Sonntag, 2. Februar 2014

Fatmir Gjestila - Gjashtë poezi

 
PRITJE

E pashë natën të kthehej në udhë
e dita prapë të mos vijë,
fleta e bardhë u kthye në rudhë,...

fjala s’gjeti krua të pijë.

 
 
KUR ME FJALËN ME BIE

Kur me fjalën,
si me çekan më bie,
më bie e unë gjithsesi hesht,
hesht e të shikoj duke qeshur,
mos shiko te unë urën e nënshtrimit.

Përtej fjalëve,
fjalëve pa kohë e cak,
kërkoj buzëqeshje dashurie
dhe pres edhe gjethen e fundme
të bjerë në humnerën boshe të harrimit.

 
 
FIJE FLOKU

Treni kalëron i lodhur në muzg,
osh e tërheq qiellin mbi luginë;
ajo e pagojë,
unë si murg:
qyqanë të dy,
qajmë vetminë.

S’e njoh, s’më njeh… ajo nuk flet;
se si u ndodhëm kaq pranë s’e di:
unë mënjanë,
krejt si asket,
të harroj të flas s’është çudi.

Po vjen një çast e ngre furtunë,
kur treni yjet tërheq nëpër terr:
një fije floku
që vjen tek unë
më tremb, më lidh, në krah më merr.

O femër, krijesë engjëllore,
me një fije floku drithëron!
Trup e shpirt
te ti – hynore!
Te ti jeta lind, atë ti mëkon.

 
 
SOT

Shoqja rrezëllinte sot;
e qeshura e saj si melodi,
po unë ç’ndjeva s’e them dot,
po unë ç’pata nuk e di.

Teksa fliste e qeshte me aq nur
më rrëqethi rektimë e muzës,
po unë harrova vargun ta thur
e putha atë në qoshk të buzës.

Shoqja mbeti… Më pa në sy…
Më fal, i thashë, mos më qorto…
Oh! Unë… unë s’të putha ty,
të qeshurën tënde putha, më beso.

Shoqja qeshi, si asnjëherë,
u ndez më shumë se një melodi;
s’dija kë të puthja këtë herë,
shoqen a të qeshurën përsëri.

 
 
CARANI

Si caran kam mbetun...
rreshkun, i padjegun,
shpirtin ngroh në duar
me zjarrin e pashuar.

 
 
SHKËMBINJTË

Të strukur në anë të lumit
dremisin nën frymën e valëve,

mbi kryet e thinjura të tyre
dielli numëron orët e mardhuna të ditës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen