Ymer Shkreli |
Nga përmbledhja “Kërkoj dënim me vdekje”,
botoi “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1978
DASHURI
E gjeta veten e humbur një herë
në flokun tënd;
tani jam më i ri për një vdekje
po shoh verbët –
dhe shumë më mirë;
i gjeta puthjet që heshtja
i paska shndërruar në peshq
aqë sa edhe akuj
o dreq –
mes mishit e thoit
e gjeta varrin e premtimit:
dashuria s’ka sy
e ka shpëtim –
midis mishit e ashtit
ose duhet përqafuar
fundin e këtij deti të marrë:
bima e dreqit
a të kthejmë në nismë
a të nisemi dikah tjetër
dikah që s’jemi dy
ose të vazhdojmë –
deri në fundin e lojës së vjetër
një herë një
NUK KAM TITULL PËR TY
Nëse ma vononi pranverën
do të kallem flakë –
më
zi
se
Jan Pallahu;
nëse më vononi pranverën
kurrë më s’u sheh syri
stinë tjetër:
miqtë
e
mi
të
mbetur
(Pranverë e shtatëdhetë e treshit)
MIKUT PA EMËR
Jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe zë pritën;
nesër mos më thuaj
më shitën stinët vetëm për lule o mik
i natës sime;
lulet s’patën as s’panë duar
ky lum do ta gjejë
detin e vet –
për vetëm një pikë ujë;
ky lum
është mallkuar;
të tillë jemi lum miku
mos ma shih për të madhe
s’e pranoj ndryshe –
s’jam refren i askujt ta them pa hile:
a s’ishte më mirë
mos të takoheshim atë ditë
që të mos shahemi pastaj
kur ndeshëm në urë
jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe ia zë pritën vesës
për t’u venitur
e para
kaq shumë dua të tujgem
(15.12.1969)
EJA
Unë
përse paskam lindur –
se harrova
oh
ma sillni botën për ngushëllim
atëherë;
ose do të ju vërshej lumi
a ju thashë:
ma sillni botën për ngushëllim
sepse s’kam lodra;
mbase –
e kam pak kohë në vetullë
që bën ditën e natën
e syrit
e gjuha
ku është gjuha –
pse s’flet goja
pse hesht;
goja ma ka ndryrë gjuhën
ah-
t’ishte goja imja
(28.03.1971)
SHPATA
Ajo e ndau ndau në dysh botë time
unë as kal s’kam;
vallë –
për këtë pjerrtësi
a janë të domosdoshme katër këmbë
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë
atje diku është fundi i dorës
dhe nisma e kokës;
atje është lulja
që nuk ҫel –
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë thellë
ajo ndau më dysh botën time
dhe më la pa mua:
a do të kem fuqi
ta provoj edhe një jetë sado të vogël
ose zotin gurë e kam zgjuar
ose
duhet të zbres në katër këmbë kafsheje
nga dy këmbë njeriu
(Data e parëndësishme)
VULLKANI
kur flemë të gjithë
zgjohet më në fund
kur zgjohemi prej nesh –
ka ngelur vetëm ai
në gjumë;
ai ka zjarrin
ne kemi hirin
kur flemë të gjithë
ai hesht –
që t’i kopjojë ëndërrat tona
pastaj zgjohet me mëllef:
ai s’ka
as po as jo
zgjohet rrallë –
vdes shumë
ai s’ka komb
ai s’ka fe
ka besim
në vete
na ka ne:
a s’është shumë
plus-
ëndërrat tona
SKENDREBEU
Mbi gurë varresh
drekuan fëmijët e nënat
mblodhën thërmiat;
nga ҫefinët e bardhë
u ngritën lulet me pjesët tona
e të ditëve plagë –
deri te ashti i kërcyellit të kombit:
mëngjeset i fshinë sytë;
pagjumësia e shekujve
zu pritën në tehun e shpatës së tij
dhe të fjalës sime:
Skenderbeu –
erdh disa herë dhe shkoi përsëri
që të më vijë mbi kokën time
të qelbur të etur për vesën
dhe lulen e hirit
pa u vyshkur
nata e mbrëmshit në kujtimet e irnosura
e pastaj fëmijët me duar të nxira
do t’i shënjojnë gjinjtë e nënave
dhe thërmijat
(1968)
RELATIVITETE
Nganjëherë
më duket se kam ardhur në këtë botë
me një vete tjetër –
barrë të padukshme të gjykimit
t’i përkëdheli hijet;
nganjëherë
zë në thua në pjatën e parë
të fëmijërisë sime
e përplasëm
për rrum një shekulli
dhe pak më duket;
pastaj
përfill baltën unë i zgjebosur
s’e pranoj këmishën
barkcullak –
ngarend nëpër vjetët
hund gurë
pa fshehur dorën:
qeshem si balta e lodhur nga hapat
nganjëherë
s’i përfill as ҫerdhet;
zogjtë lëshojnë kokën time
unë ҫmendem pas lodrave që s’i kam
dhe iki nga lëkura ime –
i sosur
(9.04.1967)
DITËT
fundi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
po thellësia e shikimit tim;
pleqëria –
qielli njëherë zbret
toka ngritet –
vetëm
gurët harrohen e dheu
pvrtypet:
thneglat i gëzon;
funi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
ajo vjen –
në katër këmbë e kemi vdekjen;
për jetë –
mjaftojnë dy duar
dhe një kokë e rëndë
(Shtator. 1971
____________
Për Revistën elektronike "AlbPlanet" - Rrahim Sadiku
Faleminderit Dr DAWN që më ndihmove të kthej të dashurin tim me magjinë tënde të dashurisë, jam shumë i emocionuar që po jetojmë të lumtur së bashku tani me të vërtetë magjia jote e dashurisë është 100% garanci dhe nuk ka efekte anësore. Shikuesit atje, nëse po kaloni probleme në marrëdhënie, ju këshilloj të kontaktoni Dr DAWN për magjinë e tij të dashurisë. Ju siguroj se magjia e tij e dashurisë mund të rregullojë marrëdhënien e prishur dhe problemin e kotësisë sa hap e mbyll sytë. Këtu është emaili i tij i detajeve: dawnacuna314@gmail.com ose WhatsApp: +2349046229159
AntwortenLöschen