Përgjigje nga Rezart PALLUQI, shkrimtar
Arti s’e ka frenuar shpirtin të bëjë keq, por të vetëreflektojë! Sipas mendimit tim arti nuk e shpëton shpirtin nga mëkati. Në rastin më të mirë arti i jep mundësinë shpirtit të pendohet për mëkatin e kryer. Mëkati, i çfarëdolloj natyre qoftë ai, mbetet një shenjë e pazhdukshme në shpirtin e viktimës. Por po aq i dhimbshëm ai është edhe për mëkatbërësin, agresorin. Sepse edhe agresori vuan prej mekatit, dhe jo vetëm viktima.
Arti përballë mëkatit!
Në radhë të parë, genet keqbërëse janë të lindura tek të gjithë njerëzit pa dallim. Ndryshimi është se tek disa njerëz genet e së keqes zhvillohen qysh në moshën foshnjore të ndikuara edhe prej ambjentit ku është rritur fëmija, i cili më vonë rrëshqet në rrugën e “thikave të përgjakura”, ndërsa tek të tjeret qe hyne ne rrugen e mbare, mekati fle gjume.
Arti, ose bota e përkryer njerëzore, përpiqet ta frenojë njeriun për të mos bërë mëkate, ose në rastin më të mirë, të vetëreflektojë. Këtë e vërejmë në Botën perëndimore të paktën mbas Luftës së Dytë Botërore, ku Perëndimit vazhdon t’i skuqet faqja për mizoritë e asaj lufte, me kryemëkatarin, Hitlerin.
Në hapësirën shqiptare, për fat të keq, arti ka dështuar në të gjitha drejtimet, sepse ai shqiptarin, nuk e ka frenuar të bëjë krime, as nuk ka arritur që keqbërësi shqiptar të vetëreflektojë, të pendohet, madje këtë e vërejmë edhe tek ARTISTËT të cilët MËKATIN e kanë MARTUAR me ARTIN. Arti në botën shqiptare, është një pllakë varri, mbi të cilin ngrihet një kullë e madhe me DOSJET e mëkatarëve. Arti, pra për shqiptarin, është më shumë një dekoracion, një vitrinë e shkëlqyeshme, mbrapa të cilit fshihen mëkatarët shqiptarë të dy shekujve të fundit. Edhe kur arti, ka tentuar të përballet me mëkatarët, atëherë ai ka qenë i njëanshëm, ashtu siç ndodhi gjatë diktaturës hoxhiste, para saj, dhe mbas saj. Ndërsa, në botën gjermane, përshembull, arti arriti të shërbëje EDHE si një pasqyrë e thikave të përgjakura hitleriane. Në rastin e gjermanëve, ne mund të themi, se arti e ndihmoi njeriun të shohë krimet e tij.
E megjithatë, arti, nuk mund të japë garanci shekullore kundra mëkateve të reja. Mjerë shpirti i atij populli që bën krime dhe refuzon të lajë thikat me gjak në tenxheren artistike.
Në mbyllje: fundi i Botës nuk është kur mëkatari refuzon të kërkojë pendesë në altarin e artit. Fundi i Botës vjen kur vetë artisti i këndon thikës së mëkatarit, ashtu siç ndodhi në Shqipëri gjatë diktaturës hoxhiste. Në raste të tilla, arti arratiset në një shpellë të largët, pa njeriun. Strehohet aty, derisa artisti besnik dhe guximtar ta rikthejë artin në shpirtin e zbrazët njerëzor që pranon të vetëreflektojë duke u parë në pasqyrën e artit.
____________________
SQARIM PËR LEXUESIT:
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
Haxhi Muhaxheri
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen