Freitag, 7. November 2014

Arti letrar midis mëkatit dhe katarzës shpirtërore

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (18

Përgjigje nga prof. dr. Zejnepe Alili - REXHEPI, poete

(Sipas intervistës së Haxhi Muhaxherit: A e shpëton arti, shpirtin nga mëkati?)

          A e shpëton arti shpirtin nga mëkati..., temë kjo që më nxiti të mendoja mbi ndërlidhjet e shumta letrare, për t’u ndërfutur brenda misteresh njerëzore, dramat jetësore të të cilëve u shndërruan në rrëfime, copëza leximesh, ngarjesh e fragmente librash. Për të kërkuar fijet konceptuale mbi këtë temë të nevojitet rizgjim mbi lashtësinë e artit, kuptimi i të cilit nuk do të jetë përmbysur nga koha. Me këtë rast, shumë mendime më silleshin të shkapërderdhura dhe vështirë se e gjeja fillin e tyre. Meqenëse shumëçka varet se me ç’sy duam ta shikojmë mëkatin?

          Arti në përgjithësi, veçmas letërsia, gjatë tërë historisë së saj, është sajuar me variacione të pareshtura rrëfimesh, ndërsa trajtesat socio-psikologjike mbi to, shpesh e kanë qendërzuar nivelin e vlerave analitike dhe estetike, duke e pleksur edhe mëkatin njerëzor brenda artit. Atëherë, ngrihet dilema: po sikur bota vetë të ishte vetëm një grackë, sa do të ishin llogaritë e mashtrimeve?!

          Letërsia ndihmon mjaft për të krijuar një parafytyrim sa më të saktë mbi gjendjen shpirtërore. Njeriu e ka të pamundur që të shkëputet tërësisht nga e kaluara e tij, e afërt ose e largët në kohë. Nganjëherë bindemi se mëkati është i destinuar të ndodhë, pavarëshit nesh..., është fat, e parathënë apo diç e përligjshme që ekziston vetëvetiu në natyrën njerëzore. Si fillim mund të rikujtojmë “Edipin mbret”. Në çdo bashkëkohësi ngjarjesh, qoftë edhe periudhash të ndryshme kohore, mëkati ekziston, ashtu si ekziston dhe katarza, madje jo vetëm në kufijtë e personales, por edhe në shtrirjen më të gjerë të letërsisë pasqyruese si normë e qytetërimit. Pa çka se mëkati lind nga “akujt” shpirtërorë ku zë vend dhe strehohet për një kohë “e keqja”. Ky mund të jetë vetëm një segment i një shpjegimi që prej kohësh ma imponon letërsia, sidomos temat e tragjedive të mëdha, përmbajtjet e kryeveprave botërore.

          Për të kuptuar ndryshimin midis mëkatit dhe faljes (katarsis) vihemi në rikujtim të thënies së V. Hygosë: “Arti është e bukura që ka vetëm një fytyrë, kurse e shëmtuara ka mijëra pamje”..., madje, është dëshmuar se e bukura, si koncept estetik, të shpie edhe në mëkat.


Si ndodh kjo?

          Vetë mishërimi i njeriut me ëndrrat dhe parapëlqimet e tij, për t’i plotësuar me çdo kusht ato ëndrra, pasi ai njihet edhe për tiparin e Narcizit, nuk e shmang dot adhurimin për “lumturinë jetike”, por përfitimi me çdo kusht i asaj që synon, nganjëherë e shndërron në mëkatar. Për këtë kemi trajtesa pa fund temash të hershme, që nga Zanafilla e njerëzimit, Mitologjia, si dhe ato me përmbajtje biblike që sajohen mbi bazën thelbësore të mëkatit. Etika e këtyre modeleve ilustrativisht na rikthen larg në kohë, te “Epi i Gilgameshit”. Pastaj, njihet mirëfilli dhe trajtohet në letërsi edhe konflikti dhe vrasja e Abelit nga Kaini, gjë që dëshmon se shija për të bukurën (si destinim i fatit në përzgjedhjen e vajzës që dëshironin), të bën të fajshëm. Edhe Adami dhe Eva duke shijuar “të ndaluarën”, u zhytën në mëkat, por e njohën faljen hyjnore dhe e zbuluan njerëzoren brenda vetes, andaj thuhet se: “gabimi është njerëzor, ndërsa falja hyjnore”. Mirëpo, midis tyre është shija për të bukurën, dhe arti më së miri e dekodifikon shpirtin, realisht edhe e shpëton nga “faji”. Qenia njerëzore njohu kartarzën, “shplarjen” e shpirtit nga mëkati. Strategjitë e katarzës kishin për qëllim që gabimi të mos përsëritet.

          Arti e njeh tragjedinë, meqë veprat më të bukura lindën nga tragjeditë. Edhe popujt më të lavdishëm, si dhe populli shqiptar, kanë përjetuar tragjedi të mëdha..., tërë kjo është prekëse për qenien njerëzore, për individin e përhumbur në kohë, për përgjërimin e kolektivitetit që të pëshpërisë “Këngën e përshpirtshme” (L. Matrënga)..., mirëpo kështu u ngritën lavditë, epopetë, këngët legjendare, legjendat... Edhe Shekspirin e bënë madhështor tragjeditë, madje është e papërsëritshme kryevepra “Makbethi”, ku gjejmë shembullin tipik se si tragjedia e plotëson artin, mirëpo e rëndësishmja është që njihet dhe katarza, meqë kjo ia kthen humanizmin artit. Pra, pas një faji të mundshëm, duhet sërisht prioritet t’i jepet shpirtit pasi, drithërimat si ndjeshmëri, çiltërsia e individit, shfajësimi..., sikur e zgjojnë atë vetëdije të fjetur që na shpie në instancat e pavetëdijes.

          Shpesh herë jeta e fton shpirtin në përjetime të çfarëdoshme, gjë që tipizon edhe dyluftimin psikologjik të Faustit dhe Memfistofelit, përderisa Gëte-ja ngrihet në një autor kryevepre letrare. Të tjera personazhe, si Ana Karenina, Ema Bovari..., dënohen të paragjykuara për gabimin e tyre, gjë që i shpie ato në fatalitet. Si sinonim të dënimit - mëkatit e njohim edhe Shën Mërinë, megjithëse aty qëndron edhe thelbi i krijimit të mijëra veprave të artit. Mirëpo, sa artistët i besojnë këtij mëkati..., apo arti të hap vizion për botën? Po të besonte Da Vinçi në mëkatin njerëzor s’do ta krijonte kurrë portretin e Monalizës.
Përderisa, të jetosh, do të thotë të guxosh, ndërsa të guxosh nënkupton edhe të gabosh, atëherë të mos gabosh është sikur të mos e hapësh kurrë portën për të parë botën me sytë e tu. Shpirti ka aftësi përthithëse ngjarjesh, përjetimesh..., andaj arti i vërtetë çdo ditë e e përkthen jetën e artistit në mendim, në vepër...! Një shprehje e Kantit, thotë: “Botën e krijojmë ne me vështrimin tonë”.

          Arti, në të vërtetë krijohet me ndjesinë e paralajmërimit se “kupa është mbushur” dhe nuk duron shpërfillje..., arti është tipizimi i çdo gjëje, madje edhe frymëmarrja e një vendi dhe e një kohe. Ai nuk duron kufizime, prandaj e tejkalon mëkatin, duke bërë që vepra të udhëtojë lirshëm, pa këtë droje. Përballja me un-in dhe ndeshja me alkiminë jetësore, e vendosin shkrimtarin, artistin në përgjithësi, në pozicion të tillë që t’i përmbysë ekuilibret “e pasigurta” të gjumit letargjik ku kanë rënë ëndrrimtarët, pa e vrarë mendjen për nismën e një ndryshimi të domosdoshëm. Besoj që “filozofia e librit nuk është bjerrë nga koha”, ashtu sikurse edhe vetë arti.
____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen