Samstag, 8. Februar 2014

Ymer Shkreli - Autobiografia

Fragment nga romani humoristik “Lec Pazheci”

 Kurrë s’kam pasur autobiografi.
Ҫudi!... E ҫ’nuk kam pasur në jetën time…
More, kam pasur kapelë sa dy herë koka, kam pasur opinga të reja e dy numra më të vogla, që më bënin pshikë; kam pasur zog pule që u rrit gjel, që të mos bënte ve kurrë; kam pasur keks, rroba të reja e të grisura, nota gjithëfarëshe, laps me dy ngjyra, që zakonisht i thyhej njëra majë, këmishë me lara që ma pati blerë babai në Rozhajë; qengj timin kam pasur qind për qind lesh, distinktivë të ndryshkur nga lufta e fundit, gogla e kokomona, një top të verdhë, që m’u shpërthye ditën e dytë të lojës; dajën Ibish e kam pasur në Shtupeq të Madh, më të madhin nga të dy Shtupeqët; pam pasur kumbarë Elezin në Pepiq, tezën në Dreshaj… E ҫ’nuk kam pasur de, ama autobiografi s’kam pasur kurrën e kurrës, gjë që është për t’u ҫuditur e për të dalë mendsh, bile…
E përse, e si e ҫka?!... Djall o punë është kjo që nuk marr vesh unë as tashti,me leje!
Ndoshta s’kam pasur autobiografi vetëm e vetëm për shkak se nuk më është kujtuar ta shkruaj dhe ta kem si të gjithë ata që i kanë të vetat?!
Ose për shkak se kam qenë i bindur me kokëfortësi prej mushku se autobiografi kanë vetëm njerëzit e mëdhenj?... Kjo është rrenë e kulluar. Atëherë as që e kam ditur se ka të mëdhenj e të vegjël.
Njerëzit e mëdhenj, të lutem!... Kush janë ata?... Cilët?
Se, nuk lindin të gjithë të vegjël, thua ti?!... Po, në Rugovë, në Shkrel sidomos, njësoj si edhe gjetiu: të gjithë njerëzit e mëdhenj ose të rëndomtë – lindin të vegjël, mbase edhe më të vegjël se unë që jam tashti… Shih nga kjo edhe ia nisa…
Mbase edhe unë bëhem i madh një ditë… Nuk dihet.
Përse thua, të lutem?... S’ishte vocërrak Leka i Madh, ore?
Nuk përqyrrej njësoj si unë e ti edhe Napoleoni dikur, mendon ti tashti?!
Me leje, me leje: nuk pëshurrej në shtrat Gjergj Vashingtoni, si të gjithë fëmijët e botës, nga Zelanda e në Alaskë?!
Nuk i fëshinte jargët me beryl si unë, më në fund, vetë Lenini, kur qe sa llulla?!... Me leje… S’qe më i mirë as Cezari, as Betoveni, as Tolstoi… ta them shkurt, me leje!
Nëntëdhjetë e nëntë për qind jam i bindur se Skënderbeu i vogël s’ka mundur ta përzinte as macën nga përsheshi, sado që më vonë i ndoqi turqit… me leje… Tjetër është kur rritet njeriu, bëhet dikushi.
Prandaj edhe unë e nis autobiografinë time. E për fillim, ҫ’është autobiografia që m’u është tekur, do t’më pyesish… Me leje. Kam përgjegje, po…
Autobiografia me siguri se është ajo që e shkruajnë dhe fshijnë njerëzit për vetveten, ajo që përshkëllijnë e shkarravisin për jetën e tyre, që t’ua lënë të tjerëve, me leje…
Për jetën time, për shembull, shkruaj ose nuk shkruaj unë, dora ime. Gënjej sa për të mos e harruar zanatin. Përse befasohesh? Se, edhe gënjeshtrat janë pjesë përbërëse e autobiografive! A nuk është gënjeshtra pjesë e ligjëratës, a?... Me leje! Nganjëherë gënjeshtra është kryefjala… Për kokë të nënës, po!
Por, me leje: sa për fillim, duhet pranuar se u linda. Mund të them edhe: më linden. As më pyeti njeri fare, me leje. Po, më mirë të thuhet: më linden e s’më pyetën, as i falënderova. Erdha në këtë botë me vaj në buzë, s’di përse fare. Sigurisht ajo ka qenë gjuha ime e vetmja, larg tre mijë gjuhëve që ka bota. Gjuhë tjetër s’kam ditur, shi për këtë as që më kanë kuptuar atëherë. Baba e nëna s’kanë ditur asnjë nga gjuhët botërore e unë s’e kam ditur gjuhën amtare dhe, ҫ’të bëja tjetër pos të qaj, të derdh lot e të pëshurrem?!... Erdha pra duke qajtur, si ta dija ҫ’më priste dhe ardhja ime në këtë botë të papjkeur s’ka qenë puna ime. As punë për mua, sa di unë. Më pare do të ketë qenë punë për Ujkanin. Ujkani është babai im, me leje. E tashti mund të thuhet lirisht se prindërit do të më kenë mbaruar shkeleshko, si në punë vullnetare. Fundi i luftës ishte, me leje. Na priste rindërtimi i vendit, secili sipas mundësive. Mundësitë e mia duhet kuptuar: në pelena, po dihet… U shtuam në familje dhe sot e atë ditë s’e di në krisi pushkë ose pordhi kush për mua, të posalindurin: të birin e Ujkanit!
Ardhja ime në Evropën e ҫliruar qe ҫlirim edhe për nënën, që kishte hequr nëntë muaj nga ushtrimet e mia të parreshtura, sikur po përgatitesha për bokiser ose futbaler, gjë që s’është e vërtetë fare… Pra, zbrita në Evropën e lire, me leje, në Ballkanin e posaҫliruar e të grisur, në një skaj të Kosovës, me leje, në Rugovë, në një fshat si... me leje.
Tashti po e dime: u linda në Rugovë. Në Shkrel. Bajrimeraj.
Ҫ’është Rugova, do të më pyesish… me leje!
…Rugova është një bjeshkë e madhe, ose më mire të thuhet – një grumbull bjeshkësh, tej i kanë mbledhur përreth për ta pastruar Dukagjinin dhe i kanë shmangur mënjanë, sa për t’i hequr qafe. E bjeshkët e hidhura përditë ia shqyejnë barkun qiellit dhe ai griset, e lëshon shiun, leje… Bie shi sa here t’i dojë qejfi, as pyet njeri as pushtet dhe ai shi që nganjëherë e lënë jashtë, ngrin nga të ftohtit pastaj dhe bëhet borë e akull, e vjen dimri, para së gjithash… Bile mund të thuhet lirisht se Rugova është dashur të jetë në Pol të Veriut, me klimën që ka; atëherë rugovasit do të kishin qenë eskimë deri në një. Po, sa ftohtë e bëra edhe këtu, në letër, me leje: ka ujë të ftohtë në Rugovë saqë as duart nuk mund të lahen pa dorëza! Mund të shtoj lirisht se ҫdo gjë ngrin, pos ujit të valët nëpër kusia. E shtëpitë i mbarojnë një ose dykatëshe, nga druri, kuptohet, sepse të gjithë gurët, qysh në kohëra të lashta, i kanë shpenzuar për të mbaruar bjeshkë të larta e shkëmbinj të thepisur… Kaq për Rugovën, me leje.
Për Shkrelin do të shkruaj here pas here, sipas nevojës që pati jeta ime e vogël dhe sipas mundësive që ofron një biografi si kjo, nëse është e domosdoshme të shkruhet. Nëse jo, i biem vijë dhe e vëmë këmbën mbi këmbë,ia themi këngës, si dikur… A mbamend kur zogjtë e malit binin nga degët coftë në tokë prej këngës që ia thoshim?!
E tashti dënesjet e para, të lutem…

____________
Falënderojmë mikun Rrahim Sadiku, qe na e solli këtë Fragment nga Romani humoristik "Lec Pazheci" i shkrimtarit Ymer Shkreli

1 Kommentar:

  1. Faleminderit Dr DAWN që më ndihmove të kthej të dashurin tim me magjinë tënde të dashurisë, jam shumë i emocionuar që po jetojmë të lumtur së bashku tani me të vërtetë magjia jote e dashurisë është 100% garanci dhe nuk ka efekte anësore. Shikuesit atje, nëse po kaloni probleme në marrëdhënie, ju këshilloj të kontaktoni Dr DAWN për magjinë e tij të dashurisë. Ju siguroj se magjia e tij e dashurisë mund të rregullojë marrëdhënien e prishur dhe problemin e kotësisë sa hap e mbyll sytë. Këtu është emaili i tij i detajeve: dawnacuna314@gmail.com ose WhatsApp: +2349046229159

    AntwortenLöschen