Sonntag, 9. November 2014

Arti shlyen çdo mëkat njerëzor

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (19)

Përgjigje nga Majlinda Nana RAMA, shkrimtare

A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, duhet së pari të krijojmë një definicion të qartë mbi artin dhe mëkatin. Mirëpo si asgjë tjetër, edhe këto dy koncepsione nuk mund ta kenë një të tillë. Ato, në dukje shfaqen thjesht, antipode të njëra- tjetrës.

Arti gjeneron, ftillon, iluminon, frymëzon, emocionon, sjell të djeshmen dhe i paraprin të ardhmes. Mëkati, nga ana tjetër, përqaset në trajta të çmendurisë që nuk njeh kurrfarë rregullash morale.

Deri këtu, individi arrin t’i njoh ngarkesat me ndjesi pozitive apo negative shpirtërore të fazës teorike të dy gjendjeve si nocione, por kur ato zhvillohen, lëvizin brenda tij, as ai vetë, individi, nuk është në gjendje të krijoj ndasi mes kësi ndjesish.

Ndijimet, refleksionet, emocioni që miklon arti, nxisin të bukurën. Shëmtia është antipod. Është e bukura ajo që shërben për të gjithë, për vetë individin, për personat rreth tij dhe në këtë kuptim edhe për shoqërinë.

Nëse kjo mollë mëkati ‘’evë-adamësh’’ ezaurohet te një shpirt i lirë krijuesi a artisti, ajo merr format e një mëkati të bukur, i cili e bën botën me të mirë, i jep impulse, krijon dimensione të reja dhe po ashtu, trajektorja në të cilën ecën, e shndërron në mëkat ‘’oksimoronik’’.


Pse e shoh ndryshe mëkatin e një shpirti krijues nga një mëkat tjetër çfarëdo?

Çdo artist e nuhat, e njeh, e vlerëson dhe e do të bukurën. Dhe, pikërisht, qysh këtu nis të gatuhet mëkati. Sytë, e çojnë individin drejt një joshjeje. Ky produksion thellohet më tej dhe mund të has në trajtëza të panumërta shfaqjesh, por latimi që i bën shpirti i artistit e vesh mëkatin me një gjendje ‘’finsikërore’’, që nuk lejon asnjë koment, asnjë paragjykim, asnjë intepretim të mëpastajmë.
Sepse vetëm arti posedon të tilla fuqi, që mëkatit t’i jap formatin e një oazi shpërthyes e përligjës të pakontestueshëm, të motivuar, justifikues, nëse mund të shprehesha kështu.
Pra, mendoj se arti shlyen çdo mëkat njerëzor, sepse, prandaj ka lindur; nga dëshira për të kapërcyer tabutë e kufijtë e të zakonshmes, për të penetruar në botë të ndërtuar mrekullisht me të gjitha ndjesitë, penelatat, koloritet e ylberet që vetë jeta shfaq përpara qenies njerëzore.
____________________
SQARIM PËR LEXUESIT:
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                     Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen