Sonntag, 2. November 2014

Arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin!

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (14)

Përgjigje nga Murat ALIAJ, shkrimtar

  • Arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin i cili në një farë mënyre mbetet viktima e parë dhe e vetme e krijimit të tij.
       Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, nuk është pa vend të meditojmë pak rreth artit. Ç’është arti, kush e krijon dhe pse e krijon. Mirë një i çmendur që merret me art, pa pretenduar asnjë përfitim në të, po ata admirues të shumtë, i ka lënë mëndja që vërsulen pas artit e shndërrohen në tifozë çmendurishë?
       Fakti që shpesh herë krijuesit e ndryshëm idendifikohen me njerëz të çmendur, shpreh shumë gjëra, por sëpari shpreh atë që ata kanë gjetur tek vetja, aftësinë për të nxjerrë nga shpirti i tyre të veçantën që i bashkon me bashkëkohësit e tjerë.
       Si çdo gjë në kohët tona moderne edhe fjala art ka pësuar deformime e përçudnime të mëdha, aq sa me të dëgjuar një fjalë, të vjen në mënd e kundërta e saj. Ulemi në një restaurant dhe me të ardhur kamarjeri nxiton të sqarojë: Në lokalin tonë do gjeni artin kulinar më bashkëkohor. Shikon një copë qiell të qëndisur prej reve dhe vetvetiu të vjen mendimi: Këtë qiell e ka qendisur zoti me artin më të përkryer. Trë bie rruga pranë një salloni mode dhe të çpon veshët reklama: Këtu do gjeni sallonin e artit më të shkëlqyer! Nuk mbetet më pas edhe samarxhiu i cili s’nguron të thotë: Falë artit tim në krijimin e samarëve, gomari im edhe mund të fluturojë.
      Kudo dhe në çdo gjë, arti ka fjalën e parë, sepse nuk është do si do. Është pjesa më e zgjedhur e shpirtit të njeriut. Por është shpërdoruar kaq shumë  kjo fjalë, sa kudo që ajo përmëndet, duhet t’i bësh bisht, duke nënkuptuar të kundërtën.
      E vërteta e hidhur që për të krijuar art të pastër, shumë krijuesve iu kushtoi sakrifica të panumurta e shpesh herë edhe mungesa e kafshatës për të shuar urinë, nuk u përmend veç në rastet ekstreme. Sepse krijuesit e artit të paster, ishin jo vetëm sqimatarë, por edhe të pagojë. Ata s’përmëndën asnjëherë privimet që i bënë vetes për të krijuar vlerat e mbetura pas. Edhe pse pyetja e anketës nuk ka të bëjë me këto, mendoj se janë pjesë e pandarë e krijimit të artit të vërtetë, i  cili siç ka ekzistuar në kohët më të errëta të njerëzimit, vazhdon të ekzistojë e do ekzistojë derisa mbi tokë të ketë banorë që shpirtin do e vlerësojnë me shumë nga stomahun.
      Gjëndemi përpara një statuje mermeri të lashtësisë dhe brenda nesh lindin një mori me pyetje. Si ka mundur dalta e skulptorit të depërtojë aq thellë në mermer e të gdhend palët e fustanellës, apo kokërdhokët e syve. Dëgjojmë një tingull që na vjen nga ndonjë mjedis i panjohur dhe menjëherë na lind ideja se atë na e dërgon vet zoti për të na tërhequr vëmëndjen se në morinë e mediokriteteve të jetës së zakonshëme, kemi lënë shpirtin mënjanë. Përpiqemi ta rikujtojmë një shkrepëtimë që na tërheq vëmëndjen, por më kot. Ishte vetëm një shkëndijë që shkrepi dhe u zhduk.
      Arti ( sigurisht e kemi fjalën për artin e vërtetë) ndikon spontanisht tek njerëzit, pa iu bërë kërkesë abonimi në të. I çfarëdo fushe që të jetë njeriu, kur dëgjon apo ndesh një mesazh tronditës artistik, (dhe të tillë ka pafundësisht) shtanget dhe detyrohet të dalë jashtë fushës së aktivitetit të tij.
      Dëgjojmë një varg të rrallë në bukuri e mendim, i cili na rrafshon gjithë rëndomësitë e kësaj jete dhe prap shtangemi e pyesim veten: Ku kemi qënë që s’i kemi shijuar më parë këto mrekulli? Nxitojmë ta shenojmë diku që të mos e harrojmë. Prej këtij çasti arti na ka rrufitur dhe na ka futur nën ndikimin e tij. Ёshtë tjetër temë problemi, në kemi ne të tilla momente e të tilla befasi artistike. Kjo përbën një temë që e meriton vëmëndjen, por ama bota ku jetojmë, të tilla ka me mijra.
      Për ç’mëketarë e kemi fjalën kur krijuesit janë vet mëkatarët më të mëdhenj, që nuk i shpëtojnë dot artit të tyre? Kaq të përsosur e ndërtoi Mikelanxhelo Davidin, sa në fund, i gllabëruar nga çmenduria e krijimit i përplasi edhe daltën në shputën këmbës, duke thirrur: Parla, perche non parla? Edhe sot e kësaj dite, vizitorët pyesin se ku e ka marrë plagën në këmbë, kjo kryevepër e njerëzimit? Të tilla rrebelime ndaj krijimeve nuk janë të pakta. Gogoli e dogji pjesën e dytë të Shpirtërave të vdekur, kurse autorë të shumtë të mesjetës i nxorrën nuk e patën fatin t’i shihnin në dritë kryeveprat e tyre, sepse i kërcenonte turra e druve. Në këto kalvarë kaluan Komedia Hyjnore, Dekameroni, dhe shumë më tepër se ata, vet Petrarka me perlat e tij lirike.
      Natyra e karaktereve njerëzorë është kaq e ndryshme, sa ajo që njerit i ngjan kryevepër, tjetrit i ngjan rëndomësi. Kjo është edhe arsya që shumllojshmëria e artit ndikon në mënyra të ndryshme, në njerëz të ndryshëm. Absolutizma nuk ka. Ka vetëm përvoja njerëzore që vlerësohen në mënyra të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm. Personalisht besoj tek forca e artit të vërtetë dhe shpreh bindjen se vetëm ai ka forcën ta shkëpusë njeriun nga mëkatet.
      Desha ta mbyll këtë meditim që me krijoi anketa me vargjet e Lermontovit që dikur në rininë e hershëme, më trondisnin: 

      Bej be për yjtë e gjithësisë 
      Për këtë diell që na ngroh. 
      Se jo, as shahu i Persisë, 
      As mbret në kulmin e lavdisë, 
      S’ka puthur syçka si këto. 

       E tillë përsosmëri artistike është e vështirë të mos ndikojë në të dy sekset. Tek femrat për ta arritur këtë bukuri imagjinare dhe tek meshkujt për ta përvetësuar atë. Prej këtij çasti, vet synimi ka të bëjë me përsosmërinë e njeriut, për t’iu afruar ideales.
       Përfundimisht jam i mendimit se arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin i cili në një farë mënyre mbetet viktima e parë dhe e vetme e krijimit të tij. Ai është si puna e atij mjekut të përkushtuar i cili sa ka krijuar një ilaç shpetimtar për njerëzimin dhe provën e parë të ilaçit, e bën mbi veten e tij.
_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 
 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen