Dienstag, 25. November 2014
Agim Gjakova - Cikël poetik
GJAKIMI
Ku e ka çatinë qielli i Shqipërisë
të varem lëvarem ndërvarem kacavarem
të lëshoj çengelat e fatshkimurit tërbim
të ngjitem universalisht
në gëzhojën e ëndrrës
mbi varkën mbretërore të zhgënjimit
zbehem përditë përnatë përvjet përshekull
ku e ka çatinë qielli i Shqipërisë
trarin e ekuilibrit e mbajnë duar të flliqta
dhe e lëshojnë anojnë sharrojnë pshurrojnë
kur ua kërkon lavirja.
KTHIMI
Kthehem nga kryeqytetet e Evropës
ende sytë e maces së zezë më përgjojnë nëpër terr,
ende supermjaullimat veshëve më ushtojnë në eter;
nga qielli i kaltër i Atdheut vështroj tokën time
një afsh më trazon deri në rrënjë të flokëve:
me padurim pres të thith ajrin,
të shkrydh mushkëritë e të shtendos mendjen,
të dëgjoj zërat e qeshjet e shokëve...
Ah, ç’përmallim shkallëve të avionit më fërfërit,
me krahë hapur marr ngrykë më të dashurit!
GRUAS SIME
E përhershmja gjethe e gjelbër në albumin e jetës
kur më pehaten erërat dimër para vetës
më e çelur se dita më e paskajshme se nata
shigjetim i agut nëpër këto vite të gjata
ndërsa qielli im ishte fytyra jote nëpër hekura
hapësirë më mbeteshin buzëqeshjet e tua të rreshkura
...
Buzëqesh edhe një herë për mua, e dashur,
drita mbi fytyrë tremb terrin e egër në një skutë
dhe vështrimin e luanit dalëngadalë ma zbutë,
buzëqesh edhe një herë për mua
si një karvan thneglash mendimet ma pickojnë trurin
helmin ma thith si shpendi kokërr për kokërr grurin,
buzëqesh edhe një herë për mua
le të më lëvizin ngjyrat përtej kohës më thellë
ah, çfarë ndjesish, vrullesh, shpërthimesh të valëta ndjell!
Për një buzëqeshje çdokujt ia kam zili
ka vite zemra e ka harruar atë stoli.
THONË SE...
Thonë se paskam hyrë tinës
e nëpër terr qenkam endur rrugëve me kalldrëm,
si i pari i stërgjyshërve me nëntë pushkë hedhur shpinës,
thonë se në mahallë
zemrën ia paskam turbulluar asaj që del në dritare
dhe një natë qenkam dehur
duke pirë me pijanecët e pijanecëve një Krenë raki
e duke ngrënë një Çabrat meze
e kjo qenka kënduar në këngën e gjyshit të gjyshërve,
thonë se xhandarët e shtatë regjimeve
më paskan kërkuar si turbullues
nëpër skutat e mahallëve
e në pushkën e stërgjyshit qenë prerë shtatë vija,
thonë se asnjëherë derën e kishës a të xhamisë
nuk e paskam shkelë as mbarë as mbrapsht
e ujkun në shpinë e paskam sjellë të vrarë
e dhelprës ia paskam bërë betë
ashtu siç bënte be katragjyshi në derën e shtëpisë,
thonë se m’i paskan hapur shumëkush dyert
bukë duke ngrënë
vetëm nëpër magjet e trimeve
e pas buke gjyshi pat gdhendur fyejt,
thonë se paskam një çelës
që çel burgje e zemra, që mbyll gojë e arkivole
e paskam besim t’ia jap çdokujt
e askush nuk më paska tradhtuar
baba ma pat lënë të besës,
thonë se pranverën e dimrin
të dyja i paskam në ballë
si qielli që ka retë e diellin
im vëlla trim e bujar,
thonë se më paskan lindur një djalë e një çikë
që më ngjakan aq shumë mua
si buka bukës
si uji ujit pikëmpikë,
thonë se shumë plagë paskam në trup e në shpirt
e vdekjen kurrkund s’ma paskan shkruar perënditë¨
në kujtim të vyer edhe për stërnipërit.
THIRRJE
O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t’i tremb skifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t’i lyej me dyllë blete
po t’i vesh palë palë me lesh të butë
rrëzë trungut ditenatë po të rri zgjutë!...
Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të Çabratit
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.
EVROPË
As nuse as plakë
as dashnor as xheloz,
të mos kishe qenë ti
do të isha unë,
mërzi të të kërkoj
vetmi të të gjej,
ti peshon në mua e më ndrydh
unë të mbaj e çlirohem…
a ka shteg tjetër?!
SOFIZMI QYTETIT PËR NJË BURRË
Solli një kafaz prej ari
e quajtën mendje gomari,
mori një gotë ujë në lumë
qeshën me atë etjeshumë,
në qiell shënoi një yll
e lanë tri net në pyll,
erdhi ngadalë duarbosh
e vunë me nderim në një qosh.
BABËS
Me syrin tënd e shkrep vetëtimën
me fjalën tënde e lëshoj bubullimën
me lotin tënd e rigoj shiun
me qeshjen tënde e rrezoj diellin
me gjumin tënd e perëndoj hënën
me britmën tënde pyllit ia shtoj gjëmën...
njeri a perëndi!
SHKON I GJALLI ME TË VDEKURIN
Nuk keni me m'gjetë as në parajsë as në ferr
e kam ngrënë bukën e valtë
e kam pirë ujin e kristaltë
kam menduar se di me lexue në libër
që përshkruan në fletë të zverdhura
përuljen e të vdekurve të lodhur
nuk keni me m'gjetë as në tokë as në qiell
e kam fshirë nga fjalori i jetës mordjen
zigzaget e rrufesë që kam lëshuar
nëpër detin e trazuar
janë përrallosur në mendjen e engjëjve
kam mburrur veten se di me kuptue pezmin
që ngërthen mitin e pushtetimit
fryti më i lavdëruar i ferrit tokësor
gjashtëdhjetedy vjetët e endur nëpër avullim
kanë nisë me marrë formën e përsëritjes.
MUZGU
M'u kujtua vdekja dhe i dhashë fund jetës
u shtriva në varr dhe ndeza qiriun e vetmuar
yjet u gremisën ranë xixëllonjat
shpërfillshëm dielli m'i mbylli qepallat
kafshova dheun përbetimin e amshueshëm
i lava mëkatet dhe u ngrita nga varri.
KAMELEONIZMI
Katër fotografitë
nga teserat e katër partive
mbi pllakën e varrit m'i vendosi dikush
ma vranë orën për të hyrë në qeveri
porosita një kolltuk te tapicieri
mos kërko më shumë nga unë se njëzetë fytyrë
kaq ngërthen banka kombëtare kapital të shtetit.
PROMOVIM LETRAR
Dashnorja e parë më thur lavde buletinesh
kërrusem në koshin e radiotelevizionit
dhe e mistifikoj veten sinqerisht
fallkritiku i parë më praron me ngrehinë publike
mbështillem me llojlloj gazetash të ditës
dhe e ngjyros veten përçudnisht
pushtetari i parë ma deformon vuajtjen në ëmbëlsi
zhytem në kolltukun pronësi të shtetit
dhe filozofoj mbi kotësinë përdhunisht
lavdi zotit që s'kam shkruar më shumë libra.
Ç'ËSHTË AJO QË MUNGON
Nuk u ndodha kur u ndanë kolltukët
tash më mungon jorgani
nuk arrita pranë kasafortës
tash më mungon kuleta
nuk u ngjita në zulmë të famës
tash më mungojnë këpucët
nuk e di kush m'i shpërlau mendtë!
NOKTURNO
Sa më premtuan mua të përsharin të përqenosurin
të përqenefosurin qytetar
mua që zbrita nga maja e Olimpit njerëzor
në hapësirën e sëmundjes së verdhë mjegullore
të dashurisë për birin e Evës
sa më deshën si kalë apo gomar i mirëfilltë
i duartrokitjeve të zeshkëta
sa më ndjenë në helmimin e kësaj mendjeje të vrerosur
mua të përlavdëruarin të përçudnuarin
të përshkumëlëshuarin votues pa zarar
i zhveshur ankesash mbi një dërrasë të kalbur
lyhem me bojën e rekrutit të gërmuqur
si shpend i errët
horizontin e përhimë thërras dëshmitar
nën çatinë e kombit
o i lumi dhe i mjeri unë!
MITI I DYTË
(ose Shkapërderdhje)
Shtatë ditë e net përsërita me vete
se jam njeri
iu ofrova zotave të më bëjnë të shenjtë
m’u thanë këmbët
iu dola njerëzve të më bëjnë dreq
m’u mpinë duart
e vendosa kokën time në tempullin e kohës
m’u thinjën flokët
atëherë më ndodhën mrekullitë
kur gjithçka u shemb.
DERI TE RETË
E pashë hijen time në muze
dhe bërtita
lëshoma rrugën histori
mbi të vrapova si i çmendur
nën të më mbeti vetëm buza në gaz
nuk di si shpëtova nga paharrimi
më ndihmoi padituria.
KOSOVA NË KRYQËZIM SHEKULLI
Nënë
pashë ata eshtra
çoma një lëkurë të ujkut
të kafshoj
të krokodilit
të përpij
të akrepit
të pickoj
të gjarprit
të helmoj
të qen rrugaçit
të jargavitem…
nuk më bën as më nxë më lëkura e njeriut.
SHUSHURIMË
Më erdhi loti
e ruajta në teh të botës
e ngriva në kristal të kohës
e thava në tingull të fjalës
e pushtova në buzë të vashës
e mbolla në brazdën e tokës
e fshiva me vuajtjen e nënës
e spërkata me erën e furtunës
jehona s’ka me u përsëritë kurrë më.
LËKURA E LUFTËS
Në çdo karrige të parlamentit
po mbjell lule
mbi bajga pleh i jashtëzakonshëm
i fenomenit politiko-bujqësor
këtu duhet ecur zbathur
të mos tronditet lavirja
aspak zoti nuk ka ndërmend të zbresë
në këtë tokë të mrekullueshme
shqiptarizimria verbuese.
PROMETEU
Promete i vetvetes
kërkoj ta ndez një flakë në brendi
ma fik shpirti
me të një të fryrë të fuqishëm
shkrep me dhëmbë zemërimtarë
e lag gjuha shkëndijën
me llojlloj fjalësh
i jap zemrës si eshkë
e paskam harruar mitin e zjarrit.
TEPËR VONË
Po të bëhesha edhe një herë njëzetvjeç
do ta shkërdheja botën mbarë e mbrapsht...
tash jam plakur
s’më mbetet tjetër
vetëm t’i përkulem asaj
në botën tjetër
do ta kryej hakmarrjen.
_________
Poezitë janë marrë nga Forumi shqiptar
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen