Sonntag, 2. Februar 2014
Myzaljen Hoxha - Kopështi i Edenit
( Përsiatje letrare )
Debati i sotëm në fushë të letërsisë, se politika është e huaj për të, nuk është gjë tjetër, veç një qëndrim politizues i saj. Dhe kjo është e gabuara dhe e keqja e saj.
Ka më shumë se 2000 vjet, që politika është “zbuluar” nga natyra prej Aristotelit, si shkencë për të zgjidhur problemet e njerëzimit, dhe jo për t`i krijuar, akumuluar dhe agravuar ata. Pra, politika duam ne nuk duam ne është objekt i letërsisë, dhe vetë letërsia është bashkëudhëtare e saj, në krijimin e vlerave njerëzore, dhe zhvillimin e natyrës dhe shoqërisë njerë-zore.
Në respekt të punës së mëndjes, marrë guximin t`u them :
- Nëse letërsia filozofiko - meditative, ose letërsia politike është një letërsi
“copë-copë”, “socrealiste”, ”e angazhur”, atëherë kjo është tmerrësisht e gabuar dhe e dëmshme për vetë jetën njerëzore.
Letërsia është zbutëse e natyrës së “egër” të njerëzve. Natyrisht, unë duke qënë gjenerues në fushë të letërsisë ( në prozë dhe poezi), jam dhe lexues apo konsumator i këndshëm i saj. Por, edhe mbrojtës i rreptë i saj.
Të tillë më bënë vetë fjala letrare e Xhorxh Oruellit, që është gjuha e letërsisë së tij, ashtu sikurse është dhe vetë gjuha ime.
Te eseja letrare e tij “PSE SHKRUAJ”, ai thotë se arsyeja e pestë e të shkruarit letërsi është :
“ Qëllimi politik ”. - Duke përdorur fjalën “politike” në kuptimin më të gjerë të mundshme. Dëshira për të shtyrë botën në drejtimin e duhur, për të ndryshuar idetë e njerëzve në funksion të zhvillimit shoqëror, pasi çdo arritje e ka zanafillën në një ide progresive. Në këtë hulli çdo letërsi e vërtetë është e lirë nga paragjykimet politike. Mendimi se arti nuk ka të bëj me politikën, në vetvete është një qëndrim politik, që ska të bëj me letërsinë”.
A ka të drejtë Oruelli ?
Vetë koha e ka provuar tashmë vertetësinë e letërsisë së epërme të tij.
Tek poezia ime “TRILLIMI” ose “LETЁRSIA” unë kam dhënë devizën: “ Një njeri është thjesht një qënie njerëzore, dy njerëz janë letërsi”.
Poezia është kjo:
TRILLIMI
Do të ishim më të keq,
E keqja do t‘na kishte zili.
Do të ishim më konformistë,
më nervozë,
më shumë të pabindur,
pa letërsinë e hapur pafundësisht.
Shpirti kritik si motor i progresit,
nuk do të ekzistonte pa trillim.
Dhe nëse shfaqej si kusht i suksesit,
përsëri do të ishte një përjashtim.
Ne trillojmë,
që të jetojmë disa jetë.
Dhe harrojmë,
që kemi vetëm,
vetëm një jetë të vërtetë.
Trillimi, harmoni e mendjes dhe shpirtit,
molla e Adamit dhe e Evës në kopshtin e Edenit.
Materia që na rrethon merr formë për ditë,
nga letërsia, pa edhe të cilën nuk do të kishte jetë.
Jetën e gënjeshtërt,
ia shtojmë asaj që jetojmë,
dhe ajo merr vlerë.
Ajo na ndihmon për t‘ia mbathur,
nga realiteti mediokër, i zbrazët, humnerë.
Trillimi,
“ If “ e Kiplingut dhe “Laokonti”* i Kadaresë.
Mënyra më e thjeshtë për të lehtësuar,
qenien tonë vdekatare.
Për të mundur erozionin e kohës,
për të bërë të pamundurën të mundur,
ashtu si ngjizi jetë në Ararat**, varka e Noes***.
A mund të kuptohet kjo, nga “ kritikët e mëdhenj letrarë”, që “padashje” e politizojnë letërsinë, kjo është puna e tyre. A mund ta ngatërrojnë ata letërsinë, si “socrealiste” dhe “e angazhuar” , edhe kjo është puna e tyre.
Unë e respektoj mendimin ndryshe. Por nuk respektoj mediokritetin letraresk, që s`ka të bëj me letërsinë.
Letërsia është “revoltë” e njeriut kundër të qënit çfarë ai është, në atë që duhet të jetë.
Pra letërsia shprehet nëpërmjet dy kollonave referuese :
E para- është kollona e objektivitetit, e fakteve dhe e konkretes, si e veçantë nëpërmjet trillimit letrar, dhe
E dyta – është kollona e përgjithësimit abstrakt të së vërtetës, mbi ngjarjet që kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin.
Dhe për këtë, dëshiroj të bie në vetëdijen tuaj letrare, letërsinë e Shekspirit, Servantesit, Hygoit, Balzakut, Kiplingut, Kafkës, Kamysë, Quasimodos, Losës e të tjerë korifej të letërsisë botërore, por edhe patriarkët tanë të kësaj letërsie filozofiko-meditative Megjeni, Noli, Asllani, Kadare, Agolli, Kuteli e të tjerë.
Por, letërsia është bërë edhe një instrument i analizës së vetvetes dhe njëkohësisht një rrugë e kërkimit të identitetit të vet. Ashtu sikurse është e vështirë të shkruash letërsi për natyrën, kur, kurrë nuk i je ngjitur një mali, s’ke prekur një pemë, nuk ke kaluar në këmbë vaun e një lumi apo s’ke shëtitur në natyrë për ta soditur atë, ashtu është e vështirë të shkruash një letërsi, nëse kurrë nuk ke demonstruar kundër qeverisë, nuk je përballur me kordonin e policisë, je i papunë dhe nuk paguan dot energjinë dhe taksat, si dhe nuk paguan dot recetën e ilaçeve për shëndetin tënd.
Prej arrogancës dhe shpërfilljes letërsia nuk politizon vetveten, por është e gatshme të anonçojë një qëndrim kontestues për status quo-në shoqërore. Dhe e gjitha kjo, nuk është letërsi “socrealiste”, dhe as “e angazhur”, por një letërsi e mirëfilltë.
Ç`është ky mendim sa sarkastik dhe hermetik, sa i pakuptimtë, aq dhe mediokër për letërsinë ?
Ju ftoj ta braktisim atë, duke e vlerësuar letërsinë bashkëkohore, si një të tërë, si gjeneruese e ideve dhe kulturave njerëzore, për të ndryshuar vetë jetën tonë dhe botën që na rrethon.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen