Dienstag, 4. November 2014

Arti, mëkati i shirtit dhe shpirti mëkatar...

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (15)

Përgjigje nga Rrahim SADIKU, shkrimtar

Mëkati i shpirtit dhe shpirti mëkatar janë preokupim i njerëzve që nga lashtësia e deri sot. Prania e mëkatit brenda njeriut dhe pastrimi nga ai, janë e mundshmja dhe e nevojshmja, e panjohura dhe e dëshirueshmja. Marrja me mëkatin dhe nevoja e pastrimit nga ai, janë një me zhvillimin e njeriut në këtë botë, nisur nga besimet pagane, vazhduar nga raportet midis njerëzve, gjatë mileniumeve, plot kthehsa e kundërthënie dhe shndërruar në normë e në domosdoshmëri në fetë monoteiste. Dhe nga këtu edhe vazhdimësia e rrugës së mëkatit tek njeriu dhe mundësia e katarsisit, përmes artit.

Kjo pyetje, e cila, në letërsi e në artet tjera, shtrohet hipotekisht, që nga krijimet e para imagjinative, nuk ka marrë asnjëherë përgjegjen e duhur. Te Gilgameshi e te Vedat, te Aristoteli e te Platoni, te Sokrati e te Buda, te Solomoni e te Davidi, te Krishti e te Muhameti, te Konfuҫie e te Niҫe, kemi të pranishëm mëkatin e shpirtit njerëzor dhe pastrimi i tij, nga e keqja dhe nga mëkatimi, është grishje e pandërprerë mendimi, kërkimi e krijimi.

Por, a është njeriu mëkatar? A mëkaton ai vetëm pse pranon të jetojë jetën, që është shkaku dhe qëllimi i ardhjes së tij në këtë botë? A lind njeriu mëkatar apo mëkaton pastaj? Sa është ai mëkatar i destinuar e sa krijues mëkati? A është mëkat njerëzor synimi për ndryshime në jetë? A është mëkat krijimi apo armë për ta luftuar mëkatin?
Realisht, janë tri kahe të cilat shtrojnë domosdoshmërinë e pranisë së mëkatit tek njeriu:

Kahu i parë synon që duke e shikuar domosdoshmërisht njeriun si bartës të mëkatit dhe duke dënuar njeriun si mëkatar të lindur, ta bëj atë të mendoj më shumë për veten e të kujdeset të mos mëkatojë edhe më shumë, pra, ky kah synon të heq egërsirën nga gjenet njerëzore.

Kahu i dytë synon ta mbajë njeriun të nënshtruar, të frikësuar dhe gjithmonë të dënuar për atë që realisht nuk e ka bër, pra ta ketë në duar si të dojë, kur të dojë dhe sa herë të dojë. Këtë kah e ushqejnë, e përkrahin dhe e shndërrojnë në ligj të gjitha fetë, pa përjashtim. Ky kah njeh vetëm njeriun e mbushur mëkate dhe urdhëresën që ai të përpiqet në këtë botë për larjen e sa më shumë mëkateve, që vdekja ta gjejë të pastër. Pra, njeriu që ka lindur mëkatar, pa e pyetur kush, duhet gjithë jetën të vuaj pse e ka mëkatin të pranishëm e që realisht e logjikisht, ky mëkat për të mbetet gjithnjë i papranueshëm dhe shkaktar frike e traumash.

Kahu i tretë është ai që kërkon njeriun ideal, që nuk e quan bartës të mëkateve të lindura, po si krijues mëkatesh të vazhdueshme, të cilat pastaj e largojnë nga idealja. Ky kah kërkon njeriun e ndryshimeve, njohjeve dhe synimeve pa fund, prandaj është më i lidhur me artin, i jep besim katarsisit, njerëzores dhe mendjes. Nga ky kah përkrahet dhe lind pa fund edhe shpirti krijues.

Pra, duhet ta kuptojmë se njeriu lindet për të jetuar e jo për të larë mëkate; se njeriu ka në gjene trashëgimi atavike, e cila e shtyn shpesh drejt të keqes dhe prandaj ka nevojë për pastrim shpirti e mendje; se njeriu është qenie e vetëdijshme, krijuese e kërkuese, prandaj edhe me nevojë të vazhdueshme për ta ushqyer vetëdijen, për ta njohur krijimin e për ta thelluar kërkimin. Këto nevoja, në pjesë të madhe, ushqehen e ndriten nga arti.
_____________________
SQARIM PËR LEXUESIT: 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!

                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen