 
Qortoj pemtarë e agronomë,
për moskujdesin e treguar!




Zëri që më vjen nga të tjerë shekuj!


Nga të tjerë shekuj më ushton një zë,
i fuqishëm, si zëri i këngëtarëve në kor. 

Një mesazh me peshë më përcjell ky zë 
Mesazh, që shpirtin ma bën therror!

Zëri më vjen nga thellësitë e shpirtit, 
të patriotëve, që për kët’ vend luftuan,
që s’kursyen as jetën, për vatanin e tyre, 

që kombin e donin, një shtet të bashkuar.

Dhe më thotë ky zë, që në kor më vjen: 
Duajeni atdheun! Është mbi gjithçka! 
Kujtoni gjakun që kemi derdhur lumë! 
Mos e lini kombin të përçarë e nda’!

Zbojini ulkonjat që e coptuan! 
 Bashkë me ta, dhe çdo tradhëtar! 
Qofshin këta të lindur me të tillë gjak, 
Qofshin të blerë në të flliqurin pazar!

Ndaj shqiptarë, kudo që jeni: 
Ju ftoj zërin t’ma dëgjoni!
Çojeni në vend ju, amanetin! 

Dilini zot vendit! Shpëtojeni!



Mëkat dashurie!


Mëkat bëre! U tregove e ligësht! 
Dashurinë, e le të rrinte vetëm, 
kur ike diku tjetër, me në sy trisht! 
Të nënshtroi bota e vjetër…!

Ike! Me vete more dhimbjen, 
e lotët s’t’u thanë një ditë!
Dhimbja keqas t’a trullos mendjen, 

këtë ti e ke më shumë se meritë…!

Dashurinë, e kishe provuar
e dije që s’ishte lodër për lojë.
Pse shkele keqas dashurisë tradhëtuar, 

kur ajo s’njeh zotëri e zonjë?!



Rrebesh..., si shiu!


Vargjet u bënë kopjace: 
imituan rrebeshin shi.
U turrën furtunë në muzë! 

Kërkonin domosdo poezi…

Vargjeve desha t’ua frenoja vrullin 
duke i ledhatuar, t’iu jepja ëmbëlsi! 
por, s’ka çadër ta mbajë rrebeshin,
ndaj i lash vargjet në të tyren melodi…!




S’e di..!


S’e di, në gaboi syri, 
apo zemra gaboi, 
në gabova unë,
a ndoshta të dy...!


Sido të jetë, ç’vlerë ka shkaku? 
Ne u ndamë, u ndamë, tani! 
Ti kudiku je strukur, vetëm, 
unë, s’di në lutem të vish ti!

Dhe po ta dija..., ç’vlerë ka?! 
Ne krejt kot u bëmë të largët, 
Kur u ndamë ashtu në hava!
Me tjetër tani shërojmë plagët...!




Sikletosur…!


Sikletosur ndjehesha kur isha pranë teje. 
Sikletosur dhe kur më ikje.
Sikletosur, kur rrija në heshtje, 

Sikletosur dhe kur të flisja e më flisje... 
S’po kuptoja çfarë po më ndodhte?!
Më dridhej zëri, djersa më mbulonte, 

Këputeshin gjunjët, zverdhesha djersë 
vjeshte.
Ndoshta,
sikletosur ndjehesha se të doja, 

Por, s’merrja guximin,
të ta thoja….!




Skifter u bëra


Skifter u bëra, u ngrita në qiell! 
Fluturimthi erdha te ju kreshpa, 
t’ju shikoja në këtë ditë me diell,
më të bukurat pamje të shijoja desha…!


Erdha tek ju, pashë mrekullinë. 
Krenarinë e shekujve aty e pashë, 
tek vështroja të lashtat shpella, 
pyjet dhe bjeshkët e pa masë…!

Borën e bardhë erdha të të shoh. 
Lulet e bukura atje, në lëndinë...
Eh! - thashë kurorë domosdo
për njerëzit e trevës dhe heroizmin!


U mrekullova nga burimet, ujët kristal 
nga ku nis Valbona, merr ujë Drini
ku blegërinë bagëtia në stan,
dhe ajri është burim frymëzimi…!


Ju kreshpa dhe bjeshkë të Nikaj - Merturit, 
Dragobisë e të tanë Malsisë krenare, 
kryelarta si besa e burrë-burrit,
Për ju sot, me endje skifter u bëra!




Nën hijen e manit


Nën hijën e manit, 
kaloje përditë.
Dilja të haja mana, 

Ty, duke të prit!

Ti ma dije hilen, 
dhe vije kastile, 
të qeshte fytyra, 
Ty, moj sy jeshile.

Bënte vapë e madhe. 
Goja kur të thahej, 
më të mirët mana
i mblidhja t’i haje.


Ti, si njomje buzët,
me hidhje vështrimin...

Një ditë ashtu befas 
me dhe përqafimin!

E që atëherë, 
ne u bemë një,
bashkë mbledhim manat, 

bashkë jemi gjithnjë!



Nëna të pret te pragu!


Nënës s’i thahen lotët! 
S’ka oreks, as gjumë ka,
del tek pragu shikon sokakët, 

shpresën gjallë akoma mba.

Del e pret fëmijën e saj,
 që i la imazhin e ikjes!
Trisht çastin e ndarjes së hidhur, 

që i fiku zemrës dritën.

Te ky prag, ashtu kërrusur, 
çdo çast pret fëmijën e saj! 
I plas zemra duke qarë, 
lotët shamia nuk ia thanë.

Do i vijë asaj nga larg,
 Fëmija shpirt do i vijë. 
Ndofta vonë do jetë atëherë,
zemra plas e s’ndjen të nginjë...!


Ndaj o i miri i saji fëmijë,
 mos e ler nënën kërrusur! 
Bëju gjallë e jepi lajmin, 
bëja jetën pakëz të lumtur!

Mos e ler nënën te pragu!
Hiqja brengën! Ktheja gëzimin!
Eja, jepi një buzëqeshje 

dhe në ikje merri bekimin

____________
Poezitë janë marrë nga libri "Vargjet pikojnë mall", Tiranë 2015

Montag, 9. Februar 2015

Sherife Berisha Thaçi - Cikël poetik


PENA IME E PAGJUMË

Edhe atëherë, kur akrepat e orës bashkohen,
Pena ime nuk fle…
Ajo lëviz nxitimthi mbi çarçafin e bardhë,
Kërkon pa lutësi lirimin e pëllumbave nga prangat!
Edhe kur bie shi me rrebesh,
Ajo kërkon një grusht Diell,
Përmbushjen e ëndrrave fëmijërore,
Në binjakëzim me zërin ëmbëltor të bilbilit.
Edhe atëherë, kur toka u çullos me të kuq,
Ajo kërkonte të mos më përgjakej Dielli;
Të shpërlahet acari dhe shiu,
Në djepin e dashurisë të rritet kënga e zogjve!
Edhe, atëherë, kur çdo gjë është në gjumë:
Zogjtë, fëmijët, lumi…
Pena ime nuk fle.
Kërkon vrullshëm lirinë dhe dashurinë…
Ato marrin hov dhe rriten në djepin e vargut tim…
Pena ime nuk fle
Ajo kërkon… e kërkon gjithçka të mirë…




KRISME ËSHTË EMRI YT
(Din Mehmetit)


Poet shpirtëror
Pishtar i vargut që rrugëve u jep dritë
Ishte dhe mbeti – Din Mehmeti
Krisme është emiri Yt


Me Ty
Në të shëmtuarën
E gjejmë të bukurën,
Me Ty
Edhe në zhgënjim
Gjejme ngadhënjimin
Me Ty
Zgjohen ëndrrat e fjetura
Mbi Detin plotë dallgë
Me Ty
Malet kanë oshëtimë
Fushat jane plotë Diell
Me Ty
Në çdo çati
Ka rreze diturie


Me Ty
Dashuria rritet
Per fjalën e lirë
Për fjalën e artë
Poet i të gjitha kohërave
KRISMË ËSHTË EMRI YT




VDEKJA QË TRONDITI SHQIPTARINË
(Ali Podrimjes)


Na u ndrynë buzëqeshjet në kafaz
Edhe Tokës i ra një hije e rëndë pa TY
Engjujt ndihen të vetmuar, në këtë heshtje varri
Në duar mbajnë shamijat përshëndetëse
Duke fshirë lotët që papërtueshëm dalin nga sytë
Sikur e kërkojnë burgun e hapur që të mori TY
U shëndërrove në Lum, që aq shumë e deshe
Me zërin Tuaj – artikuluat lotin e dhembjes kosovare
Secili varg nga Ju – ishte pasuri për Atdheun
Ti ishe dhe mbete breg që i qetësoje valët
Vdekja jote e papritur – tronditi trojet shqiptare.




28 NËNTORI
(Flamurit Kombëtar)


Sot buzëqesh me krenari
Anë e këndë ke pamjen ndryshe
Petku festiv sa mirë të rri
Qëndron krahëhapur si dallëndyshe
S`jam dallëndyshe – jam Shqiponjë
Këtu kam zgjedhur më t`bukrin vend
Shqiptaria më thërrasin Zonjë
N` Flamurin e Vlorës e kam Folenë
Nuk jam veq një shtizë e pëlhurë
Në mua ka vlerë të vërtetë
Jam një I fuçishëm Flamur
Për të cilin njerëzit kanë dhënë dhe jetë
Në këtë Tokë veq shkëmb e gur
Në shqiptarinë me plisa t`bardhë
Marigona më vuri n`Flamur
Bashkë të jem gjithmonë krena




TI – DRITARE E JETES

(Adem Jasharit)

Në ditën me diell kur të njoha TY Ishe mjekërr-zi – ndërgjegje e zgjuar e një populli Me shtatin prej Drangoji Të çuanin Kulqedra e Maleve
Në ditën kur flisja me Ty, përgjigjet I merrja me krisma Krisma jote jehoi përtej Atlantikut Lëshonte rreze drite mbi Tokën Tënde E Ti, me avuj dashurie e ngrohje Atë !
Toka Jote e mbjellur me plumba E larë me lotë e gjak pëllumbash Që ranë për ta shpërlarë tmerrin e zisë Për t`mos vdekur kurrë, nga faqja e historisë
Ti - Blerim pranvere në tokën e përgjakur, Në ditën e vdekjes Sate – Toka mblodhi shi Nga pesha e dhembjes gurët pëlcasin E dhembja lëshonte valle trishtimi
Bac, Amaneti Yt, u përmbush, Ti gardhiqe nuk doje, ndaj e kishe zemrën prush. Rreze Drite që qanë errësirën ishe TI Ti – Dritare e Jetes – lëshon rreze në çdo shtëpi




FJALA E VËRTETË

Kur flet të vërtetën
Shpirti të lirohet
Dikujt pse i dhemb
Askush nuk lëndohet
Fjala e vërtetë
Shëronë shumë plagë
Ajo as nuk shitet
As nuk blihet në pazar
Me fjalë të vërteta
Drejtë dritës e drejtësisë
E me fjalë të rreme
I hap rrugë shëmtisë
Nuk është thënë së koti
Nga pleqët e vërtetë
Nëse duam dritë
Rri shtremt e fol drejtë

Samstag, 7. Februar 2015

Maxhun Osmanaj - Dhjetë poezi


ZËRI I MBRETËRESHËS
(Vaçe Zeles, në njëvjetorin e vdekjes)

Drithërimë, dhembje na mbuloi
Kur kumti pushtoi gjeografinë shpirtërore
Por ti s’vdiqe moj Zonjë...
Se madhështorja e shpirtit
S’do të pranojë ikje as perëndim kurrë
Dy krihë shqiponje atë ditë
Fluturuan aty ku deshe
Pak të pushojë në zemrën dardane
Ju thatë vetë, e pate dëshirë,amanet
Trupi s’më pushon i qetë
S’mundem pa e parë Kosovën epike
që më deshi si motër
si nënë, si bijë, si mike
Lamtumirë Dardani dhe Arbëri!
Tash shqiponja pushon e qetë në përjetësi
zëri im,kënga ime gjithë tokës shqiptare
jetën jua bëftë melodi!




NJË RELIKT I VJETËR

Derisa gjysmëshekulli kalëron n’trupin tim
Një relikt i vjetër gjithnjë më shikon
Drugëza e vekut të nanës në një kënd...
Sikur më thotë; "Po unë vendin, ku e kam!?’’


Djali një ditë deshi të ma gjuajë
S’dinte ç’është, atë kohë s’e kishte përjetuar
Me ngulm edhe ndonjë dekadë ,provoj ta ruaj
Kjo, i thashë, është relikt i një kohe të shkuar.


Gjakftohtë me bindje, fillova t’I flas
Kur dikur moti, çilima, nana thurte
Mendjen ia mbusha, fillova t’ia vras
Sesi me punë-dore, nana na rriste, na mburrte.


Me ata thonj duarve, shumë carrokë mbante
Kohë e ligë, varfëri kudo ishte
Deri n’mesnatë, veku i saj dëgjohej
E dërmuar gjithnjë, por vullnet t’çeliktë kishte.

Si dikur I vogël, sot mbaj mend mirë
Nuk ankohej shumë, si gratë tona sot
Nanat tona, moren emrin heroinë-shembëlltyrë
Plagëdhembjet e tyre n’kurriz e n’shpirt
Na mbushin përherë sytë me lot.



MOS MA HARRO DHEMBJEDN

Mos ma harro dhembjen
Edhe pse koha na coptoi
Dhembjen në pjesë-pjesë...
Po ç’faj paskëshim pasur
Kur dashuria herët na vdiq
Ndjesë pastë!
Tani jam i vetmi besnik I kujtimit
Se besës s’i zura besë kurrë
Kujtimi I lojës sonë dikur
Sot më merr përdore
Me shëtit nëpër takime tona
Pranë koreve gazmorë të zogjve
Kur zemrat rriteshin n’ekstazë
Por ëmbëlsisë së jetës
Sot i është shuar shkëlqimi
E di, s’flet me mua,s’flas me ty
Koha na mbuloi n’stuhi të jetës
Por kujtimet e mëngjeseve të rinisë
Na bashkojnë sy me sy
Ndonëse n’mes nesh
Gjithmonë dhembja –largësi
Mike, mos e aborto lindjen
N’vend të besës dhe kujtimit
Mos ma harro dhimbjen…!



PASQYRË NË THINJAT E KOHËS

Kah po shkojmë në këtë kohë
Shumë udhëkryqe po na dalin para
Jetën s’e veshem n’tërësi vec me një cohë...
Petkun e saj e patëm besa me njolla dhe lara…


Kah po na shpiejnë rrugët
Kur bregoret e fytyrës hasen në gremina
Një ditë një diell mashtron një kohë të mungët
të ruhem o Zot, mos koha të na hudhë n’beturina.


Shpeshherë u bëmë kryezot pa qenë
Kohën e dhunuam si deshem ne
U bëmë falso, u bëmë të rremë
Sa keq që s’e kontrolluam si kalin pa fre.


Na mashtruan dhe i mashtruam
Vec pse në mendje mbetem t’luhatur
më vonë kur thinjat e kohës I kuptuam
u bëm paksa më të përmbajtur.


Tani kur koha jeton jetën e vet
E ne mbesim si jetim duke shikuar
Mozaiku shpirtëror herë dhemb,herë vret
Por këngën e jetës n’çdo skutë duhet kërkuar
Dhe rrezen e diellit duhet përqafuar
Se thinjat e kohës
kështu deshen shpirtin për të na pikturuar…



FESTO ME MUA...
(102 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë)

Kur plaku të kurorëzojë me kurorë
Babai e gjyshi im, s’mund të vinin në atë dasmë...
Pos Isa me ca dasmorë
Ujqërit kishin zënë prita vrastare
Unë mungoja në këtë botë
Ti Shqipëri përpëliteshe
Sa në jug, sa në veri
për ta ruajtur atë copë të vogël, Shqipni
një shkëmb robërie mbi supe
që e mbajte pesë shekuj
e shqelmove greminave të historisë
dhe fillove një rrugëtim
duke u mbrojtur nga shumë shigjeta e stuhi
që t’u vërsulën pabesisht-egërsisht
s’të lanë kurrë të qetë
dikur unë erdha në jetë’58
në valën e shpërnguljeve për në Turqi
ne na priste Koha e armëve ogurzezë
ti Shqipëri mbylleshe në vetmi
ne bijtë tuaj të etur për liri
mezi ta shihnim fytyrën…
shpirti na copëtohej pjesë-pjesë
ishim të vegjël pa ty
rrallë shndëriste Dielli
dikah mbushej qielli skëterrë, ngricë e acar
dikund shi me sqotë e borë
pas 100 vjetësh këndej tek ne
Dielli I lirisë edhe ne po na nxeh
Shqipëri,mos festo pa emrin tim, Kosovë
Urime Shqipëri, rrënjëthella dashuri!


E PA-KOHA NËKOHË

Sa herë e zura kohën pisk
Me "pelë për dore’’
të mbarsur me pa-besitë...
bordeleve të natës deri n’agim
e dehur, e shkyer, e baltosur
nudo, rrugëve pa cipë
sa herë kohën,pisk e zura
tek kafshonte qeniet e veta vërbërisht
mbytur tmerrësisht nga ligësitë
por askujt nuk I përgjigjej
për pa-fajësitë që dhuronte
o Zot, i kërkova të gjitha fuqitë
si t’ia dënoja marifetlleqet
që na infektonin nga dita në ditë.




KREDO PËR KOHËN

Aty hynin njerëz që digjeshin në kohë
E iknin nga koha për të mos u djegur kurrë.


Ata kohën e bluanin me maturi...
për ta ndier edhe në shekullin e ri.

Po të gjithë i dërmonte deri në palcë
Vetë koha e pakohë.


Libri shitej më se liri
Fjalët shiteshin më se shtrenjti
C’koicindencë për kohën plumb.


As ekspozitat e varura në mur
S’ndienin dot qetësi
Kush hynte e dilte nga ajo kafiteri
Dehej në shumë psehe a pakuptimësi.


Kjo poezi është marrë nga libri i parë për të rritur’’Zgjimi i dhembjes’’ I998


MOTIV VJESHTE NE SHPIRT

Ca dushk e gjethe n’mes vete përzier
Oborrin e shtëpisë ma kanë mbuluar
më lajmërojnë se do të vijë një stinë e ngrirë

Ndonëse shpirit përmbahet i pari e ka kuptuar.

Trazimet e vjeshtës, m’vizitojnë me shi, sqotë e erë
kënaqem si fëmija, asgjë nga syri s’më rrëshqet
kurrë s’më shkon m endja ndonjëherë
ta tradhtoj fshatin e fëmijërisë, të iku n’qytet.


Kjo ndjenjë, ky motiv, t’ua them të vërtetën
më rrjedh gjysmëshekulli mbi supe ngarkuar
a po eci trimërisht apo gjelas me jetën
ndoshta vetëkënaqem hajnisht i mashtruar.


Sa vijnë e ikën stinët në çdo vit
Unë i përcjell me dozë dhembje e nostalgjie
Provoj mos t’bëhem tepër i lig
Dialektika s’më harron si pjesë biografie.



KLASIKU I TOKES
(Dritëro Agollit në 83 vjetorin e lindjes)


Të lexuam,s’të lexuam,der sot,Agoll
Shumë etjen na e shuajte
në ato vargje oazë...
por etja gjithmonë na përcolli
për ta pirë atë lëng poetic
që pema e Juaj fruton
nga viti në vit
nga rrënjëtoka mëmë,Agoll
ende dhembja kafshon
ende dhembja shëron
Agoll, ende burimi Juaj
Nga shpirti nuk shteron
Perlëvargje Tokës-Nënë I dhuron
Dhuro, dhuro edhe diç…
Bronket le të thithin ajër Shqipërie-Kosovë
Blerimi i Tokës në çdo stinë
Nga Ju kërkon reshje…
Sa të frymoni,ju lutem
Mos rrini në heshjtje, na falni edhe dicka
për Lule,për Zogj, për Njerëz
veç lë të marrë rrugë të gjatë Dashuria
dhe rrënjës se Plisit Tënd, për far, fis e shpirt
t’i ruhet ballëhapur historia




TË JESH POET

Të jesh poet
Nganjëherë duhesh të jesh i krisur
Cmendurinë e botës duhesh ta përtypësh...

Pelimin e bimëve duhet shijuar
E prapë s’guxon kurrë të vdesësh
të lundrosh furtunave të detit
kur dallga e egër të ndjek pas
ti duhesh ta kërkosh bregun
edhe në ndonjë cast,nëse
anija e plagosur të tradhton
e di ti vetë, të jesh poet
t’gjitha ëndrrave të njerëzve, duhet
t’u japësh krihë për të fluturuar
të gjitha shigjetat e mprehta që t’i drejtojnë…
me forcën e shpirtit duhesh t’i mbrosh
atë e ke obligim, dëshirë a cak
të jesh poet duhesh flijuar për fjalën e dhënë
duhesh të grindesh edhe me Zotin
të jesh poet, s’di cfarë të pret
s’di çfarë me ju ngjet
të jesh poet, duhet të jesh lajmëtar
të vdesësh e të lindësh për të shtrenjtin Ideal. 

Donnerstag, 5. Februar 2015

Pal Sokoli - Shtatë poezi


VARG NE YLBER

Mos mu fsheh pas shokzash qe diellin mbajnë
E pranverën e njomur mbeshtjellë e kanë.


E shihni atë gjakzën e kuqe n'bajrak
Unë, unë e kam mbushur më gjak.

E jetë jete, të njomë i dhash
Ti gjarpërushi eger ma pi ngapak.


Nëpër lavra nëntoke ke bërë jetë
Tani n'metropole po mëson me ecë.


Te kam ruajtur si fis nën prag
Futu në lavrën tënde se të vras në varg..


Wuppertal, 04.02.15



NË KËSHTJELLËN AMBRAR
(Emri i Muzeut ku mbahet shpata e Gjergj Kastriotit në Vjenë)

A nuk të vjen keq për mua
si po më pikon plaga
kur putha brigjet e Durrahut
Epidau me tregoj gurët ilir
unë ti bekova herakët tuaj
e tani me pickon ithtë
pakëz në Mazgit
pakëz në Gazimestan
me nje Sol e solfezh
mu(t)tantët luajnë me hënën
e ti shpatë e dashur
më rri e varur këtu në Ambrar
"Maria Theresien Platz"
Ti do shpatullat e Gjergjit
ose tehun e ri.



DRITHMË AZEMSHKRELIANE

Si zog qielli qajë ajrin 
Me aeroplan 
Ftohtë mbi Alpe
Ftohtë nën Alpe
Ftohtë mbi ballkaninë
Ngrohtë ne Prishtinë.

Me dhimbset liria e shqipes 
Se do ja deshiroja
Fluturimin nje drejtimësh.

I frigohem hapit të parë
Azemshkrelian në Aeroportin
"Adem Jashari" në Prishtinë
Mos ma zgjon djallin e fjetur
Ftohtë Dardaneleve 
Ftohtë mbi ballkaninë
Ngrohtë në Dukagjin.

Drithmë është hapi im i kthimit 
Kur i shpetova hapit të parë.

Prishtinë, 23.01.2015



ETHE
 

Vdes kur hy
Vdes kur ik
Te shtrova me gjak
Mu bërë thikë ...

Vdes kur besoj
Vdes kur këndoj...

Një epitaf të ri
Lexova te varret;

"Është thyer Ferri
Na morën mëkatarët".©ps

Wuppertal, 09.01.2015
 




DRITË E AMSHUAR

Më erdhe me diell në ballë
Rreze rreze, valë e valë...

Desh u bëra bronz në pritje...
E nuk më mbeti fjalë
As për poezi
As kurtuazi...
Gjeometaforat e mia
I mblodhi nje lum i degdisur
Flutura u bënë
E gurgullimë poetike
Dhomave të errëta
Të muzëfjeturave
Unë mora buzët zjarr
Pulsin e rrebeluar
në dorën e majt
Dhe fillova pikturimin
E dritës së amshuar
Në fletën virgjinë të jetës..

Më erdhe me diell në ballë
Rreze rreze, valë e valë...

Nëntor 2013


  

NË KËRKIM

shpalosë  flamujt e çdo varri;
veshmbathje
gur, kryqe
dhe  eshtrat  e  varrosur
anëkënd   Kosoves
humbas  një  Pal
qe  vrapon  pas  jush
gjerë  në  përqafimet
e  mbetura  përgjysmë
atëherë  kur  pashpresët
na  ndanë  medalonin 
e   pikturuar                                                            
me  peisazhe  femijërie
që  do  t´i  mbaj  tërë  jeten
varur  në  qafë
kujtim  lavdie   per  Ju.



KERTHIZOMANIJA

Lufta  nuk  kishte  perfunduar,
binave  u  vije  erë  flliqtije
e  prap  luftohet
per ti  riokupuar
me milimetra  maten..
per tu nda  pool..pozicionet
e eksponatëve, muskujve,
kerthizave, kerthucave
gjoksave   koklakuriqve,
era  e  flliqët  e bines
nuk  pengon  njeri....
...era..... qe se ndien,
eren...
...........
Në  mes  të  veres  merdhir
nga  ekspozime  patriotike
te kokave gjoksave
dhe kerthizave  lakuriqe
aty  kurr nuk kishte
shperthen   pra   shk..erdhen
Patriotizmi   lakuriq.

Korrik 2000.Gjakovë

Dienstag, 3. Februar 2015

Takimi me vrasësin tim

Tregimi që fitoi vendin e parë në konkursin anonim
të "FLAKËS SË JANARIT 2015"

Biser MEHMETI
 
        Kurrë nuk më kishte shkuar mendja se tre vjet e ndonjë ditë më shumë do të takohesha rastësisht me vrasësin tim, i cili dukej sikur më kishte hudhur në shkretëtirën e harresës. Kur e pashë në fillim i thashë vevetes: mos mendja më është ngatërruar aq shumë sa që nuk jam në gjendje ta njoh vrasësin tim!... Disa çaste e kam vështruar njeriun për të cilin isha i sigurt se ishte vrasësë im. Zëri i veteves më tha: sa shumë paskëshka ndryshuar vrasësi im! Qenka stërkequr e plakur shumë... Ditën që më kishte vrarë kishte përjetuar një kënaqësi të madhe, i bindur se nga shpirti kishte hjekur një barrë të rëndë. Mirëpo, gjërat nuk kishin shkuar siç kishte dashur të shkonin. Prej atij çasti unë gjithnjë e më tepër i shfaqesha në mendje, i shfaqesha edhe në ëndërr, i shfaqesha kur bënte dashuri me vajza të bukura. Trajta ime herë e gjallë, herë e vdekur i shfaqej më së shumti gjatë natës e më pak gjatë ditës. Sapo shtrihej për të fjetur e ndjente praninë time jo vetëm në një skaj të mendjes, po edhe në një skaj të dhomës. Kurrë nuk guxonte ta fikte dritën, i bindur se ne velin e errësirës trajta ime do të ishte më konkrete. Dikush i kishte thënë se hijet e njerëzve të vdekur drita i bënë të padukshëm, madje i zhdukte edhe nga hapësira e mendjes. Sapo i bëhej sikur e kaplonte një gjumë i shqetësuar trajta ime i shfaqej afër veshit. Pastaj i pëshpëritja do fjalë me zë të vrazhdë, të cilat ai nuk ishte në gjendje t’i dallonte nëse ishin të vërteta ose i trillonte mendja e tij. Ato fjalë i shkaktonin neveri të madhe në shpirt. Shpesh ngrihej nga shtrati i xhindosur. Me mendje të çthurrur e me sy të buhavitur vinte te varri im dhe më vriste me shtatë plumba, i bindur se herën e parë nuk kishte mundur të më vriste tërësisht. Gjatë rrugës sa kthehej në shtëpi e ndjenjte veten të ngazëllyer, i bindur se kurrë më s'do t’i shfaqesha as në ëndërr, as në zhgjëndërr... E vrava për herë të dytë atë njeri të mallkuar, thoshte me zë të shfrenuar derisa ecte i kalamendur rrugës gjysmë të errët. Pastaj lëshonte do qeshje krikëlluese. Pak para se të arrinte te shtëpia zëri i mendjes i thoshte: ke harruar të bësh veprimin kryesor që do të të qetësonte edhe më shumë... Ngadalë, i dehur nga kënaqësia kthehej te varri im e pastaj pshurrej duke qeshur marrëzisht. Me një zë të shfrenuar, thoshte: kur të vjen pranvera asnjë lule të mos çel mbi varrin tënd!... Derisa e vështronte avullin e verdhë si dilte nga varri im zemra i rritej sa një mal...
 

        Kur hynte në dhomën e tij fryma për pak nuk e lëshonte. Trajta ime i shfaqej në dy pjesë: njëra ishte e vdekur e njëra e gjallë! Një zë i brendshëm i thoshte: sa herë do ta vrasësh ai do të shumohet si bimë e hidhur... E kaplonte pendimi pse më kishte vrarë për herën e parë e për herën e dytë. I kredhur në vorbullën e një dhembjes së paanë i betohej vetvetes se më nuk do të më vriste, madje edhe nëse shkoja te shtrati i tij dhe mundohesha t’ia nxjerrja te dy sytë... O Zot, i thoshte vetvetes derisa përpelitej në shtrat tërë natë, tash po e kuptoj se më e mundimshme është të jesh vrasës se sa i vrarë!... Tërë natën e kalonte në një gjendje të neveritshme, as i fjetur, as i zgjuar, as në ëndërr, as në zhgjëndërr... Shtëpia e tij i shëmbëllente një varrit në të cilin ishte varrosur për së gjalli... Një ditë e ftoi mikun e vet më të besueshëm, të cilit i tha: më shumë po më shqetëson për së vdekuri se sa që më ka shqetësuar për së gjalli!... Miku i tij, pasi u krodh disa çaste në do mendime të thella, i tha: ndërroje shtëpinë! Ndoshta hija e tij nuk mund të të gjenë kudo që të shkosh!... Të nesërmen mori një shtëpi të bukur me qira në periferi për gjashtë muaj. Kur u zhvendos në shtëpinë e re me gjithë familje e ndjeu veten të liruar nga një barrë e rëndë... Tash e tutje do të jetoj i qetë pa më shqetësuar ai i mallkuar, i tha vetvetes i ngazëllyer. Mezi priti të vinte nata e të shtrihet për të fjetur, ngase prej se më kishte vrarë s’kishte mundur të flinte. Tërë kohën hija ime i shfaqej në imazh... Sapo e kaploi gjumi i parë, hija ime vetëm në eshtra iu shfaq afër shtratit. Disa herë me një zë të çjerrë e thërrisja që të zgjohej e të më vriste përsëri... Disa çaste vazhdoi të qëndronte si në fërra pa e ngritur kokën nga jorgani. Pastaj disa herë e thërrisja në emër me një zë të llahtarshëm, me një zë që i shëmbëllente ulërimës së ujkut të tërbuar... Më thuaj pse më vrave pasi asgjë të keqe nuk të kam bërë!... Dikur u zgjua nga një gjumë i shqetësuar e pastaj me sy të zgurdulluar zuri ta vështronte hapësirën e dhomës. Me sytë e vagëlluar, nëpër të cilët sorollateshin do përfytyrime të vdekura, iu bë skur përtej dritares e pa fytyrën time, një fytyrë të zbehtë që i shëmbëllente një kufomës, të cilën koha nuk kishte mundur ta dekompozonte. Kurrë në jetë nuk kishte parë fytyrë më të vdekur e as sy më të tmerrshëm që e vështronin me një urrjejtje të madhe... Kjo fytyrë e shëmtuar, këta sy të verbër janë të rrejshëm, i tha vetvetes me zë të përvajshëm.... Mendja ime e sëmurë po i trillon. Kam frikës se së shpejti do të çmendem!... Të nesërmën u rikthye në shtëpi të vet. Çdo gjë i dukej e mbështjellur me një qefin të leckosur. Në çdo skaj e shihte hijen time të sëtkequr, të deformuar, e cila e bënte të tmerrohej. Në netët e gjata, kur përpëlitej tërë kohën e gjumë nuk mund të bënte, më mallkonte me shpirt të copëtuar pse nuk e lejoja të bënte jetë të qetë as pas vdekjes. Pastaj e mallkonte edhe vetveten që kishte menduar se me vrasjen time do të lirohej përgjithmonë prej meje. E mallkonte edhe mikun e vet që i kishte thënë: nëse ti nuk ke guxim ta vrasësh këtë gjë mund ta bëj unë nëse me jep një sasi të vogël të hollash, por edhe nëse më shpëton nga çdo e ligë që mund të më gjen... Hija ime ia kishte vrarë gëzimin e një ditë do ta vriste edhe atë. Sa herë mundohej të mendonte për diçka të lumtur gjithnjë hija ime me sy të nxjerrur i shfaqej përpara, duke i shkaktuar dhimbje e mërzi. Disa herë xhindosej si një bishë e egër e pastaj lumin e mllefit mundohej ta zbrazte duke pështyrë mbi fytyrën time. Mirëpo, pas pak hetonte se unë isha vetën përfytyrim, kurse pështyma i kishte rënë mbi fytyrën e tij. Një mendje e marrë i thoshte: ai po të pështynë edhe për së vdekuri, sikur nuk i ka mjaftuar të të pështyjë sa ka qenë i gjallë!... Disa herë i thoshte vetvetes: më lehtë e kisha me të kur ishte i gjallë se sa tash kur është i vdekur.... Kur ishte i gjallë mund t’i shkaktoja dhembje të madhe, duke e rrahur sa herë që doja, duke e fyer me fjalë banale sa herë që doja, duke ia sharë nënën sa herë që doja... Tash kur është i vdekur s’mundem t’i bëj asgjë...
 

        Kur kaluan tre vjet e ndonjë ditë më shumë filloi ta ndjente veten se kishte filluar t’i nënshtrohej procesit të çmendurisë, i cili do të zgjaste edhe për tre vjet të tjera. Një mesnatë kishte dalur nga shtëpi. Ndoshta ishte zgjuar somnabul. Ishte sorollatur nëpër do rrugë të zbrazta pa e ditur nga ishte nisur të shkonte. Dikur kishte ardhur te varri im, ishte shtrirë mbi varrin tim e pastaj kishte filluar të dëneste me zë lutës. Ndoshta më lutej që ta falja. Ndoshta më fyente edhe më tutje më fjalë banale. Unë kisha vendosur që të qëndroja indiferent ndaj të gjitha sjelljeve të tija prej një njeriu të çmendur...

Samstag, 31. Januar 2015

Synimi ynë për të krijuar njeriun

Tregimi që fitoi vendin e dytë në konkursin letrar
në “Flaka e Janarit 2015”

Nga Rrahim Sadiku

Prolog
        Nuk e harrojmë kurrë atë ditë kur shkuam te Krijuesi dhe i raportuam: madhështore doli puna jonë për krijimin e njeriut!


1.
        Gjithën këtë e kishim bërë pasi arritëm të qetësonim shpërthimet e mëdha kozmike; pasi kishim paqësuar e vënë në kontroll të plotë shkatërrimin e ndërtimin; pasi kishim lënë prapa ligësinë dhe kishim gozhduar të ligun; pasi kishim hedhur nga vetja e nga rreth ynë gjithë atë pluhur e gjithë ato djegie që na kishin mbuluar. Organizuam atëherë një ndejë madhështore dhe ndjemë se kishim nevojë për risi. Ishte hera e parë që kishim mundësinë e plotë të nxirrnim në sheshin e yjësive të përkryerën, bukurinë e bukurive, diturinë e diturive, dhuntinë e dhuntive dhe nga gëzimi që kishim e nga hareja që na kishte kapluar, gjëmuan pafundësitë e gjithësisë. Por, kur u qetësuam, disi u ndjemë si të humbur. E përkryera shkoi të shijonte hiret e saj, ideatorët vrapuan të venin punët e tyre në vend, secili nga shërbyesit kishte obligimet e veta. Mbetëm vetën ne të gjithëfuqishmit dhe Krijuesi. Na mungonte diҫka që mund të ishte e të mos ishte, të vdiste e të lindej në forma të ndryshme, me zgjuarësi e veti plot, me etje të perëndishme, pa mundur të ishte perëndi. Diҫka që mund të ishte e shëmtuara dhe e madhërishmja njëkohësisht. Diҫka që do të ishte e bukura, shumë e bukura dhe e përkryera, si ngjashmëri me ne, e që do të dallonte shumë nga ne. Ia pranuam njëri tjetrit se disa here e kishim ndjerë këtë. Sado u munduam, nuk e larguam dot bisedën, një kohë të gjatë, për të bukurën dhe madhështoren. Krijuesi na tha se ishte e nevojshme të krijonim diҫka që do të ishte sinonim i gjithë asaj që donim ne.


2.
        Një ditë Krijuesi kërkoi ideatorët dhe ata ishin menjëherë para Tij.
“Është koha – u tha, të krijojmë qenien më të hyjnishme e më së paku të hyjnishme në gjithë mbretërinë tonë. Keni kohë shtatë ditë. Shtatë ditë të tjera do të heqim e shtojmë të panevojshmet e të nevojshmet dhe shtatë ditë të tjera do t’i kalojmë duke e krijuar ambientin për njeriun e duke e mundësuar vazhdimësinë jetesës së njeriut. Pra, krijojeni njeriun të përkryerën, me fuqinë dhe dobësinë brenda tij.


3.
        Ne kishim kohë gjithmonë dhe mu ajo sikur ishte kobi jonë. Nuk dinim ҫka të bënim me pafundësinë e kohës. Marrja me njeriun mund të ishte shpëtimi ynë. Dhe punuam shumë që njeriu të ishte sa më afër përkryerjes.


4.
        Kopshtin për Adamin dhe Evën e krijuam me kujdesin më të madh dhe e pajisëm me të gjitha ato bimësi e shtazëri që na u kujtuam. Ia treguam Krijuesit pamjen e tij dhe ai na tha se ishte i kënaqur.


5.
        Në tokë, për të qenë sa më afër me njeriun, lamë Thotin, Zotin, Zeusin, Shenjëtin… 


6.
        Atë ditë që festuam për krijimin e njeriut dhe pamë me sytë tanë lindjen dhe vdekjen e tij, pastaj përsëri e përsëri e kur e pamë të lindëte e të vdiste krijesa jonë, gëzimi ynë nuk kishte kufi.


7.
        Pa shkuar shumë mëkëmbësit e Krijuesit në tokë na njoftuan se njeriu ishte larguar shumë nga synimet tona. Thanë se ligësia po na e vidhte atë. 


8.
        Kisha harruar se ne, si gjithmonë, të përkyerën nuk e kishim dhuruar tërësisht, ajo na duhej, duhej të mbetej pronë jona. Dhe njeriu nuk na doli aspak i përkryer, përkundrazi, u bë dështimi ynë më i madh.


9.
        Shumë kohë shkoi e miliona vite rrodhën në tokë, pa e parë dot të mirën e përpjekjeve tona. Nuk na bëhej ta zhduknim, nuk kishim si e linim ashtu. Krijuesi më nuk u mor me këtë ҫështje. Një kohë të gjatë as na pyeti se ҫka kishim bërë për njeriun e me njeriun.


Epilog
        Për të na qetësuar, Krijuesi na mblodhi e na tha: madhështor ishte tentimi ynë për të krijuar njeriun!


Shifra: “KRIJUESI”